Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 26
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Vizita zyrtare e Berishës në Greqi, marëveshje për pensionet e emigrantëve

    Sipas marrëveshjes me Greqinë, emigrantëve do t’u njihen edhe vitet e punës ne Shqipëri

    Barka: Njohje reciproke e sigurimeve shoqërore me Greqinë


    E.B

    Njohje reciproke e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo do të thotë që emigrantët tanë të cilët kanë vendosur t’i kalojnë vitet e pleqëisë në shtetin fqinj, por që përveç viteve të punës në Greqi kanë vite pune edhe në Shqipëri, këto vite pune do t’u njihen për të përfituar pensionin. Ndërkohë, e njëta procedurë do të ndiqet edhe për emigrantët grekë që jetojnë në Shqipëri. Këtë e deklaroi dje ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, i cili theksoi se kjo është një ndër marrëveshjet më të rëndësishme që u arrit gjatë takimit me ministrin Kosta Barka dhe ministrit të Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Greqisë, Savvas Tsitouridis. Por kjo padyshim që do të jetë e vlefshme vetëm për emigrantët e ligjëruar, jo për ata që punojnë në të zezë. Sipas ministrit Barka shifrat zyrtare tregojnë se në Greqi jetojnë rreth 480 mijë emigrantë, ndërkohë që mendohet në Greqi të jenë rreth 700 mijë emigrantë shqiptarë.

    Grupi i punës
    Grupi i punës që do të merret me shqyrtimin e sigurimeve shoqërore sipas Barkës do të fillojë punën në shtator të këtij viti. Kështu do të fillojë verifikimi i viteve të punës që kanë bërë emigrantët në vëndin tone, në mënyrë që t’u shtohen viteve të punës në Greqi, për të përfituar pensionin. Sipas ministrit Barka së bashku me ministrin grek, Tsitouridis, është vendosur që ky grup pune të jetë i përbashkët. Qëllimi kryesor i këtij grupi pune mësohet të jetë identifikimi dhe propozimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në dokumentet e bashkëpunimit dypalësh. Në një mënyrë të tillë do të synohet nënshkrimi i një marrëveshjeje të re që do të përfshijë të gjitha aspektet e bashkëpunimit shqiptaro-grek në fushën e punësimit, formimit profesional, politikave sociale, sigurimeve shoqërore dhe emigracionit.

    480 mijë është numri i emigrantëve shqiptarë të legalizuar që jetojnë në Greqi

    700 mijë mendohet të jetë numri i emigratëve shqiptarë që jetojnë në Greqi

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Ministri Barka, pjesë e delegacionit të kryeministrit Berisha në Athinë me biznesmenët

    Emigrantët, sot pakti me Greqinë

    Marrëveshja shërben për njohjen e kontributeve të pensioneve



    Brikena Demiras

    Emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi do t’u njihen kontributet që kanë derdhur në shtetin helen. Me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis, kryeministri Berisha do të zhvillojë sot një vizitë dyditore në Greqi.

    Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha do të ketë takime me personalitete të larta të shtetit dhe qeverisë greke. Kryeministri, i shoqëruar edhe nga një grup biznesmenësh të suksesshëm shqiptarë, do të zhvillojë takime edhe me komunitetin e biznesit grek. Pjesë e rëndësishme e këtij delegacioni do të jetë edhe ministri i Punës, Kosta Barka. Sipas tij, grupi i punës i përbashkët shqiptaro-grek do të bëjë gati dokumentacionin e nevojshëm për të nënshkruar marrëveshjen e përbashkët në fushën e emigracionit.

    ANGAZHIMI
    Qeveria greke ka rënë dakord parimisht që të njohë kontributet e sigurimeve shoqërore të derdhura nga emigrantët shqiptarë në Greqi, kërkesë e vazhdueshme kjo nga ana e palës shqiptare. Për këtë qëllim, ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka, ka zhvilluar edhe një muaj më parë një takim me ministrin e Punës dhe Mbrojtjes Sociale të Greqisë, Savvas Tsitouridis. Ende nuk dihet një shifër e saktë se sa shqiptarë punojnë legalisht në Greqi, por mendohet që të jenë rreth 600 mijë vetë. Në shtator të këtij viti, qeveria shqiptare po përgatitet të nënshkruajë një marrëveshje të ngjashme edhe me shtetin tjetër fqinj, Italinë, ku numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë është po kaq i madh. Gjatë takimit zyrtar të ministrit të Punës me homologun grek u vendos të ngrihet një grup pune i përbashkët, i cili do të identifikojë dhe propozojë ndryshimet dhe plotësimet në dokumentet e bashkëpunimit dypalësh, duke synuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të re.

    MARREVESHJA
    Kjo marrëveshje do të përfshijë aspekte të bashkëpunimit shqiptaro-grek jo vetëm në fushën e sigurimeve shoqërore dhe emigracionit, por edhe në fushën e punësimit, formimit profesional, politikave sociale. Në marrëveshje do të përfshihen propozime për zgjidhjen e çështjes të njohjes reciproke të kontibuteve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Gjatë takimit dy ministrat ranë dakord edhe për rishikimin dhe plotësimin e kuadrit të bashkëpunimit midis dy qeverive dhe ministrive për marrëveshjen ndërqeveritare të punësimit sezonal të shtetasve shqiptarë në Greqi, protokollin e bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e sigurimeve shoqërore, si dhe marrëveshjet e bashkëpunimit midis OAED dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit të Shqipërisë. Ministri grek, Tsitouridis, ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm mes dy qeverive dhe ministrive si shumë të suksesshëm dhe në përgjigje të frymës së miqësisë dhe të bashkëpunimit që ekziston midis dy vendeve dhe popujve tanë.

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Vizita e dytë e kryeministri Berisha në vendin fqinj

    Berisha, sot, në Greqi prezanton nismën “1 euro”

    Kryeministri Berisha nis sot vizitën e tij dyditore në Greqi. E vendosur në fundit të turit, pas Turqisë dhe Italisë, dy ditët helene të kryeministrit Berisha nuk janë më të parëndësishme sesa vizitat e tjera. Përkundrazi, përveç çështjeve normale, mes dy kryeministrave një hapësirë jo të vogël do të zënë dhe problemet që shpeshherë kanë prishur klimën mes dy vendeve. Takimi i dytë i kryeministrit Berisha me kryeministrin grek, Karamanlis, pas marrjes së detyrës, do të përcaktojë një hap të mëtejshëm mes marrëdhënieve të dy vendeve. Në takimin me deputetët e PD-së, Berisha bëri të ditur një pjesë të agjendës së tij, ku pjesën kryesore do ta zërë prezantimi i nismës “Shqipëria një euro”.

