Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin. Anëtarët zgjidhen nga ministri i Ekonomisë
Një këshill i ri mes Qeverisë e biznesit
Edmond Spaho: Do ndjekë kërkesat e sipërmarrësve
Fabiola Çela
redaksia@gazetashqiptare.com
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje projektligjin për krijimin e Këshillit Konsultativ të Biznesit. “Ky këshill ka për detyrë që të dërgojë zërin e biznesit tek qeveria”, - tha Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë. Konkretisht ky këshill ka për qëllim përgatitjen e rekomandimeve për qeverinë dhe Kuvendin, nëpërmjet dialogut shtet-privat në procesin e përgatitjes së buxhetit të shtetit dhe të paketave fiskale, politikat e privatizimit, në politikat e prokurimit publik, e nxitjes së investimeve, zhvillimit të tregtisë dhe të biznesit, etj. Përbërja e Këshillit Konsultativ të Biznesit kryesohet nga ministri përgjegjës për ekonominë, ai përbëhet nga jo më pak se 15 dhe jo më shumë se 20 anëtarë. Në projektligjin e miratuar dje, thuhet se anëtarët e Këshillit Konsultativ të Biznesit emërohen nga ministri përgjegjës për ekonominë, sipas kritereve dhe procedurës së parashikuar në rregulloren e funksionimit të këtij këshilli.
Funksioni
“Këshilli Konsultativ i Biznesit është organ këshillimor, buxhetor i qeverisë, për zhvillimin e politikave ekonomike dhe për përmirësimin e kuadrit ligjor përkatës”, -thuhet në relacionin që i bashkëngjitet këtij projektligji. Në relacion thuhet gjithashtu se objekti i veprimtarisë së Këshillit Konsultativ të Biznesit është përgatitja e rekomandimeve për qeverinë dhe Kuvendin, nëpërmjet dialogut shtet-privat në procesin e hartimit të strategjive dhe të programeve qeveritare të zhvillimit të ekonomisë, si dhe procesin e përgatitjes së buxhetit të shtetit dhe të paketave fiskale. Këshilli Konsultativ i Biznesit do të përgatisë gjithashtu rekomandime në politikat e privatizimit, politikat e prokurimit publik, e nxitjes së investimeve, zhvillimit të tregtisë dhe të biznesit, politikat e konkurrencës, mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve.
Financimi
Projekt-aktet e përgatitura nga institucionet qendrore të administratës, sipas objektivave të përcaktuara, i dërgohen për mendim Këshillit Konsultativ të Biznesit. “Burimet e financimit të KKB-së janë buxheti i shtetit, si dhe burime të tjera të ligjshme, si nga sektori privat dhe donatorë të ndryshëm”, - thuhet në relacionin e këtij projektligji.
Anëtarët
Në krye të Këshillit do të jetë ministri i Ekonomisë. Në relacion sqarohet se përbërja e KKB-së kryesohet nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ka në përbërje përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, shoqatat e biznesit, vendase dhe të huaja, shoqëria civile, institucionet shtetërore, organizmat e pushtetit vendor. Këshilli Konsultativ i Biznesit përbëhet nga jo më pak se 15 dhe jo më shumë se 20 anëtarë. Kryetari e përfaqëson këtë këshill në marrëdhënie me të tretët. KKB-ja vepron nëpërmjet komisioneve të këshillimit dhe sekretariatit teknik. Anëtarët e Këshillit Konsultativ të Biznesit emërohen nga ministri përgjegjës për ekonominë, sipas kritereve dhe procedurës së parashikuar në rregulloren e funksionimit të këtij këshilli. Mandati do të jetë 2 herë nga tre vite, me të drejtë rizgjedhjeje.
Krijoni Kontakt