Zvicër, 200 mijë shqiptarë në rrezik dëbimi
Iniciativat e shtetit zvicerian për ligje të ashpra për emigrantët rrezikojnë 200 mijë shqiptarë që punojnë atje
Shoqatat e emigrantëve shqiptarë u bëjnë thirrje atyre që të kundërshtojnë projektligjin për azilin
TIRANË- Më shumë se 200 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër mund të përfshihen nga një valë dëbimi, nëse ky shtet miraton ligjin e ri për emigracionin. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se shoqatat e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër janë të shqetësuara nga iniciativat e ndërmarra mbi miratimin e ligjeve më të ashpra që kanë të bëjnë me emigracionin dhe kërkimin e azilit. Në rast se shteti zvicerian miraton ligjin mbi të huaj dhe refugjatët, mediat shprehen se të paktën 200 mijë shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi mund të largohen me forcë nga vendi. Shoqatat e emigrantëve shqiptarë me qendër në Zvicër kërkuan që 20 mijë shqiptarët, të cilët kanë përfituar nënshtetësinë zvicerianë të kundërshtojnë ashpër rishikimin e ligjit mbi azilin. Disa parti të majta dhe organizata jo qeveritare po kundërshtojnë projektligjin, me argumentin se ai bie ndesh me të drejtat e njeriut. Ndërkohë që qeveria zviceriane shprehet se situata aktuale e shekullit 21 kërkon rregulla të reja, përsa i përket të huajve. Ligji aktual mbi shtetasit e huaj ka hyrë në fuqi 70 vjet më parë.
Emigracioni
Pas Italisë dhe Greqisë, Zvicra mbetet një nga shtetet që regjistron numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, ku kryesojnë shqiptarët e Kosovës. Megjithatë, pas viteve ‘90 shumë qytetarë të Shqipërisë kanë aplikuar për azil politik në shtetin e vogël evropian, duke u regjistruar si shqiptarë të Kosovës, për të përfituar nga statusi i të përndjekurit, skemë e cila ka rezultuar shumë e suksesshme për shumë syresh. Madje, shteti zvicerian nuk ka hezituar t’iu japë azil politik edhe shumë personave, të cilët janë shpallur në kërkim nga shteti shqiptar dhe që akuzohen për vepra të ndryshme krimininale, deri terroriste. Gjatë gjithë këtyre viteve, Zvicra është konsideruar si një shtet mjaft tolerant përsa i përket marrëdhënieve me emigrantët, raport i cili ka qenë mjaft i debatuar mes forcave të djathta dhe të majta politike. Miratimi i këtij ligji mund të pasohet edhe me një marrëveshje mirëkuptimi, e cila mund të nënshkruhet mes qeverisë shqiptare dhe asaj zviceriane, për kthimin e të gjithë emigrantëve që punojnë në të zezë. Qeveria shqiptare në kuadër të përmbushjes së standardeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka nënshkruar marrëveshje me të gjitha vendet anëtare, për kthimin e të gjithë emigrantëve që rezultojnë pa dokumenta. Kjo në përfitim të lehtësimit të vizave për shtetasit shqiptarë. Gjithashtu shteti ynë ka nënshkruar një marrëveshje të veçantë edhe me Britaninë e Madhe, për kthimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këtë vend pa dokumente.
Shekulli
Krijoni Kontakt