Besimi
Kemi mbërri me i njohtë emnat e nja tridhetë hyjnive ilire, disa prej të cilave madje mu në bazë të mbishkrimeve, kanë mujtë me u identifikue me hyjnitë romake.
Me sa duket, te Ilirët nuk ishte vetëm një panteon unik, por çdo perëndi adhurohej prej nji fisi të posaçëm ose prej nji treve të caktueme.Në Istër për shembull, e okupueme pothue krejtësisht prej Istërve, gjejmë altarë, dedikue Eiaut, Melesocusit, Boriaut, emnat e të cilëve nuk gjinden në viset tjera ilire.
E njajta gja mund të thuhet për hyjnitë liburne ( Anzotika, Lutosika, Latra, Sentona, Ika, Iria), japode (Bindus) etj.
Së pari po përmendim zotin Bindus, identifikue në mbishkrime me Neptunin romak.Altarët e shumtë kushtue këtij hyu ilir ( me dedikim BINDO NEPTUNO SACRUM), janë gjetë në territorin e japodëve të vjetër afër burimit të prroskës Privilica, në afërsi të Bihaqit në Bosnje.Padyshim, në këtë lokalitet të vetmuem gjindej nji faltore, ose me fjalë tjera, nji vend i shejtë kushtue Bindusit. Kjo hyjni mbronte ujnat, sidomos burimet, dhe si e tillë qe identifikue me zotin Neptun.Aty ku janë zbulue altarët janë gjetë sasi të mëdha brina dhish, flijue Bindusit.
Nji hyjni tjetër pajtore e burimeve, ishte Vidasusi, gjithëmonë i shoqnuem në monumente nga shoqja e tij Thana.Katër altarë kushtue këtij qifti janë gjetë në Topusko, në Kroaci, afër nji burim uji mineral. Në të njajtin lokalitet janë gjetë mbaturinat e nji faltorje kushtue Silvanos si dhe shumë altarë tjerë me emnin e kësaj hyjnie romake.Në bazë të këtij fakti, studiuesit kanë konkludue me të drejtë se Vidasusi në besimin ilir ishte i ngjashëm me atributet e tija me hyjninë pajtore të burimeve pyjevet, fushavet, me Silvanon dhe si rrjedhim në emnin Thana asht mshefë hyjnija ilire e gjuetisë, të cilën shkencëtarët e kanë identifikue me hyjninë romake Diana.Vidasusi e Thana (por ndoshta në vise tjera këto hyjni kishin emna tjerë), kishin nji randësi të dorës së parë në panteon në pjesën ma të madhe të popullatës ilire, sidomos ndër ato që mirreshin me blegtori, për shembull Dalmatët.
Në monumentet ilire të epokës romake, këto hyjni gjinden jo vetëm të vetmueme, por në shoqni me nymfe dhe hyjni tjera, në të cilat duhet padyshim të shohim hyjni tjera autoktone, emnat e të cilave nuk i njohim deri tash.Tue folë mbi ikonografinë e këtyne dy hyjnive, asht shumë interesant veqorija që në dy monumente të gjetuna në Bosnje, Diana nuk ka, sikur në ikonografinë greko-romake, harkun dhe kokurrën, por në nji dorë mban palmën, kurse në tjetrën hardhinë.Kjo dëshmon se Thana nuk ishte e njëjtë në të gjitha karakteristikat me Dianën e panteonit greko-romak.Në të njatin përfundim vijmë tue shqyrtue ikonografinë e Vidasusit,që nuk ishte krejtësisht i njajtë me Silvanon, por qe identifikue me këtë vetëm pse për disa atribute të veta ishte ma i ngjashmi me të.Mund të supozohet e për këtë ekzistojnë disa indikacione se bash Vidasusi ka qenë zoti suprem i Ilirëve.
Vidasusit u qenë kushtue disa vende të shejta ndër të cilat asht shpella te Moçiqi, në afërsi të Dubrovnikut të vjetër, shëndrrue mandej në nji shejtore të perëndisë Mitra.
Krijoni Kontakt