Shpifja lëndon, por është pa të ardhme
Edmond Tupja
Në artikullin me titullin bombastik “Kundër retorikës përgjithësuese të luftës antikorrupsion”, datë 10 korrik 2006, faqe 15, zoti M.M, kryeqytetas i orëve të vona, pedagog i orëve edhe më të vona në Universitetin e Tiranës, këshilltar ministri i orëve fare, fare të vona, rreket t’i paraqesë një numër pedagogësh të disa universiteteve shqiptare si armiq të demokracisë, sepse, sipas tij, ata na e barazuakan këtë të fundit me korrupsionin dhe dashkan ta luftojnë pikërisht korrupsionin duke luftuar demokracinë. Në kuadrin e këtij arsyetimi të mbrapshtë, sigurisht, në mënyrë të qëllimshme, i vetmi përfundim na qenka, gjithnjë sipas zotit M.M, se këta pedagogë na paskan një vetëdije komuniste. Nga ana tjetër, gjitha ata që mendojnë, shprehen e shkruajnë ndryshe nga zoti M.M për sa i përket realizimit të autonomisë universitare, vetëqeverisjes së universiteteve, luftës kundër korrupsionit janë individë që vepruakan kështu “për arsye thjesht propagandistike, në dispozicion të ambicieve personale për të zënë postet drejtuese në universitet”. Në këtë kategori, zoti M.M më përfshin paturpësisht edhe mua, ndonëse pa ma thënë haptas emrin, por duke sjellë të dhëna nga jeta ime, madje edhe familjare, të cilat i kam vetëm unë në gjirin e profesoratit shqiptar. Çka është kryekëput në kundërshtim me të vërtetën objektive. Le të pyesë zoti M.M zotin kryeministër sesi e prita unë, para zgjedhjeve të 3 korrikut të vitit të kaluar, propozimin dhe ftesën që më bëri ky i fundit për t’u futur në Komitetin e Orientimit të Politikave të krijuar nga Partia Demokratike. Po të kisha qenë karrierist, do ta kisha pranuar pa ngurrim një propozim e ftesë të tillë dhe ndoshta sot zoti M.M do të ishte këshilltari im dhe do të më shkruante fjalimet.
Unë dua t’i them zotit M.M se gjithë logorreja e tij në formën e vet të shkruar është rezultat i asaj që në psikologji quhet fabulim (fabulation), d.m.th. rrëfim imagjinar që paraqitet si i vërtetë, por pa mbajtur parasysh rrethanat konkrete. Sipas psikologëve, fabulimi është diçka normale te fëmijët e vegjël, por përbën një dukuri patologjike tek i rrituri, që është e barasvlershme me mitomaninë.
Por e pafalshmja shfaqet kur zoti M.M nis e fabulon duke sajuar një tipologji të neveritshme të kundërshtarëve të tij, në të cilën më përfshin edhe mua. Sipas zotit M.M, kush nuk është i të njëjtit mendim me të, na i paska gjithë të zezat. Kështu, unë qenkam “një psikopat delirant”, “përkthyes” i mirënjohur si “hafije i sigurimit të shtetit”, “ithtar i zjarrtë i luftës së klasave, aq i zjarrtë sa e kam zbatuar me përkushtim të madh edhe në familjen time”, duke “ndarë dy gra”. Do t’i lutesha gazetës së nderuar “Shekulli” që, për etikë profesionale, t’i kërkonte zotit M.M (që, me sa më thanë, paska mbuluar për disa kohë pikërisht sektorin e etikës në redaksinë e saj) të paraqesë provat bindëse të pohimeve të tij lidhur me personin tim. Ndryshe, logjikisht më lind e drejta morale t’i drejtohem gjykatës që ose të më mbyllë mua në çmendi si psikopat delirant të rrezikshëm për shoqërinë dhe, njëkohësisht, të më dënojë si hafije e sigurimit të shtetit, ose të dënojë zotin M.M për shpifje publike kundër meje. Sa për hundëfutjen e tij në jetën time private, kjo më kujton njërën prej praktikave më të ulëta që ndiqnin dikur Partia e Punës dhe Fronti Demokratik ndaj individit të pambrojtur përballë shtetit totalitar. Pra, sa për dijeni, unë e kam pësuar dhe jo zbatuar luftën e klasave në gjirin e familjes, siç pësova edhe qarkullimin në qytetin e Gramshit, siç pësova edhe namin e një “gjysmë të deklasuari”, duke punuar me vite mes të “deklasuarish”. Së fundi, sipas zotit M.M, unë duhet t’i kaloj “vitet e pleqërisë i zhytur në pendesë të thellë dhe në hallet e mia familjare”, ndryshe merituakam vetëm përbuzjen e tij. Por e keqja është se unë nuk ndihem fare plak e aspak i penduar, ndërsa përbuzja e tij është thjesht një bumerang: le ta gëzojë për tërë jetën përçmimin tim më vëllazëror! Për sa u përket halleve të mia, do ta këshilloja zotin M.M të shihte të vetat e të mos i fuste më hundët në të miat, jo për gjë, por se nuk i ka hiç të pastra...
Një gjë duhet ta ketë të qartë zoti M.M: kur dikë e fyejmë sepse kemi provën se e meriton një gjë të tillë, kjo fyerje është e merituar; por kur e fyejmë vetëm duke shpifur, atëherë kemi lëndim të padrejtë, kriminal. Gjithsesi, shpifjet e zotit M.M, si çdo shpifje, janë pa të ardhme.
Së fundi, duke parë cilësinë e shpifur të shpifjeve në gojën e zotit MM, i rekomandoj atij të dëgjojë arien e shpifjes nga opera “Berberi i Seviljes”, para se t’i përmend shprehjen e Viktor Hygoit: “Përballja me shpifjet përbën një nga pikat më të forta të njeriut të ndershëm e të ditur”.
12/07/2006
KATEGORIA: Analiza.shekulli.
Krijoni Kontakt