RD

--


Prof. Dr. Elfrida Zefi, prefekte e Qarkut Korçë, bën bilancin e një viti qeverisjeje në këtë Prefekturë

Zefi: Prefektura, projekte konkrete për zhvillimin ekonomik të Korçës

- Si është konceptuar nga ana juaj drejtimi i një institucioni të rëndësishëm siç është Prefektura e Qarkut të Korçës?

Prefektura është institucioni, që siguron prezencën e Qeverisjes Qëndrore në nivel rajonal. Në një Prefekturë si Korça, me njerëz arsimdashës dhe punëdashës, patriotë dhe plot virtyt, nuk është e vështirë të bësh atë që thotë Shopenhauer tek "Arti i të Jetuarit': "Nuk kam bërë tjetër veçse kam qëmtuar kallëza në një fushë të korrur". Dhe në vazhdim të kësaj unë do të shtoja: Gjërat janë të thjeshta, vështirësia qëndron në të kuptuarit e tyre". Pikërisht këtë kam bërë, jam përpjekur të kuptoj se çfarë duhet bërë në Korçë dhe për Korçën.


- Cilat janë disa nga arritjet e këtij viti?

Periudha Nëntor 2005 - Prill 2006, për Rajonin e Korçës, ka qenë periudha gjatë së cilës, përballimi i dimrit të zgjatur kërkoi impenjimin total, timin personal si kryetare e Shtabit të Emergjencave, si edhe atë të të gjithë përfaqësuesve të strukturave që Ligji i ngarkon me përgjegjësi. Puna e mirëorientuar dhe koordinimi i veprimeve ndër-strukturore, çelës ky i punës në ekip, bënë që të gjithë akset rrugore (nacionalë dhe komunalë) të kenë qenë të hapur në mënyrë të vazhdueshme. Së dyti, me iniciativën time personale, kam iniciuar grupin Task-Forcë, me detyrë monitorimin e veprimtarisë që ka të bëjë me Industrinë Pyjore dhe shërbimin pyjor, me fokus mbrojtjen e mjedisit, pyjeve, burimeve ujorë, florës dhe faunës në Rajonin e Qarkut Korçë. Po kështu paralelisht vëmendja është përqëndruar edhe në monitorimin e ndërhyrjeve lidhur me përdorimet e rezervave ujore. Duke e parë rolin e institucionit të Prefektit, veç të tjerash edhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorit, kontrolli tematik në njësitë tregtare të rajonit, ka qenë një tjetër angazhim i imi dhe i stafit me të cilin unë punoj. Nëse rendis arritjet në sektorët e sipërpërmendur, do të më duhet t'i paraqes në mënyrë që tingëllon jo-këndshëm, por ja që arritjet ndonjëherë na duhet t'i vlerësojmë me atë se sa janë goditur rastet, të cilat bien ndesh me Ligjin. Konkretisht janë aplikuar gjoba për rastet e shfrytëzimit të sipërfaqeve pyjore dhe është sekuestruar lënda drusore. Janë aplikuar gjoba ndaj njësive tregtare, në rastet kur janë konstatuar produkte në shitje, apo gjendje e magazinuar, përtej afatit të skadencës, dhe janë asgjësuar ato. Si Prefekte e Qarkut të Korçës u përballa me çështjen më problematike jetësore, atë të furnizimit me energji elektrike, ku duhet theksuar se me një organizim të mirë të punës si në linjë vertikale ashtu edhe në atë horizontale, mundëm të dalim prej kolapsit energjitik të krijuar nga sistemi i trashëguar energjitik. Koordinimi i punës midis Koorporatës Elektroenergjitike dhe institucionit të Prefektit, mbështetur fuqimisht nga investimet e Qeverisë shqiptare, po i siguron Korçës dhe biznesit që operon në rajon, furnizimin 24 orë me energji elektrike dhe rritje të ndjeshme të nivelit të arkëtimeve.


