Nine eleven” - është Festivali i Filmit Kosovar me metrazh të shkurtër që po zhvillohet në Prishtinë. Në këtë edicion të tretë janë në konkurrim 18 filma të cilët projektohen në sallën kryesore të Teatrit të Prishtinës. Ky festival është themeluar si shenjë solidarizimi kundër sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork. Drejtori artistik i festivalit, Ismet Sijarina, tha para të pranishmëve në çeljen zyrtare se ky edicion i tretë është më i suksesshmi pasi iu desh të provonte se di të ecë me këmbët e veta. Dhe janë vetë artistët kosovarë ata që po e mbajnë gjallë ndonëse me një buxhet të vogël. Nëntë nga 18 filmat janë prodhime nga “Nine Eleven” ndërsa të tjerët janë të pavarur, madje edhe skenarët janë financuar nga festivali. Këto prodhime garojnë për filmin më të mirë aktorin më të mirë skenarin më të mirë dhe kamerën më të mirë. Juria përbëhet nga regjisori zvicerian Greg Zglinski që është edhe kryetari i jurisë, nga aktorja Eliza Dushku, një përfaqësues nga drejtori i Qendrës Kinematografike në Kosovë Zeqir Hamiti dhe aktori Xhevdet Doda. Disa nga filmat në konkurrim janë “112” i Sabrit Pajazitit, “Ka dekë Tita” i Biron Urcanit, “Kam nevojë për ty” i Mentor Shalës, “OK” i Blerta Zeqirit, “Suxhuk Open” i Burbuqe Berishës, “Rasti urgjent” i Agron Hajdarit etj. Sot është nata finale gjatë të cilës do të shfaqen filmat “Kosova 9/11” i Burbuqe Berishës dhe “Koleksionisti” i Valter Lucajt. Temat që trajtohen në këtë festival janë padyshim lufta, fati i familjes shqiptare pas saj dhe dilemat se ç’do të ndodhë në këtë vend që vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve. Të gjitha filmat dokumentarë kanë paraqitur një pasqyrë të shoqërisë kosovare në dekadën e fundit.


Marrë nga Korrieri në internet