    Agjenda
    Janë një sërë çështjesh që pritet të diskutohen mes dy kryeministrave, çështje që kanë luhatur jo pak herë, diplomacinë e Tiranës dhe asaj të Athinës. Përveç nisëm “1 euro”, mes dy palëve rri ende pezull zgjidhja e çështjes “Çame”. Ndërkohë që dhe procedurat lehtësuese për emigrantët që punojnë në shtetin helen, do të gjejnë një hapësirë jo pak të vogël. Ndërsa ratifikimi i Marrëveshjet të Stabilizim-Asociimit për Shqipërinë, nga ana e parlamentit grek, duket se është një tjetër pikë ku kryeministri Berisha synon të marrë një përgjigje pozitive. Por jo vetëm kaq, pala greke duket se edhe një herë do t’i kërkojë palës shqiptare të drejtat e minoritetit, që e përkthyer ndryshe do të thotë më shume shkolla dhe hapësira të tjera, gjë që në fakt nuk u ka munguar deri më sot. Një tjetër pikë që mund t’i shtohet agjendës së ngarkuar është dhe firmosja e marrëveshjes mes Rusisë dhe Greqisë për naftësjellësin rus, “Gazprom”.

    Takimi
    Përveç kryeministrit grek, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me biznesmenë vendas, por edhe me komunitetin shqiptar që jeton në shtetin helen. Gjithsesi, vizita e kreut të qeverisë çon një hap më para marrëdhëniet mes dy vendeve.

    Qamil XHANI
    Tirana Observer

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-07-2004
    Vendndodhja
    Jak' o dit' e uruar! Qe lint nga perendon, At' an' e ke ndritur, E ne pse na harron?
    Postime
    140
    Citim Postuar më parë nga Albo
    Vizita e dytë e kryeministri Berisha në vendin fqinj

    Berisha, sot, në Greqi prezanton nismën “1 euro”

    Kryeministri Berisha nis sot vizitën e tij dyditore në Greqi. E vendosur në fundit të turit, pas Turqisë dhe Italisë, dy ditët helene të kryeministrit Berisha nuk janë më të parëndësishme sesa vizitat e tjera. Përkundrazi, përveç çështjeve normale, mes dy kryeministrave një hapësirë jo të vogël do të zënë dhe problemet që shpeshherë kanë prishur klimën mes dy vendeve. Takimi i dytë i kryeministrit Berisha me kryeministrin grek, Karamanlis, pas marrjes së detyrës, do të përcaktojë një hap të mëtejshëm mes marrëdhënieve të dy vendeve. Në takimin me deputetët e PD-së, Berisha bëri të ditur një pjesë të agjendës së tij, ku pjesën kryesore do ta zërë prezantimi i nismës “Shqipëria një euro”.

    Agjenda
    Janë një sërë çështjesh që pritet të diskutohen mes dy kryeministrave, çështje që kanë luhatur jo pak herë, diplomacinë e Tiranës dhe asaj të Athinës. Përveç nisëm “1 euro”, mes dy palëve rri ende pezull zgjidhja e çështjes “Çame”. Ndërkohë që dhe procedurat lehtësuese për emigrantët që punojnë në shtetin helen, do të gjejnë një hapësirë jo pak të vogël. Ndërsa ratifikimi i Marrëveshjet të Stabilizim-Asociimit për Shqipërinë, nga ana e parlamentit grek, duket se është një tjetër pikë ku kryeministri Berisha synon të marrë një përgjigje pozitive. Por jo vetëm kaq, pala greke duket se edhe një herë do t’i kërkojë palës shqiptare të drejtat e minoritetit, që e përkthyer ndryshe do të thotë më shume shkolla dhe hapësira të tjera, gjë që në fakt nuk u ka munguar deri më sot. Një tjetër pikë që mund t’i shtohet agjendës së ngarkuar është dhe firmosja e marrëveshjes mes Rusisë dhe Greqisë për naftësjellësin rus, “Gazprom”.

    Takimi
    Përveç kryeministrit grek, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime me biznesmenë vendas, por edhe me komunitetin shqiptar që jeton në shtetin helen. Gjithsesi, vizita e kreut të qeverisë çon një hap më para marrëdhëniet mes dy vendeve.

    Qamil XHANI
    Tirana Observer
    Kjo eshte me e rendsishmja. Me behet qefi qe Kryeministri Shqiptar e ka ven Ceshtjen Came ne agjenden e tij. Kjo eshte nje gje guximtare. Gjitha problemet e pazgjidhura jan me rendesi, por Ceshtja Kombtare duhet te vij perpara ekonomis, integrimit, emigracionit, etj.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Djal_Lacjan : 12-09-2006 më 16:41

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    RD

    Të kapim kohën e humbur


    Sali BERISHA


    Dëshiroj t'ju falenderoj përzemërsisht për nderin e madh që më bëtë, t'ju adresohem ju që në orët e para të vizitës sime në Greqi. Ky është një privilegj i veçantë. Shfrytëzoj rastin të falenderoj kryeministrin Karamanlis për ftesën që më bëri të vizitoj vendin tuaj. Dua t'ju falenderoj për nderin e madh që më keni bërë me praninë tuaj, t'ju përshëndes ju, bashkëpunëtorët tuaj, punonjësit tuaj dhe qindra e mijëra shqiptarë që së bashku me qindra mijëra grekë punojnë për sipërmarrjet tuaja.

    Dua të adresoj një falenderim të veçantë të gjithë atyre biznesmenëve grekë, që me kurajo të madhe vendosën të sjellin në Shqipëri projektet, ëndrrat, paratë e tyre dhe të kontribuojnë kështu në shkëputjen e Shqipërisë nga njëra prej periudhave më të vështira të historisë së saj, të ndihmojnë shqiptarët në projektin e tyre të ri, projektin e demokracisë, të përparimit, të mirëqenies dhe integrimit europian.

    Zoti kryetar, ju theksuat me të drejtë se Greqia ka dhënë një ndihmë thelbësore në proceset që kanë ndodhur në Ballkan këto vitet e fundit. Nuk ka dyshim se ishte një fakt real për kombet e tjera të Ballkanit që dilnin nga diktaturat komuniste, ekzistenca e Greqisë demokratike, të zhvilluar, anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s. Forcat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë Ballkanin kanë patur tek forcat demokratike të vendit tuaj, të të gjithë spektrit politik, mbështetjen e tyre në përpjekjet për ndërtimin e ekonomisë së lirë të tregut, të demokracisë së bazuar në ekonominë e tregut. Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit, akoma më e vërtetë për shqiptarët.

