Muslimanët në Shqipëri, debatohet për sfidat.
E diel, 08 Mars 2009 16:48
Cilat janë sfidat e myslimanëve shqiptarë?
Kjo pyetje, e cila ka mbledhur dje në sallën e Muzeut Historik Kombëtar qindra besimtarë, intelektualë dhe teologë, ka marrë edhe disa prej përgjigjeve që tashmë ngrihen rëndom në përditshmërinë shqiptare. Duke pranuar sfidat që shfaq panorama aktuale e myslimanëve, referuesit u fokusuan në çështjen e përfaqësimit në kohë, në të tashmen, në problematikën e simboleve dhe në vendin që zënë të drejtat e besimtarëve në Kushtetutën shqiptare. Përfaqësuesi i Shoqatës së Intelektualëve Myslimanë, Xhema Balla, solli përpara të pranishmëve një rezyme të figurave myslimane në kohë, sidomos në kohën e krijimit të shtetit shqiptar, duke theksuar figura si Vehbi Dibra, Ali Korça apo Ibrahim Dalliu, të cilët përveç drejtimit shpirtëror patën marrë në kohën e tyre edhe detyra politike e shoqërore.
Profesori Aleksandër Koçani solli në kujtesë debatet e përsëritura për simbolet fetare, duke tërhequr vëmendjen që duhet të kenë përfaqësuesit e komunitetit për të mbrojtur këta të drejta, si dhe gjetjen e rrugëve për t'i prerë hovin që kanë pasur në vitet e fundit disa prej atyre që ai i cilësoi "islamofobë".
Në vijim të këtij shqetësimi që solli profesor Kocani, diskutoi edhe juristi Jusuf Shehu. Nga ana e tij Shehu solli në vëmendje nenet kushtetuese që garantojnë lirinë fetare dhe ushtrimin e kësaj lirie në jetën publike. "Nuk duhet të kërkojmë të na tolerojnë, por të zbatojnë Kushtetutën", tha Shehu.
Ndërkaq, lidhur me agoninë e reagimeve të përfaqësuesve të Komunitetit Musliman lidhur me problemet me të cilat ndeshen myslimanët foli teologu Justinian Topulli. Ai bëri thirrje për nevojë emergjente të një përfaqësimi që do të largonte nga statusi aktual figurën e komunitetit.
"Myslimanët kanë nevojë për njerëz që performojnë vlerat e Islamit dhe jo për njerëz që ngjajnë sikur janë vetëm përfaqësues vakëfesh", tha Topulli.
Referuesit patën një pritje me shumë interes nga të pranishmit, ndërkohë që organizatorët, përfaqësues nga Këshillat e Xhamive të kryeqytetit thanë se ky është vetëm fillimi i një debati, që synon të evidentojë pikërisht sfidat me të cilat ndeshen myslimanët në Shqipëri. GazetaTema
Krijoni Kontakt