Tom Ridge, ish-Guvernator i Shtetit të Pensilvanisë (SHBA) dhe ish-Sekretari i Shtetit per Çeshtje te Sigurise, do te jete këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe Qeverisë Shqiptare
Zoti Tom Ridge, ish-Guvernator i Shtetit të Pensilvanisë (SHBA) dhe ish-Sekretari i Departamentit te Sigurise Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, do të shërbejë si këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe Qeverisë Shqiptare.
Duke bere të ditur këtë lajm,ne prani te mediave, kryeministri Berisha dhe zoti Ridge u shprehen:
Kryeministri: Është kënaqësi e veçantë t’ju informoj ju dhe qytetarët shqiptarë se me ish guvernatorin e Pensilvanisë dhe ish sekretarin e shtetit për çështjet e sigurisë të SHBA-ve, të emëruar nga Presidenti Bush, zotin Tom Ridge kemi rënë dakort që Zoti Ridge, duke filluar nga ky muaj, të jetë këshilltar i Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare.
I jam shumë mirënjohës Zotit Ridge dhe e konsideroj këtë një zhvillim të rëndësishëm. Kryeministri dhe qeveria shqiptare do të përfitojnë shumë nga eksperienca e madhe, lidhjet e shumta që Tom Ridge, si ish guvernator i Pensilavanisë do të verë në dispozicion të qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, Pensilvania u shndërrua një histori suksesi në SHBA.
Zoti Ridge do të ndihmojë e këshillojë qeverinë shqiptare në çështjet e para për çdo qeveri dhe shoqëri, çështe të sigurisë së vendit. Ky bashkëpunim përfshin, së pari, integrimin e Shqipërisë në NATO si përparësi madhore, strategjinë e sigurisë së vendit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, arsimin, reformën në drejtësi, tërheqjen e investimeve të mëdha amerikane në Shqipëri, zhvillimin e teknologjisë së informacionit, bujqësinë, luftën kundër pastrimit të parave dhe sigurinë në tërësi.
Unë sapo i thashë mikut të shquar të kombit shqiptar dhe mikut tim, guvernatorit Ridge, se në jetën e tij ka patur shanse të shumta, por dy kanë qenë më madhoret: ai u përzgjodh nga presidenti Bush si super sekretar për çështjet e sigurisë kombëtare në një moment kricial për SHBA-të; ai u përzgjidh nga Kryeministri shqiptar si super i dërguar në një moment krucial për Shqipërinë. Edhe një herë faleminderit guvernatori Ridge.
Zoti Tom Ridge: Zoti Kryeministër, ju drejtohem juve dhe anëtarëve të kabinetit tuaj qeveritar, anëtarëve të parlamentit dhe qytetarëve të vendit tuaj. Është një nder dhe privilegj i madh për mua të punoj për të gjithë këto sfida që ju sapo përmendët.
Dëshiroj të them se vendi ynë i është shumë mirënjohjes vendit tuaj për kontributin e madh në luftën kundër terrorrizmit ndërkombëtar dhe trimërinë e treguar nga ushtarët tuaj në përballimin e sfidave në disa vende të botës.
Për mua është emocionuese të punoj me qeverinë tuaj. Unë jam i angazhuar në mënyrë entuziaste dhe pasion për të ndikuar në ndryshimet e domosdoshme që duhen bërë që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s dhe një partner global në ekonominë botërore.
Zoti Kryeministër, gjatë muajit majit të këtij viti, ne kemi kaluar një kohë sëbashku dhe në diskutimet që patëm dhe sot ju keni përshkruar një vizion shumë të qartë dhe të duhur për të ardhmen e Shqipërisë. Gjithashtu kam patur shumë biseda me ministrat tuaj, të cilët kanë të njëjtin vizion, angazhim dhe pasion për të ardhmen e Shqipërisë. Unë kam shpresë dhe jam optimist se mund të kontribuoj për arritjen me sukses të këtyre qëllimeve shumë ambicioze.
Në çdo takim që kemi patur, ju e keni bërë shumë të qartë se anëtarësimi në NATO, ndërtimi i institucioneve dhe një qeveri civile, përmirësimi i arsimit, një strategji agresive e zhvillimit ekonomik dhe lidhja me pjesën tjetër të botës, janë prioritetet më të larta. Besoj se këto objektiva janë të arritshme dhe pres me padurim të fillojmë punën sëbashku për realizimin e tyre.
Shpreh dhe një herë falenderimet personale për dikë që beson se demokracia dhe shërbimi civil janë një qëllim fisnik i qeverisë dhe shoqërisë, të cilën ne do ta zhvillojmë në mënyrë shumë të hapur e transparente, me anë të cilave ne do të arrijmë qëllimin tonë për t’u futur në Aleancën e Atlantikut të Veriut, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një qeverie shumë të fortë e efektive, e angazhuar për një të ardhme më të mirë për qytetarët.
Zoti Kryeministër, ju falenderoj shumë për shansin që më dhatë.
Pyetje: Zoti Ridge çfarë ju ka shtyrë të pranoni të bëheni këshilltar i një qeverie i një vendi të vogël, duke patur parasysh personalitetin tuaj në SHBA?
Zoti Ridge: Së pari, Kryeministri juaj është një person bindës me shumë pasion dhe vizioni i tij për të ardhmen e Shqipërisë, të cilën unë e gjej tek njerëzit që besojnë tek demokracia, është shumë emocionues. Vendet e vogla mund të japin kontribute të mëdha dhe ju keni filluar ta bëni atë.
Departamenti i Informacionit i Kryeministrit
04-09-2006
Krijoni Kontakt