    Dy kombet tona kanë një specifikë të përbashkët, ato kanë mbetur gjithnjë në shtëpitë ku kanë lindur. Sido që u soll historia me to, ato nuk e ndërruan ndonjëherë shtëpinë e tyre. E theksova këtë për të thënë se ne jemi fqinjë më të vjetër, me lidhje të pafundme në shekuj e mijëvjeçarë. Ajo çka unë shoh me kënaqësi të madhe, është e ardhmja e shkëlqyer e dy kombeve tona.

    Shqipëria, në këto 15 vjet, erdhi nga koha e errësirës, shtypjes më të egër njerëzore, kolektivizimit më çnjerëzor, në kohën e tregut të demokracisë. Çfarëdo vështirësish që përjetoi, ajo pati ndihmën tuaj direkte.

    Ju cituat këtu 400 milion dollarë investime për Shqipërinë, por unë do t'i shtoj kësaj edhe qindra milion të tjera shtesë që vijnë çdo vit nga qindra e mijëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në këtë vend. Kjo ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në 14 vjet, Shqipëria ka rritur 13 herë të ardhurat e saj për frymë, 80 për qind e prodhimit të vendit sot vjen nga sektori privat.

    Shqipëria ka një programim të qartë. Sigurisht që ka probleme me të cilat qeveria që unë drejtoj është e vendosur të përballet dhe t'i zgjidhë ato. Një vit më parë, ne patëm rotacionin paqësor të pushtetit. Shoqëria shqiptare dëshmoi një maturi të vërtetë, nuk pati skenarë gjeorgjianë apo ukrainas. Problemet që gjetëm, ishin të shumta. Korrupsioni kishte arritur përmasat e kleptokracisë. Ligji ishte dobësuar në shkallë ekstreme. Ne përcaktuam si drejtim kryesor vendosjen e ligjit, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Në një vit kemi vendosur para drejtësisë të gjitha grupet kryesore kriminale të vendit, janë arrestuar bosët dhe anëtarët e këtyre grupeve kudo ku kanë qenë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

    Shqipëria, sot, është një vend i sigurt. Jo sepse këtë e them unë, kryeministri i saj, por ky është besimi i grekëve, italianëve, francezëve e gjermanëve, të gjithëve, të cilët vetëm këtë vit erdhën në Shqipëri 30 për qind më shumë se vitin e kaluar.

    Ne u përballëm me korrupsionin, duke e shpallur atë si një kancer për vendin dhe shoqërinë shqiptare. Ju përmendët këtu vështirësi të biznesmenëve tuaj. Unë dua t'i përgëzoj ata për mbijetesën në kushtet e një sistemi korruptiv. Prandaj ne i shpallëm luftë pa kompromis korrupsionit. Cilat janë rezultatet e kësaj lufte: Së pari, shkurtuam shpenzimet e administratës, nuk u përdorën paratë publike për interesat private, ia dolëm të çonim në parlament një buxhet shtesë. Ky buxhet shtesë ishte 24 për qind e buxhetit të parë, në të njëjtën kohë që taksat u ulën, nuk u rritën çmimet. E tërë kjo erdhi si rezultat i luftës kundër korrupsionit, kontrabandës, rezultat i përpjekjeve për të garantuar lirinë e tregut. 2/3 iu rikthyen buxhetit nëpërmjet taksave, 1/3 e kaluam në investime publike.

    Qëllimi më madhor i qeverisë sime është ta bëjë Shqipërinë vendin më të lirë për investimet tuaja. Kjo është shumë ambicioze dhe e vështirë për t'u realizuar, por plotësisht e mundur. Ne jemi të inkurajuar nga këto që kemi arritur gjatë këtij viti dhe shumë shpejt do të shikoni që do të realizojmë këtë objektiv. Në një vit përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, hoqëm taksat për të gjitha makineritë që përdoren për biznesin, ulëm 31 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore, kemi ulur 30 për qind taksën mbi të ardhurat dhe ulëm 35 për qind çmimin e energjisë për biznesin. Kemi shpallur si qëllim nismën "Vendi me taksën e sheshtë më të ulët në Europë".

    Por nuk mjafton vetëm kjo. Duhen përpjekje shumë më të mëdha se kaq. Në këtë kontekst, ne kemi shpallur nismën "Shqipëria 1 euro". "Shqipëria 1 euro" është, në radhë të parë, një thirrje miqësore ndaj jush, një apel dhe qëndrim miqësor ndaj biznesit në përgjithësi. Partneriteti do të njohë zhvillime shumë serioze. Do të ketë një seri shërbimesh me një euro. Kjo është një paketë, e cila do të forcohet gjithnjë e më shumë. "Shqipëria 1 euro" do të ishte gjysmake, në rast se nuk do të merrte dimensionin e saj kohor më të përshtatshëm, me një euro në një ditë. Kjo është ambicia jonë dhe kemi filluar të punojmë drejt këtij synimi.

    Pas disa ditësh, ne nënshkruajmë një marrëveshje me USAID-in për "one stop shop", si një kusht për realizimin e "një euro, një ditë".

    Ne kemi hequr procedurat burokratike. Unë ju premtoj ju se shumë prej këtyre procedurave do të hiqen përgjithmonë, ndërsa të tjerat do të thjeshtohen në maksimum, në mënyrë që ju të mund të gjeni lehtësi maksimale në procedura në Shqipëri.

    Shqipëria është një vend plot me minerale, me brigje turistike mahnitëse, ka tregun e punës më të shkëlqyer në Europë. Askush më mirë se ju nuk i njeh dhuntitë e punëve të shqiptarëve. Ne po punojmë për krijimin e parqeve industriale. Unë ju siguroj se ky është premtimi më i madh i yni. Kam bindjen se vetëm në këtë mënyrë kombi im, i cili pati fatin e trishtë të jetë kombi i kohës së ndaluar për një gjysmë shekulli, mund të kapë kohën e humbur dhe së bashku me kombet e tjera të Europës do të ndërtojë të ardhmen që meriton.


    Faleminderit për vëmendjen!

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    “Te denuar” per te qene miq

    E Marte, 12 Shtator 2006

    Interviste e ambasadorit te ri grek ne Tirane, Kostandinos Kokosis

    Fjalen e pare e kane te rinjte. Si ne Greqi dhe Shqiperi, ata kane ecur perpara, duke thyer barrierat e keqkuptimeve. Sa me shume te njihemi, aq me shume miqesohemi dhe prosperojme. Flet kryediplomati grek ne Tirane…

    Nga Alqi Kociko

    Ka disa muaj qe ka marre detyren e tij te re diplomatike, e megjithate eshte hera e pare qe jep nje interviste, aq me teper te zgjeruar, per mediat shqiptare. Eshte ambasadori i nje vendi, me te cilin cdo qeveri ka deklaruar se do te zhvilloje dhe do te coje me lart marredheniet strategjike dypaleshe. Cka nga ana tjeter, nuk ka penguar aspak qe mes Greqise dhe Shqiperise te kete edhe probleme apo ferkime. Kostandinos Kokosis eshte koshient per te dyja anet e medaljes, por sigurisht qe i meshon asaj pozitives: E thene ndryshe, e ardhmja eshte e perbashket.

