Birra Korça, 15 milonë euro për rikthim në treg
04 Jul 2005
Një bashkëpunim mes biznesmenëve shqiptarë dhe atyre çekë dhe një investim prej 15 milionë eurosh, birra Korça do të rikthehet në tregun vendës
Rikthehet në treg birra Korça. Pas një mungesë të gjatë në tregun vendës së shpejti kjo birrë do të jetë në baret, marketet e gjithë vendit. Kështu, pas një investimi prej 15 milonë eurosh kjo fabrikë do të rifillojë të prodhojë birrën më të vjetër në vend. Administratori i kësaj fabrike, Besnik Duka, shprehet për gazetën “Biznesi” se birra e parë pas rindërtimit të kësaj fabrike do të dalë në shtator. Aktualisht, sipas tij, kanë filluar nga instalimi i teknologjisë. Lidhur me teknologjinë që do të përdoret, Duka shprehet se do të bashkëpunojnë me një firmë çeke. Firma çeke ZVU Potez merret me prodhimin e teknologjisë për prodhimin e birrës. Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Zdenek Fiala, u shpreh se ata janë të interesuar për të rindërtuar birraritë e vjetra. Sipas tij, ata ruajnë anën historikë të birrarive. Ai thekson se ata kanë rindërtuar rreth 220 fabrika mbi 100 vende të botës. Fiala shprehet se fabrika të cilën ai përfaqëson ka një eksperiencë 150-vjeçarë në këtë fushë. “Në Nuremburg çdo vit organizohet një panair në të cilin kompanitë prodhuese prezantojnë prodhimet e tyre dhe vjet ishte hera e parë që ne pritëm biznesmenë shqiptarë”, u shpreh ai. Investimi Për rindërtimin e kësaj fabrike janë investuar rreth 15 milonë euro. “Por, pavarësisht investimit që po i bëhët kësaj fabrikë, po ruhet edhe fasada historike e saj. Kështu, nuk do të ndryshohet struktura e saj si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda”, u shpreh Zdenek Fiala. Kapaciteti prodhues Sipas Besnik Dukës, me futjen e teknologjisë së re fabrika e birrës Korça do të prodhojë rreth 100 mijë hekolitra në vit. Lënda e parë për prodhimin e birrës do të vijë nga Çekia. Sipas administratorit të kësaj fabrike, në të do të punësohen rreth 100 punëtorë, dukë përfshirë këtu edhe inxhinierët më të vjetër si Bashkim Bregu. Tregu Besnik Duka shprehet i bindur se konsumatori vendas do të mirëpresë rikthimin e birrës më të vjetër në vend dhe jo vetëm ai korçar. Sipas tij, birra e prodhuar do t’i plotësojë të gjitha standardet edhe për eksport. Historiku Birra Korça është prodhuar për herë të parë në vitin 1928, dukë qenë kështu birra më e vjetër në vend. Kjo fabrikë është ndërtuar nga italianët të cilëve iu duk më me interes që kjo të ndërtohej në Korçë për vetë faktin se në këtë qytet uji është shumë i përshtatshëm për t’u përdorur për prodhimin e birrës. Aktualisht ajo është blerë (vitin e kaluar) nga grupi Egnatia.
Krijoni Kontakt