Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi dje projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për telekomunikacionet” ku, midis shumë të tjerash, theksohet se operatori publik i telekomunikacioneve detyrohet të ruajë dhe administrojë për një afat dyvjeçar skedarët e të dhënave për përdoruesit e shërbimeve të tij.
Operatorët publikë të telekomunikacioneve detyrohen të marrin masat dhe të bëjnë regjistrimin e përdoruesve me kontratë pajtimi ose me shërbim të parapaguar, sipas përcaktimeve të ligjit, deri në gjashtë muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Operatorët publikë të telekomunikacioneve detyrohen gjithashtu ta ndërpresin këtë shërbim për përdoruesit, të cilët, në përfundim të afatit të përcaktuar, nuk paraqiten pranë tyre dhe nuk i përmbushin detyrimet e parashikuara sipas këtij ligji. Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, brenda katër ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, përcakton formularin me të dhënat, të cilat janë të detyrueshme të jepen nga abonentët, për të mundësuar regjistrimin e tyre sipas këtij ligji.
Përfaqësues të kompanive AMC dhe Vodafon kërkuan, gjatë diskutimit të këtij projektligji, shtyrjen e afatit të regjistrimit nga 6 në 9 muaj (pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji) për përdoruesit e kartave telefonike që do të lidhin kontrata me operatorët e telekomunikacionit, duke e argumentuar këtë me përgatitjen e proceduarve. Sipas këtij projektligji, skedarët e të dhënave për përdoruesit e shërbimeve publike të telekomunikacionit duhet të mbajnë të dhëna që mundësojnë identifikimin e përdoruesve të shërbimeve publike, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre, identifikimin e tipit të pajisjes fundore, të përdorur gjatë komunikimeve, si dhe përcaktimin e datës, orës dhe kohëzgjatjes së komunikimeve. Këta skedarë duhet t’u vihen në dispozicion, edhe në formë elektronike, Entit Rregullator të Telekomunikacioneve ose autoriteteve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale, në bazë të kërkesës së tyre.
Për përdorimin e shërbimeve telefonike publike operatori i shërbimeve telefonike publike lidh kontratë me përdoruesit. Në zbatim të ligjit, çdo kontratë duhet të përmbajë identitetin e plotë të përdoruesit të shërbimit publik telefonik. Kontrata, që lidhet ndërmjet operatorit dhe përdoruesit, duhet të mbështetet në parimin e barazisë kontraktore të palëve. Ajo hartohet nga operatori dhe miratohet nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve.
Përjashtim bëjnë përdoruesit, që janë abonentë me kartë të parapaguar të operatorëve të shërbimeve publike të telefonisë së lëvizshme.
Pavarësisht nga kjo, në zbatim të ligjit, operatorët e shërbimeve publike të telefonisë së lëvizshme detyrohen të regjistrojnë identitetin e plotë të abonentëve me kartë të parapaguar, përpara aktivizimit të shërbimit.
Skedarët e të dhënave për përdoruesit e shërbimeve publike të telekomunikacionit duhet të mbajnë të dhëna, që mundësojnë identifikimin e përdoruesve të shërbimeve publike, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre, identifikimin e tipit të pajisjes fundore, të përdorur gjatë komunikimeve, si dhe përcaktimin e datës, orës dhe kohëzgjatjes së komunikimeve.
Marre tek: http://www.a1tv.com.al
Krijoni Kontakt