- Ç'mund të thoni për prioritetet e zhvillimit Rajonal?

Qeveria shqiptare, duke të besuar drejtimin e institucionit të Prefektit të Qarkut, ka vlerësuar jo thjesht intelektin e individit, por njëherazi kontributin e tij në sferën sociale, atë ekonomike, kulturore, në funksion të Zhvillimit Rajonal. Në këtë këndvështrim i kam parë edhe prioritetet e zhvillimit rajonal, të cilat kanë qenë edhe stacionet e monitorimit të punës sime. Në secilin prej tyre kam mundur të siguroj angazhimin e përfaqësuesve të Njësive të Qeverisjes Vendore në rajon dhe të strukturave të administratës shtetërore sipas përkatësisë. Me preokupacion kam ndjekur shqetësimet e krijuara në ndonjë rast në sipërmarrje të ndryshme, për punonjësit, të cilat në komunikim me sindikatën dhe përfaqësuesit e administratës publike kanë gjetur zgjidhje.

Takimi me përfaqësues të biznesit, të cilin do e cilësoja si panair të opinioneve të sipërmarrësve në fokusin e rolit ekonomik të shtetit, (tashmë kur kemi përcaktuar trajektoren e një perspektive europiane të Shqipërisë, e cila ofron një terren të sigurt ligjor për investitorët vendas dhe të huaj, dhe e garanton këtë siguri), ka qenë auditori ku me anën e një dokumentari, biznesi i rajonit të Korçës u promovua nëpërmjet një guide të parë elektronike. Arrita në ideimin dhe krijimin e kësaj guide, duke konsideruar komunitetin e biznesit si një bibliotekë aplikative. Me këtë kuptoj që me gjithë njohjen time të gjerë si akademike në fushën e ekonomisë, kjo bibliotekë aplikative është shumë e madhe ndaj dhe duhet ta njohim dhe vlerësojmë për të bërë të lehtë lëvizjen e ingranazheve të ekonomisë rajonale dhe më gjerë. Me synim ndjekjen e politikave dhe strategjive në funksion të rritjes së nivelit të punësimit, u ofrua mbështetja që institucioni i Prefektit i dha bashkëpunimit midis Zyrës Rajonale të Punës Korçë me homologen e saj në distriktin e Athinës/Greqi. Ky bashkëpunim është duke u pasuar nga një punë e organizuar profesionalisht në depozitim të projektpropozimeve në kuadër të "Programit për inkurajim të iniciativës komunitare Intereg III-A/ CARDS (neë Neighbourhood/Fqinjësi e Mirë) Greqi-Shqipëri". Do të preferoja të theksoja këtu, këmbënguljen për përgatitjen e projekteve dinjitoze në funksion të zhvillimit të ekuilibruar të zonave ndërkufitare, forcimit të shtratit social ekonomik në to, si faktor kyç për kthimin e këtyre rajoneve në nyje të fuqishme paqeje dhe procesi zhvillimi, për të sjellë praktikat europiane të zhvillimit ekonomik në zonat brenda Ballkanit.


- Në ç'nivel ka qenë bashkëpunimi dhe kooperimi me institucionet ndihmëse?

Kooperimi ndërkufitar është pararendës i vizionit europian të zhvillimit. Tek them këtë, nuk ka se si të mos ndalem tek kushti i parë i Këshillit Europian, për integrimin e Shqipërise në BE, kusht i cili ka të bëjë me: luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjithashtu edhe tek Urdhëri i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për krijimin e Komiteteve Rajonale në luftë kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Arritjet në këtë drejtim kanë qenë rezultat i një pune të koordinuar midis DRPolicisë, DRArsimit, shoqërisë civile, NJQV, dhe grupeve të interesit, dhe kanë konsistuar në: Ndjekjen e detyrave të planeve tremujore të hartuar në luftë kundër krimit të organizuar, startuar prej Prillit 2006 në bashkëpunimin midis Institucionit të Prefektit/Korçë dhe IDN; Në parandalimin dhe asgjësimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit u reflektua në nivel rajonal, ku për t'u theksuar është angazhimi i lëvizjes studentore dhe rinisë shkollore në përgjithësi, në luftë ndaj këtij fenomeni. Parandalimi dhe trajtimi i viktimave të trafikut ka konsistuar në strehim, rehabilitim, punësim, terapi në grup.