    Trupi i paket, qendrimi sportiv, floket e shkurtra dhe luku paksa i mjekerzuar i fytyres, ia eliminon menjehere pershtypjen paraprake atij, i cili pret te perballet me nje 55-vjecar te stazhionuar. Ambasadori Kokosis flet cliret me batuta dhe shembuj, cka nuk e pengon aspak te impenjohet seriozisht kur futemi ne “zonen e intervistes”. Shume eshte bere, akoma me shume duhet bere per marredheniet dypaleshe; garanci per kete jane emigrantet shqiptare dhe minoriteti grek, qe kane bere shume me teper per veten dhe njeri-tjetrin, sa e gjithe politika 16-vjecare, do te shtonim ne. Por pa trajtuar pergjigjet e intervistes se meposhtme, rikthehemi ne nje ilustrim te ambasadorit, rreth asaj cka vertet jemi per njeri-tjetrin ne, shqiptare e greke.

    “Pasi degjuan qe isha caktuar ne Tirane, me vijne te aferm ne shtepi per vizite, duke me qare hallin: Kosta, po pse e pranove, aty ka rreziqe! Nderkohe, me jepnin numra telefoni dhe adresa te te njohurve te tyre shqiptare, me rekomandimin: “Shko takoji te afermit e filanit apo festekut ne Tirane. E njoh shume mire, eshte njeri i shkelqyer”. Pra, kishin pershtypje jo te mira per Shqiperine apo shqiptaret, por kur vinte puna per shqiptare qe i njihnin personalisht, per ata benin be”. Dhe Kokosis eshte i bindur se vlen njesoj dhe e anasjellta. Konkluzioni? “Me pak fjale, kur njihemi nga afer, e duam dhe e pelqejme njeri-tjetrin”.

    -Zoti Ambasador, kush eshte Kostandinos Kokosis si diplomat dhe si njeri?

    “Diplomati Kokosis eshte nje 55-vjecar, i cili ka 30 vjet ne Ministrine e Jashtme. Pas studimeve te nevojshme, rreth moshes 27- vjecare nisi karrieren e tij diplomatike ne Turqi, Bruksel, Qipro, Uashington, Etiopi dhe tani ne Tirane. Vendlindja e tij eshte Athina, por origjina e tij eshte ishulli jonian i Qefalonias. Ne vija te pergjithshme, eshte nje njeri i zakonshem, me bashkeshorten dhe dy femije te rritur, qe vazhdojne studimet ne universitet. Nje njeri, si nder ata qe dikush do t’i takonte ne mengjes duke shkuar ne punen e tyre, apo neper sheshe qendrore si sheshi “Skenderbej” ne Tirane apo sheshi “Syntagmatos” ne Athine.”

    - Cfare dinit para kesaj detyre, per fqinjin verior te Greqise, Shqiperine? Si i ballafaquat ato cka dinit apo pervojat tuaja te meparshme, me pershtypjet konkrete pas ardhjes suaj?

    “Ne periudhen 1992-1994, sherbeja ne drejtorine e cila ishte kompetente per Ballkanin. Ishte koha e luftes ne Bosnje dhe e ngjarjeve tragjike ne Jugosllavi. Atehere, pra, duhej qe, per njefare kohe, te ndiqja edhe zhvillimet ne Shqiperi. Vite te veshtira, te dhimbshme. Ne dy raste erdha ne Shqiperi. Rastin e pare erdha me makine nga Kakavija, ne te dytin me avion. Mund ta marre me mend njeriu, pra, se cfare ndjeva, kur tani se fundi, nje takim rajonal ballkanik solli hapat e mia ketu ne Tirane. Ah, ka edhe dicka tjeter: Kur ne 1976-en kaloja provimet per te hyre ne Ministrine e Jashtme, ai qe po me merrte ne provim per gjeografine dhe ekonomine me pyeti se kush ishin, ne ate kohe, veprimtarite kryesore ekonomike te Shqiperise!

    Sa per ndryshimet, shume gjera jane bere, temperamenti, besoj, dalengadale ndryshoi edhe ai. Shume, pa dyshim, duhet bere akoma. Shenjat e ndryshimeve jane ende te dukshme dhe kjo eshte jo vetem ngushelluese, por edhe shpresedhenese. Gjithsesi, si me me interes gjej ate, qe brezi i ri ka ndryshuar. Mendoj se njerezit e rinj, ne nje mase te konsiderueshme, kane avancuar perpara. Eshte pikerisht kjo, qe te mbush me shprese dhe te ben ta veshtrosh me nje sy tjeter shoqerine, marredheniet ndermjet njerezve, ndermjet shoqerive, tek te dy popujt.”

    - Cilat shihni si prioritetet te detyres suaj ne Tirane, ose ndryshe temat ku mendoni te fokusoheni me shume?

    “Pika e nisjes eshte gjithcka qe eshte arritur deri me sot. Nuk mohohet e kaluara, por duhet qe te ndertosh per te ardhmen, duke pasur per baze te tanishmen, e cila, duhet ta pranojme, ofron shume mundesi. Kam pershtypjen se faktori njerezor eshte kryesori dhe se nga ai duhet te niset gjithkush. Nevojitet te jetuarit bashkerisht, hapja e njeriut kundrejt atij qe ka ne krah. Atehere gjendja do te ndryshoje. Stereotipat e koheve te shkuara dhe te koncepteve te shkuara do te terhiqen vetvetiu. Fakti qe kufijte u rrezuan, fakti qe ata andej vizituan, diskutuan, bashkejetuan me keta ketej, eshte nje hap kolosal perpara. Sigurisht qe ekzistonte nje element i pazevendesueshem nga kjo ane, ai i minoritetit kombetar grek, qe dikur kaloi vite te veshtira, ashtu sikurse edhe te tjeret. Por kryesisht, konceptimi i atehershem per boten ishte shkaterrimtar dhe vepronte tek minoriteti si nje njolle, pra asgjesonte mundesine qe teorikisht ekzistonte, qe keta njerez domethene, te luanin rolin e nje ure. Tashme kjo mundesi jepet serish dhe nuk duhet qe te humbase, sepse do te jete nje humbje ne nje shkalle me te gjere, sesa ne momentin kur vendi fillon te ece ne nje proces te ri. Te mos harrojme, vec te tjerash, se tani u shtua edhe nje tjeter element aktiv dhe shume i cmuar: Shqiptaret qe ndodhen ne Greqi. Punojne, perparojne dhe ndihmojne te dy vendet. Por mbi te gjitha, ndihmojne njerezit te vijne me afer me njeri-tjetrin, te ndryshoje imazhi i njerit per tjetrin. Kjo eshte me vendimtarja, me e rendesishmja.

