Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,964
    Postimet në Bllog
    22

    Shkolla 9-vjeçare e Sharrës mban emrin "Haxhi Qamili"

    Vizitë në fshatin ku lindi i ashtuquajturi "princi i gjullurdisë" në fillimshekullin XX por që për banorët është ende “hero”

    Shkolla e Sharrës, ende me emrin e Haxhi Qamilit

    Brenda vijës së verdhë të Tiranës, Haxhi Qamili njihet si një personazh grotesk, injorant, që luftoi për të risjellë sulltanin në Shqipëri, që synonte largimin e princ Vidit gjerman, dhe kështu Shqipëria bënte hapa prapa. Por sapo kalon Kombinatin, figura e tij njihet krejt ndryshe. Ai vazhdon të jetë një hero, siç e cilësoi Enver Hoxha. Kështu e dinë të gjithë. Madje thonë se ai luftoi për fshatarët e varfër, se vetë kishte pasuri. Dhe çudia më e madhe është kur i afrohemi shkollës së fshatit Sharrë. Shkolla 9-vjeçare e fshatit, ku lindi ai që quhet nga historianët modernë "princi i gjullurdisë", ka emrin Haxhi Qamili. Nuk është se tabela është vjetër, dhe ashtu ka mbetur. Fakti që në të është gjendur fjala nëntëvjeçare konfirmon se emrin e tij si hero e kanë të ngulitur të gjithë, fshatarë e banorë përreth, madje edhe ata persona me shkollë të lartë që kanë bërë histori dhe këtë personazh ua kanë lexuar krejt ndryshe. Por ç't'i bësh, na duhet të këndojmë këngën "Çdo gjë mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë". Dhe sipas juridiksionit, edhe Sharra është pjesë e Tiranës.

    Nxënësit nuk janë në shkollë, pasi pushimet janë në pikun e tyre. Por ama emri i Haxhi Qamilit shkëlqen në atë pllakë prej mermeri të bardhë. Imagjinojmë se ç'u mësojnë atyre aty brenda. U thonë se fshati ka nxjerrë një "kokë të madhe", që luftoi e punoi për atdheun, për fshatarët e varfër. Por të zinjtë nxënës, që gjithçka ua thonë me kokëposhtë. Historia ka ndryshuar, dhe bashkë me të, është figura e tij. Por si mund të ndryshojë figura e tij, kur për gjysmë shekulli, atë burrë me mjekër, të veshur me një xhaketë me gradën e gjeneralit, e kishin idhull.

    Si e njohin fshatarët Haxhi Qamilin

    Ja tek takojmë ca fshatarë të Sharrës. Sinan Çullhai është i bindur se Haxhi Qamili është dhe duhet të jetë hero. "Ai mendonte vetëm për të varfrit", thotë ai duke bërë cicëronin e natyrës. Na tregon se nderi që fshati i ka bërë Haxhi Qamilit nuk është vetëm shkolla. Por ja, një burimi ende i thonë Kroi i Haxhi Qamilit dhe një ure i thonë Haxhi Qamili.
    Na del sipas banorëve, që Haxhi Qamili ka qenë edhe pronar i madh. A e mendoni se gjysma e lagjes së kombinati ka qenë pronë e tij?! Por bashkë me varjen në litar i humbën edhe pronat! Ndërkohë që "pasardhësit" e Haxhi Qamilit deklarojnë se, përveç pronave dhe përgojimi që i është bërë, atij edhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Kjo figurë obskurantiste, që iu kundërvu njërit prej figurave potenciale të historisë sonë, pikërisht Princ Vidit, i erdhi hakut vetëm një figurë, po obskurantiste, siç ishte Esad Pasha. Mbajtja e emrit të shkollës së Sharrës të këtij personazhi tregon që historianët kanë ende shumë për të bërë për gjykimin e Haxhi Qamilit.

