Në Islam rinia përfaqëson imazhin e fesë, pastërtinë e jetës, guximin, sinqeritetin, mirësjelljen, ëmbëlsinë, trimërinë dhe altruizmin (dhënia përparësi të tjerëve ndaj vetvetes). Duke pasur këto cilësi, rinia Islame duhet të vazhdojë zbatimin detyrave të saj në shërbim të fesë dhe të shoqërisë. Shembullin më të pastër e kemi në brezin e parë të muslimanëve të cilët nën përkujdesjen e të dërguarit të All-llahut dhe me sjelljen e tyre u shndërruan në edukatorë të mbarë njerëzimit për të gjitha kohërat. Ebu Kulabah raporton se Malik u kishte thënë, se kishin shkuar për t’i bërë vizitë profetit paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të. “ Ishim të rinj në moshë. Qëndruam në shtëpinë e tij njëzet ditë e net dhe profeti ishte njeri shumë i mirë dhe i durueshëm. Kur ai e kuptoi se ne po bëheshim gati të ktheheshim në shtëpitë tona, ai na pyeti se kë kishim lënë atje, ne i thamë se kishim lënë njerëzit më të afërt. Ai na tha: “Shkoni tek njerëzit tuaj, rrini me ta, mësojini ata dhe jepini urdhrat e mia. Faluni ashtu siç më keni parë të falem. Kur të vijnë koha e faljes njëri prej jush të thërrasin ezanin dhe më i vjetri ndër ju t’ju udhëheqin në faljen e namazit.” Transmeton El-Bukhari 595.
Profeti (a.s.) ishte i butë dhe i durueshëm ndaj të gjithë njerëzve, e veçanërisht ndaj të rinjve. Ai i trajtonte ata me respekt dhe i kuptonte nevojat e tyre. Ai ndërtoi karakteret e tyre dhe i përgatiti ata, në mënyrë që të ishin udhëheqës të aftë. Profeti (a.s) donte që ata të mësonin dhe të udhëhiqnin botën.
Imazhi i rinisë në islam është shumë dinamik, pozitiv dhe aktiv. Ibrahimi, Ismaili, Jusufi, Merjemja, njerëzit e shpellës (paqja qoftë mbi të gjithë) ishin shembuj të mëdhenj për rininë, shembuj të cilët janë përmendur në Kur’an.
Profeti Ibrahim (a.s) përmendet si një djalë i ri. Kur ai e mësoi të vërtetën, e pranoi atë pa ndonjë hezitim, megjithëse ai duhej të kalonte nëpër shumë vuajtje e mundime...
Ai nuk iu përul idhujve të popullit të tij. Ai e respektonte shumë të atin, por kur vinte puna për të pranuar të vërtetën ai nuk bënte kompromis me të. Ai la shtëpinë dhe qytetin e tij, sakrifikoi gjithçka, por nuk hoqi dorë nga besimi në një Zot (Teuhid).
Profeti Ismail ishte shumë i ri kur u bë shembull i bindjes se vërtetë dhe nënshtrimit ndaj All-llahut. Babai i tij, ishte një profet dhe një njeri i devotshëm.
Kur ai i tha djalit të tij për ëndrrën që kishte parë, nëpërmjet së cilës All-llahu e urdhëronte të therte si sakrificë djalin e tij të vetëm, Ismaili nuk hezitoi. Ai tha:
-“O babai im, bëj çfarë je i urdhëruar të bësh dhe në dashtë All-llahu do më gjesh prej të palëkundurve.” Es-saffat: 102.
All-llahu ua pranoi atyre devotshmërinë e treguar dhe e pengoi Ibrahimin nga kryerja e asaj se ç`farë ai kishte parë në ëndërr!... Më pas Ismaili e ndihmoi Ibrahimin të ndërtonte Qaben si vend adhurimi për All-llahun.
Profeti Jusuf është një shembull tjetër i të rinjve në Kur’an. Ai ishte një djalë shumë i pashëm dhe kjo ishte një arsye pse ai u ngacmua nga gruaja e ministrit, por ai e përmbajti veten. Për të ishte më mirë të burgosej, se sa t’i nënshtrohej së keqes...
Ai iu lut All-llahut:
-“O Zoti im, burgu është më i dashur për mua sesa ajo që më kërkuan të bëja.” Jusuf: 33.
Profeti Jahja që në moshë të re ishte i devotshëm, i drejtë, i butë dhe respektues ndaj prindërve.
Po ashtu, ne kemi edhe shembullin e Merjemes, nënës së profetit Isa. Sa fisnike dhe e devotshme ishte ajo! Ajo e ruajti pastërtinë dhe dinjitetin e saj dhe All-llahu i dhuroi një nder të madh; ajo u bë gruaja më e famshme në botë!!!...
Po ashtu, Kur’ani na tregon historinë e banorëve të shpellës, të cilët nuk ishin as profetë e as të dërguar, por ishin të rinj të bindur në detyrën e tyre dhe besimtarë të patundur në Zotin e tyre. Ata refuzuan presionin e qeveritarëve të këqij, të cilët donin që t’i kthenin ata nga rruga e drejtë. Ja se ç’thotë All-llahu për ta:
“Ne ta shtjellojmë ty ndodhinë e tyre, në të vërtetë ata ishin djem të rinj që besuan në Zotin e tyre dhe Ne ua shtuam edhe më udhëzimin. Dhe Ne i bëmë zemrat e tyre të forta e të qëndrueshme kur u ngritën dhe thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i tokës, ne kurrë nuk do t’i drejtohemi të adhuruari tjetër përveç Tij. Po ta bënim një gjë të tillë, ne vërtetë që do të kishim treguar poshtërsi e mosbesim.” El Kehf: 13-14.
Në mesin e bashkëkohësve të Profetit (a.s) kemi shumë e shumë shembuj si: Aliun, Fatimen, Esmanë, Sumejjen, Aishen, Abdullahin djalin e Umerit, Abdullahi djalin e Abbasit, Talhan, Zubejrin, Mus’abin djalin e Umejrit; e shumë të tjerë të cilët ishin të rinj kur pranuan Islamin dhe dhanë një kontribut të madh në historinë e Islamit. A nuk do të dëshironit të ishit si ata?!
Nga ajo se ç`farë u tha mësipër, është e qartë se rinia islame ka një rol të madh për të luajtur. Me këtë trashëgimi të pasur bëhet e detyrueshme për rininë islame veprimi në të njëjtën mënyrë siç vepruan paraardhësit e tyre të devotshëm. Fokusi ynë mbi të rinjtë nuk do të thotë që ne i kemi mohuar më të vjetrit në moshë nga përgjegjësia e tyre, të cilët, së bashku me përpjekjet sistematike të të rinjve, shpresa të mëdha do të realizojnë dhe rezultate më të larta do të arrijnë.
Krijoni Kontakt