“Beograd - Tiranë, historia e bllokimit të Rilindjes”

Zeqir Bekolli

Historia e gazetës “Rilindja”, të një shtypi që për më shumë se gjysmë shekulli informoi shqiptarët e Kosovës, pothuajse po shkon në drejtim të shuarjes definitive. Këtë e dëshmon lajmi i botuar këto ditë në gazetën “Shekulli” dhe e transmetuar në të përditshmen e Prishtinës “Lajm”, nëpërmjet të cilit bëhet e ditur se shtypshkronja e gazetës “Rilindja”, e njohur si “Eurorilindja” në Tiranë, nëse nuk është sekuestruar nga shteti shqiptar derisa po i shkruajmë këto radhë, ndodhet fare afër sekuestrimit për shkak të borxheve të mëdha që kanë krijuar ndaj shtetit shqiptar drejtuesit e asaj shtypshkronje.

Rrëfimi për gazetën “Rilindja” është i gjatë, por kësaj radhe është e nevojshme t’i përkujtohet lexuesit se pas mbylljes së gazetës “Rilindja” nga regjimi serb, më 1991, gazetarët dhe punonjësit e saj të zellshëm, jo vetëm që nuk u dorëzuan, por ata arritën të botojnë gazetën e tyre, por kësaj radhe me emrin “Bujku”, kurse në Perëndim nxorën gazetën me emrin “Rilindja”. Ishte ky një mund dhe një sakrificë njëkohësisht, kur kiheshin parasysh rrethanat në të cilat punohej. Punonjësit e kësaj gazete, me gjithë vështirësitë dhe rreziqet, i plasonin shkrimet e tyre në Perëndim për t’i njoftuar qytetarët tanë me gjendjen e atëhershme në Kosovë. Atëbotë, “Rilindja” në Perëndim mbante monopolin dhe krijonte mjete të mëdha materiale, për të cilat asnjëherë nuk u raportua. Me mjetet e kësaj gazete dhe me mundin e punëtorëve të saj, më vonë u ble një shtypshkronjë moderne, e cila u dërgua në qendër të Tiranës. Aso kohe, trualli, objekti dhe vetë shtypshkronja konsiderohej se kushtonin 3 milionë dollarë.

Në këtë shtypshkronjë, pos librave, fletoreve e materialit administrativ, është shtypur edhe 90 për qind e shtypit ditor shqiptar. Shtypshkronja, në Tiranë, mbeti si relikt i gazetës “Rilindja”, për të cilën askush nga Prishtina nuk u interesua asnjëherë. Nga dalja e gazetës në Perëndim, krahas përpjekjeve serbe për ta mbyllur këtë gazetë, kanë vazhduar edhe përpjekjet e një grupi mafiozësh nga radhët e kolektivit për ta mbyllur gazetën, sepse kjo ishte mënyra e vetme për t’i fshehur vjedhjet e mëdha që u bënë me rastin e daljes së gazetës në Perëndim dhe në Tiranë. Disa analiza të sindikatës së gazetës “Rilindja” flasin për shpërdorime të mëdha. Por, në mungesë të mekanizmave institucionalë, ato asnjëherë nuk u ndriçuan. Aktin e shuarjes së gazetës, tash e pason akti i sekuestrimit të shtypshkronjës nga shteti shqiptar. Edhe pse çdo gjë duket e humbur, për punonjësit e gazetës “Rilindja”, (shumica e tyre sillen rrugëve), duhet të jetë një sinjal i qartë, për të mos e lënë në mëshirë të kohës atë pasuri të djersës së tyre të një periudhe sa të rëndë aq edhe dramatike. Pa vonuar, punonjësit duhet t’i drejtohen qeverisë së Kosovës për të ndërprerë këtë sekuestrim, që është pronë e djersës dhe mundit të tyre, për të ndikuar te qeveria shqiptare në Tiranë që t’ia kthejë atë këtij kolektivi. Në të kundërtën, ky do të jetë fundi i “Rilindjes” dhe i shpresave të punëtorëve të saj dhe një zhgënjim për kohen e humbur dhe një padrejtësi e pashembullt.

*Zeqir Bekolli, gazetar i ish-gazetës “Rilindja”, Prishtinë