    Dhe, sigurisht, ky zhvillim ka te beje edhe me tregtaret, biznesmenet, investitoret, por edhe me studentet, artistet, njerezit e letrave, te rinjte. Kryesisht keta. Vazhdon pastaj shteti me bashkepunimin ndermjet sherbimeve te tij. Per shembull, nuk mund ta marre me mend njeriu se cfare do te thote per nje doganier ose nje ruajtes te kufirit, qe te takohet dhe te flase me ate qe ka perballe, kur per kaq vite e ndante nje tel me gjemba i padepertueshem dhe 50 metra zone e vdekur. Nje pershendetje, nje “miremengjesi” ndreqin shume, shume me teper sesa nje numer i madh korrespondence zyrtare diplomatike.

    Te gjitha keto ku te shpien? Thjesht, tek nevoja qe te thellohen akoma me shume marredheniet. Te forcojme akoma me teper lidhjet ndermjet nesh, te percaktojme drejt, brenda kushteve te reja, procesin e marredhenieve tona dhe… le t’i leme lulet qe te lulezojne. Jane jashte kohe cfaredo lloj planesh per bashkepunim, qe pengohen nga mendesi te se kaluares qe tashme nuk sherbejne per asgje. Per shembull, ku ka ketu vend per diskriminime fetare? Askush nuk duhet te harroje se cfare ben Kryepeshkopata Ortodokse. Mjafton qe sekush te kujtoje sa dhe me cfare mjetesh eci, u kujdes dhe mbrojti kryepeshkopi Anastasios myslimanet shqiptare nga Kosova. E pra, si mund te kete ne veprimtari te tilla, kritere te tjera nga ato humanitare?

    Nese do te shohim pas sesi ishin gjerat perpara nje dhjetevjecari, atehere po, problemet ishin te shumta. Sot, zhvillimet jane dicka me shume se te mbara, ogurmira dhe arritjet jane mbreselenese. Marredheniet tona tregtare shkojne mire, duke arritur ne rreth 500 milione euro dhe besoj se duke llogaritur edhe shkembimet qe behen permes kufirit, ato shumefishohen. Ka rreth dyqind ndermarrje qe nuk bejne thjesht tregti, por u ofrojne te ardhura mijera njerezve ne vend. Shume e cmuar eshte edhe sasia e ndihmes zhvilluese greke ne sektore te rendesishem, sikurse lufta kunder trafikut ilegal te njerezve dhe te te mirave materiale, lufta kunder kriminalitetit, si dhe kontributi ne vepra te infrastruktures ne te gjithe vendin, qe nga pajisja me kompjutere per universitetet dhe deri me ndihmen materialo-teknike dhe mjekesore, ne nje shifer qe i kapercen te 275 milione eurot.

    Se deri ne cfare shkalle do te jete e mundur qe te behet dicka me shume, do te thosha se, perderisa vendi kalon ne nje faze tjeter te zhvillimit te tij dhe me horizont orientimet evropiane, perparesia ne te ardhmen do te jepet per vepra te zhvillimit, te nje shtrirjeje me te gjere ne vepra te infrastruktures, duke lidhur Shqiperine, per shembull, me akse rrugore evropiane, ose me rrjete energjitike, me qellim qe problemet e vendit te perballohen (p.sh, nderprerjet e energjise elektrike) dhe te krijohen vende te reja pune ne periferi, te gjallerohen portet e vendit, siperfaqet te shnderrohen ne toka te kultivuara etj. Dhe ne kete fushe, bashkepunimi dypalesh mund te kontribuoje. Eshte dicka qe tashme fillon dhe, kur te zhvillohet, do te jete mire ne interes te te gjitheve. Te gjithe sektoret ofrohen per nje bashkepunim suplementar, qe nga ceshtjet e mbrojtjes deri tek antipodi i tyre, problemet kulturore: Ka nje numer te rendesishem te botimeve qe kane interes dhe i referohen sa publikut grek, aq edhe atij shqiptar. Perkthimi i librave te tille, apo venia ne skene e veprave teatrale dhe shfaqja e tyre ne Shqiperi dhe ne Greqi, vec te mira mund te sjelle per te dyja palet. Perpjekje behen, dhe do t’i forcojme ato akoma me tej. Besoj tek bashkepunimi i perbashket me Ministrine e Kultures te Shqiperise, si dhe tek bashkepunimi me subjekte dhe individe te tjere.”

    - Disa mendime tuajat, jashte klisheve, mbi minoritetin grek ne Shqiperi dhe emigrantet shqiptare ne Greqi. Si e shihni statusin e tyre, a respektohen te drejtat e seciles pale?

    “Duke plotesuar per cfare u tha me siper, te gjithe e dine tashme se minoriteti grek duhet te funksionoje ketej e tutje si ure ndermjet dy vendeve. Ka deshmuar qendrueshmerine e tij per te mbijetuar. Tani ekziston edhe nje tjeter element, ai i konkurrences ekonomike nen kushtet e veshtira qe shkaktuan hapja e ekonomise, zmadhimi dhe bashkimi i ndermarrjeve dhe nevoja per t’u kthyer ne tregjet jashte. Greket, ju e dini, jane te adoptueshem ne konkurrence dhe mbijetues ne kushtet e reja, guxojne ne menyre profesionale. Sigurisht, kur tej rrezikut te biznesit ruhen probleme, si jorentabiliteti i siperfaqeve bujqesore, qe eshte nje element i domosdoshem i veprimtarise se biznesit, atehere mundesite zvogelohen dhe horizonti ngushtohet. Ceshtja eshte qe te behet e kuptueshme prej te gjitheve, se nje njesi biznesi minoritare e begate, apo nje minoritar, nuk mund te jete i keq vetem nga fakti se i takon minoritetit, i cfaredo minoriteti qofte. Tej asaj qe te mbesesh ne token e te pareve te tu dhe te jetosh si bashkeqytetaret e tu, eshte gje e mire edhe per veprimtarine ekonomike te shtetit. Ne analize te fundit, shteti ate do te taksoje, mbi pronesine e tij mbi token do te sigurohet, dhe ai me radhe do te bashkepunoje dhe do te sjelle te ardhura edhe per bashkeqytetare te tjere te tij. Ushqej shpresen, se tashme kjo eshte plotesisht e kuptueshme nga shume njerez edhe neper sherbimet qendrore. Ndoshta problemi ekziston ne disa rangje te uleta, periferike, sigurisht kur nuk ballafaqohen interesa. Por nje kendveshtrim i tille duhet te adoptohet ne cdo nivel, ashtu sikurse edhe ne nivel evropian.