Trafikimi dhe terrorizmi, ishte tematika e një takimi të zgjeruar inicuar prej Ambasadës Amerikane/Departamenti i Marrëdhënieve Civilo-Ushtarake dhe Qendra për Çështjet Civilo-Ushtarake në Monterey Kaliforni të SHBA, organizuar nga institucioni i Prefektit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjithë aktorëve rajonale.


- Prefektura e Korçës ka në përbërje disa zona të njohura turistike. Cili ka qenë ndikimi juaj në zhvillimin e turizmit?

Me moton "Të hapim derën e së ardhmes në turizëm", kam inkurajuar dhe mbështetur çdo iniciativë në njohje dhe promovim të potencialeve rajonale me synim lëvrimin e formave të ndryshme të zhvillimit të turizmit, përfshirë atë alternativ në nivel eurorajonal, turizmin kulturor, familjar, të biznesit malor, etj., duke synuar shtrirjen gjithëvjetore të sezonit turistik mbështetur në mundësitë që ofron rajoni për një turizëm malor të organizuar.

Në përfundim të sezonit veror turistik është për t'u vlerësuar edhe puna e bërë nga grupi task -forcë, i ngritur për menaxhimin e këtij sezoni dhe i drejtuar nga unë personalisht.

Ndërsa flasim për turizmin, si një prej sektorëve prioritarë për gjithë ekonominë shqiptare, dhe për atë rajonale, ndjehem mirë të deklaroj rishtasi, mbështetjen që qeveria shqiptare/ MTKRS, i dha idesë sime për transferimin e Muzeut të Artit Mesjetar në godinën e ish-Liceut Francez në Korçë, për të krijuar kushte bashkëkohore, ekspozimi, konservimi dhe restaurimi të objekteve që janë depozituar pranë këtij Muzeu.

Çelja e një Zyre Rajonale për Zhvillimin e Turizmit është një tjetër mbështetje për të hartuar dhe realizuar politika dhe strategji vizionare në këtë sektor. Krenarinë ta rrit një qeverisje qendrore tek sa të mbështet në ide sa novatore aq edhe të gjetur dhe lidhur me themelet e krijimit të këtij qyteti, dhe fjalën e kam pikërisht për financimin e projektit që do të kthejë në origjinalitet Xhaminë e Iliaz Bej (Korça) Mirahorit. Kështu, ky monument kulti do të bëhet një qendër më e vizitueshme nga turistët shqiptarë dhe të huaj. Si prefekte, ndjej se përkushtimi im duhet t'i përgjigjet gjithmonë dhe më tepër kërkesave për standarde në një trevë që ka lindur e bukur. Ndaj edhe në mënyrë që të shtojmë vlerë në fizionominë e këtij Rajoni, si edhe të inkurajojmë dhe mbështesim iniciativat sipërmarrëse në interes të rajonit, dhe rritjes së reputacionit të tij në ekonominë globale, ndjej se forcimi i shtratit social, ekonomik, urbanistik, infrastrukturor etj., kërkon plane rregulluese strategjike në përgjigje të kërkesave që shtron zhvillimi radikal social-ekonomik i 15 viteve të fundit në Prefekturën e Korçës, ashtu si në gjithë Shqipërinë.

Në Rajonin e Korçës tashmë po punohet në mënyrë intensive për realizimin e një prej veprave më të mëdha infrastrukturore, asaj të sistemit të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të zeza dhe të ujërave të shiut, (në qytetin e Korçës, nëpërmjet një bashkëfinancimi KFË Gjermane & BEI), si edhe asfaltimit të rrugëve nëpërmjet mbështetjes së fuqishme me investimet e akorduara nga qeveria shqiptare. Në gjithë këtë proces, roli i institucionit të Prefektit ka qenë dhe është monitorimi i kujdesshëm në zbatim të projekteve dhe afateve për çdo fazë, duke organizuar tryeza pune me përfaqësuesit shqiptarë të administratës publike dhe investitorëve të huaj dhe nënkontraktorëve. Duke ditur që shërbimi mediatik është, ndoshta, nga faktorët më ngacmues, më delikatët dhe më të rëndësishmit për të zbuluar, krijuar, stimuluar, bindur inkurajuar, adaptuar dhe reklamuar, jo vetëm produktet dhe njerëzit, por edhe situatat politike, ekonomike sociale në kuadër Rajonal, Kombëtar e Ndërkombëtar, nga njëra anë, dhe domosdoshmëria për një shtyp të shkruar dhe elektronik, të lirë, si kusht i Këshillit Europian, nga ana tjetër, e kam trajtuar atë si një instrument sensibilizimi të masës, për ta bërë atë aleate të ideve dhe pikësynimeve që hidhen në letër, për të informuar publikun mbi gjithçka që ndodh në Rajon e më gjerë, si edhe për t'i dhënë atij të drejtën të shprehet. Në këtë konceptim, kam patur si qëllim të merrem me vlerat dhe jo me antivlerat, pavarësisht se herë-herë shihen këto të fundit në shkrime. Ndjenja e misionit publik më ka ndihmuar të shoh median si bashkëmonitoruse të punës sime.


- Në përfundim të fazës së parë të vetëdeklarimeve, ç'mund të thoni për ecurinë e procesit ligjor të legalizimit të ndërtimeve pa leje në Qarkun e Korçës?

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, ka qenë një nga çështjet që institucioni i Prefektit e ka ndjekur me një preokupacion të veçantë për vetë faktin se në këtë proces kemi të bëjmë me një prej reformave më të spikatura të tërësisë së reformave të tranzicionit, ku harmonizohet roli i shtetit nga njëra anë, me rëndësinë dhe vullnetin për bashkëpunim të të gjithë shtetasve, nga ana tjetër. Procesi i legalizimit në Rajonin e Korçës, progreson konform procedurave të parashikuara në Ligjin Nr.9482 datë 3.04.2006 "Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje". Ka patur një angazhim të mirë të strukturave të ngritura për këtë qëllim (Agjensisë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit të Zonave Informale si dhe të Njësive të Legalizimit, të ngritura pranë Zyrave të Urbanistikës në të gjitha Njësitë e Qeverisjes Vendore). ALUIZNI, nën kujdesin tim personal, ka organizuar dy takime me përfaqësues të punonjësve të Urbanistikës dhe kryetarë të NJ.Q.V. për trajnimin e tyre në datat 14.8.2006 dhe 10.09.2006, ku janë sqaruar proçedurat që duhen ndjekur për mënyrën e deklarimit të ndërtimeve pa leje, regjistrimin e të dhënave të formularëve të paraqitur pranë njësive përkatëse si dhe evidentimin dhe verifikimin e ndërtimeve në terren. Gjithashtu, ALUIZNI ka bërë paisjen e të gjitha NJ.Q.V me materialin e duhur ligjor (Ligji nr.9482, vendim 437, vendimi 438, manualin e proçedurave mbi procesin e vetëdeklarimit, regjistrave për hedhjen e të dhënave të formularëve. "Vetëdeklarim për legalizim objekti", kopje të formularëve "A" dhe "A1", Informacionin përkatës për Zonat e mbrojtura nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, Formularë mbi mënyrën e dërgimit të evidencave dhe Udhëzimin 403 datë 1109.2006. "Sqarime mbi modalitet e aplikimit të sanksioneve të zbatueshme për mosrespektim afati gjatë procesit të vetëdeklarimit".

Në zbatim të Ligjit nr.9482, neni 4 pika "ç", Drejtoria Rajonale e ALUIZNIT ka bërë monitorimin e procesit, duke parë dhe kontrolluar në vend, në çdo Nj.Q.V, mënyrën e punës së ndjekur prej tyre për realizimin dhe konkretizimiin e procesit, duke bërë vërejtjet dhe dhënë sugjerimet e nevojshme (ky verifikim është bërë në datat 5, 6, 7 .09.2006). Duke gjykuar nga situata e përgjithshme, pohojmë se procesi po ecën me ritmet e duhura, këtë e mbështesim me shifra konkrete të marra në mënyrë direkte nga të gjitha Nj.Q.V. Shprehur në përqindje, janë bërë rreth 70% e vetëdeklarimeve të ndërtimeve të paligjshme, një shifër kjo mjaft inkurajuese, duke qenë se jemi në mesin e afatit të vetëdeklarimit. Në mënyrë të vazhdueshme edhe për këtë çështje, përfaqësuesit Rajonalë të ALUIZNI-t, kanë sqaruar specialistët e Nj.Q.V nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me ta, si edhe kanë informuar publikun nëpërmjet medias televizive dhe asaj të shkruar. Sa më sipër, më bëjnë të shpreh bindjen për një ecuri normale të procesit në vazhdim.


- Ç'është bërë nga ana juaj për zbatimin e Vendimit 603, datë 08.09.2006, "Për rregullat dhe veprimet e Zyrave të Gjendjes Civile, për transferimin e të dhënave të Gjendjes Civile të shtetasve të regjistruar në Regjistrin e Përkohshëm"?

Për të siguruar zgjedhje lokale të lira dhe të ndershme, si edhe për të identifikuar në mënyrë absolute vendndodhjen dhe vendbanimin e shtetasve në Prefekturën e Korçës, kam monitoruar nëpërmjet administratës së institucionit të Prefektit dhe nënprefekturave, procesin e verifikimit, identifikimit dhe kompletimit të të dhënave të shtetasve, në të gjitha Zyrat e Gjendjes Civile, pranë Njësive të Qeverisjes Vendore përkatëse.

Aktualisht po punohet për realizimin e detyrave që rrjedhin prej Vendimit 603, datë 08.09.2006, "Për rregullat dhe veprimet e zyrave të Gjendjes Civile, për transferimin e të dhënave të Gjendjes Civile të shtetasve të regjistruar në Regjistrin e Përkohshëm". Procesi ka manifestuar frymën e mirëkuptimit, bashkëpunimit, vullnetit të mirë dhe transparencës të përfaqësuesve të Njësive Vendore dhe përfaqësuesve të strukturave politike. Si çdo proces, edhe ky, për më tepër për rëndësinë e veçantë të kohës kur vjen, pikërisht pas firmosjes dhe ratifikimit të MSA, kërkon shmangien e çdo gabimi, apo neglizhencë, kërkon përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm, respektim rigoroz të rregullit të ligjit.

Duke përfunduar, do të preferoja të theksoja se, ndërsa ka kaluar afro një vit pune, një vit përpjekjesh dhe përballimi sfidash, mund të rendisim një sërë arritjesh dhe problemesh, gjithashtu, por nuk duhet harruar se, ndryshimet e mëdha fillojnë nga një hap i thjeshtë. Duke qenë kështu, në çdo moment duhet të kuptojmë se i duhet kushtuar rëndësi çdo detaji, sado mbingarkesë që mund të krijojë, mbasi njerëzit këmbëngulës dhe sfidantë duken jo atje ku spikat qetësia dhe rehati, por atje ku nevojitet sakrifica dhe kurajua.

Intervistoi: Halil RAMA