Hetimi i pasurisë së zyrtarëve, miratohet komisioni, Nishani kryetar
Anila Rama
TIRANË- Parlamenti miratoi dje rreth mesnatës ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për verifikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të institucioneve kushtetuese dhe publike. Edhe pse 42 deputetë të opozitës bojkotuan procesin e votimit, 72 vota pro, dhe 11 abstenime, seanca vendosi për ngritjen e komisionit hetimor në fjalë. Ndërkohë Bujar Nishani, do të jetë në krye të komisionit hetimor parlamentar për verifikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë të institucioneve kushtetuese dhe publike. Pas kërkesës së depozituar nga 35 deputetë të opozitës për ngritjen e komisionit në fjalë, shumica ka përcjellë në strukturat parlamentare edhe emrat e anëtarëve të saj. Konkretisht Bujar Nishani, do të jetë kryetar, ndërsa Ramiz Çobaj, Blerim Çela, Mehmet Hoxha, Genc Sharku dhe Astrit Patozi. Në projektvendimin që u miratua dje në mbrëmje në seancën plenare, mungonin emrat e anëtarëve të opozitës, e cila ka kundërshtuar ngritjen e këtij komisioni hetimor duke e konsideruar atë si antikushtetues. Përfaqësuesit e opozitës gjatë debateve e konsideruan të pavlerë kërkesën e maxhorancës për të realizuar këtë hetim parlamentar. Sipas deputetit Elmaz Sherifi, nuk mund të hetohet, pasi nuk kemi të bëjmë me një çështje të caktuar. Ndërsa deputeti tjetër i PS-së Petro Koçi, theksoi se nëse shumica do të mbështeste kërkesën që grupi parlamentar i PS-së i ka drejtuar Kuvendit për të ngritur komision hetimor për të hetuar mbi pasuritë e familjes së kryeministrit Sali Berisha, opozita do të jepte votën për ngritjen e këtij komisioni. Gjithsesi me shumicë votash, shumica ka votuar ngritjen e komisionit për të hetuar pasuritë e zyrtarëve të lartë, duke qenë në pritje të 5 anëtarëve që do të përfaqësojnë pakicën aty. Komisioni do të ketë në përbërjen e tij 11 anëtarë, ku 6 do të përfaqësojnë shumicën parlamentare, dhe 5 të tjerët do të jenë të opozitës. Sipas projektvendimit komisioni do hetojë mbi pasuritë e funksionarëve të lartë të shtetit për 5 muaj me radhë, periudhë kjo që është më e gjatë që kanë pasur deri komisionet hetimore të ngritura deri tani. Kështu nën hetimin parlamentar do të jenë pasuria e Presidentit të Republikës, të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, të kryeministrit, zëvendëskryeministrit, ministrave dhe zëvendësministrave, kryetarit e nënkryetarit të KLSH-së, kryetarët e partive politike parlamentare, anëtarët e KQZ-së, anëtarët e KLD-së gjyqtarët e Gjkykatës Kushtetuese, gjyqtarët e Gjykatës së lartë dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura kushtetuese, qendrore e publike. Por përveç zyrtarëve të sipërpërmendur do të hetohen mbi gjendjen e pasurisë edhe persona të lidhur me ta. Përveç ngritjes së këtij komisioni hetimor, maxhoranca ka kërkuar edhe ngritjen e një komisioni për të hetuar mbi prokurimet e shpronësimet që ka realizuar bashkia e Tiranës.
Shekulli
Krijoni Kontakt