    Ne menyre analoge keto jane te vlefshme edhe per emigrantet shqiptare ne Greqi. Behet fjale per njerez qe jo vetem moren rrugen e mergimit qe te shtojne te mirat e tyre ne nje vend fqinj, por zgjodhen (shume prej tyre) qe te mbesin atje. Cili eshte ai i huaj qe nuk vuan nga nostalgjia per vendin e vet? Pyesni greket, qe per disa breza detyroheshin te merrnin rruget e mergimit ne Evrope, Amerike, apo edhe ne Australine e larget… Duke jetuar ne Greqi, shqiptaret do te jene te paret qe do te kuptojne, tej stereotipave, se sa shume me mire ose shume me keq eshte te jetosh ne nje vend te larget me nje tjeter mendesi, apo diku vec 500 kilometra ose me pak, nga vendi yt. Sigurisht, shoqeria greke ishte, sikurse te gjitha ne Evropen Perendimore, e papergatitur ne renien e perdes se hekurt. Edhe pse ne nje shkalle te konsiderueshme, pati perfitime prej kesaj, reagoi me rezerva te medha. Te mos harrohet, se te huajt ne Greqi (pjesen me te madhe te te cileve e perbejne shqiptaret), arrijne ne 1/10 e popullsise se vendit. Sasia ne vendet e tjera fqinje-komunitare evropiane, ne krahasim me popullsine ne teresi, eshte me besoni, shume me e ulet. Statistikat evropiane thone se te huajt dhe, sigurisht edhe shqiptaret, ndjehen me te mirepritur ne Greqi. Probleme ekzistojne, por kjo nuk do te thote se nuk eshte e mundur dhe se nuk duhet qe te perballohen. Shqiptaret, ne nje mase te konsiderueshme, integrohen ne shoqerine greke, marrin kredi dhe ndertojne me punen e tyre, ate qe quhet sipermarrje e mesme. Dergesat e tyre monetare ne atdhe perfaqesojne te pakten 15 % te prodhimit kombetar bruto ose, nese parapelqeni, mbulojne nje pjese te rendesishme te deficitit ne bilancin e pagesave te vendit. Nga ana tjeter, femijet e tyre shkollohen, duke i derguar ne shkolla greke, ku dhe per kete ju siguroj, arritjet e tyre jane spektakolare dhe te lavderueshme. Eshte logjike te dish gjuhen e vendit qe zgjodhe te jetosh, te punosh dhe te begatohesh. Edhe ne rast se do te vendosin te kthehen ne Shqiperi, do te dine gjuhen, mbi te gjitha do te njohin mendesine dhe do te munden qe edhe qe ketej te punojne, te fitojne. Tashme, shume njerez e bejne kete. Eshte e sigurt se kolona tjeter mbi te cilen do te mbeshtetet ura ndermjet dy vendeve, do te jene keta njerez qe jetojne ose qe jetuan ne Greqi. Kohet e fundit, Greqia votoi ligjin per integrimin me te lehte te te huajve ne jeten shoqerore dhe ekonomike.

    Vecanerisht per shqiptaret qe ndodhen ne Greqi, eshte karakteristike se konsullatat greke kane dhene 10.000 viza hyrjeje per ne Greqi, domethene u kane dhene leje ketyre shqiptareve, qe kryesisht jane gra dhe femije te vegjel, te shkojne dhe te jetojne me njerezit e tyre te dashur. Nuk jane te shumta vendet qe zbatojne nje politike te tille.”

    - Si do te vleresonit, sigurisht brenda kostumit diplomatik, situaten politike shqiptare dhe ne pergjithesi zhvillimin demokratik te vendit?

    “Eshte e veshtire te flasesh per gjendjen politike ne vendin ku sherben me cilesine e nje zyrtari. Nese i shton kesaj edhe kombesine, atehere gjerat behen akoma me te veshtira. Kam mendimin se, ne vende si tonet, ne kete pjese te botes, koncepti i perbashket per nje te huaj qe flet per problemet tona te brendshme, pavaresisht nga fakt se sa mire shkojne ata, eshte reagimi qe ndjejme kur nje i trete, bile qofte edhe i afermi yne, flet per shtepine tone.

    Sigurisht, kultura politike ka nevoje per kohe dhe, sigurisht, pershtatet ne zakonet, psikosintezen e cdo populli dhe diferencohet nga brezi ne brez. Modelet e huaja ose pervojat e huaja nuk demtojne. Vec te tjerash, ato ndihmojne te kapercehen me shpejt dhe me sa me pak dhimbje, veshtiresite qe disa te tjere jetuan perpara nesh. Ndoshta ketu do te gjykohet se arritjet evropiane, i famshmi ‘acquis’ ka vlefshmerine e tij. Nuk mendoj se dikush nuk do te jete dakord me ate, se ne gjithe spektrin e zhvillimit perfshihet edhe politika ose, nese parapelqeni, kultura parlamentare me te gjitha anet e saj te njohura.”

    - Zoti Ambasador, mund te na flisni mbi hobet tuaja lidhur me muziken, letersine, sportet etj, (mbajme mend qe paraardhesi, zoti Iliopulos, ishte i dhene pas poezise dhe letersise)?

    “Duke nisur nga e fundit (sporti), duhet te them se, mire ose keq, nuk perpiqem, per fat te keq te mjekeve, qe kryesisht per sa i takon kolesterolit, ushtrojne presion…Per sa i takon muzikes, ajo eshte kenaqesi, clodhje. Te gjitha llojet e muzikes, sipas rrethanave. Keto vende te kesaj bote moren nje melodi dhe e bene kenge, ajer, jete. Me pelqen muzika e lehte, ajo popullore, por edhe muzika moderne, mjafton qe mos te te … shurdhoje. Per shembull, ne Tirane degjoj shume muzike polifonike dhe u jam mirenjohes miqve qe me furnizojne me kenge te vendit. Ne qofte se per mua muzika eshte kenaqesia, atehere leximi eshte arratisja ime. Perpiqem qe te ndjek botimet e reja, edhe pse ne vendin tim ka nje numer shume te madh botimesh. Paralelisht me keto, per shkak te konjukturave, duhet qe te pasurosh repertorin me tekste te reja.”

    Marre nga revista “Klan”

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e tani_26
    Anëtarësuar
    11-09-2002
    Vendndodhja
    Ne vendin e shqiponjave ku tani ka vetem korba!
    Postime
    1,113

    Kryeministri Berisha vizite zyrtare ne Greqi.

