-
Biznesi harxhon 10 % të xhiros për rryshfet
RAPORTI/ Rreth 50 për qind e bizneseve parashikojnë të japin rryshfet për të fituar një tender publik
TIRANË- Korrupsioni shihet si një ndër pengesat kryesore në bërjen e biznesit në Shqipëri. Një studim i Bankës Botërore në lidhje me qeverisjen në vend del në përfundimin se kompanitë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri harxhojnë jo pak por 10 për qind të xhiros së tyre vjetore duke u dhënë rryshfet zyrtarëve të administratës.
Studimi vëren shifra të larta të korrupsionit tek kompanitë të cilat në hartimin e strategjive marrin parasysh edhe paratë nën dorë që do t'iu duhet të japin për marrjen e një tenderi, leje ndërtimi, anullimin e gjobave, etj.
Kështu, për sa i përket vitit të shkuar, rreth 50 për qind e bizneseve parashikojnë të japin rryshfet për të fituar një tender publik, ndërsa rreth 30 për qind parashikojnë të ofrojnë para për të përfituar një leje ndërtimi.
Ndërkohë, 20 për qind e bizneseve parashikojnë t'iu ofrojnë para zyrtarëve të Administratës Tatimore nisur nga abuzimet që vërehen në këtë sektor ndërsa 40 për qind e tyre mendojnë se mund të zhbëjnë gjobat apo vendimet e ndërmarra kundër tyre duke i ofruar para zyrtarëve të administratës.
Alarmant është fakti se 13 për qind e bizneseve në vend shprehen se shpeshherë janë përballur me raste të korrupsionit ndërsa 15 për qind e tyre theksojnë se ky fenomen është shumë i përhapur në administratën tatimore. Në të njejtin tregues qëndron edhe këndvështrimi i tyre në marrëdhënie me sistemin doganor.
Mbi 10 për qind e bizneseve janë shprehur se rastet e korrupsionit në dogana kanë qënë të shpeshta. Ndërkaq, pak më poshte, në krahasim me doganat dhe tatimet qëndron sistemi gjyqësor.
Rreth 8 për qind e bizneseve raportojnë se rastet e rryshfetit në gjykata janë të shpeshta. Këto janë të dhëna të mbledhura kryesisht gjatë vitit të shkuar e atij 2008, ndërkohë që kanë ndryshime tejet pozitive krahasuar me vitin 2005.
Thuajse të gjithë sektorët e pyetur kanë ulje me nga dy apo tri herë krahasuar me të dhënat e vitit 2005, ndërkohë që vetëm 9 për qind e publikut kanë besim të plotë tek qeveria. Referuar studimit të Bankës Boterore, shqiptarët kanë më shumë besim te institucionet ndërkombëtare se sa tek qeveria.
Rreth 32 për qind e të intervistuarve kanë besim të plotë tek NATO, 31 për qind tek Bashkimi Europian. Për t'u theksuar është renditja e besimit tek qeveria dhe tek organizatat jo qeveritare.
Diferenca është vetëm një për qind, tek qeveria besojnë plotësisht 9 për qind e të anketuarve ndërsa tek OJQ-të besojnë 8 për qind. Ndërkohë, 48 për qind e të anketuarve raportojnë se besojnë më shumë median.
Në fund të raportit, Klelia Rantojani, Specialiste e Sektorit Publik pranë Bankës Botërore, e cila ka përgatitur edhe raportin thekson se pritshmëria e biznesit dhe publikut për një qeverisje të mirë janë shtysat kryesore që duhet ta realzojnë atë, por fillimisht Shqipëria duhet të heqë dorë nga klientelizmi politik si dhe politizimi i administratës publike.
Emirjon Senja/Shekulli
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt