Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e babadimri
    Anëtarësuar
    07-07-2003
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    704

    Solana: Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme

    SPECIALE: Flet për “Epokën e re” z.Javier Solana, përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme i Bashkimit Evropian

    Kompromise të tjera

    Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme

    Solana: Problemet si korrupsioni na bëjnë me dije se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do t’i zgjidhë automatikisht të gjitha problemet në Kosovë

    Arsim Sinani

    Bruksel/Prishtinë, 20 tetor – Javier Solana, përfaqësues i Lartë për Politikën e Jashtme në BE, ka thënë se perspektiva evropiane për Prishtinën dhe Beogradin do të rritet nëse do të kemi një marrëveshje të qëndrueshme.
    “Një gjë e tillë do të promovonte stabilitetin e rajonit dhe është në përputhje me vlerat evropiane”, ka thënë Solana, i cili, në një intervistë ekskluzive për “Epokën e re”, ka shtuar se procesi i statusit po drejtohet nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, dhe mendon se statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë vendim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
    “Unë jam një optimist për nga natyra, por për Ballkanin jam një optimist i bindur”, ka thënë Solana

    Bisedimet në Vjenë

    EPOKA E RE: z. Solana, në Vjenë po vazhdojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Si i shihni ju këto bisedime nga pozicioni që keni?
    Solana: Unë vazhdoj të kërkoj nga Prishtina dhe Beogradi që të zhvillojnë negociata të hapura dhe konstruktive, në mënyrë që të gjendet një marrëveshje për të ardhmen e Kosovës. Perspektiva evropiane për Prishtinën dhe Beogradin do të rritet nëse do ta kemi një marrëveshje të qëndrueshme. Një gjë e tillë do të promovonte stabilitetin e rajonit dhe është në përputhje me vlerat evropiane.

    Statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë vendim i KS të Kombeve të Bashkuara

    EPOKA E RE: Kur mund të presim rezultate konkrete nga këto bisedime. Mendoni se viti 2006 do të jetë fund i status quos së Kosovës?
    Solana: Është e rëndësishme që të vazhdojmë t’i përqendrojmë të gjitha përpjekjet për të arritur një marrëveshje brenda vitit 2006. Procesi i statusit po drejtohet nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari, dhe statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë vendim i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    EPOKA E RE: Sa jeni të kënaqur nga liderët e Kosovës. A mendoni se ata po i kryejnë “detyrat e shtëpisë” si duhet?
    Solana: Prishtina ka qenë konstruktive në një masë të konsiderueshme gjatë procesit të negociatave deri më tani, por ka ende punë për t’u bërë dhe kompromise të tjera duhet të vijnë nga të dyja palët.

    Është me rëndësi për Kosovën që të jetë bujare dhe e hapur sa i përket decentralizimit

    EPOKA E RE: Cili është qëndrimi juaj lidhur me decentralizimin në Kosovë. Si e shihni fundin e këtij procesi të rëndësishëm?
    Solana: Decentralizimi është një çështje thelbësore në procesin e statusit. Ka të bëjë shumë me ndërtimin e besimit mes komuniteteve dhe krijimit të hapësirës për zhvillimin e një shoqërie multietnike. Është me rëndësi për Kosovën që të jetë bujare dhe e hapur sa i përket decentralizimit.

    EPOKA E RE: Megjithatë, pakica serbe e ka vështirë të ndahet nga ndikimi i Beogradit. Ende deputetët serbë nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës. Dhe kjo, si duket s’i bën askujt përshtypje dhe tolerohet në njëfarë mënyre edhe nga ndërkombëtarët. Edhe pse ka raste, si ai i ministrit Petkoviq, që donë të japin kontributin e vetë për Kosovën. Mos do të kishte qenë më mirë që pakica serbe të marrë pjesë në Kuvend dhe aty të debatohen problemet e tyre?
    Solana: Në Kosovë nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme pa pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve. Unë në vazhdimësi u kam kërkuar serbëve të Kosovës që të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në jetën politike të Kosovës. Unë vazhdimisht i kërkoj Beogradit që t’i inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës. Kjo është mënyra e vetme që t’i promovojnë interesat e tyre.

    Liderët e Kosovës duhet të veprojnë tani kundër korrupsionit


    EPOKA E RE: Korrupsioni ndjeshëm është rritur në Kosovë. Çka duhet të bëhet, z. Solana, që të luftohet korrupsioni në kuadër të institucioneve të Kosovës?
    Solana: Problemet si korrupsioni na bëjnë me dije se zgjidhja e statusit të Kosovës nuk do t’i zgjidhë automatikisht të gjitha problemet në Kosovë. Liderët e Kosovës duhet të veprojnë tani kundër korrupsionit dhe duhet të ndërtojnë institucione të fuqishme që të mund t’i luftojnë me efikasitet problemet, siç janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për të luftuar këto probleme, por përgjegjësia për të ardhmen tuaj është në duart tuaja.

    EPOKA E RE: Qytetarët janë të zhgënjyer nga ky nivel i madh i papunësisë, i korrupsionit,i nepotizmit... A do ta tolerojë BE-ja që brenda Evropës të ketë një vend të korruptuar ku dominon individi?
    Solana: E përsëris se jemi të gatshëm që t’ju dalim në ndihmë. Bashkimi Evropian po i bën përgatitjet për proceset pas statusit në fushën më të gjerë të sundimit të ligjit (apo drejtësisë). Ne do ta mbështesim Kosovën dhe kosovarët, por, po e përsëris, që e ardhmja e Kosovës është në duart e njerëzve të saj.

    Ballkani mbetet prioriteti kryesor për Bashkimin Evropian

    EPOKA E RE: Kohët e fundit keni një angazhim të shtuar në Lindjen e Mesme. Kjo i bënë kosovarët të mendojnë se BE-së, në njëfarë mënyrë i ka humbur interesimi për Kosovën. Në agjendën tuaj ku renditet Kosova?
    Solana: Bashkimi Evropian ka shumë çështje që e shqetësojnë dhe përgjegjësi, bota ka mjaft probleme por Ballkani mbetet prioriteti kryesor për Bashkimin Evropian. Kjo për shkak të perspektivës evropiane për Ballkanin.

    EPOKA E RE: z. Solana ju jeni mik i mirë për popujt që duan të jetojnë të lirë dhe të pavarur. Besoni se një ditë në Kosovë do të ktheheni mysafir në cilësinë e heroit që këtij populli i dha lirinë?
    Solana: Dua që një ditë të kthehem në Kosovë ku njerëzit e të gjitha komuniteteve do të jetojnë bashkë në paqe, demokraci dhe prosperitet.

    EPOKA E RE: A jeni ende i mendimit se Kosovës i duhet një qeveri e koalicionit të gjerë?
    Solana: Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme tani, por edhe në të ardhmen. Një qeveri që di të jetë efektive në implementimin e standardeve. Një qeveri që mund ta drejtojë popullin e Kosovës në këtë situatë të ndërlikuar.

    Kosova është çështja e fundit e hapur në Ballkan


    EPOKA E RE: Unioni Serbi-Mali i Zi vdiq. Këtë e vulosën qytetarët e Malit të Zi. Në njëfarë mënyre përfundimisht po mbyllet një kapitull i hidhur për popujt në Ballkan. Megjithatë mbeten çështje të hapura problemi i Vojvodinës, Sanxhakut, Luginës së Preshevës çka mendoni ju për këto vende që mund të jenë vatra krize?
    Solana: Kosova është çështja e fundit e hapur në Ballkan. Pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, liderët dhe populli i Kosovës duhet të jenë shumë të përqendruar në procesin e stabilizimit dhe në reformat politike e ekonomike që janë të nevojshme për të forcuar demokracinë në rajon dhe të arrihen standardet evropiane.

    EPOKA E RE: Sa jeni optimist për të ardhmen e Ballkanit?
    Solana: Unë jam një optimist për nga natyra, por për Ballkanin jam një optimist i bindur. Ne kemi investuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve në Ballkan dhe njerëzit në këtë rajon ndajnë perspektivën evropiane si një aspiratë të përbashkët. Kam besim se së bashku do t’ia dalim.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Presidenti Fatmir Sejdiu deklaroi se autorët e incidenteve janë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës


    Grupi i Kontaktit dënon aktet e dhunës në Kosovë


    Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit në Prishtinë kanë dënuar aktet e dhunës në disa rajone të Kosovës dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për të kapur autorët e incidenteve. Grupi i Kontaktit ka thënë se të gjithë ata që e mbështesin lirinë dhe demokracinë kanë një rol për të luajtur në krijimin e rendit dhe ligjit për të gjithë në Kosovë dhe njëkohësisht edhe për të ndihmuar policinë që të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve. "Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme dhe ata që kryejnë akte të dhunës duhet ta kuptojnë se ajo është plotësisht e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe do të dëmtojë kauzën e tyre, në veçanti në këtë kohë të ndjeshme. Zhvillimet në Kosovë po përcillen me vëmendje të posaçme," ka thënë Grupi i Kontaktit përmes një deklarate për shtyp të lëshuar nga zyra britanike në Prishtinë. Grupi i Kontaktit u ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë tolerancë dhe përmbajtje dhe të realizojnë objektivat e tyre vetëm me mjete paqësore dhe demokratike. "Bashkësia ndërkombëtare po kërkon dëshmi të qarta për përkushtim për të përcjellur normat demokratike në realizimin e qëllimeve politike, që të respektohen të drejtat e të gjitha bashkësive dhe të promovohet pajtimi dhe të ndërtohet besimi mes tyre", thuhet në një deklaratë të Grupit të Kontaktit. Incidentet në Kosovë u dënuan edhe nga Grupi Negociator i Kosovës i cili ka bërë thirrje për qetësi. Presidenti Fatmir Sejdiu tha pas takimit të Grupit Negociator të martën se autorët e incidenteve janë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës. Ai i është referuar me këtë rast incidenteve në gjithë Kosovën në javët e fundit dhe i ka bërë thirrje autoriteteve të ndjekjes që të kapin autorët e tyre. Në prag të zgjidhjes së statusit të saj, gjendja e sigurisë në Kosovë është vlerësuar si e mirë, megjithëse ka patur disa shpërthime në qytete të Kosovës dhe një përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve në veri të Mitrovicës. Presidenti Sejdiu ka thënë është e nevojshme që të ruhet stabiliteti në Kosovë dhe të zvogëlohet, siç tha, hapësira për incidente.






    Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joackim Ruecker dënon aktet e fundit të dhunës në Kosovë


    Autorët e incidentëve para drejtësisë


    Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joackim Ruecker, i tha BBC-së se i ka dënuar fuqishëm të gjitha incidentet e fundit në Kosovë dhe se u ka premtuar bashkëbiseduesve të tij në Bruksel se fajtorët do të sillen para drejtësisë. Ruecker që po fliste nga Brukseli, ku u takua edhe me shefin e diplomacisë evropiane Javier Solana, tha se incidentet janë fatkeqe kur kihet parasysh procesi i statusit, sepse sipas tij, ka pasoja të ndërsjella kur ndodhin gjëra të tilla.

    Si i vlerësoni takimet me zyrtarët e lartë evropianë në Bruksel?

    Në takimin që kisha me Komitetin për çështje politike dhe të sigurisë, unë e informova për javën në Nju-Jork, për rezultatet e rëndësishme dhe në veçanti, unë nënvizova atë që dëgjuam nga Grupi i Kontaktit. Unë e bëra të qartë se sa e rëndësishme është kjo për punën tonë në terren, sa e rëndësishme është për UNMIK-un dhe porosia ime ishte që të ruhet momenti në procesin e statusit.

    Zoti Ruecker. A keni biseduar ju me zotin Solana dhe me përfaqësuesit e tjerë evropianë për angazhimin e BE-së në Kosovë në të ardhmen?

    Po kemi biseduar dhe përgatitjet janë në rrugë e sipër me një bërthamë të zyrës ndërkombëtare civile në Prishtinë, gjithashtu edhe me një ekip të BE-së për planifikim në sektorin e rendit dhe ligjit dhe rreth kësaj është punuar.

    Zoti Ruecker me siguri se jeni përballur edhe me pyetjet rreth sigurisë në Kosovë. Kemi parë një numër incidentesh dhe sipas mendimit tuaj a po ecën Kosova kështu drejt një përshkallëzimi të ri?

    Po. Incidentet e fundit kanë qenë pjesë të bisedave të mia këtu në Bruksel dhe unë i kam dënuar ato fuqimisht. Ju kam premtuar bashkëbiseduesve të mi se do të bëhet çdo gjë e mundur që kryesit e veprave të sillen para drejtësisë. Mendoj gjithashtu se këto incidente janë fatkeqe kur kihet parasysh procesi i statusit, sepse ka pasoja të ndërsjella kur ndodhin gjëra të tilla.

    Kur flasim për procesin e zgjidhjes së statusit ka kaluar java e ngjeshur e takimeve në Nju-Jork, ju tani kaluat nëpër Bruskel. Atëherë ku jemi tani? A vazhdoni të besoni se fundi i vitit është afati kohor i duhur për ta zgjidhur këtë çështje?

    Mendoj se njerëzit më përgjegjës për t'u përgjigjur në këtë pyetje janë Martti Ahtisaari dhe anëtarët e Grupit të Kontaktit. Por unë do të doja që t'ju përqëndroja vëmendjen tuaj në deklaratën e ministrave të Grupit të Kontaktit nga takimi i fundit në Nju-Jork ku ata kanë përsëritur qëndrimin nga Londra se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që të arrihet deri të një zgjidhje, siç e quajnë ata, të negociuar deri në fund të vitit. Dhe mendoj se kjo deklaratë po i përmbahet zhvillimeve.





    RD

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    Brari kesaj radhe po e dishe edhe ti qe keto shperthime kunder pamvaresis se Kosoves siq po i cilson sejdiu po i bejn grupet kriminele e mafioze te ldk-se me vjen mire qe me ne fund i ke kuptua drejt e nuk i paske etiketue te tjeret si e ke zakon ma mire vone se kurr thot nji fjal popullore
    Do t´i luftoj spiunet dhe tradhtaret e kombit deri ne vdekje.

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Kosova nuk ka nevojë për kioska-universitete!
    Nga Davius në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 05-08-2006, 08:28
  3. Kosova, e pavarur, por jo sovrane!
    Nga Davius në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 18-04-2006, 05:52
  4. A e kane pushtuar shqiptaret Kosoven?
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 17-10-2002, 23:31

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •