Piktura shqiptare e kosovare hap muajin kombëtar të kulturës
Në kuadrin e Muajit të Kulturës Kombëtare Shqipëri-Kosovë organizohet sot (1 shtator, 2006) në Galerinë Kombëtare të Arteve, hapja zyrtare e aktiviteteve të përbashkëta kulturore kombëtare nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe homologut kosovar Agim Çeku. Për të inauguruar fillimin e këtyre aktiviteteve të përbashkëta, në GKA hapet në Sallat 1 dhe 2 ekspozita “Vlera të një historie të përbashkët”. Ekspozita organizohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës dhe Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë. Do të qëndrojë e hapur nga datat 1-30 shtator. Në ekspozitë prezantohen 55 punime në pikturë dhe skulpturë të 37 autorëve shqiptarë dhe 10 autorëve nga diaspora. Veprat e autorëve shqiptarë janë nga Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në ekspozitë do të jenë përfaqësues të të gjithë brezave që kanë qënë dhe janë të pranishëm në artin pamor shqiptar: Kol Idromeno, Abdurrahim Buza, Spiro Xega, Nexhmedin Zajmi, Zef Shoshi, Guri Madhi, Danish Jukniu, Thoma Thomai, Edi Hila, Edison Gjergo, Maks Velo, Gazmend Leka, Hasan Nallbani, Ali Oseku, Lumturi Blloshmi, Ardian Isufi,
Najada Hamza, Genc Mulliqi etj. Ndërsa nga artistë shqiptarë që jetojnë në Kosovë e Maqedoni do të jenë të pranishëm Tahir Emra, Fatmir Krypa, Niman Lokaj, Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Violeta Xhaferri, Reshat Ahmeti, Halil Muhazheri, Agim Salihu. Gjithashtu prezantohet vepra “Malësori” e piktorit shqiptar Lin Delija i cili ka jetuar dhe krijuar në Itali.
Gjatë Muajit të Kulturës Kombëtare do të zhvillohen edhe aktivitetet të tjera në GKA në Tiranë si ekspozita e Galerisë së Arteve të Kosovës më 22 shtator), Festivali Botëror i Karikaturës, 30 shtator. Po kështu në Kosovë hapet ekspozita “Piktura Shqiptare” në Galerinë Kombëtare të Artit Prishtinë më 9 shtator dhe ekspozita e piktorit Ali Oseku në Gjakovë në datat 16-18 Shtator.
Marrë nga Shekulli
Krijoni Kontakt