    Kryeministri nis vizitën në vendin fqinj. Takime me kreun e Parlamentit dhe me ish-Presidentin


    Berisha: Intensifikim i marrëdhënieve me Greqinë


    "Unë sot jam këtu për t'i dhënë një shtytje të re zgjerimit, intensifikimit të marrëdhënieve miqësore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Greqisë, dhe jam i bindur se do të njohin zgjerim të gjithanshëm në të gjitha fushat". Ky ka qenë deklarimi i kryeministrit Sali Berisha pas takimeve të para në tokën helene, dhënë për "Zërin e Amerikës", ndërsa është pyetur se çfarë priste nga vizita e tij në Greqi. Kryeministri Berisha e nisi vizitën e tij në Greqi me takimin që zhvilloi me Kryetaren e Parlamentit të Greqisë, zonjën Anna Benaki - Psarouda. Kryeministri Berisha pati një takim të veçantë me ish-Presidentin e Greqisë, Kostis Stefanopoulos. Në takim, të dy personalitetet, ndër të tjera, diskutuan për miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe përpjekjet për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Pas këtij takimi, kryeministri Berisha vlerësoi rolin e ish-Presidentit grek në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe në nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kryeministri Berisha, gjatë pasdites, ka qenë i pranishëm edhe në një koncert orkestral, i cili është dhënë për nder të tij. Në mbrëmje, kryeministri Berisha u takua edhe me komunitetin e biznesit grek, për të paraqitur nismën e qeverisë së tij "Shqipëria 1 euro", e cila synon futjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Sipas korrespondentit të "Zërit të Amerikës" në Athinë, vizita e kryeministrit shqiptar Sali Berisha ka gjetur vend në hapësirat e faqeve të të përditshmeve greke. "Shtypi grek ka shprehur vlerësime për vizitën e kryeministrit shqiptar në Athinë. Gazetat kryesore greke i kanë kushtuar artikuj me theks pozitiv. Në to vlerësohet fakti që qeveria shqiptare po mbështet kompanitë greke, të cilat kanë investuar në Shqipëri. Shtypi grek ka vlerësuar edhe qeverisjen e kryeministrit Berisha në koalicion me Partinë e të Drejtave të Njeriut. Një gazetë e rëndësishme, e përditshme, greke ka theksuar se takimi mes dy kryeministrave do të fokusohet tek forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve. Greqia zë 27% të investimeve të huaja në Shqipëri dhe është vendi i dytë në listën e importeve në Shqipëri", raporton gazetari i "Zërit të Amerikës". Shtypi grek ka patur në qendër të vëmendjes edhe çështjet delikate të përfolura në media. "Çështja delikate sipas gazetave greke, është çështja e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke në territorin shqiptar. Një tjetër e përditshme greke vlerëson faktin se kryeministri shqiptar do të takohet me përfaqësues të biznesit grek në Athinë, për të shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj investimeve greke në Shqipëri. Gazeta thekson gjithashtu se Berisha ka mbajtur një qëndrim të matur pas incidentit të moszhvillimit të takimit mes Presidentit Moisiu dhe Presidentit Papulias. Shtypi grek po e sheh pozitivisht imazhin e Berishës në Greqi", raporton korrespondenti i "Zërit të Amerikës" në Athinë.





    Kryeministri Berisha takohet me Kryetaren e Parlamentit të Greqisë


    Benaki: Shqipëria respekton standardet ndërkombëtare për minoritetet



    Kryeministri Berisha pati dje një takim me Kryetaren e Parlamentit të Greqisë, zonjën Anna Benaki - Psarouda. Të dy palët vlerësuan miqësinë dhe nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, dhe shprehën vullnetin e përbashkët për thellimin më tej të këtij bashkëpunimi. Zonja Anna Benaki - Psarouda vlerësoi se, Shqipëria ka hedhur hapa përpara në zhvillimin e saj. Përpjekjet dhe dëshira e Shqipërisë për integrim mbështetet gjerësisht nga Greqia, u shpreh ajo, duke theksuar se kjo vizitë do të forcojë me tej marrëdhëniet mes dy vendeve, ku një vend të rëndësishëm zë edhe bashkëpunimi mes dy parlamenteve. Gjithashtu, Kryetarja e Parlamentit grek vlerësoi faktin, që në qeverisjen aktuale ka dhe përfaqësues të minoritetit. "Ky është një ndër treguesit që Shqipëria respekton standardet ndërkombëtare për minoritetet", tha zonja Anna Benaki - Psarouda. Në këtë drejtim, kryeministri Berisha e siguroi Kryetaren e Parlamentit grek se, Qeveria shqiptare mbetet e vendosur për të forcuar dhe zhvilluar më tej të drejtat e minoritetit grek dhe të minoriteteve të tjera në Shqipëri. Qëndrimi ndaj minoriteteve është tregues i karakterit të lirë dhe emancipimit të çdo shoqërie, u shpreh kryeministri. Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Anna Benaki - Psarouda, mirënjohjen për Parlamentin dhe popullin grek, të cilët në vitet e pasdiktaturës në Shqipëri kanë mbështetur përpjekjet e shqiptarëve për demokraci, progres dhe prosperitet. "Unë jam dëshmitar i mbështetjes që forcat demokratike greke i dhanë forcave demokratike shqiptare që në fillimin e pluralizimit politik në Shqipëri, sikurse jam dëshmitar dhe i ndihmës së pakursyer që Parlamenti dhe populli grek u kanë dhënë shqiptarëve në përpjekjet e tyre për zhvillim dhe integrim në Europë", theksoi kryeministri Berisha. Kryeministri vuri në dukje, se Shqipëria nënshkroi në qershor të këtij viti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Europian, e cila pritet të ratifikohet tashmë dhe nga vendet anëtare. Në këtë proces, theksoi kryeministri, solidariteti dhe ndihma e Greqisë ka qenë shumë e çmuar dhe ratifikimi i MSA-së nga Parlamenti grek do të jetë një mbështetje e madhe në përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim. Të dy palët diskutuan edhe për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke ndarë të njëjtin mendim se statusi, kushtet e jetesës dhe integrimit të tyre në Greqi kanë ardhur duke u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo edhe si rezultat i ligjeve dhe akteve ligjore të nxjerra herë pas here nga Parlamenti grek për përmirësimin e kushteve të tyre. Kryeministri Berisha u shpreh se, do të bëjë çdo përpjekje që miqësia dhe bashkëpunimi mes dy vendeve të njohë horizonte të reja. Në këtë aspekt, nënvizoi kryeministri, bashkëpunimi parlamentar është shumë i rëndësishëm. Ndërsa zonja Anna Benaki - Psarouda, e siguroi kryeministrin, se Parlamenti grek do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit europian. Ajo vlerësoi faktin që të gjitha grupet parlamentare të Parlamentit grek, pavarësisht përkatësive politike, kanë qëndrime pozitive ndaj Shqipërisë.







