Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën tjetër (gratë), në mënyrë që tek ato të gjeni prehje, dhe mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Rum, 21).
Po ju drejtohem ju grave, bijave të Havasë, kudo qofshi, në jug a në veri, në lindje a në perëndim. A e dini se si kanë jetuar gjyshet tuaja para misionit të Profetit të madh të njerëzimit, Muhamedit (a.s.)? A e dini se cilat janë tri veçoritë thelbësore të jetës bashkëshortore, për të cilat ka folur Zoti i botërave dhe ia ka mësuar Muhamedit (a.s.)?
E kam fjalën për prehjen seksuale, për të cilën të dy bashkëshortët kanë nevojë për njëri-tjetrin, për dashurinë, e cila i kalon kufijtë e bashkëshortëve dhe pasqyrohet në dy familjet përkatëse, e prej këtej zënë fill respekti, dashamirësia dhe bashkëpunimi. Ndërsa e treta është mëshira, e cila plotësohet me fëmijët e bashkëshortëve, të cilët, në pamje të parë janë të shkëputur, por në të vërtetë ata përfaqësojnë prindërit dhe janë një nyjë e fortë mes tyre.
Nëpërmjet këtyre hallkave përhapet më tepër ndjenja e mëshirës dhe solidaritetit mes njerëzve.
Ejani o gra, t’ju tregoj se si kanë jetuar gjyshet tuaja më parë!
Atëherë të gjitha gratë ishin pre e plot padrejtësive të burrave e tyre, kudo që ndodheshin. Ato trajtoheshin njëlloj. Nuk kishte dallim ndërmjet të diturave dhe të paditurave, as ndërmjet idhujtareve dhe ithtareve të librave të shenjtë. Gruaja atëherë shitej dhe blihej si mall tregtar apo dhe më keq, si kafshë. Ajo detyrohej të martohej apo dhe të prostituonte. Ajo linte trashëgimi, por nuk trashëgonte asgjë nga të tjerët. Ajo ishte pronë e të tjerëve dhe vetë nuk zotëronte asgjë. Pjesa më e madhe e burrave e ndalonin gruan të përdorte pasurinë e saj, nëse kishte, pa lejen e tyre. Ata mendonin se burri kishte të drejtë të bënte ç’të donte me pasurinë e gruas së tij, pa e përfillur fare atë. Shumë burra ishin të mendimit se shpirti i grave nuk ishte i përjetshëm si ai i burrave. Po ashtu, shumë prej tyre mendonin se adhurimet e grave ishin të pavlera, pasi ato nuk do ta shijonin kurrë Parajsën.
Një këshill romak shpalli se gruaja ishte kafshë e pisët dhe pa shpirt të përjetshëm. Sipas tyre, ajo duhet të ushtronte adhurimin, të bindej dhe të shërbente, por ajo nuk duhet të qeshte dhe nuk duhet të fliste. Ata mendonin se ajo ishte grackë e shejtanit. Pjesa dërrmuese e legjislacioneve të atëhershme e lejonin prindërin t’i shiste vajzat e tij. Disa arabë mendonin se babai ka të drejtë ta vrasë vajzën e tij, madje dhe ta varrosë të gjallë në dhé. Disa mendonin se nuk kishte dënim dhe as shpagim për atë burrë që vret një grua.
E drejta më e rëndësishme që fituan gratë e asaj kohe përkon me periudhën pas lindjes së Muhamedit (a.s.) dhe para profetësisë së tij. Atëherë populli francez, pas polemikash dhe kundërshtimesh të shumta, vendosi vetëm se gruaja ishte njeri, porse ajo ishte krijuar për t’i shërbyer burrit.
Profeti Muhamed (a.s.) u lind 571 vjet pas lindjes së Isait (a.s.). Francezët e miratuan vendimin e sipërpërmendur për gratë vetëm në vitin 586, pra 15 vjet pas lindjes së profetit Muhamed (a.s.). Asokohe ai dhe të tjerët nuk e dinin se si do të ndryshonte rrjedha e njerëzimit në përgjithësi dhe pozita e gruas në veçanti.
A e dini ju, o bija të Havasë, se çfarë ndodhi me të drejtat e grave pas ardhjes së Muhamedit (a.s.), mëshirë për mbarë njerëzimin?
Këtë po jua tregoj sot, ndërkohë që ne po kujtojmë me mallëngjim lindjen e Muhamedit (a.s.), këtij njeriu të madh.
Muhamedi (a.s.) u dërgua profet për mbarë njerëzimin në fillim të shekullit VII. Ai i ftoi njerëzit të adhuronin një Zot të vetëm, të ndryshonin dhe të braktisnin zakonet e vjetëruara e të shtrembëruara fetare dhe t’i jepnin fund fanatizmit të egër. Gratë muslimane patën një fat të madh nga kjo reformë e përgjithshme, pasi nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një legjislacion të kujdesej për to ashtu siç kujdesej dhe mbronte të drejtat e tyre feja islame.
Vazhdon.......
Krijoni Kontakt