Ëndërra presidenciale e kryeministrit Berisha
Situata politike u ndez papritmas në Tiranë në mes të beharit. Shumëkush u habit me këtë acarim të papritur në një periudhë të pazakontë, pikërisht atëhere kur politikanët shqiptarë preferojnë të pushojnë në breg të detit. Por po të shikosh me vëmendje, e kupton më mirë atë që ngjau.
I gjithë ky acarim rrodhi si pasojë e marrjes së një anëtari të KQZ-së nga PD-ja dhe mosdhënies së një vendi LSI-së në KQZ.
Në këtë mënyrë KQZ-ja aktualisht ka 4 antarë nga PD-ja dhe 3 nga PS-ja. LSI u përpoq të kishte një vend në KQZ ( në atë rast përbërja e KQZ do të ishte PD - 3 antarë, PS - 3 antarë dhe LSI 1 anëtar), duke shpresuar në zemërgjerësinë dhe mirënjohjen e Berishës. Nuk duhet të harrojmë se ndarja e votave PS-LSI kontriboi në mënyrë decisive në fitoren e PD-së më 3 korrik 2005.
Por LSI me sa duket nuk e njihte mirë Berishën ose llogaritë e tij. Por cilat janë llogaritë e Berishës?
Për t'i kuptuar ato ka vetëm një aksiomë: Berisha synon presidencën. Kjo shpjegon strategjinë e acarimit të situatës të ndjekur aktualisht nga PD.
Fakti që Berisha preferoi të merrte anëtarin e 7-të të KQZ-së tregon se ai ka vendosur t'i fitojë zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pas disa muajsh. Në Shqipëri rezultatin e zgjedhjeve e përcaktojnë anëtarët e KQZ-së si dhe komisionerët e komisioneve lokale të votimit (të cilët do të jenë gjithashtu në raportin 4/3). Votat e partive që nuk janë prezente në këto komisione u venë partive të tjera. Kjo është edhe arsyeja se përse LSI luftoi aq fort për të patur një anëtar në KQZ.
Berisha në këtë mënyrë e "siguroi" fitoren në zgjedhjet lokale me çmimin e tensionimit të situatës politike në Shqipëri dhe duke minuar përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti konsensual pas 1 viti (2007). Po përse veproi në këtë kryeminisitri ynë?
Përgjigja është e thjeshtë: sepse ai synon vetë presidencën dhe nuk ka asnjë interes që të zgjidhet një president konsensual që të jetë dikush tjetër. Pra Berisha ka vendosur që presidenti i ardhshëm të jetë Berisha. Por për këtë një pengesë të madhe: Kushtetutën, e cila nuk lejon që dikush të zgjidhet president më shumë se dy herë. Dhe Berisha është zgjedhur dy herë president (1992, 1997).
Atëherë cila është zgjidhja? E thjeshtë: të ndryshohet Kushtetuta. Por ka një problem: për të ndryshuar kushtetutën duhen 2/3 e votave (94) në parlament, dhe Berisha nuk e ka këtë numër votash. Pra ky parlament nuk i bën punë Berishës, por i duhet një parlament tjetër. Prandaj Berisha ka vendosur ta çojë Shqipërinë në zgjedhje pas 1 viti. Kjo shpjegon se përse Berisha nuk shqetësohet shumë për deklaratat e PS-së se vitin e ardhshëm nuk do të ketë konsensus për zgjedhjen e presidentit, gjë e cila automatikisht do të shkaktojë zgjedhje të reja parlamentare.
Kjo shpjegon edhe marrjen në kontroll të KQZ-së nga Berisha, i cili llogarit (dhe jo pa arësye) se pas "sigurimit" të fitores së zgjedhjeve lokale, në Shqipëri mund të krijohet një situatë shumë e favorshme për PD-në dhe se do të ishte plotësisht e mundur që disa muaj më pas, në zgjedhjet parlamentare PD-ja të fitonte 2/3 e deputetëve.
Kjo shpjegon edhe thirrjet që Berisha i bën vëllait të tij armik Fatos Nano që ky të jetë kandidati i së majtës për president, duke synuar në këtë mënyrë të sigurojë përkrahjen totale të së djathtës kundër "gogolit" Nano, të cilin vetëm ai është i aftë ta mundë.
Por këto llogari të Berishës janë të rrezikshme për Shqipërinë. Opozita e majtë, që duket se e ka kuptuar këtë lojë dhe që i druhet shumë Berishës, është bashkuar (PS-LSI) dhe i është drejtuar bojkotit dhe protestave të rrugës. Ka pak të ngjarë që Berisha të arrijë ta menaxhojë këtë situatë, që mund t'i dalë shpejt jashtë kontrollit me pasoja që kemi patur rastin e keq t'i shohim edhe më parë.
Cështja që shtrohet sot është se a ia vlen që të përkrahet Berisha në këtë projekt personal të rrezikshëm për Shqipërinë dhe a duhet PD-ja në veçanti dhe e djathta në përgjithësi ta përkrahë Berishën në endërrën e tij iracionale presidenciale e cila mund të shndërrohet në një tragjedi kombëtare?
Balli i Kombit në internet
http://ballikombit.albanet.net/modul...rticle&sid=362
Krijoni Kontakt