Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,340
    Postimet në Bllog
    22

    Intervistë me aktorin e mirënjohur Mirush Kabashi

    Mirush Kabashi: “Terapia” ime eshte noti

    Ka lindur më 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Kosova. Eshtë i martuar dhe ka dy fëmijë (vajza). Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike, si dhe recitues.

    Me çfarë je duke u marrë aktualisht?

    -Me punë që janë në proces. Në përgjithësi parapëlqej të mos flas për gjëra që ende s’kanë mbaruar.

    Të ka ndodhur ndonjëherë të bësh plane dhe gjërat të mos dalin siç i mendon apo…?

    -Sigurisht. Bile do thosha që është normale të bësh plane dhe të mos dalin gjithnjë siç i pret. Aq më tepër në këto kohë, të duket anormal pretendimi që të të ecin planet. Në raste të tilla unë nuk guxoj të flas, sepse ndjej se gjithmonë më prishen gjërat kur i them para kohe.

    Beson se diçka t’i prish gjërat nëse flet para kohe…?

    -Jo në këtë sens, të kuptohemi. Unë përpiqem gjithmonë të bëj investimin tim kohor apo intelektual, por dua që para se të flas të sigurohem se do ta realizoj. Druaj se më prishen gjërat nganjëherë nga ndonjë dashakeqësi apo diçka të kësaj natyre, jo për ndonjë arsye tjetër.

    Pra, nëse unë insistoj të di me çfarë po merresh, ti “druan” të më tregosh ndonjë plan?

    -Si në të gjitha rastet e tjera. Unë duke kërkuar të jem i përgjegjshëm për gjërat që them, përpiqem të flas vetëm për ato që do t’i realizoj. Por në këtë pikëpamje, puna jonë nuk varet vetëm nga ne... si rrjedhim as planet.

    Në përgjithësi ke tendencën të besosh se një punë që nis arrin t’ia dalësh, apo pret ngadalë të nxjerrësh një konkluzion?

    -Në përgjithësi çdo punë para se ta nis e peshoj shumë gjatë. Në profesion jam “frikacak”. Dëshiroj që gjithçka që interpretoj të më pasqyrojë maksimalisht, bëj mjaft përpjekje që në profesion, edhe më gjerë, të mos bëj kompromise, veçanërisht në dobi të interesit. Njeriu duhet të jetë serioz ndaj gjërave që dëshiron të arrijë.


    Komplimentat reale janë motiv për mua

    Nga anon më shumë pasuria jote?

    -Përgjithësisht përpiqem të bëj pronë timen atë që më takon në princip dhe të mos i hyj kujt në hak. Me këto dua të them se nuk më pëlqen të posedoj gjëra në mënyrë spekulative. Kam ca gjëra të shenjta të miat, dhe një ndër to është edhe ky princip. Nuk i lejoj vetes të jem në borxh me njeri.

    Po të tjerët ka ndodhur të hyjnë në borxh me ty?

    -Sigurisht që ka ndodhur. Mjaft të përmend rastet kur më kanë përzënë nga puna. Dhe kjo ka ndodhur disa herë, qysh në kohën e regjimit komunist (në kohën kur më çuan punëtor në hekurudhë), edhe më pas “në demokraci”, kur më përjashtuan nga puna (`’98 deri 2002), edhe pse me tituj e çmime; kjo vetëm se krijimtaria ime artistike tingëllonte djathtiste. Po kështu më ka ndodhur edhe këto dy vitet e fundit, që dhe pse jam në punë, ma kanë mbyllur derën e Teatrit Kombëtar, duke më mohuar të drejtën e aktivizimit në skenë. Dhe duke mos u kënaqur me kaq, bëjnë të pamundurën për të më sabotuar dhe ftesat për të marrë pjesë në festivale ndërkombëtare të teatrit (Kiev, Vjenë, Beograd, Toronto, etj.), ku Shqipëria s’ka qenë e ftuar asnjëherë. Pra në këtë kontekst kam të drejtë të mendoj se të tjerët më kanë hyrë në hak…

    Si i përjeton situata të tilla?