    Sot, Berisha takon Karamanlis


    "Me kryeministrin Karamanlis do të diskutojmë për intensifikimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve në të gjitha fushat. Ta falenderoj për gjithë progresin që çështja e emigrantëve shqiptarë ka bërë në vendin mik, të diskutojmë probleme me interes të përbashkët për të bashkëpunuar më tej në të gjitha fushat, sikundër të ftoj investitorë privatë të vendit mik të investojnë në Shqipëri, si një vend të sigurt për investime dhe fitimin e tyre". Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Berisha që nga Tirana, kur ka zbardhur axhendën e takimit të tij në Athinë me kryeministrin grek Kostas Karamanlis. Kryeministri Berisha, mbrëmë, ka bërë të njohur për biznesmenët grekë nismën e tij "Shqipëria 1 Euro". Kjo është vizita e tretë e kryeministrit shqiptar në vendet fqinje, në harkun kohor të një jave. Fillimisht, ai zgjodhi Turqinë e më pas Italinë, për të mbërritur të martën në Greqi, në një vizitë të paralajmëruar prej kohësh.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Nuk ka njerez te perkryer ka vetem qellime te perkryera!

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e tani_26
    Anëtarësuar
    11-09-2002
    Vendndodhja
    Ne vendin e shqiponjave ku tani ka vetem korba!
    Postime
    1,113
    Berisha u prit miqesisht nga Presidenti grek Papulias si dhe nga kryeministri grek Karamanlis.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Nuk ka njerez te perkryer ka vetem qellime te perkryera!

  9. #9
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-03-2006
    Postime
    48
    E meritonte pritjen berish tradhetari
    Pse kot beri aleance me greket ne himar dhe u be kunder shqiptarve vec me fitu nje pik e gjys te greku
    ky berishe per karige shet edhe temen jo shqiperin qe se ka problem ta nxjer ne treg

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    RD

    Shqiptarët dhe grekët, një vizion të përbashkët për të ardhmen


    Sali BERISHA


    Erdha me shumë interes dhe largohem shumë i kënaqur nga një vizitë thellësisht miqësore dhe me këtë rast, unë dua t'u shpreh falenderimin dhe mirënjohjen e madhe Kryeministrit Karamanlis për ftesën dhe pritjen që më rezervoi, të falenderoj përzemërsisht Presidentin Papulias dhe Kryetaren e Parlamentit, Benakis, për takimet e ngrohta dhe miqësore që më rezervuan.

    Pata mundësinë t'i adresohem dhe botës së biznesit grek në një audiencë të shkëlqyer. Unë mund të them se kjo ishte një vizitë shumë e frytshme për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, bisedat e hapura miqësore me bashkëbiseduesit e mi. Konstatuam se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë shumë të mira. Marrëdhëniet, në tërësi, janë thellësisht miqësore dhe progresojnë me shpejtësi.

    Grekë dhe shqiptarë kanë njërën prej traditave më të lashta në Europë, të fqinjësisë, por ajo që është më e rëndësishme, kanë një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kombi grek dhe Greqia kanë ndihmuar dhe ndihmojnë shqiptarët në projektin e tyre europian. Për 15 vite, Greqia i është gjetur Shqipërisë dhe shqiptarëve fuqimisht në anën e përpjekjeve të tyre për ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe integrimit. Kryeministri Karamalis më siguroi se qeveria e tij do të mbështesë, sikundër deri më sot, integrimin e Shqipërisë në BE.

    Një hapësirë të madhe në diskutimet tona zuri bashkëpunimi ekonomik. Shqipëria është thellësisht e interesuar për tërheqjen e investimeve greke. Investitorët grekë në Shqipëri zënë vendin e parë me rreth 230 ndërmarrje dhe një investim që kap mbi 400 milion euro, por ne konstatojmë me kënaqësi se hapësirat për të shumëfishuar këtë pjesëmarrje, këtë bashkëpunim, janë reale dhe të mëdha. Dhe të dy qeveritë qëndrojnë fuqishëm për t'i inkurajuar këto investime.

    Diskutuam për bashkëpunimin ushtarak, në të gjitha fushat e ushtrisë. Kryeministri Karamanlis më siguroi për mbështetjen e madhe të Greqisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kjo nuk do të jetë vetëm mbështetje politike, por edhe në rrafshin ushtarako-teknik, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë sa më mirë standardet e këtij anëtarësimi. Diskutuam me kënaqësi si problemet e minoritetit grek në Shqipëri, edhe problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Konstatojmë se ka një progres të madh, se ka një vullnet të palëkundur të të dy qeverive për të siguruar standardet më të mira në këtë drejtim.

    Kryeministri Karamanlis pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe do të pritet si një mik i çmuar, jo vetëm i imi, por i mbarë shqiptarëve. Shpresoj që së shpejti të pres në Tiranë edhe Presidentin Papulias, Presidenten e Parlamentit, zonjën Benakis. Jam i sigurt se ky dialog intensiv miqësor i shërben zgjerimit me shpejtësi dhe intensifikimit të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy vendeve dhe dy kombeve mike.


    (Fjala e kryeministrit Berisha në përfundim të vizitës në Greqi)



    -------

    di llafe..




    Suksese Berishes !

    E filloj me viziten madheshtore ne Kosove.. dhe po e mbyll me vizita te sukseshme ne Itali, Turki e Greqi..

    Tani o burra administreten ta shkundi.. se po tallen shum zyrtare.. akoma zyrat spo behen vend sherbese sic premtoj Berisha.. ato mbeten akoma bunkere te taraflleqeve.. relike te epokes enveroiste..

    Sic mori Tomin prej Amerike mir do bente te marre nga 10 zyrtare europiane e japoneze e amerikane per cdo Bashki .. te shqiperise..

    Me mire tu japim atyre rroga te mira se ktyre mbeturinave envero nanoiste meto rucoiste qe akoma sundojne shtetin.. copa dembelash injorante e hajdute..

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Rriten pensionet per 555 mije pensionist
    Nga Florim07 në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 08-05-2009, 12:21
  2. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  3. Rikthimi i themeluesve të PD-së
    Nga Veshtrusja në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 67
    Postimi i Fundit: 01-10-2005, 16:22
  4. "Nano Ik", protesta sërrisht në Bruksel
    Nga Asteroid në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 02-05-2004, 12:07
  5. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •