Ceremonia e varrimit vetëm me familjen. Gazetarja mbante qëndrim ekstrem ndaj islamit
Shuhet “rebelja” Oriana Falaci
Shkrimtarja italiane ruan deri në fund fshehtësinë
--------------------------------------------------------------------------------
Jeta e saj ka qenë e gjatë dhe aventureske. Oriana Falaci, shkrimtarja dhe gazetarja e njohur italiane, është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në orën 1.30 në një spital të Firences, në moshën 77-vjeçare. Falaci prej kohësh vuante nga një tumor, por asnjëherë nuk pranonte të mposhtej nga sëmundja e saj. Madje për të gjithë lajmi ka qenë i papritur. Asnjë nuk e dinte që gjendja e saj ishte përkeqësuar, nuk e dinin se ishte kthyer nga Amerika në Itali për të kaluar ditët e fundit. Të vetmit që e kanë parë në këtë gjendje kanë qenë e motra, Paola dhe nipi i Falacit. Një sjellje kjo që i shtohet ekstremeve që karakterizonin atë në jetë. Madje për të ruajtur këtë fshehtësi, nga kartela e spitalit ishte hequr emri. Është bërë e ditur se ceremonia e varrimit do të jetë shumë private. Nuk do të ketë personalitete apo adhurues për të nderuar një njeri publik. Në banesën e fundit, Oriana Falaci do të përcillet nga e motra dhe nipi. E njohur në mbarë botën për librat e saj të suksesshëm dhe për artikujt si gazetare, për të ka qëndrime nga më të ndryshmet. “Mund të biesh ose jo dakord me Oriana Falacin, por nuk mundet të mohosh se ka qenë një shkrimtare e madhe...dhe një grua kurajoze”, - është shprehur Ferruçio de Bortoli, ish drejtor i “Corriere de la Sera”, i cili ka bashkëpunuar shpesh me Falacin. Kurajën e saj e ka treguar edhe në një intervistë të pak kohëve më parë. Ajo tronditi mbarë opinionin botëror kur në intervistë dhënë për revistën amerikane “Time”, deklaroi hapur urrejtjen ndaj islamit. Falaci u shpreh se do ta hidhte në erë xhaminë, nëse ajo do të ndërtohej pranë shtëpisë së saj.
Ditët e fundit
Edhe pse e kishte për zemër Amerikën dhe e quante si vendi revolucionar, pavarësisht udhëtimeve të vazhdueshme, në ditët e fundit të jetës i është rikthyer Toskanës. Personat e pakët që i kanë qëndruara afër gjatë këtyre ditëve, tregojnë për një Orianë që vuante shumë, por që pavarësisht dhembjes së saj, ka mundur të kalojë rreth 20 ditë në Firence, për të riparë qytetin e fëmijërisë. Ka shëtitur nëpër Palazzo Veçhio, në urat mbi Arno, ka dëgjuar këmbanat që binin në Campanile di Giotto dhe mbi të gjitha, ka shëtitur nën Torre Mannelli në Ponte Veçhio (urën e vjetër). Duke u nisur nga kjo urë, kur ishte e re, gjatë viteve të luftës me pasion mori rolin e drejtueses së lëvizjes çlirimtare. Aty fshihte armët, e besuar e at Edoardo, komandant i lëvizjes çlirimtare, i arrestuar dhe torturuar nga gjermanët. Si pjesëtare e forcave aktive dhe vullnetare të kësaj lëvizje, Oriana merr mirënjohje nga ushtria italiane. Kështu që në rikthimin e fundit në Nju Jork falë mbështetjes së miqve të saj, ajo përgatiti gjërat për të kaluar ditët e fundit të jetës duke parë qytetin e saj të dashur. Ata që i ndenjën afër kanë treguar se pavarësisht vuajtjes dhe dhimbjes, nuk pushoi kurrë së foluri për temat e saj të preferuara. Falaci, atëherë kur për të jeta matej me minuta, vazhdonte të diskutonte dhe të mbronte identitetin e Perëndimit. Në bindjet e saj fliste për respektin absolut “institucional” ndaj kishës, gjë që iu përforcua pas takimit të Papës, i cili për të mbeti gjithnjë i gjallë. Një gjë e çuditshme kjo, sepse Falaci gjithnjë ka ruajtur pozicionin e laikes. Por në rininë e hershme të saj i lexonte me qejf tekstet e Shën Agostinit.
Vepra
Oriana Falaci ishte një shkrimtare që u dallua për stilin e veçantë të shkruarit në të gjithë botën. Librat e saj gjithnjë ishin të suksesshëm edhe për vet kundërshtimet që përcillnin te publiku. Mes librave që janë përkthyer në shumë gjuhëve janë “Letër për një fëmijë që s;lindi kurrë” i botuar në 1975, “Një Burrë”, 1979 dhe “Insciallah” i vitit 1990. Gjatë viteve të punës, Falaci arriti të intervistonte disa nga liderët më të mëdhenj botërorë. Për të kanë folur shefi i rezistencës civile palestineze, Jaraser Arafat, Kryeministri izraelit, Golda Meir, babai i revolucionit iranian, Ayatollah Ruhollah Khomeini, sekretari i shtetit të Amerikës, Henry Kissinger e shumë të tjerë. Falaci ndoqi si e dërguar luftën në Vietnam, e cila nga ky konflikt firmosi artikujt dhe reportazhet që e bënë një nga penat më të njohura në botë. Vitet e fundit dhe sidomos pas atentatit të 11 shtatorit në Nju Jork, Falaci u vendos në qendër të polemikave. Ajo pozicionohej vazhdimisht në ekstrem ndaj Islamit dhe botës arabe. Në librin e saj të fundit, “Forca e arsyes”, shkrimtarja shfaqi haptazi urrejtjen e saj, duke shkruar se terroristët islamik në 20 vitet e fundit kishin vrarë 6000 persona në emër të Kuranit. Ajo përfundon se në përgjithësi besimi mysliman “ushqen urrejtje në vend të dashurisë dhe skllavëri në vend të lirisë”.
gsh
Krijoni Kontakt