Close
Faqja 3 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 30 prej 32
  1. #21
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Nje tjeter note!

    (Nga Shekulli)

    Raporti: Tirana e Brukseli pas nënshkrimit të MSA

    RAPORTI / NOSA: Hendek i ndjeshëm midis ratifikimit të marrëveshjes dhe axhendës së reformave të brendshme


    NOSA: Zgjedhja e Presidentit, kushtetuese, por mund të shërbejë si burim konfliktesh të ardhshme

    Tre anëtarë të Rrjetit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (NOSA): Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Qendra Evropiane, të mbështetur nga Fondacioni SOROS, ndërmorën nismën për monitorimin e angazhimeve shqiptare pas nënshkrimit të MSA-së me Brukselin dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Ndërmjetme (janar 2007) në fushën ekonomike. Monitorimi përfshin periudhën qershor 2006 - shtator 2007 dhe bazohet në pesë dokumente: Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit; partneriteti evropian; Raporti Vjetor i KE-së për Shqipërinë (2006); Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, miratuar nga Këshilli i Ministrave i RSH-së, në korrik 2006, si përgjigje për dokumentin e partneritetit evropian dhe rekomandimet e përbashkëta të takimeve konsultative të Task Force.

    Monitorimi ka ndjekur nga afër zhvillimet politike, ekonomike si dhe nismat e ndërmarra nga qeveria dhe aktorët e tjerë, në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga niveli i ri i marrëdhënieve me BE-në. Objekt monitorimi janë bërë: kriteri politik, kriteri ekonomik dhe standardet evropiane. Monitorimi është mbështetur në informacionet zyrtare të institucioneve shtetërorë dhe joshtetërorë, në intervista, tryeza të përbashkëta me ekspertë lokalë, si dhe në shtypin e përditshëm.

    Zhvillimet politike

    Ndonëse janë shënuar hapa përpara, demokracia në Shqipëri ende vijon të mbetet një demokraci e brishtë dhe jo aq funksionuese. Dy momente të rëndësishme gjatë periudhës së monitorimit: zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, si dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës në korrik të vitit 2007, u karakterizuan nga mungesa e konsensusit, konfrontimi politik dhe dobësi në infrastrukturën zgjedhore. Në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, vendi u fut pa pasur një regjistër të plotë dhe të saktë të zgjedhësve, të mbështetur në adresat përkatëse, si edhe pa dokumente identiteti, detyrime që duhet të realizoheshin nga qeveria shqiptare. Zgjedhjet e 18 shkurtit 2007 nxorën në pah nevojën urgjente për reformimin e sistemit dhe infrastrukturës zgjedhore. Për këtë është i domosdoshëm krijimi i një Regjistri Themeltar Kombëtar të Zgjedhjeve, të plotë, të saktë dhe të kompjuterizuar, të mbështetur në një sistem adresash gjithashtu të përpiktë dhe të kontrollueshëm dhe pajisja e shtetasve shqiptarë me Kartë Identiteti, me përmbajtje të elementeve të sigurisë së lartë, por duke garantuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e të dhënave personale. Monitoruesit vërejnë se nuk ka një plan pune që të përfshijë të gjithë aktorët e interesuar dhe kjo mund të çojë që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 zgjedhësit të mos pajisen me dokumente identifikimi, që të përsëriten situatat e tensionuara midis krahëve të ndryshëm politikë dhe të mos shënohet përparim në arritjen e standardeve të kërkuara në fushën e zgjedhjeve. Edhe zgjedhja e kreut të shtetit, sipas monitorimit të NOSA-s, u shoqërua me një situatë të tendosur politike, me trysni dhe debate të shumta ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Megjithëse procesi i zgjedhjes së Presidentit u krye duke respektuar Kushtetutën, procesi nuk zbuti konfliktualitetin mes palëve dhe, ka gjasa se mund të shërbejë si burim konfliktesh të ardhshme.

    Reformat në drejtësi

    Reformat në drejtësi janë vendimtare për zhvillimin e vendit si garanci për zbatimin korrekt të MSA-së dhe si një shtysë për procesin e integrimit evropian. Këto reforma, me gjithë nevojën që imponon stadi i ri në të cilën ndodhet vendi, kanë ecur ngadalë dhe nuk janë realizuar në afatet e parashikuara. Iniciativat për ndryshimin e Ligjit për KLD-në, Ligjit për Pushtetin Gjyqësor dhe Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që kanë qenë të shkëputura në kohë, por kanë rezultuar edhe të cunguara. Njëheri këto nisma janë karakterizuar nga procese të izoluara, ku aktorët kryesorë ose asistenca teknike, qoftë e vendit apo evropiane dhe ndërkombëtare është përfshirë në faza të vonshme të procesit, duke dëmtuar synimin e iniciativave, por edhe cilësinë e rezultatit të pritshëm.

    Tregues i mungesës së një procesi transparent e gjithëpërfshirës është edhe fakti që ende sot e kësaj dite Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor nuk ka kaluar për miratim në seancën plenare të Kuvendit. Reformat në pushtetin gjyqësor, për vetë rëndësinë që paraqesin, duhet të vijnë si rezultat i një konsensusi të gjerë politik, siç përcakton Kushtetuta dhe pas një konsultimi të gjerë me juristët dhe misionet ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në këtë fushë. Problematikat që duhen adresuar kanë të bëjnë me karrierën e gjyqtarit, pavarësinë dhe mbrojtjen kushtetuese, emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve, ndarjen më të qartë të kompetencave midis inspektorateve të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë, riorganizimit të gjykatave, përcaktimin e statusit të administratës gjyqësore.
    Gjendja në vendet e paraburgimit, sidomos atyre në varësi të Ministrisë së Brendshme vazhdon të mbetet e rëndë duke mos shënuar përmirësim në raport me vitin që shkoi. Ndonëse kalimi i sistemit të paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë duhej të përfundonte në prill të vitit 2004, pjesa më e madhe e vendeve të paraburgimit vazhduan të qëndrojnë de facto në varësi të Ministrisë së Brendshme deri në shkurt të vitit 2007. Transferimi i të gjitha vendeve të paraburgimit nga ambientet e komisariateve në burgje dhe institucionet e paraburgimit në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe marrja në administrim e tyre përfundoi në 1 korrik të vitit 2007. Reforma në fushën e përmbarimit nuk ka shënuar përparim. Gjatë periudhës së monitorimit ishte parashikuar miratimi i një sërë nismash të rëndësishme ligjore të cilat nuk kanë përfunduar dhe vazhdojnë ende të jenë në proces diskutimi. Këto nisma ligjore kanë për qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor dhe synojnë rritjen e numrit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, forcimin e imazhit publik të shërbimit përmbarimor në Shqipëri, rritjen e efektivitetit, transparencës, profesionalizmit dhe të buxhetit financiar të këtij shërbimi.