    Shyqyri Taku, bashkëshorti i mbesës së Haxhi Qamilit

    Çfarë dini për Haxhi Qamilin?

    Kam dëgjuar që ka qenë një luftëtar që ka dhënë ndihmesën e vetë në mbrojtjen e Shqipërisë së Mesme. Ai ka qenë gjithmonë gati t'i ndihmojë fshatarët e varfër dhe i përbuzte agallarët dhe bejlerët.

    Si e filloi luftën Haxhi Qamili?

    Qysh pas ardhjes nga Turqia, ai nuk e duronte gjendjen që ishte krijuar dhe i bëri thirrje fshatarësisë të bashkoheshin me të në kryengritje.

    Cila ishte ushtria e tij?

    Fillimisht me të janë bashkuar gati 300-400 veta. Më pas ky numër u shumëfishua dhe arriti deri në 12 mijë ushtarë. Ai nuk ishte një strateg ushtarak i madh, por ndaj ushtarëve të tij ishte i lidhur me besë. Në rast se dikush i dilte nga besa, atëherë ai jepte dënimin kapital.

    Përse ndodhën kontradiktat midis Haxhi Qamilit dhe Esat Pashë Toptanit?

    Ai i urrente njerëzit e pasur, pra, urrente dhe Esad Pashë Toptanin. Nuk arriti kurrë të pajtohej me idetë e Esadit, sepse ato ide ishin shtypëse për fshatarësinë.

    Si reagoi populli mbas vrasjes së Haxhi Qamilit?

    Edhe mbështetësit e tij, dhe ata që nuk e donin, nuk reaguan në mënyrë demonstrative. Mbështetësit e tij u ndien të përçarë, pasi nuk kishte asnjë tjetër që mund t'i udhëhiqte në rrugën e nisur nga Haxhi Qamili.

    A vazhdon të kujtohet Haxhi Qamili?

    Haxhi Qamilin e kanë kujtuar dhe vazhdojnë ta kujtojnë akoma. Para 30-vjetësh i është vënë emri i tij shkollës 9-vjeçare të Sharrës. Gjithashtu në fshat vazhdojnë të kujtohen akoma vendet si Kroi i Haxhi Qamilit, Ura e Haxhi Qamilit, që ndodhet në hyrje të Kombinatit. Shtëpia e tij u bë muze, por më pas u grabit dhe më pas u dogj nga hajdutët.

    Mbesa e Haxhi Qamilit: Ende nuk i dimë varrin...

    Kanë kaluar plotë 91 vjet nga ekzekutimi i Haxhi Qamilit. Familjarët e tij ende dhe sot nuk i dinë se ku i ndodhen eshtrat. Në një intervistë për "Tirana Observer", mbesa e Haxhi Qamilit deklaron se e vetmja shenjë nga ekzekutimi i tij është një telegram që i kishte dërguar së ëmës, ku i shkruante "...më arrestuan ushtarët e Esadit". Varri i njërit prej figurave më kontardiktore në historinë e vendit tonë vazhdon të ngelet enigmë. Gjyle Taku thotë se e vetmja gjë që u mor vesh në atë kohë, ishte arrestimi dhe varja.

    Çfarë lidhje keni me Haxhi Qamilin?

    Gjyshi im e ka pasur vëlla Haxhi Qamilin, pra, jam mbesa e tij.

    Çfarë dini ju për të?

    Di që ka studiuar për tre vjet në Turqi për t'u bërë hoxhë. Ai nuk i përfundoi studimet, sepse kishte ide të kundërta me ato që i mësonin në shkollë. Pasi la shkollën, u kthye në Shqipëri pranë familjes.

    Pas kthimit nga Turqia i kanë dhënë titullin fetar "Haxhi". Sa besimtar ishte me të vërtetë ai?