    -Përpiqem ta ruaj të pacenueshme përmasën time prej qytetari, sepse i ruhem shumë zvogëlimit që të shkaktojnë gjëra të tilla. Nëse do të merresha me vogëlima do më duhej të vija në dyshim vlerat e mia artistike. Vlerësimi i spektatorit për mua përbën vlerën reale të artistit. Kjo është e rëndësishme, kur marr komplimente pa fund prej tyre, duke filluar nga njeriu i thjeshtë e deri në nivelet e larta intelektuale.

    Janë të rëndësishme komplimentet për ty?

    -Sigurisht që po. Janë motiv pune për mua. Ato më rrisin si artist. Prandaj i pres gjithnjë mirë dhe i vlerësoj mjaft. S’besoj të ketë gjë më të rëndësishme sesa duartrokitjet dhe vlerësimet e publikut pas një shfaqjeje në sallë dhe është nje privilegj i rrallë kur spektatori të ngrihet në këmbë mbas interpretimit. Lavdi Zotit, ky privilegj më ka ndjekur jo rrallë.

    Po ndonjë “goditje” pas shpine ke përjetuar ndonjëherë?

    -Pak a shumë këtë po përpiqesha të thosha. Kam përjetuar shumë gjëra të këtij lloji. Jam ndeshur me shumë peripecira, por këto më tepër më kanë shërbyer, pasi në të tilla rrethana më është dashur të investoj shumë dhe kjo më ka ndihmuar të perfeksionohem dhe të mos lodhem në kërkim të përsosjes.

    Pra, ti je person që nuk lodhesh lehtë?

    -Si një nga cilësitë e mia më të mira do veçoja energjinë që më karakterizon në përgjithësi. Jam person që motivohem dhe kam shumë vullnet kur dua të arrij diçka.

    Të ka rastisur të dorëzohesh para ndonjë gjëje që ke dashur ta realizosh, për shkak të ndonjë vështirësie apo të atyre “goditjeve mbas shpine”?

    -Jo, nuk para dorëzohem lehtë kur gjërat varen nga unë. Por mungesa e sinqeritetit apo intrigat mbas shpine më vrasin shumë dhe ndonjëherë edhe më mundin. Dhe gjithmonë pyes veten: Si është e mundur të jenë kështu njerëzit? Si mund ta bëjnë këtë apo atë gjë? S’arrij ta besoj shpesh…! E megjithatë gjithnjë përpiqem t’i shmang konfliktet dhe të mos bëhem pre e pabesive…

    Ia arrin gjithmonë t’i shmangësh këto konflikte?

    -Jo gjithmonë.

    Dhe si përballesh me to?

    -Zgjedh si armë të vërtetën.

    Nuk e kam të lehtë të fal

    Çfarë mendon se ka të veçantë te ti?

    -Mendoj se një artist duhet gjithnjë të dijë të rrezikojë dhe të marrë përgjegjësira. Kjo është një gjë që më karakerzion shumë jo vetëm si njeri, por edhe si profesionist.

    Pak më parë the se të ka qëlluar edhe të të mbyllin dyert ndonjëherë. Si e përjeton ndryshimin e reagimeve nga simpatia e disa njerëzve te përplasja e dyerve nga ana tjetër? Të bën përshtypje kjo?

    -Absolutisht jo. Eshtë e drejta e gjithsecilit të reagojë siç e ndjen dhe mendon. Madje nganjëherë ndjehem keq kur më qëllon të më tolerojë ndonjë polic në rrugë për shkak të shpejtësisë së madhe apo diçka të këtij lloji. Sa herë bëj gabime të këtij tipi policët më falin, e kështu shpesh ndjehem në borxh me ta, ndaj dhe u kërkoj edhe falje…

    Pra, ti thua shpesh më fal…?

    -Jo, në fakt përpiqem të them sa më pak.

    Në ç’kuptim?

    Përpiqem të bëj sa më pak gabime.

    Po kur ndjen se je gabim thua më fal?

    Ah, sigurisht që po. Por vetëm kur bindem se jam gabim. Në raste të tilla e gjej forcën ta pranoj atë dhe të kërkoj falje.

    Po ti vetë fal kollaj?

    -Më duket se jo, fatkeqësisht.

    Nga se nisesh që e thua këtë?

    Nuk e di. Di që e kam shumë të vështirë, sidomos kur ndeshem me mungesë sinqeriteti, apo kur është fjala për intriga, e të tjera si këto. Gjëra të tilla më krijojnë tronditje.

    Kur përballesh me intriga si e gjen mënyrën të dalësh prej tyre, me zhurmë apo….?

    -Nuk kam receta se si i përballoj këto lloj situatash. E megjithatë asnjëherë nuk zgjedh t’ia dal mbanë me zhurmë. Përpiqem t’u shmangem zhurmave dhe ngjarjeve ku mund të lakohet emri im. Kjo gjë më shqetëson sidomos kur bëhet fjalë për gazetat, qoftë edhe për diçka që nuk ka ndodhur për shkakun tim.


    Notin e kam antistres

    Nga sa kuptova ty të shqetëson mendimi i të tjerëve për ty.

    -Në fakt po. Më shqetëson. Madje dhe dëshiroj të di se çfarë mendojnë për mua. Shpesh edhe e provokoj mendimin e tyre. Kjo më ndihmon të jem sa më objektiv.

    Po nëse dikush të kritikon hapur, si e pret?

    Nëse kritika qëndron e pranoj. Këtë e quaj një domosdoshmëri profesionale.

    Po ti vetë je një person i hapur apo…?

    -Gjithnjë bëj përpjekje të jem i hapur dhe të them drejt atë që mendoj. Dhe jam i ndërgjgjeshëm për këtë.

    Mban shoqëri të ngushta?

    -Jam konservator në këtë pikë. Nuk mund të zë lehtë shoqëri të reja. Për mua të shenjta janë miqësitë e hershme.

    Cili është miku yt më i mirë (që të bën të ndjehesh mirë), qoftë edhe një hobi…?

    -Do thosha që e kam vërtet një mik të mirë… është noti. Jam shumë i dhënë pas tij. Qoftë në verë apo në dimër, gjithnjë e gjej kohën dhe mundësinë për të notuar. Aty unë shkarkoj gjithë lodhjen dhe energjinë negative që mund të më jetë mbledhur nga puna apo stresi. Noti për mua është antistres, është një “terapi” më vete. Lidhja ime me notin është shumë shpirtërore. Eshtë një dashuri e imja e hershme me detin, të cilën nuk e kam tradhtuar asnjëherë. Atje gjej jo vetëm paqe, por shpesh më bën të nxjerr edhe nostalgjinë time që më buron nga fëmijëria. Shkoj shpesh edhe për të mbajtur kontaktet me kujtimet e shkuara.


    Analiza e intervistës

    Nëse kërkon të “zbulosh” se me çfarë po merret dhe cilat janë planet e tij të afërta, nuk e ke të lehtë. Ai ka një “rezistencë” të natyrshme, si dhe një qetësi të lexueshme qartë, gjë me të cilën duket se i zgjidh edhe problemet e zakonshme të jetës. Nuk i pëlqen të bëjë zhurmë për asgjë, bile i shmanget gjithnjë asaj, e në këtë kontekst me të drejtë shprehet se mungesa e sinqeritetit dhe intrigat e vrasin shumë. I është dashur të përballet edhe me gjëra të kësaj natyre, ndaj shpesh “druhet” të mos flasë para kohe, kur është fjala për plane, pa qenë i sigurt në realizimin e tyre. E megjithatë, tregon se ka një tendencë të hapur për të besuar tek njerëzit dhe për t’i dashur ato. Asgjë nuk duket se e ka thyer apo mundur humanizmin në shpirtin e tij, as edhe vështirësitë apo prapaskenat që i është dashur të ndeshë shpesh në jetë. Pavarësisht kësaj mirësie, që siç thotë vetë e ka të trashëguar nga nëna më së shumti, ai shpesh nuk e ka të lehtë të falë, sidomos kur është fjala për spekulime ndaj tij. Eshtë njeri i hapur, që në të njëjtën kohë preferon të dijë edhe çfarë të tjerët mendojnë për të, dhe si i tillë nuk nguron t’i pranojë edhe kritikat kur ndjen se është gabim. Ajo çfarë e prek më shumë është dashuria e njerëzve të thjeshtë, mënyra se si ata ia shprehin këtë, qoftë edhe duke e ndalur në rrugë për ta përshëndetur: Kjo është pasuria më e madhe për të, por nuk e “vuan” aspak nëse dikush për qëllime “joracionale” i “përplas” derën. Ai e gjen gjithnjë mënyrën për të qenë i balancuar dhe i kontrolluar në veprimet e tij. Ajo çfarë është më shumë prioritet në jetë për të është familja, e megjithatë pohon se gjithsesi natyra e tij është autoritare, sidomos në rolin e prindit. E gjitha kjo është filozofia e të menduarit dhe të vepruarit të tij… por e veçanta tek ai duket se është mënyra që ka zgjjedhur për t’u relaksuar apo çliruar shpirtërisht herë pas here: noti. Noti për të është një mik besnik, një “terapi speciale” dhe njëkohësisht dashuri, të cilën nuk e ka tradhtuar asnjëherë.


    Nënën e shoh shpesh në ëndërr

    Me sa di keni dy vajza, të rritura tashmë. Si janë marrëdhëniet e tuaja, prind-fëmijë?

    -Familja është gjithmonë prioritet për mua. Por do thosha se roli i prindit është bërë shumë i vështirë në këto kohë dhe në këtë shoqëri pa norma…

    Në këtë kontekst, ti je një baba autoritar apo tolerant?

    -Më duket se jam më shumë autoritar…

    Pse të duket kështu, cilat janë shenjat e autoritarizmit tënd…?

    Është vetë filozofia ime e tillë…mendoj se nganjëherë liberalizmi dhe shpërdorohet. Por do shtoja gjithashtu se ne nuk kemi lindur si prindër, ne e bëjmë shkollën së bashku me fëmijët për t’u “specializuar” si prindër, rritemi bashkë me ta. Në momente të caktuara madje do kisha pasur shumë dëshirë t’i referohesha ndonjë materiali që të më ndihmonte të përsosesha në udhën time si prind. Shpesh përballem me nevoja të tilla dhe shoh që nuk jam specialist i mirë për tema të caktuara që kanë të bëjnë me marrëdhëniet prind-fëmijë. Gjithësesi bëj përpjekje dhe këtë përpiqem tua transmetoj edhe vajzave të mia.

    Po nga prindërit e tu ka pasur një model të mirë që ti je përpjkeur ta “imitosh” me fëmijët?

    -Sigurisht që po. Nëna sidomos ka luajtur një rol shumë të veçantë, sepse babai është përpjekur gjithnjë të na sigurojë jetesën. Nëna ka qenë mjaft e lidhur me ne dhe na ka ushqyer dashurinë për dijen dhe shkollimin. Ajo kishte mbaruar shkollë amerikane në atë kohë dhe njëkohësisht ka pasur edhe një mirësi të jashtëzakonshme.

    Mendon se ajo ka trashëguar shumë cilësi te ti?

    -Besoj se po. Shumë. Marrëdhëniet me të kanë qenë aq të përsosura, saqë edhe tani që ajo nuk është më unë vazhdoj ta shoh shpesh në ëndërr.


    Panorama

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    me sa di une i jati mirushit ka mbaruar shkollen amerikane.. dhe ka qene nje mjeshter i teknikes .. nje duar arte.. po ketu del se dhe nena e tije ka mbaruar ate shkolle..
    mos ka ndonje lapsus te gazetarit ketu?
    nejse.. suksese Mirushit kudo!

Tema të Ngjashme

  1. Mirush Kabashi
    Nga Dita në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 22-12-2022, 23:24
  2. Mirush Kabashi
    Nga Letersia 76 në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 11-06-2021, 22:00
  3. Roli i muezinit e kthen aktorin shqiptar Mirush Kabashi tek Islami
    Nga EverlastinG në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 04-01-2010, 14:57
  4. Mirush Kabashi trondit Athinën
    Nga RaPSouL në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 31-01-2009, 04:07
  5. "Nderi i Kombit" për aktorin e mirënjohur Xhejms Belushi
    Nga Brari në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 14-11-2008, 11:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •