Çfarë miratoi për trashëgiminë Parlamenti shqiptar më 27 korrik? Krijohet për herë të parë Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Shpirtërore për mbrojtjen me ligj të pasurisë jomateriale. Lejohet më në fund ankandi i objekteve me vlerë dhe vendosen sanksione për kundravajtësit e monumenteve
Ligj për shpirtëroren dhe Eposin e Kreshnikëve
Elsa Demo
Njohja e disa amendamenteve ligjorë për trashëgimisë shpirtërore ndodhi një ditë para ngujimit të opozitës në Parlament. Me këto miratime hidhet një hap i njëkohshëm me strukturat ndërkombëtare që e mbrojnë këtë lloj trashëgimie. Me botimin në Fletoren Zyrtare, Vaso Tole, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turzimit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shpjegon se cilat janë këto kategori shpirtërore që do të mbrohen me ligj dhe pse duhej krijuar për herë të parë Komiteti Kombëtar për Trashëgiminë Shpirtërore. Dy amendamentet me vlerë të Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore” të miratuara po në 27 korrik, kanë të bëjnë me materialen: lejohet më në fund ankandi i objekteve me vlerë të zakonshme dhe ekzekutimi i sanksioneve ndaj atyre personave që kryejnë shkelje të jashtëligjshme ndaj monumeneteve. Ligjit të miratuar në vitin 2003 i shtohen këto amendime të cilat lindën nga nevoja për të interpretuar dhe mbrojtur ligjërisht një realitet konkret shpirtëror dhe material të shqiptarëve.
Cilat janë këto amendamente të miratuara të Ligjit “Për trashëgiminë Kulturore”, ku qëndron e reja dhe rëndësia e tyre?
Janë disa elementë duke filluar me trashëgiminë shpirtërore. Së pari, amendohet Ligji “Për Trashëgiminë” në këtë pikëpamje dhe krijohet institucioni homolog i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve për monumentet shpirtërore që quhet Komiteti Kombëtar për Trashëgiminë Shpirtërore një organ kombëtar përgjegjës për strategjinë, politikat e zhvillimit dhe për mështetjen financiare për këtë trashëgimi. Krahas kësaj kemi krijimin për herë të parë të statusit të monumentit të trashëgimisë shpirtërore i cili do të quhet kryevepra e trashëgimisë shpirtërore. Është një kategori ligjore për të vënë në mbrojtje të gjitha ato dukuri të veçanta të trashëgimisë shpirtërore. Një status i tillë mund t’i jepet fjala vjen Eposit të Kreshnikëve, kabasë.
Atëherë isopolifonia shqiptare u shpall pasuri e njerëzimit nga UNESCO, pa u amenduar ky ligj në Shqipëri?
UNESCO e shpalli më parë dhe ne morëm një përvojë më të avancuar me këtë rast, sepse edhe vetë UNESCO deri më tani nuk ka pasur kategori për shpalljen e Iso-polifonisë ose të një dukurie tjetër. Kryesisht ka pasur prioritet trashëgimia materiale. Dhe vetë fakti që me statusin e UNESCO-s ka rreth 800 monumente për trashëgiminë materiale dhe vetëm 70 për trashëgiminë shpirtërore do të thotë që tani është gjeneruar ideja dhe ne këtë përvojë pozitive e morëm dhe e futëm dhe në ligjin tonë.
Si ndodh që një monument shpirtëror ta marrë këtë status?
Njëlloj si për trashëgiminë materiale. Bëhet një relacion, studimi përkatës ku klasifikohet kjo gjini shpirtërore dhe sa e rrezikuar është, sepse në ligj është e përcaktuar çfarë përfshihet në trashëgimi shpirtërore. Mbështetur në arsyetimin e Komitetit të ri të Trashëgimisë në të cilin cilin bëjnë pjesë drejtorë të institucioneve kombëtare siç është drejtori i Institutit të Gjuhësisë, përfaqësuesja shqiptare e UNESCO-s në Ministrinë e Jashtme etj., i propozohet ministrit të Kulturës dhe ai e shpall. Shpallja ka dy rëndësi të mëdha. Së pari, e evidenton në pikëpamje të mbrojtjes ligjore dhe e dyta nënkupton dhe një faturë financiare për të mbështetur të gjitha ato nisma, ato projekte të cilat e marrin në mbrojtje atë monument i shpallur “monument kulture”.
Cilat janë ato trashëgimi shpirtërore që mund të futen këtu. Ju përmendet letërsinë orale, eposin, muzikën popullore si kabaja, cilat tjetër?
Psh janë zejet. Merret në mbrojtje një teknikë e veçantë e të punuarit të një veshjeje të caktuar, apo teknika e të punuarit të avlëmendit. Pra ekziston mundësia që të merren në mbrojtje kultura të veçanta. Kështu në objektet e trashëgimisë kemi: përdorimin e gjuhës shqipe në veprat letrare; kemi folklorin gojor të ruajtur në kujtesë të shkruar ose të regjistruar; folklorin vokal, koreografik dhe instrumental. Këtu psh. nga folklori vokal mund të shpallet dhe një këngë e vetme ose një dukuri e vetme, mund të shpallet një instrument si lahuta. Kemi zakonet dhe doket tradicionale. Mund të merret në mbrojtje bejtja, procedura se si populli bën bejte. Por këto do duhet konsultuar me specialistët e ndryshëm të fushës.
Kjo si lëndë ekziston e kataloguar apo do duhet edhe një hedhje në terren e specialistëve për të bërë riidentifikimin aktual si pasuri?
Jo, jo, kjo lëndë ekziston e kataloguar, ose është në proces sepse detyrimet që lidhen me trashëgiminë janë të përbashkëta.
Çfarë të drejtash i jepen trashëgimisë materiale?
Amendamenti i tretë i Ligjit “Për Trashëgiminë” është e drejta që iu lind personave juridikë privatë të cilët kanë në pronësi objekte monument të trashëgimisë kulturore për të marrë kredi. E reja në këtë rast është ndërhyrja që shteti bën, shteti është Instituti i Monumenteve, ministria, komuna, bashkia, për të paguar interesat e kredive pranë bankave përkatëse. Pra kjo do të çlirojë shumë energji financiare të fshehura ose të strukura deri tani për faktin se nuk mund të trajtohet një monument njësoj si një ndërtesë dokudo dhe duke qenë si i tillë, njerëzit do të ndihen të inkurajuar për të marrë një vlerë për të restauruar shtëpitë e tyre pa paguar interesat e asaj kredie për të cilën bëhet shteti garant.
Po të marrim rastin e Gjirokastrës...
Absolutisht ky qytet, bashkë me Beratin do krijojë një treg financiar për monumentet.
Fjala është a do të ndihen vërtet të motivuar privatët nëse raportet për investimin në një banesë të Gjirokastrës monument i kategorisë së parë, mbeten 50 me 50%?
Kjo nuk ndryshon. Nuk ndryshon raporti financiar për monumentet. Çështja është që në rast se shteti jepte 50% për një monument të kategorisë I, dhe kur privati nuk e jepte këtë sepse nuk e kishte ose hezitonte të merrte një kredi sepse do ishte shumë e shtrenjtë për të, tani privati mund ta marrë këtë 50 përqindësh, duke marrë kredi interesat e të cilës nuk llogariten. Kjo nuk është pak, sepse ndodh që interesat shkojnë gati 1/3 e kredive.
Përse nuk kanë funksionuar sanksionet edhe ndaj rasteve flagrante të ndërhyrjes së privatëve në monument?
Për këtë tani do të veprojë ligji, pasi amendamenti i miratuar ka të bëjë me shndërrimin e gjobës në vlefshmëri për monumentet. Deri tani kemi pasur shumë probleme në gjejtjen e mënyrës që këto gjobat të vilen. Në rast se është bërë një ndërhyrje e jashtëligjshme në një monument, atëherë inspektorët në bazë të ligjit, Nenit 40, të gjobisin. Gjobat janë vënë, por nuk kemi qenë në gjendje ta vjelim këtë gjobë. Çfarë është bërë? Gjoba në rast se nuk shlyhet brenda dy javëve shndërrohet në titull ekzekutiv dhe çohet në gjykatë. Është Përmbarimi ai që bën ekzekutimin e gjobës të cilën e merr qoftë në formë materiale, qoftë financiare. Kjo është një arritje, sepse gjithë meraku është që të ruajmë monumentet por njëkohësisht t’u japim atë pjesë financiare që i shërben jetëzimit të tyre.
Sa janë këto ndërhyrje të jashtëligjshme në të gjithë vendin?
Flagrante janë rreth 350 të tilla që konsistojnë në betonime të një sipërfaqeje të caktuar, në vendosje bulierash etj. Pra të ndërhysh në monument me elementë që s’janë të atij monumenti.
Do shtoja se një e re tjetër e amendimeve është legjitimimi i ankandit. Lejohet që institucionet publike që kanë në administrim objekte të tashëgimisë kulturore të shesin dhe të blejnë me vlera të zakonshme. Me këtë vlerë është thuajse 90% e trashëgimisë sonë.
Ç’do të thotë objekt me vlerë të zakonshme?
Vlerë e zakonshme do të thotë që objekti ka statusin “monument kulture” por që nuk është as unikal, as kombëtar në pikëpamje të klasifikimit. Kjo sjell një popullarizim më të madh të vlerave të trashëgimisë dhe fillon e konsideron trashëgiminë mall i cili mund të shitet dhe mund të blihet konform rregullave. Jemi në fazën e detyrimit për të hartuar Vendimin e Këshillit të Ministrave i cili ka rregullat e ankandit.
Lejohet hyrja në ankand e shtetasve të huaj?
Nuk lejohet, sepse në rast se ne e bëjmë këtë nuk mbajmë dot kontrollin ndaj trashëgimisë. Kjo është vetëm për shitje-blerje brenda vendit. Por parashikohet në ligj që në rast se një shtetas i huaj kërkon të bëjë një blerje duhet të disponojë një pasaportë të objektit, ta deklarojë atë dhe të bëjë një kërkesë në komisionin pranë Këshillit të Ministrave.
Krijoni Kontakt