    Ai besonte në Zot, por jo në fe. Kjo ka ndodhur pasi ai kishte parë se si xhamitë dhe kishat u merrnin para njerëzve dhe nuk i ndihmonin. Ai mendonte se me ato para mund të bëhej diçka e mirë në ndihmë të njerëzve. Haxhi Qamili e luftoi besimin tek vendet e shenjta, madje kam dëgjuar që ka qenë një gurë që mbahej si i shenjtë dhe ai e kishte hedhur në lumë, duke u thënë njerëzve: "Nëse ky gur është i shenjtë, atëherë nesër në mëngjes do të jetë sërish këtu".

    Çfarë dini për luftën që ai ka bërë?

    Siç më ka treguar gjyshja ime, Haxhiu ka hyrë në luftë me agallarët dhe bejlerët, sepse mendonte se nuk ishte e drejtë që fshatarët të vuanin për bukën e gojës. Ai nuk ka qenë i varfër, ka pasur mbi 100 dynymë tokë, një pjesë e tyre në Kombinatin e sotëm. Me sa kam dëgjuar nga gjyshja ime, ai ju ka djegur tokat shumë të pasurve, madje edhe Esad Pashë Toptanit.

    Po për arrestimin dhe vrasjen e tij, çfarë dini?

    Me sa kam dëgjuar, atij i kanë zënë pritë poshtë shtëpisë së tij. Atë e tradhtuan shokët, pasi e kishin thirrur për të dalë, ata ia dorëzuan ushtrisë së Esad Pashës. Madje, me sa kam dëgjuar, shokët ja kishin mbushur armët me kripë që të mos kishte mundësi të mbrohej. Kështu e kapën në pabesi dhe e dërguan në Durrës, ku dhe e varën.

    Çfarë ndodhi më pas me familjen e Haxhi Qamilit?

    Brenda asaj jave që u vra Haxhiu, u ekzekutuan dhe dy vëllezërit e tij. Nusja mbeti e vetme, pasi dhe djali 4-vjeçar vdiq pas disa kohësh.

    Ku ndodhet varri i Haxhi Qamilit?

    E vetmja gjë që familja e tij ka marrë vesh, kanë qenë fjalët që ai dërgoi me një korrier: "Nënë, më arrestuan ushtarët e Esadit". Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë se ku ndodhet varri i tij.3

    Arif Taku, stërnipi i tij

    Emri i tij ka qenë Qamil Xhameta, por, kur shkoi në Turqi për studime fetare, mori titullin Haxhi. Më pas thirrej Haxhi Qamili nga të gjithë banorët e zonës, për shkak të titullit. Kam dëgjuar nga të moshuarit se Haxhi Qamili, pas kthimit nga Turqia, nuk e duroi dot më shtypjen që i bëhej fshatarëve dhe vendosi të hidhej në kryengritje.
    Mesa di unë, familja e Haxhi Qamilit ka qenë një familje e shtresës së mesme. Ai nuk ndihej i shtypur vetë, por nuk duronte dot shtypjen që i bëhej popullit të thjeshtë në atë kohë. Prandaj vendosi t'i luftojë agallarët dhe bejlerët.

    Sinan Çullhai, banor i Vaqarrit

    Me sa kam dëgjuar, Haxhi Qamili, mbi të gjitha, ka qenë atdhetar. Luftërat e tij kishin një politikë të orientuar kundër pushtuesve për të ruajtur vlerat shqiptare. Edhe pse luftoi si "kaçak", lufta e tij ka vlera të vërteta, pasi udhëhiqej nga ndjenja për atdheun. Për mua, është një hero, sepse luftoi krahë për krahë dhe e mbështeti fshatarësinë e shtypur nga bejlerët. Sipas meje, është turp ta mohosh atë që ai ka bërë për popullin në ato kohë të vështira.