    Reformat në ekonomi

    Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa reforma për modernizimin e sistemit fiskal, reduktimin e ekonomisë informale, thjeshtëzimin e procedurave të regjistrimit të biznesit, reduktimin e nivelit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por mbeten ende të pazgjidhura çështje të pronësisë. Me gjithë synimin e mirë të reformave, disa ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë kanë qenë të diskutueshme në respektimin e të drejtave të njeriut dhe disa herë kanë vënë në dyshim respektimin e ligjit dhe parimeve të shtetit të së drejtës. Ndonëse lufta kundër korrupsionit konsiderohet jetike për zhvillimin e vendit, mjetet që janë “zgjedhur” për ta arritur këtë qëllim, në disa raste kanë qenë të paefektshme. Gjykata Kushtetuese i ka deklaruar si antikushtetuese disa nga këto nisma.

    Përparimi me minoritetet (???)

    Përparimi në fushën e minoriteteve mbetet i kufizuar duke qenë se nuk është ndërmarrë asnjë nismë për amendimin e ligjit për shtypin, me qëllim që të rriteshin garancitë ligjore për lehtësimin e aksesit të minoriteteve në media, në përputhje me Konventën kuadër të KE-së për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare. Ende nuk është realizuar gjithashtu amendimi i Kodit Zgjedhor, për plotësimin e tij me dispozita përkatëse, që të lejojnë përdorimin e gjuhës së minoriteteve gjatë fushatave elektorale në zonat ku ato banojnë.

    Administrata publike dhe decentralizimi

    Funksionimi i administratës publike bazuar mbi parimet dhe kriteret e përcaktuara nga “Ligji për shërbimin civil” nuk ka shënuar përparim. Nismat legjislative të parashikuara në Planin Kombëtar për zbatimin e MSA-së, nuk janë realizuar. Masat administrative dhe infrastrukturore të planifikuara mbeten të paplotësuara si pasojë e moszbatimit të legjislacionit në fuqi që rregullon statusin e nëpunësit civil në Shqipëri. Treguesit e zbatueshmërisë së vendimeve të Komisionit të Shërbimit Civil dhe gjykatave për nëpunësit civilë vazhdojnë të jenë mjaft të ulët. Instituti i Trajnimit të Administratës Publike ka vazhduar aktivitetet normale të trajnimit të administratës publike, si pasojë e mbulimit me fonde të caktuara posaçërisht për to.
    Procesi i decentralizimit ka ecur me ritme të ngadalta pasi angazhimi i deritanishëm i qeverisë është materializuar kryesisht në ndryshime ligjore që rregullojnë aspektet financiare të decentralizimit. Përveç ngadalësisë në përgatitjen dhe miratimin e ligjeve, thellimin e procesit të decentralizimit e pengojnë edhe faktorë politikë të tillë si marrëdhëniet midis qeverisë qendrore të kontrolluar nga njëra parti dhe njësive kryesore të qeverisjes vendore që kontrollohen kryesisht nga opozita.

  2. #22
    Sikur te gjitha ato pikat e vezhgimit te ishin plotesuar super, atehere Shqiperia do te ishte nje kampion europian!
    A mundet Shqiperia per nje periudhe njevjecare (2006-2007) qe te behet nje nxenes i shkelqyeshem ne reforma, qe popujve te tjere u jane dashur dekada dhe per hir te se vertetes ende ka shume shtete ne Europe qe kane shume probleme me pikat ne te cilat eshte vezhguar Shqiperia?
    Ne mesin e vitit 2005, kur kjo qeveri erdhi ne pushtet nuk trashegoi asgje tjeter pervec amullise ligjore, korrupsionit te tejskajshem, politikes dhe politikaneve te binjakezuar me krimin etj.

    Ne fund te fundit keto vezhgime jane ne ndihme ne rrugen e afrimit te Shqiperise me standartet europiane.

    Cfare duhet te ndryshoje me shpejt?

    - pajisja e shtetasve me dokumenta identiteti te besueshme dhe krijimi Regjistrit te Zgjedhesve,

    - hartimi i nje ligji konsensual per zgjedhjet,

    - nisjen e reformave ne drejtesi, sepse reformat aty nuk quhen te perfunduara kurre sepse ato jane te lidhura pazgjidhshmerisht me nivelin e zhvillimit te gjithanshem te shoqerise shqiptare,

    - pershpejtimin e procesit te decentralizimit qe per hir te se vertetes nuk eshte dhe aq i thjeshte per t'u zbatuar sepse kerkon njerez me pervoje dhe mjete,



    Sapo lexova ne VOA:

    Regjistri elektronik i shtetasve shqiptarë nis të hënën
    Ilirian Agolli
    01-11-2007


    Opozita socialiste rihapi sot në parlament debatin për kartat e identitetit dhe regjistrin elektronik të qytetarëve. Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se projekti ka dështuar dhe është shtyrë disa herë, që nga viti 2005 e deri tani, ndonëse kjo është një nga premtimet kryesore të qeverisë Berisha. “Mënyra e realizimit të kartave të identitetit, jo në të njëjtën kohë me regjistrin kombëtar të votuesve është një rrugë, e cila, për mendimin tone, është thjesht një rrugë korruptive, e parealizueshme, e cila nuk do të mundë të realizojë asnjëherë një proces transparent dhe të përfunduar. Për mendimin tonë dhe të ekspertëve të kësaj fushe, asnjë shqiptar nuk do të ketë iluzion që në zgjedhjet parlamentare të 2009 do të votojë me karta identiteti” – tha deputeti Klosi.

    Por Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, thotë se projekti për regjistrin elektronik dhe kartave të identitetit nuk ka dështuar dhe po zbatohet me shprejtësi. Ai tha se regjistri elektronik fillon të hartohet pas pak ditësh dhe përfundon në gushtin e vitit tjetër. “Po fillon hartimi i regjistrit elektronik më datën 5 nëntor, sipas një projekti të arritur me asistencën teknike të OSBE-së dhe të një sërë faktorësh të tjerë që kanë ofruar asistencën e tyre, përfshirë këtu Norëay Statistic, përfshirë angazhimet e mëdha që na kanë ofruar shumë vende të Bashkimit Europian, e ndarë në tre faza: në fazën e parë në qytetin e Tiranës fillon më 5 nëntor” - tha ministri Nishani.

    Ministri Nishani tha se pajisja e qytetarëve me karta identiteti dhe me një hartë të saktë adresash janë në qendër të vëmendjes së pushtetit qendror dhe atij vendor. “Kjo punë do të kryhet nga ekspertët tani, - tha ai, - duke lënë mënjanë dështimet shumëvjecare të qeverive të mëparshme”. Mungesa e kartave të identitetit dhe të regjistrit elektronik të shtetasve janë probleme për të cilat më shumë bëhet bujë nga partitë polike në prag të proceseve zgjedhore, por në fakt këto mungesa vështirësojnë jetën e qytetarëve edhe në shumë fusha të tjera si në qarkullimi i lirë i tyre jashtë vendit, në ekonomi, rendin dhe sigurinë publike.
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 01-11-2007 më 16:40

  3. #23
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    Citim Postuar më parë nga perkthyes Lexo Postimin
    Dhe po te shikoni Shqiperine,ne vitin 2004 plotesonte me shume pika.
    9 nga 16.
    Qeveria Berisha plotesoi 4 nga 16.


    http://www.mcc.gov/selection/scorecards/2004/index.php


    Ja ku duket dukshem deshtimi i qeverise Berisha dhe hapat mbrapa qe kemi bere me ate komunistin qe hiqet si demokrat, dhe qe i lepihen ekstremistet neper forume me vjersha kopshti.
    Me mire bejte dhe vjershe kopshti, se permban sinqeritetin feminor dhe enderren e bukur feminore per nje te ardhme me te mire, se grumbullim me mllef dhe nxjerrje po me mllef te peshtymes per nje realitet te hidhur te vendit tone. Me trondit dhe me deshperon me shume se kjo situate e papranueshme ekonomike dhe politike e Shqiperise, peshtyresit dhe tendenciozet dashakeq. Nuk ndjej aspak alarmimin e tyre per faktet e nje realiteti me shume minuse(ate them une me ironi ne vargje, po s'u kuptoka femija nga te medhenjte, s'e kane te tjera pune te medha per t'u marre), por si e si te na mbushin mendjen per pikat presjet e nje bilanci. Me tronditi ky bilanc, pa ironizova sipas menyres time qeverine e Berishes. Nuk dyshova ne bilanci. Edhe sikur mos jete plotesisht i sakte, prape tronditem dhe revoltohem, prape e ngre zerin per sa e sa mangesi te kesaj qeverie. Ja qe une kam mungese fjalori ne sharje dhe etiketime, ne ekstremizma majtiste e djathtiste, qe vec neveritjes, asgje konkrete dhe ne te mire te vendit nuk sjellin.
    -----------------------------------------------------
    SHIKOJ DHE NUK BESOJ ATE QE SHIKOJ
    BESOJ DHE NUK SHIKOJ ATE QE BESOJ(E.SH)

  4. #24
    Anti Zombizem SigPunizem Maska e Duaje Siveten
    Anëtarësuar
    09-09-2007
    Postime
    3,698
    Mondi,

    Ndonse me vonese, falemnderit qe na terhoqe vemendjen per ato radhe.

    I ke reshtuar bukur e me plot vend.

    Urime.

    S'kemi ne nevoje per nota
    Akoma s'e ka marr vesh bota?
    Kemi mbetur mbetamane
    Qe kur beme te dyte babane!

    S'vume mend ne per dekada
    Qe dhe xhungla na la mbrapa
    Se i dhame medalje vetes
    Dhe keshtu ja hidhnim mbetjes!

    Nga t'ja mbajne qeverite
    As permendesh nuk mesuan
    Qe te bindnin nje Amerike
    Ca dollare per t'na dhuruar!

    Qenkemi shume te sinqerte
    Qe ne shifra nuk gabojme
    Kesaj i thone transparence
    Qe te le me gisht ne goje!

    Vec nuk jam kaq pesimist
    Me kaq here mbetur ne klase
    Truri nje dite do te ndris
    Ndihme do t'i jap dynjase!!!

  5. #25
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Oketa: Përfshirja e Shqipërisë në fazën e dytë të Programit të Sfidës së Mijëvjeçarit, zhvillim pozitiv për vendin

    Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa sot, gjatë një konference për shtyp, përshëndeti ftesën që qeveria shqiptare ka marrë nga Bordi Drejtues i Programit të Sfidës së Mijëvjecarit për të zhvilluar dhe paraqitur më tej projektet e saj, në kuadër të një “Faze të Dytë” të këtij projekti.



    Kjo ftesë, u shpreh zoti Oketa, ka ardhur pas mbledhjes së djeshme të Bordit Drejtues të Programit të Sfidës së Mijëvjecarit dhe bazohet në suksesin e Programit të Pragut që po zbatohet prej më shumë se një viti në Shqipëri.


    Ndër të tjera, zv/kryeministri Oketa tha:


    “Dje u mblodh në Uashington DC Bordi Drejtues i Programit të Sfidës së Mijëvjecarit, i cili vendosi të ftojë qeverinë shqiptare të zhvillojë dhe të paraqesë një vazhdim të Programit të Pragut në kuadër të një “Faze të Dytë” të këtij projekti.

    Ky vazhdim i projektit, siç theksohet në njoftimin e mbledhjes, “bazohet në suksesin e Programit të Pragut që aktualisht po zbatohet prej më shumë se një viti dhe do të mbështesë vazhdimin e përpjekjeve të reformave për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet vend Kompakt”. Ky program mund të fillojë menjëherë me përfundimin e programit që është në zbatim, pra pas muajit tetor 2008.

    Me këtë rast, qeveria shqiptare dëshiron të shprehë mirënjohjen e thellë për taksapaguesit amerikan, për qeverinë dhe autoritetet amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë vendit tonë në rrugën e reformave ekonomike, politike e sociale të vendit, për ndërtimin e një ekonomie tregu funksionale dhe një shoqërie të shëndetshme demokratike.

    Shprehim gjithashtu vlerësimin maksimal për rezultatet mjaft pozitive të arritura gjatë fazës së parë të zbatimit të Programit të Pragut, që me një financim prej rreth 14 milionë dollarë, bëri të mundur që në vendin tonë të arrihen objektiva mjaft të rëndësishëm të përmirësimit të qeverisjes dhe luftës antikorrupsion.

    Me mbështetjen e këtij projekti, u realizua ideja e zvarritur prej vitesh për krijimin e one stop shop për regjistrimim e biznesit; u mundësua jo vetëm shkarkimi on-line të dokumenteve tatimore, por dhe pagesa on-line e taksave dhe tatimeve, si dhe filloi tashme aplikimi në mënyrë pilot i prokurimeve on-line. Me garantimin e suksesit në zbatimin e këtyre tre projekteve, Shqipëria renditet në vendet më të avancuara në këto reforma dhe bëhet padyshim një vend i dhënies së eksperiencës për vendet e tjera.

    Qeveria shqiptare, edhe njëherë, shpreh falenderimet e saj për këtë mbështetje dhe siguron se projektet që do të zhvillojë dhe të paraqesë në kuadër të kësaj ftese për Fazën e Dytë të Programit të Pragut, do të kenë si objektiv të tyre thellimin e luftës ndaj korrupsionit, si dhe modernizimin dhe rritjen e eficiencës së qeverisjes së vendit”

    Pyetje: Zoti zëvendëskryeministër bëhet fjalë për një ftesë dhe më pas për të përfituar nga programi i Fondit?

    Zoti Oketa: Bordi dje ka analizuar ecurinë e projektit të Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit, e cila është vlerësuar pozitivisht dhe bordi ka vendosur që Shqipëria të paraqesë projektet e saj për vazhdimin e një faze të dytë të këtij projekti.

    Duhet të kuptojmë që vetë projekti i Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit në zbatim e sipër, i referohem këtu jo vetëm Shqipërisë por projektit të koorporatës në përgjithësi, rimodelohet, pasi faza e dytë e programit të Sfidës së Mijëvjeçarit, e programit Threshold, nuk ka ekzistuar, por është një risi. Ëshë një fazë që nuk ka ekzistuar, por edhe për shkak të reduktimit të fondeve që i janë bërë vetë koorporatës nga buxheti i qeverisë amerikane, është ndërmarrë një rimodelim.

    Vlerësimi pozitiv i ecurisë së projektit në Shqipëri, vlerësim që pata rastin ta marr dhe gjatë vizitës time në Uashington në nëntor të këtij viti, bëri të mundur që Shqipëria të marrë një ftesë për vazhdimin e këtij projekti të suksesshëm.


    Kryeministria
    13/12/2007

  6. #26

    Mauntfort: Reformat kualifikuan Shqipërinë për Sfidën e Mijëvjeçarit

    Qeveria shqiptare ka si prioritet çuarjen e Shqipërisë në moshën dixhitale dhe shtrirjen e lidhjeve dhe rrjeteve kompjuterike në të gjithë vendin. Gjatë një takimi që zhvilloi me Paul Mauntfort, Zëvendëspresident i shoqërisë prestigjioze amerikane të rrjetit netëork CISCO, kryeministri Berisha prezantoi prioritetet e qeverisë shqiptare për zgjerimin e përdorimit të internetit nga një numër sa më i madh i popullsisë.

    Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mundësitë e zhvillimit të infrastrukturës së rrjetit elektronik në Shqipëri si dhe për gjetjen e rrugëve për ofrimin e aksesit të internetit për një numër sa më të madh qytetarësh shqiptarë. Berisha dhe Mauntfort diskutuan gjithashtu edhe mbi rëndësinë e projektit për trainimin e stafeve pedagogjike, si dhe për projektet akademike që ka kjo shoqëri në Shqipëri. "Ne do të ndërmarrim çdo hap për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse, për të patur akses në fondet e mëdha, veçanërisht në ato amerikane, për të bërë të mundur që sa më shumë shqiptarë të kenë kompjuter dhe internet në shtëpi", deklaroi Berisha. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i shoqërisë amerikane të rrjetit netëork CISCO, vuri në dukje se ishte i mirinformuar mbi sukseset e qeverisë shqiptare dhe se viti 2008 do të jetë për Shqipërinë një vit shumë i rëndësishëm për marrjen e rezultateve nga zbatimi i reformave të ndërmarra në vend. "Zbatimi i reformave të ndërmarra nga qeveria juaj ka bërë të mundur që edhe këtë vit, Shqipëria të përfitojë nga Fondi i Sfidës së Mijëvjeçarit. Kjo më gëzon dhe më jep shumë shpresë se Shqipëria do të ketë një rrjet informatik të zhvilluar", tha Mauntfort. Gjatë këtij takimi, gjithashtu, u diskutua edhe për krijimin e mundësive të lidhjeve elektronike midis biznesit të mesëm dhe të vogël, si dhe krijimin e qendrave të informacionit bujqësor, që do të bënin të mundur lidhjen e fermerëve me tregun. Ata ndanë të njëjtin mendim se krijimi i një rrjeti elektronik midis biznesit të mesëm e të vogël do të ndihmojë zhvillimin e sipërmarrjeve të tyre dhe lidhjen me tregjet.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 05-02-2008 më 14:16
    Don"t believe the truth

  7. #27
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    SHBA, ndihmë 16.4 milionë USD Shqipërisë

    Bordi i drejtorëve të Sfidës së Mijëvjeçarit vendos hyrjen në fazën e dytë

    Shqipëria do të përfitojë një ndihmë prej 16.4 milionë dollarësh nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pjesë e programit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Bordi i drejtorëve të korporatës ka dhënë "OK" për hyrjen në fazën e dytë të programit, i cili nisi që në vitin 2006. Më 15 gusht 2008, Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit (KSM) miratoi propozimin e qeverisë së Shqipërisë për fazën II të Programit të Pragut për zvogëlimin e korrupsionit dhe për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Vendimin e ka komunikuar dje në një takim me Kryeministrin Sali Berisha, drejtori i USAID-it, Eduard Landau, i cili zyrtarisht njoftoi mbi vendimin e KSM-së për të mbështetur me një program prej 16.4 milionë dollarësh Shqipërinë. Ceremonia zyrtare e nënshkrimit midis të dyja qeverive do të zhvillohet në muajin shtator. USAID-i do të menaxhojë këtë program në partneritet me institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare shqiptare. "Ne jemi të kënaqur të mbështesim këtë program të rëndësishëm për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe në trajtimin e reformave kryesore gjyqësore dhe në hapjen e rrugëve të reja për zhvillimin ekonomik", tha Landau. Sipas Landaut, një program i fazës II do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet më konkurruese për programet e ndihmës dypalëshe të KSM-së. Shqipëria aktualisht po zbaton një program pragu të KSM-së që përqendrohet në përgjigjen ndaj korrupsionit në tatime, në regjistrimin e biznesit dhe në prokurime. Programi planifikohet të përfundojë në muajin nëntor 2008.

    Programet

    Programet e Marrëveshjes prag të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit (KSM) janë ndërtuar për të ndihmuar vendet që janë në "prag" të kualifikimit për kompaktet e llogarisë Sfida e Mijëvjeçarit (KSM) dhe që përkushtohen për të ndërmarrë reforma të politikave që përmirësojnë rezultatet e tyre sipas këtyre kritereve. KSM-ja mat performancën në tri fusha - Qeverisja e Drejtë, Investimi në Njerëz dhe Nxitja e Lirisë Ekonomike - duke përdorur 16 tregues politikash që kanë lidhje të demonstruar me uljen e varfërisë dhe rritjen ekonomike. Asistenca e Marrëveshjes Prag jepet për të ndihmuar ato vende që të trajtojnë dobësitë specifike të politikave, të cilat tregohen nga rezultatet e vendit në treguesit e këtyre politikave. Marrëveshja dyvjeçare e Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit me vlerë 13.85 milionë dollarë ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe KSM-së, e cila administrohet nga USAID-i, ndihmon qeverinë shqiptare në reformimin dhe në modernizimin e administratës tatimore, prokurimeve publike dhe regjistrimin e biznesit nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe përmirësimeve legjislative. Përbërësit e projektit janë: Politikat dhe Administrimi i Tatimeve, Prokurimet Publike

    Regjistrimi i Biznesit, ulja e Korrupsionit në Politikat dhe Administratën Tatimore, kufizimi i komunikimit personal të zyrtarëve tatimorë me taksapaguesit dhe gjykimin e tyre në vlerësimin dhe në grumbullimin e taksave.

    Hapat


    Synimet e programit që financohet nga Departamenti i Shtetit


    Pragu, të ulë korrupsionin dhe informalitetin



    Rritja e tatimeve të mbledhura nga Zyra e Tatimpaguesve të Mëdhenj deri në 50 për qind krahasuar me shifrën aktuale prej 30.4 për qind.

    Ulja nga 42 në 13 për qind e firmave që pohojnë se mita në mbledhjen e tatimeve është e shpeshtë.

    Ulja me 20 për qind e kostos së prokurimeve qeveritare (përshtatur sipas vëllimit, monedhës dhe inflacionit).

    Ulja e vlerës së dhuratës që pritet të paguhet për të siguruar një kontratë qeveritare nga 6.15 për qind në 2 për qind.

    Rritja nga 625 në 1000 e numrit të bizneseve të reja që regjistrohen çdo muaj.

    Ulja e kostos totale të regjistrimit si përqindje e të ardhurave për frymë nga 31 për qind në 13 për qind.

    Ulja e përqindjes së bizneseve që e konsiderojnë korrupsionin një pengesë të madhe për funksionimin dhe rritjen nga 69 për qind në 30 për qind.

    Ulja e përqindjes së bizneseve që paguan ryshfet për t‘u regjistruar nga 19 për qind në 5 për qind.

    Ulja nga 47 në 1 e numrit të ditëve që nevojiten për të regjistruar një biznes.




    Shqip
    Sui generis

  8. #28
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Korrupsioni, Sfida e Mijëvjeçarit: Shqipëria mbi mesataren

    Korporata Sfida e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) kualifikon për herë të parë Shqipërinë mbi mesataren e të gjitha vendeve të cilat përfitojnë nga kjo korporatë, në luftën kundër korrupsionit. Sipas një njoftimi të Këshillit të Ministrave, në klasifikimin e hartuar nga Korporata (Scorecard 2010), klasifikim ky i përvitshëm, në indikatorët mbi Kontrollin e Korrupsionit, Shqipëria për herë të parë renditet me 53%, mbi vijën mesatare të përcaktuar nga Korporata, si një indikator thelbësor për politika efikase të qeverisë në luftën kundër korrupsionit në vend. Vendet përfituese të programeve të ndihmës nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit vlerësohen për nivelin e korrupsionit në qeverisjen e të gjitha niveleve, efektin e korrupsionit në të bërit biznes, frekuencën e “ryshfeteve” në kontratat publike, taksat, vendimet gjyqësore etj, nepotizmin në shërbimin civil, vendosmërinë dhe forcën e ligjeve, politikave të qeverisë kundër korrupsionit, besimin e publikut në ndershmërinë e institucioneve financiare dhe te politika, etj. “Një arritje kaq pozitive, për të parën herë për Shqipërinë, në koeficientët e Scorecard 2010 në Kontrollin e Korrupsionit, e afrojnë Shqipërinë me pjesën e mëtejshme të asistencës së Korportatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, fazën “Compact”, e cila është një marrëveshje disa vjeçare mes Korportatës së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe vendeve të përzgjedhura, në bazë të arritjeve të tyre në disa fusha duke financuar programe specifike për uljen e varfërisë dhe stimulimin e rritjes ekonomike”, thuhet në njoftimin për shtyp.

    Panorama

  9. #29
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,039
    Postimet në Bllog
    22
    Fjala e kryeministrit Berisha në takimin plenar të Asamblesë së përgjithshme të OKB, për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjecarit

    Kryeministri Berisha, i cili vazhdon vizitën në New York mbajti sot një fjalë, në takimin plenar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjecarit, në të cilën u shpreh:

    "I nderuar Z. President,

    I nderuar z. Sekretar i Përgjithshëm,

    Shkëlqesi,

    Zonja dhe zotërinj,



    Është një kënaqësi e veçantë për mua të prezantoj përpara këtij organi prestigjioz të OKB-së, zhvillimet e fundit në Shqipëri, sfidat dhe arritjet e vendit tim, në drejtim të përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Por fillimisht, dëshiroj ti adresoj një përshëndetje të veçantë Presidentit Deiss së bashku me urimet më të përzemërta për zgjedhjen në krye të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Një falënderim te veçante dëshiroj t’i bej Sekretarit te Përgjithshëm te OKB-se, Bani Ki-moon për organizimin e shkëlqyer te këtij sesioni.

    Zoti Kryetar,

    Tek qëndroja ulur ne këtë salle sot dhe ndiqja punimet e këtij sesioni, vetëtimthi, në mendje më erdhi Sesioni i OKB-se i Shtatorit te vitit 1992, ku unë ju adresova kësaj salle si përfaqësuesi i Shqipërisë, në atë kohë, nje nder vendet me te varfera te planetit me 204 dollarë te ardhura për fryme, me një papunësi prej 80%, nje ekonomi tërësisht te falimentuar, uri kronike e masive dhe jetëgjatësi që shkurtohej, me vdekshmëri amtare e foshnjore nga me te lartat ne bote. Një vend qe ne 50 vite kishte ndërtuar 3.5 here me shume bunkere se sa apartamente banimi për qytetaret e vet. Kjo ishte Shqipëria para 18 viteve.

    Por, siç ka shkruar një dijetar, që e paimagjinueshmja në botë ndodh njëherë në 20 vjet, në vendin tim e paimagjinueshmja ndodhi në më pak se 20 vjet.

    Sot, i adresohem kësaj audience te nderuar, si Kryeministër i një vendi, qe ne një hark të shkurtër kohor ka rritur me dhjetëra herë të ardhurat për frymë dhe që tani së fundmi ka kaluar në grupin e vendeve me të ardhura të mesme e të larta. Nga vendi më i hiperkolektivizuar në botë, ne vendin ku sot, më shumë se 80% e GDP-se gjenerohet nga sektori privat. Gjate dhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka reduktuar nga 25 ne 12% varfërinë dhe nga 4.2 ne 1.3 % varfërinë ekstreme.

    Pese vite më parë, Shqipëria, në kuadër të projektit të saj, të integrimit evropian përparoi dhe ridimensionoi edhe me tej, Objektivat e Zhvillimit te Mijëvjeçarit, duke i përshtatur ato me përmbushjen e objektivave te saj për integrimin ne BE.

    Për këtë qëllim, vetëm në 4 vitet e fundit, Shqipëria ka rritur me 40% shpenzimet për shëndetësinë, me 60% shpenzimet për arsimin, me rreth 80% mbrojtjen sociale.

    Kemi kënaqësinë te theksojmë se mbi 90% e nxënësve qe kane mbaruar shkollën 9 vjeçare hyjnë ne shkollat e mesme. Shtatëdhjetë per qind e te rinjve dhe te rejave që mbaruan shkollën e mesme janë pranuar në universitetet e vendit. Numri i studenteve është trefishuar dhe interneti është i aksesuseshëm në çdo shkollë, në të gjithë vendin.

    Jetëgjatësia e shqiptareve ka arritur tashme ne 77.9 vjet ndërsa vdekshmëria maternale është disa here me e ulet, se në disa ndër vendet më te zhvilluara. Ulje drastike ka patur edhe vdekshmëria foshnjore, e cila ende nuk është ne nivelin ku duhet te jete. Vaksinimi i fëmijëve në Shqipëri është ne nivelet me te larta ne bote.

    Fushat e mbrojtjes së mjedisit kanë njohur progres thelbësor. 98% e elektricitetit dhe energjisë në vendin tim vjen nga burime të ripërtëritshme. Ekonomia e vendit, megjithë krizën e madhe botërore, financiare, ia doli te ketë në vitin 2009, një rritje prej 3.5% . Eksportet këtë vit kane njohur një rritje prej 62%. Te ardhurat buxhetore këtë vit janë rritur me 13% krahasuar me vitin e kaluar. Në tërësi, rritja ekonomike gjate këtij viti pritet te jete midis 4-5%.

    Shqipëria ka krijuar një mjedis shumë miqësor për biznesin e investimet. Për momentin është një nga vendet me barrën më të ulët fiskale, në Evropë. Vetëm dy vitet e fundit, vendi im ka firmosur kontrata prej disa miliardë euro investime e koncesione. Infrastruktura e Shqipërisë ka pësuar transformime rrënjësore, përsa i përket rrjetit rrugor, furnizimit me uje, energjisë, telekomunikacioneve dhe sherbimit shëndetësor. Vendi im, sot është anëtar i NATO-s dhe ecën i sigurt ne procesin e integrimit ne BE.

    Personalitete te shquar te ekonomisë e financave botërore e kane vlerësuar si quantum leap zhvillimin e Shqipërisë gjate këtyre viteve, por unë mbetem plotësisht i vetëdijshëm se, megjithe këto arritje, vendi ka serish një rrugë jo te lehte, përpara. Serish, ne vendin tim me mijëra qytetare përballen me papunësinë, e cila arrin ne 11%, ndërsa të tjerë përballen me varfërinë, madje edhe varfërinë ekstreme,ndërsa durojnë dhembjen, dëshpërimin, dhe lotët e ftohtë te saj. Në anën tjetër, ndërtimi i vendit dhe Infrastruktura kërkon investime te mëdha.

    Përmbushja dhe tejkalimi i OZHM është një rruge e sigurt, për një horizont te ri te vendit tim, në përpjekjet për integrimin evropian.

    Zoti Kryetar,

    Këto arritje te jashtëzakonshme, të qytetareve shqiptare kanë në themel, iniciativën e tyre te lire, lumenjt e tyre te djersës, për çka, unë shfrytëzoj rastin për t’u shprehur nderimet e mia, më të përzemërta.

    Por, ato u bënë të mundura gjithashtu falë reformave të thella e te gjithanshme, të ndërmarra gjate këtyre viteve, në Shqipëri, në fushën ekonomike, sociale, arsimore, shëndetësore, në tërësi dhe në veçanti falë luftës tonë të paepur kundër korrupsionit dhe reformat e lidhura me të.

    Këto reforma janë përcaktuese për fatin, suksesin dhe rezultatin e te gjitha reformave te tjera. Ndaj edhe për mua kusht vendimtar për arritjen dhe tejkalimin e Objektivave të Zhvillimit te Mijëvjeçarit është lufta kundër korrupsionit. Unë besoj se ky fenomen përfaqëson armikun më të egër te njerëzve dhe shoqërive te lira.

    Në vendin tim, lufta e paepur kundër korrupsionit na lejoi të dyfishonim të ardhurat buxhetore, në më pak se 5 vjet. Reformat anti-korrupsion ndihmuan reformat ekonomike dhe reforma të tjera ta shndërrojnë Shqipërinë, në një ndër vendet me të sigurt ne Evropë, por edhe ndër vendet më tërheqëse për investimet e huaja, ndaj dhe unë ftoj biznesmenët tuaj ta konsiderojnë seriozisht mundësinë, për të vizituar dhe investuar në Shqipëri.

    Shfrytëzoj rastin te shpreh vlerësimin e thellë, për Organizatën e Kombeve te Bashkuara, për përpjekjet e vazhdueshme kundër korrupsionit, dhe në veçanti, Konventën e saj kundër Korrupsionit si edhe ngritjen, kohet e fundit, te Akademisë antikorupsion, në Vjene.

    Zoti President,

    Shqipëria dhe shqiptaret në rrugën e tyre të ndërtimit te sistemit demokratik, ekonomisë se tregut kane patur nje mbështetje dhe solidaritet te jashtëzakonshëm, të shumë kombeve dhe vendeve mike nga mbare bota.

    Dua të shfrytëzoj këtë rast për tu shprehur atyre, qeverive dhe taksapaguesve te tyre, mirënjohjen më të thellë për bujarinë qe dëshmuan ndaj një kombi qe dilte nga izolimi me i thelle i kohërave. Falënderoj thellësisht OKB, agjencitë e saj, institucionet e Bretton Woods, PNUD-in për ndihmën shume te çmuar ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj kohe.

    Një falënderim të veçante dëshiroj te bej sot për Sekretarin e Përgjithshëm te OKB, Ban Ki-Moon dhe ekipin e tij qe përzgjodhën vendin tim , për programin e OKB Delivering as One. Me lejoni te afirmoj këtu se kjo përzgjedhje ka rritur shume eficiencen e bashkëpunimit midis vendit tim dhe agjencive te OKB dhe ka arritur një implementim më të suksesshëm të dhjetëra e dhjetëra projekteve të përbashkëta, në fusha të shumta, të cilat e kanë ndihmuar shume vendin tim, në rrugën e përmbushjes se OZHM-ve dhe integrimit evropian.

    Se fundmi, dëshiroj t’ju falënderoj ju, zonja dhe zotërinj te pranishëm këtu sot, për vëmendjen qe me kushtuat.

    Kryeministria
    22/09/2010

  10. #30
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    28-04-2010
    Postime
    967

    'Fol Enver të lumtë goja..'

    Fjalimi i mbajtur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) nga Kryeministri Sali Berisha ishte një kopje perfekte e propagandës së dikurshme enveriste që mburrte arritjet e shoqërisë socialiste duke krahasuar gjendjen e Shqipërisë në vitet '70 të shekullit të kaluar, me statistikat e vitit 1938. Edhe Berisha u përpoq të propagandonte arritjet e Shqipërisë në vitin 2010 duke bërë një krahasim me vitin 1990. Përse ky recidivizëm enverist në fjalimin e një kryeministri të supozuar si demokrat? Sepse vetëm duke u krahasuar me kuotat më të ulta të historisë së Shqipërisë, Berisha mund të sajojë diçka nga ato "suksese" të Shqipërisë që "mahnitnin" botën dikur nën udhëheqjen e diktatorit Enver Hoxha dhe që sot, duhet ta "mahnitin" nën udhëheqjen e autoritaristit, Sali Berisha. Por e vërteta e mjeruar është se 20 vjet pas shembjes së komunizmit Shqipëria nuk ka mundur të tejkalojë deri edhe disa tregues të ekonomisë së centralizuar socialiste për të dëshmuar epërsinë e sistemit të ri. Dhe kjo jo për faj të ekonomisë së tregut por për faj të politikanëve dhe qeveritarëve të kallëpit Berisha që me paaftësinë, aventurizmin, korrupsionin dhe gjakimin e tyre për pushtet, nuk kanë lejuar që ekonomia shqiptare të shfrytëzonte siç duhej avantazhet e lirisë.
    ***
    Nuk mund të mos të bjerë në sy fakti që në fjalën e tij Berisha i është shmangur me kujdes rrafshit politik, krizës politike që po vuan prej më se një viti vendi dhe problemeve të shumta që pushteti i tij ka me institucionet e pavarura. Në diskurin e tij përmendet vetëm njëherë kalimthi fjala "liri". Sali Berisha nuk mund të pohonte dot me plot gojë dhe krenarisht se pas 20 vjet tranzicion, në vendin e tij është instaluar sistemi i demokracisë liberale me institucione të pavarura, me barazi të të gjithëve para ligjit, dhe me të drejta dhe liri plotësisht të mbrojtura për qytetarët. Po të guxonte ta shpallte një gënjeshtër të tillë të parët që do ta përgënjeshtronin botërisht, do të ishin pronarët e ligjshëm që sapo u dhunuan përsëri në të drejtën e tyre historike nga një ligj i miratuar prej shumicës berishiste në Parlamentin Shqiptar. Kryeministri e filloi tiradën e tij duke bërë një krahasim mes asaj që kish shprehur shumë vite më parë (në sesionin e OKB në vitin 1992) dhe asaj që po shpaloste këtë herë në vitin 2010. Eshtë e pamundur që shumë nga përfaqësuesit e vendeve demokratike në sallë, të mos jenë brejtur heshturazi nga enigma: Si është e mundur që një lider ti mbijetojë kaq gjatë një rotacioni të lidershipit që është i natyrshëm në një demokraci? E megjithatë me këmbët në vitin 1990 dhe kokën në mileniumin e ri, Berisha ka mundësinë të bëjë edhe krahasimin e dy Shqipërive. Ai tha se në vitin 1992 i ishte drejtuar sallës së OKB si përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të varfra të planetit. Por çka ndryshuar 20 vjet e këtej? Vallë nuk është Shqipëria akoma një nga vendet më të varfra në planet dhe pa dyshim, më i varfëri në Europë përjashtuar Kosovën? Dhe ky klasifikim poshtërues për kombin, këmbëngul edhe sot si shekuj më parë, kryesisht për shkak të qeverisjeve të dobëta të tranzicionit që nuk kanë ditur të vënë në përdorim me efiçiencë të lartë burimet e shumta pasurore të vendit. Vetë Berisha dhe epshi i tij shkatërrues për pushtet, është kryeshkaktar i rrënimit të buxheteve të shumicës së shqiptarëve nga kriza e firmave piramidale që sponsorizuan pushtetin e tij dhe u sponsorizuan nga pushteti i tij. Ai është përgjegjës edhe për shkatërrimin e shtetit në vitin 1997 si dhe humnerimin e ekonomisë, humnerë nga e cila u deshën nja 5 vjet që të rimerreshin kuotat e humbura. Nuk është e vështirë të llogaritësh miliardat e humbjeve që ka patur ekonomia shqiptare nga kolapsi ekonomiko-politik i vitit ' 97. Po, sot Shqipëria dhe ekonomia e saj do ishin shumë më përpara pa atë tragjedi të shkaktuar kryesisht nga fakti që Berisha është një maniak i pushtetit, i aftë të shkatërrojë shtetin për pushtetin. Dhe për të ardhur te statistikat. Berisha u mburr se vendi ka rritur me dhjetëra herë të ardhurat për frymë! Edhe ai vetë e di fare mirë se në një statistikë të tillë nominale ka shumë pak të vërtetë reale. Pa u ndalur te diferencimi i tmerrshëm pasuror në të pasur (ku hyn edhe kryeministri) dhe të varfër duhet thënë se sot, janë me dhjetramijra pensionistë që jetojnë më keq se në kohën e monizmit. Ata vërtet sot marrin afërsisht nga 13 -16 mijë lekë në muaj ndërsa në monizëm merrnin vetëm 4 apo 6 mijë lekë. Por për shkak të zhvlerësimit drastik të lekut në këto 20 vjet, kjo rritje është vetëm nominale. Mund të thuash pa frikë se gabon, se një pensionist që merrte 4 mijë lekë në kohën e socializmit, i plotësonte më mirë hallet e jetës sesa një pensionist që sot merr qoftë edhe 200 mijë lekë. Një gjë e tillë mund të thuhet edhe për shumë shtresa të punëtorisë. Të mos flasim për qindra mijë të papunë që Berisha i reduktoi me elegancë në vetëm 11 për qind dhe në "disa mijra". E ku është këtu "suksesi" kur qindra mijë vetë të një shteti vetëm prej 3 milionësh, jetojnë më keq se atëherë kur ishim vërtet keq? Të flasësh për "sukses" përballë të tilla fakteve të trishta, është cinizëm politik dhe antihumanizëm, mungesë dhimbjeje për jetët e të tjerëve. Dhe kryeministri shqiptar sapo e manifestoi një cinizëm të tillë.
    ***
    Kryeministri Berisha u mburr se janë rritur shpenzimet për shëndetësinë dhe arsimin. Mund të jetë e vërtetë. Por sekreti i qeverisjes së mirë nuk është sasia e shpenzimeve por cilësia e tyre. Dhe ne shikojmë se pikërisht sektori publik i shëndetësisë vuan nga mangësi tragjike për jetën e qytetarëve, mangësi që vijnë jo vetëm nga varfëria e shtetit, por edhe nga abuzimi me fondet publike. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për arsimin ku rendja drejt sasisë po mbyt cilësinë e dijes me pasoja të rënda për të ardhmen. Gënjeshtra dhe mburrja ka qenë tipike e propagandës enveriste. Ishin me bollëk edhe këtë herë në fjalimin e Kryeministrit para OKB. Një nga konstantet e pandryshueshme të regjimeve në Shqipëri ka qenë dhe mbetet të mashtrosh Botën. Edhe Berisha bëri të njëjtën përpjekje në OKB. Ai deklaroi ndër të tjera se fusha e mbrojtjes së mjedisit ka njohur një progres thelbësor! E kundërta është e vërteta, regresi thelbësor. Nuk ka shqiptar që nuk ka parë dhe nuk shikon plojën që është bërë në mjedisin urban dhe atë rural shqiptar. Pyje të tërë janë shfarosur, detrat janë qelbur ndërsa qytetet i janë nënshtruar kaosit të ndërtimeve. Ndotja e ajrit dhe e ujërave është nga më të lartat dhe mjaft problematike për shëndetin e popullatës. Forca që "qeveris" sot mjedisin shqiptar është shkatërrimi. Berisha ja dedikoi "sukseset" luftës së paepur të qeverisë së tij kundër korrupsionit. Por gjithkush që percepton ato "suksese" ashtu sikundër ato në të vërtetë janë, pra si dështime, vë në themel të gjithë këtyre prapambetjeve dhe shkatërrimeve, keq-qeverisjen, korrupsionin dhe mungesën e shtetit ligjor. Berisha u mburr se lufta kundër korrupsionit kish bërë që të dyfishoheshin të ardhurat buxhetore. Kryeministri ngatërron korrupsioni me evazionin. Pa mohuar ekzistencën edhe të elementëve korruptivë në strukturën e evazionit, duhet të themi se korrupsioni ka të bëjë më shumë me shpenzimin e parave të mbledhura në buxhet. Dhe është korrupsioni ai që e bën një qeveri të shpenzojë mbi 1 miliard euro për një autostradë si ajo Durrës-Kukës (që mund të bëhej jo aq megallomane dhe me më pak shpenzime) duke injoruar sektorë si shëndetësia që vuajnë nga një varfëri ende të skajshme financimi. Shpenzimet aventureske të qeverisë Berisha, me një prapavijë të dukshme korruptive, janë sot një nga shkaqet e thellimit tepër kërcënues të borxhit publik. Nëse vërtet në Shqipëri korrupsioni do ishte luftuar në mënyrë të vendosur, nuk do kishim patur as tragjedira si ato të Gërdecit. Por që të luftohet korrupsioni, duhet që të ekzistojë një pushtet drejtësie i pavarur nga qeveria. Mbi 6 vjet pasi u rikthye në pushtet duke u shitur si kalorës i antikorrupsionit, Berisha kërkon t'i mbushë mendjen edhe OKB dhe Botës se antikorrupsioni është përsëri motoja e tij politike. Por bota e di se nuk janë kryeministrat (aq më pak ata të korruptuarit) që e luftojnë korrupsionin, por drejtësia që qëndron mbi kryeministrat. Ajo drejtësi të cilën Berisha ka vite që po e gropos. Ktheji përmbys frazat e Berishës për "sukseset" dhe do të gjesh të vërtetën e hidhur të Shqipërisë sot.
    Në fjalën e Berishës në OKB u tha vetëm një e vërtetë: Që arritjet e Shqipërisë në këto 20 vjet kanë në bazë iniciativën e lirë të qytetarëve, lumenjtë e tyre të djersës. Eshtë plotësisht e vërtetë. Ashtu sikundër është plotësisht e vërtetë se me qeverisje më të mira këto lumenj djerse do kishin prodhuar më shumë dritë dhe begati për shqiptarët duke e nxjerrë nga statusi i turpshëm i vendit më të varfër në Europë. Mund të qëmtosh edhe një tjetër "të vërtetë" në thënien e Berishës se "në vendin tim e paimagjinueshmja ndodhi në më pak se 20 vjet". Tamam, 20 vjet më parë nuk kishte shqiptar të besonte se pas 20 vjetësh, do kishte në krye prapë Berishën dhe se vendi do ishte në këtë gjendje ende të mjeruar, krahasuar jo me vitin 1938, por me ëndrrën europiane. Berisha ka të drejtë, në më pak se 20 vjet ka ndodhur vërtet e paimagjinueshmja!

    Andrea Stefani
    Gazeta Shekulli

Faqja 3 prej 4 FillimFillim 1234 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Lufta ballkanike dhe Shqipëria
    Nga Albin në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-07-2014, 07:05
  2. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  3. Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 16-10-2009, 14:46
  4. Mocioni, Berisha flet për gjithçka, por jo për Fazlliç
    Nga njemik në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 19-12-2008, 10:44
  5. Janullatos: Nuk ka përparim me djegien e kishave dhe xhamive
    Nga Jesushaus në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 157
    Postimi i Fundit: 08-04-2004, 07:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •