Këngëtarja shqiptare, peng në zvicër
Petrika GROSI
Dje, denoncimi i nënës dhe vëllait të Mariza Arapit te Liri Berisha e më pas në zyrat e Interpolit dhe redaksinë e Shekullit
Maria aktualisht është 26 vjeç. Ajo ka mbaruar Liceun Artistik në Korçë për kanto me rezultate të mira, në vitin ’97. Më pas Maria ka qenë mësuese muzike në shkollën “Tefta Tashko Koço” të Korçës. Veç muzikës ajo është marrë me poezi. Kjo vajzë më 2002-shin ka fituar çmimin e parë për poezinë më të mirë në konkursin mbarëkombëtar të letërsisë zhvilluar në Laç. Më pas Maria nxori një album me këngë popullore dhe videoklip në bashkëpunim me këngëtarin Telha Zeza. Në këtë album vajza njihet me emrin e saj artistik “Mariza”. Ajo ka marrë pjesë edhe në disa emisione muzikore në TV e radio. Për talentin e Maries kanë folur njerëz të njohur të artit dhe kulturës si: Sabri Hamiti, Xhevahir Spahiu, Ali Aliu, Sotiraq Vangjeli, Dhimitër Orgocka etj. Ky ishte dhe një prezantim i shkurtër për Marie Arapin.
***
Ditën e djeshme në redaksinë “Shekulli-Kontakt”, erdhën të shqetësuar, mbuluar nga një hije hutimi, një grua e moshuar dhe një djalë i ri... “Vijmë prej Bilishtit të Korçës”, - na thotë djali, i cili quhej Alban dhe ishte i vëllai i Maries. Gruaja e moshuar, Margarita, është nëna e Maries. Ajo nisi të na tregonte me lot në sy dhe me vështrimin që kërkonte dëshpërimisht një premtim ndihme...
***
Biseduam me nënën dhe vëllanë e Maries për të kuptuar më mirë rrjedhën e ngjarjeve. Duke ndërprerë e plotësuar njëri-tjetrin, ata na treguan këtë histori dramatike që nisi me ëndrrat e një vajze për t’u bërë këngëtare e që nuk dihet ende se si do të përfundojë...
Maria Arapi prej tri vitesh jeton në Zvicër. Fillimisht familjarët e saj na tregojnë se vajza u nis si këngëtare me një grup muzikor nga Tirana dhe Laçi që përbëhej nga 4 vajza këngëtare soliste dhe 4 instrumentistë. Menaxheri i tyre, I. V. ishte një shqiptar nga Kosova. Më 16 dhjetor të 2003-shit, Maria njoftoi familjarët se filloi të punonte si këngëtare në një “Night-Club”. Përgjithësisht, nga sa di familja e saj, vajza atje këndonte për komunitetin shqiptar. “Gjërat në fillim na u dukën normale. Kjo deri në qershor 2004”, - tregon nëna Margaritë. Albani shton: “Fillimisht motra nisi të na mbështeste ekonomikisht duke na dërguar muajt e parë nga 1 milionë lekë/muaji, shumë e cila u pre së bashku me telefonat e saj që u rralluan ndjeshëm”.
Por familja nisi të shqetësohej kur telefonatat nga Mariza u pakësuan shumë. “Pak muaj pas hyrjes në punë, motra na telefonoi dhe na tha se kishte shkuar të punonte në një tjetër lokal dhe se pronari quhej S. Z. nga Ferizaj”, thotë Albani, duke shtuar se “pas kësaj telefonate lidhjet me familjen u bënë të rralla. Familja ka nisur të shqetësohet për fatin e vajzës. Margarita rrëfen: “E pyeta vajzën pse nuk del më shpesh në telefon”. M’u përgjigjej: Nuk më lë pronari të flas”. Njëherë madje Margarita ka dëgjuar në sfond zëra në gjuhë sllave e më pas një zë të trashë burri që tha: “S’ka punë Maria të flasë në telefon”.
Margarita pas këmbënguljeve të shumta (“Si nuk më ka ikur akoma mendja me këto që po heq, - psherëtin herë pas here”) arrin të flasë në telefon me pronarin e lokalit dhe i kërkon të dijë për vajzën. Pas disa debateve, ai i thotë me ton kërcënues “dërgoje policinë e Zvicrës se po e pimë një kafe së bashku...”. Pas këtij debati, Maria shkëputi thuajse çdo lloj kontaktimi me të afërmit e saj në Shqipëri.
***
Biseda e fundit me këtë person (nëna e Maries është e bindur se vajza tashmë është peng dhe shfrytëzohet prej tij) dhe disa mesazhe telefonike të tij, aktualisht familja i ka dorëzuar në Ministrinë e Brendshme në cilësinë e provës. Tashmë familja ka denoncuar dhe kjo çështje pritet të marrë rrugë. Nëna dhe vëllai i Maries tashmë nuk janë të sigurt as për vendndodhjen e vajzës. Personi në fjalë (Margarita dhe Albani e quajnë tutori) u ka telefonuar një ditë papritur dhe u ka thënë: “Nesër po ja pres biletën e po e nis për në Shqipëri”. Nëna tregon se të nesërmen shkuan në aeroportin e Rinasit për të pritur të lumtur kthimin e vajzës... Por nuk erdhi askush. Nga Rinasi udhëtuan drejt Tiranës dhe aty u lidhën sërish në telefon me numrin e Zvicrës. Në telefon doli S. Z., i cili u thotë: “E kam çuar në Gjermani...”.
Disa nga SMS-të që Maria i ka dërguar nënës së vet:
SMS 1
“Po e shkruaj fshehurazi këtë mesazh se ky nuk më lë ta kap telefonin me dorë. Ai është kafshë, mama...”.
SMS 2
“Dielli i mirë duket që në mëngjes. Nuk kam për ta harruar mama, fjalën tënde. Zoti ka për ta dënuar rëndë! Zoti më ndihmoftë të shkoj prej këtej. Shpirti mu vreros dhe më duhet të vij aty patjetër. Nuk do ta zgjas deri në prill... Dua të vij atje më shpejt!..”
SMS e fundit (data 1 maj 2006, ora 10.30)
“Mama, Boni (shkurtim i emrin të vëllait, Alban)... O më shpëtoni, o më lini këtu të vdes...”
Margarita na tregoi dje në “Shekulli-Kontakt”, edhe përpjekjet e saj pranë autoriteteve këtu në Tiranë. Familjarët kishin shkuar në Ministrinë e Jashtme, pranë Zyrës së Protokollit, ku janë përpjekur për ta sjellë vajzën në Shqipëri pa futur policinë në mes. Pas ndërhyrjes së Ministrisë së Jashtme, (rruga mbetet e paqartë) Maria është lejuar t’i telefonojë sërish shtëpisë. S. Z. u ka thënë se “donte të bashkëjetonte me Marien”, dhe se “nuk mund t’ua jepte!!”). “E si mund të bashkëjetojë ai me të, ai është i martuar...”, - psherëtin Margarita dhe sytë i përloten sërish.
Gjithsesi, në kushtet e krijuara kanë mundur të shkëpusin një premtim se vajza do të lejohej të kthehej në maj të këtij viti. As në maj vajza nuk është bërë e gjallë. Më pas ata kanë kontaktuar me përfaqësues të konsullatës sonë në Zvicër. Përsëri kanë tentuar ta zgjidhin çështjen pa bërë denoncim. Në konsullatë u kanë thënë se do të merreshin me këtë çështje dhe do ta sqaronin. Pasi kaluan ditë pa përgjigje, familjarët telefonuan për herë të dytë pranë përfaqësisë sonë diplomatike në Bern, por çuditërisht kanë marrë një përgjigje shumë të vrazhdë...”.
Pas gjithë këtyre peripecive, ditën e djeshme, nënë e bir, e kanë mbajtur frymën në Tiranë, me dy adresa në duar: Zonjën Liri Berisha dhe zyrat e redaksisë së “Shekullit”. Margarita dhe Albani kanë takuar bashkëshorten e kryeministrit. “Falë ndërhyrjes së saj mundëm të shkonim në zyrat e Interpolit, ku na morën të dhënat dhe adresën e vajzës në Zvicër... Ndryshe askush nuk do ta vinte ujin në zjarr, - përfundon rrëfimin e saj të dhimbshëm nëna e Maria Arapit.
Krijoni Kontakt