    Medi Topuzi, banor, ngjitur me shtëpinë e Haxhi Qamilit

    Kam dëgjuar të flitej diçka rreth tij nga banorët e zonës, por nuk është se e njoh historinë e tij, pavarësisht se jetoj ngjitur me shtëpinë që ai ka pasur. Unë nuk kam shumë që kam ardhur në këtë fshat, por e di që pranë shtëpisë sime ka qenë shtëpia ku ka banuar. Gjithashtu di që këtu poshtë ndodhet një krua me emrin e tij, por më shumë rreth asaj që ka parë nuk di t'ju them.

    Ferit Shkreta, mësues në shkollën e Vaqarrit

    Historianët e kanë trajtuar në mënyra të ndryshme historinë e Haxhi Qamilit dhe kryengritjes së tij. Kur kam qenë në shkollën 7-vjeçare, kryengritja e tij trajtohej në librin e historisë. Sipas meje, me aq sa kam dëgjuar dhe lexuar për të, ai ishte njeriu që drejtoi kryengritjen e Shqipërisë së Mesme. Ai vendosi t'ju rebelohej shtypjeve që iu bëheshin shqiptarëve, pasi ai kishte dalë nga gjiri i popullit të thjeshtë dhe ishte rritur me ide atdhetare. Ai ka qenë një njeri me vlera dhe figura më e ndritur për atë kohë në Shqipërinë e Mesme, pasi ka qenë një udhëheqës, nga të paktët, për të mos thënë i vetmi, në Shqipërinë e Mesme. Më 1914, ai u bënte thirrje fshatarëve të zonës për të luftuar armikun që po hynte në Shqipëri. Edhe pse Shqipëria ishte e pushtuar nga turqit, ai bënte thirrje për të luftuar pushtuesit e rinj, pasi, sipas tij, pas 500 vjet pushtimi nuk i shihte më si armiq. Kjo mund të ketë ndodhur për shkak se shumë familje ishin pajtuar tashmë me asimilimin fetar e zakonor. Figura e tij duhet vlerësuar, sepse ka dhënë kontributin tij për Shqipërinë e Mesme. Siç ju thashë më lartë, kohë më parë unë kam mësuar për të në shkollë dhe mendoj se duhet të rifutet në librat e historisë. Ai ka pasur gjithmonë qëllime dashamirëse ndaj popullit shqiptar, prandaj dhe u vlerësua, duke futur kontributin e tij në historinë e asaj kohe. Më pas është hequr nga librat e historisë, mendoj se shkak është bërë motoja e përdorur prej tij "O babë, o bar", gjë që konsiderohej nga historianët e kohës si qëndrim pro turk. Ai duhet të kujtohet nëpër librat e historisë, pasi njerëzit e kujtojnë akoma atë, duke i kënduar dhe këngët e tij, siç është një varg që thotë: "Mal më mal këndon bilbili, rroftë e qoftë Haxhi Qamili"!


    Aurora ALLUSHAJ
    Fatos HALILI

    Tirana Observer

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,964
    Postimet në Bllog
    22
    Pas reportazhit të botuar dje në "Tirana Observer", reagon ministri i Arsimit

    Pollo: Të hiqet emri "Haxhi Qamili"!

    Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, urdhëroi dje ndryshimin e emrit të shkollës nëntëvjeçare të Sharrës "Haxhi Qamili". Në një reportazh të djeshëm të gazetës "Tirana observer", sipas së cilës, një shkollë bazë në Sharrë, komuna Vaqarr, në Tiranë, ishte emërtuar para dy vjetësh si shkolla "Haxhi Qamili". Ky reportazh solli reagimin e ministrit i cili deklaroi se, "ishte shokuese për mua. Nuk e imagjinoj, që një shkolle në Shqipërinë e shekullit XXI të mund t'i vihet ky emër. Nuk ma rrok mendja, që ndërsa tentojmë të modernizojmë shtetin e shoqërinë tonë dhe përgatitemi të anëtarësohemi në BE e NATO, dikush synon të përjetësojë në një tempull dijeje, emrin e një zullumqari obskurantist që zhurmoi në një episod historik fatmirësisht të shkurtër. Sipas ministrit Pollo, kjo shkollë duhet patjetër të riemërtohet, duke urdhëruar që organet e lokale të të asaj zone të veprojnë menjëherë në lidhje me këtë çështje. Përveç të tjerash, ministri i Arsimit dhe Shkencës deklaroi se, përveç emrit të njërit prej figurave më obskurantiste të historisë së vendit tonë, duhet medoemos që të rishikohet dhe teksti i historisë në shkollat tona. Sipas tij, e kaluara jonë në një sistem diktatorial ka ndikuar negativisht që të manipulohen faktet historike, duke u përdorur në shërbim të pushtetit. Duhet të shikojmë që edhe përmbajtja e teksteve të historisë në shkollat tona të rishikohet në këtë frymë. Shkolla e Sharrës duhet patjetër të riemërtohet". Ndoshta mungesa e informacionit ose vëmendjes nga organi komunal përgjegjës, ka bërë që shkollës t'i vihet emri i "princit të gjullurdisë".

    Reagimet

    Në të njëjtën linjë me ministrin e Arsimit ishin dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Beqir Meta, drejtori i Drejtorisë Arsimore të Qarkut Tiranë, Tahsim Mema, si dhe studiuesi i historisë, Artan Lame. Sipas Beqir Metës, Drejtoria Arsimore e Qarkut Tiranë dhe ministri i Arsimit, duhet t'i propozojë Këshillit të Qarkut heqjen e emrit dhe zëvendësimin me emrin e një patrioti. Kjo do të jetë në nderin e shkollës, në nderin e Këshillit të Qarkut të Tiranës dhe në nderin e Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Po ashtu dhe studiuesi i historisë, Artan Lame, deklaroi se ishte i surprizuar nga fakti që ende një shkolle mund t'i vihet emri "Haxhi Qamili". Ndërkohë që drejtori i Drejtorisë Arsimore të Qarkut Tiranë, Tahsim Mema, tha se kjo ishte bërë pa pëlqimin e kësaj drejtorie dhe do të propozohej heqja e emrit në e Këshillin e Komunës Vaqarr.

    Artan Lame, studiues i historise

    "Me thënë të drejtën, më surprizoi fakti që ende një shkolle mund t'i vihet emri "Haxhi Qamili". Natyrisht, kur në vend që pionierët i quanin pionierët e Enver Hoxhës, edhe fëmijët e shkollës mund të quhen fëmijët e Haxhi Qamilit. Por që t'i vësh emrin një shkolle, "Haxhi Qamili", është njësoj si t'i vësh emrin një shtëpie fëmije apo materniteti, "Sadam Hysein". Ndërsa kjo është komplet absurde, tej çdo limiti. Për mua, ajo shkolla atje, është një harresë e rastit që ka mbetur dhe që duhet ta shohë ministri i Arsimit dhe Shkencës këtë çështje, meqenëse edhe ai ka qenë i kësaj rryme që po them edhe unë".

    Beqir Meta, drejtor i Muzeut historik Kombetar

    "Kjo është pjesa e trashëgimisë tonë komuniste negative që ende nuk është fshirë nga të gjitha qelizat e shoqërisë tonë. Haxhiqamilizmi ka shumë gjëra të përbashkëta me komunizmin dhe pikërisht për këtë arsye, figura e tij u ngrit nga Enver Hoxha në piedestal, si një njeri popullor, si një luftëtar. Drejtoria Arsimore e qarkut Tiranë dhe ministri i Arsimit, duhet t'i propozojë Këshillit të Qarkut heqjen e emrit dhe zëvendësimin me emrin e një patrioti. Kjo do të jetë në nderin e shkollës, në nderin e Këshillit të Qarkut të Tiranës dhe në nderin e Drejtorisë Arsimore të Tiranës".


    Tahsim Mema, drejtor i Drejtorise Arsimore

    "Vendosja e emrit të Haxhi Qamilit kërkonte ta kthente arsimin shqiptar shumë vite prapa. Tashmë dihen motivet për të cilat regjimi i Enver Hoxhës i ka vendosur asaj shkolle atë emër, por kjo nuk do të thotë që sot ne të kthehemi dhe t'i vendosim përsëri atë. Kur vendosen emrat e shkollës paraprakisht, duhet marrë pëlqimi i Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Tiranës, në këto muaj që unë jam drejtor këtu, ne kemi vendosur emra shkollash ku drejtoritë e komunave kanë marrë pëlqimin nga drejtoria jonë, pëlqim i cili lidhet me kontributin që figurat e ndryshme të arsimit shqiptar kanë dhënë për arsimin tonë. Ky vendim komune është bërë absolutisht pa pëlqimin e Drejtorisë Arsimore të Qarkut.

    Genc Pollo, minister i arsimit dhe i shkences

    Në lidhje me reportazhin e botuar te gazeta "Tirana Observer", sipas të cilit një shkollë bazë në Sharrë (komuna Vaqarr), në Tiranë, ishte emërtuar para dy vjetësh si shkolla "Haxhi Qamili", ishte një lajm shokues për mua. Nuk e imagjinoj që një shkolle në Shqipërinë e shekullit të 21-të të mund t'i vihet ky emër. Nuk ma rrok mendja, që ndërsa tentojmë të modernizojmë shtetin e shoqërinë tonë dhe përgatitemi të anëtarësohemi në BE e NATO, dikush synon të përjetësojë në një tempull dije, emrin e një zullumqari obskurantist që zhurmoi në një episod historik fatmirësisht të shkurtër. Vetëm regjimi komunist i Enver Hoxhës u përpoq t'i vinte në piedestal emra të tillë, që luftuan kundër pavarësisë së Shqipërisë që në ditët e para të saj. Duhet të shikojmë që edhe përmbajtja e teksteve të historisë në shkollat tona të rishikohet në këtë frymë. Shkolla e Sharrës duhet patjetër të riemërtohet. Ndoshta organi komunal përgjegjës nuk ka qenë i informuar sa duhet, ose ndoshta nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur. Por gjithsesi duhet ta rishqyrtojë këtë. "

    Erion Habilaj
    Tirana Observer

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,964
    Postimet në Bllog
    22
    Intervista/ Profesor Marenglen Verli shpjegon se si është trajtuar figura groteske

    "Qëndrimi i Institutit për Haxhi Qamilin"

    Skandali i shkollës së Sharrës që mbante emrin "Haxhi Qamili" ka bërë të reagojë dhe Instituti i Historisë. Drejtori i këtij institucioni, profesor Marenglen Verli, ka dhënë pikëpamjen e tij lidhur me figurën e fillimshekullit XX. Sipas profesor Verlit, Instituti i Historisë brenda këtij viti ka planifikuar të çojë për shtyp vëllimin III të "Historisë së popullit shqiptar", e cila përfshin periudhën pas 1912-s, ku do të trajtohet dhe figura e atij që është quajtur "princi i gjullurdisë", pikërisht Haxhi Qamili. Në një intervistë për "Tirana Observer", drejtori i Institutit jep vlerësimin institucional për këtë figurë dhe shpreh predispozitën për të bërë një vlerësim sa më real të gjithë figurave të historisë së vendit tonë.

    Si është paraqitur figura e Haxhi Qamilit në tekstin "Historia e popullit shqiptar", vëllimi III, që pritet të dalë së shpejti?

    Këto ditë është folur lidhur me Haxhi Qamilin dhe me emrin e një shkolle në Sharrë që mban emrin tij. Unë do të thosha se mendimi i përgjithshëm i studiuesve në Institutin e Historisë është që kryengritja e quajtur e Shqipërisë së Mesme, ku ndër figurat e spikatura është dhe figura e Haxhi Qamilit, është një lëvizje e vlerësuar si një lëvizje kundër rrymës, kundër së stabilitetit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar të pavarur, i cili në hapat e tij të parë i duhej të përballonte situata shumë të vështira. Pra, kryengritja në fjalë është një lëvizje negative dhe në përgjithësi shumë nga figurat pjesëmarrëse në të, meritojnë të njëjtën notë vlerësimi. Kjo është shprehur edhe në vëllimin e tretë të "Historisë së popullit shqiptar", që Instituti i Historisë po përgatit dhe synon ta çojë për botim brenda këtij viti. Dy vëllimet e para që trajtohen periudhat historike deri në vitin 1912, tashmë janë në duart e lexuesve.
    Trajtimi i figurës së Haxhi Qamilit dhe kryengritjes së tij besoj se në vëllimin e tretë trajtohet me realizëm, ashtu si është dhe mendimi i përgjithshëm i historiografisë sonë në lidhje me këtë problem. Natyrisht ka dhe mendime individuale që kanë specifikën e vet në lidhje me problemin, por unë po flas për mendimin e përgjithshëm të studiuesve të periudhës në Institutin e Historisë dhe për mënyrën si do të trajtohet kjo ngjarje dhe kjo figurë, në këtë vëllim të "Historisë së popullit shqiptar".

    Si e vlerësoni faktin që një shkollë në Sharrë mban emrin e Haxhi Qamilit?

    Lidhur me këtë fakt, unë do të thosha se është nga ato gabime që harrohen të korrigjohen, që jo vetëm në këtë rast, por dhe në raste të tjera është mirë që emrat të jenë simbole të zgjedhura dhe në rastin e institucione arsimore dhe kulturore të mbajnë emra që lidhen me ngjarje dhe figura historike që i përkasin pikërisht arsimit dhe kulturës.

    A ka ngjarje dhe figura të tjera që do të rishikohen dhe rivlerësohen në vëllimin e tretë të "Historisë së popullit shqiptar"?

    Për sa i përket kësaj pyetjeje, lidhur me vlerësimin që do të kenë ngjarje dhe figura të ndryshme në historinë tonë, unë mund të them sikundër në vëllimet e botuara deri tani, vihen re ndryshime, por edhe në ato që do të pasojnë përkatësisht në vëllimin III dhe IV, ndryshime do të ketë. Madje do të jenë më të shumta, sepse periudha e shekullit XX ka qenë më e politizuara në botimet e dikurshme. Në këtë kontekst, unë do të thosha që do të ketë një rishikim të periudhës së shtetit shqiptar midis dy luftërave. Do të ketë rishikim të figurës së Ahmet Zogut, rolit të tij në konsolidimin e shtetit shqiptar në atë periudhë dhe gjithashtu shumë ngjarjeve e figurave të tjera të kësaj periudhe etj.

    Si i vlerësoni pikëpamjet e Enver Hoxhës lidhur me figurën e Haxhi Qamilit?

    Enver Hoxha nuk bën përjashtim nga shumë figura politike që arritën majën e pushtetit dhe që e kanë shfrytëzuar historinë për të ngritur figurën tyre e vlerësuar sa më tepër pushtetin e tyre. Në këtë kuptim, në atë periudhë është vlerësuar lëvizja kryengritëse e Shqipërisë së Mesme, individët që morën pjesë në këtë lëvizje e veçanërisht Haxhi Qamili, si organizatori i një lëvizjeje sociale të fshatarësisë. Për këtë arsye, në figurën e Haxhi Qamilit u mbivlerësua, kurse kryengritjes së tij ju falën shumë kusure dhe dëme që i solli shtetit shqiptar.

    Kush ishte Haxhi Qamili

    Në historinë e Shqipërisë figura e Haxhi Qamilit është parë në mënyrë kontradiktore. Në periudhën e regjimit komunist, Haxhi Qamili është vlerësuar si një figurë që ka luftuar kundër bejlerëve dhe agallarëve. Ndërkohë me ardhjen e pluripartitizmit në Shqipëri, figura e tij pati një vlerësim tepër negativ. Haxhi Qamili ishte një fshatar nga Sharra që iu kundërvu princit gjerman, Vidi, që erdhi në Shqipëri për të qeverisur. Mentaliteti obskurantist mesjetar i Haxhi Qamilit kërkoi të ktheheshin përsëri nën varësinë e Perandorisë Otomane. Me largimin e Vidit, Haxhi Qamili u përball me Esad pashë Toptanin. Ishte ky i fundit që në 16 gusht të vitit 1915 e kapi dhe e vari në Durrës.

    Genc Pollo, Ministër i Arsimit
    "Në lidhje me reportazhin e botuar te gazeta "Tirana Observer", sipas së cilës, një shkollë bazë në Sharrë mbante emrin "Haxhi Qamili", ishte një lajm shokues për mua. Nuk e imagjinoj që një shkollë në Shqipërinë e shekullit XXI mban këtë emër".

    Artan Lame, studiues historie
    "Me thënë të drejtën, më surprizoi fakti që ende një shkolle mund t'i vihet emri "Haxhi Qamili". Për mua ajo shkollë atje është një harresë e rastit që ka mbetur dhe duhet ta shohë ministri i Arsimit këtë çështje".

    Beqir Meta Drejtor i Muzeut
    "Kjo është pjesa e trashëgimisë tonë komuniste negative që nuk është fshirë nga të gjitha qelizat e shoqërisë sonë. Drejtoria e Arsimore e qarkut Tiranë dhe ministri i Arsimit, duhet t'i propozojë Këshillit të Qarkut zëvendësimin e emrit".

    Tahsim Mema Drejtor i Arsimit
    "Vendosja e emrit të Haxhi Qamilit kërkonte ta kthente arsimin shqiptar shumë vite prapa. Ky vendim komune është bërë absolutisht pa pëlqimin e Drejtorisë Arsimore të Qarkut. Për këtë do të ketë një reagim të menjëhershëm".

    Gjyle Taku, mbesa e Haxhi Qamilit
    "Siç më ka treguar gjyshja ime, Haxhiu ka hyrë në luftë me agallarët dhe bejlerët, sepse mendonte se nuk ishte e drejtë që fshatarët të vuanin për bukën e gojës. Ai nuk ka qenë i varfër, ka pasur mbi 100 dynymë tokë, një pjesë e tyre në Kombinatin e sotëm".

    Gazmend Shpuza, historian
    Është shumë e habitshme. Le të kujtojmë që më 1993 u arrit deri aty sa iu hoq emri i Heroit Kombëtar, Skënderbeut, shkollës së mesme të qytetit të Krujës. Si paska mundur të mbijetojë emri i H. Qamilit dhënë shkollës së fshatit Sharrë?


    Erion HABILAJ
    Tirana Observer

  4. #4
    Mjedisor Maska e Edvin83
    Anëtarësuar
    20-03-2006
    Vendndodhja
    Tallinn
    Postime
    4,670
    Hajde hajde, prit ndonje dite kur t'ia vene ndonje shkolle emrin Enver Hoxha apo Hamza Kastrioti....

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    shpuza i enver ramiz selimit..mbron .. disertacionet e kohes dulles..lol

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 47
    Postimi i Fundit: 31-08-2012, 13:07
  2. Shkolla e parë shqipe në Labovë, jo në Korçë
    Nga Albo në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 21-04-2009, 02:40
  3. Shkolla shqipe ne Kosove ne 420 vjetorin e saje
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 10-04-2009, 06:50
  4. Ministria e Arsimit luan vetem rrolin e gazetes
    Nga Vinny_T në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 22-08-2002, 15:36

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •