Gëzim Tushi

Me kanë thënë se në aparatin e Këshillit të Ministrave, me rregullore, nëpunësit e administratës së saj kohët e fundit janë detyruar të vijnë në punë të veshur korrekt, në stilin më klasik e universal të nëpunësit. Janë shmangur ekzibicionet e minifundeve, dekolteve të ekzagjeruara dhe dëshirat e meshkujve për veshje sportive.

Në të vërtetë, nuk është fare negative që shoqëria jonë, më në fund, ka filluar të reagojë, jo me parametrat e shoqërisë së vjetër më modë dhe shije estetike të determinuar, edhe për elementë të tillë, në dukje formalë, siç është veshja dhe përshtatshmëria e saj me ambientin, moshën, pozicionin social dhe rolin që njeriu kryen në shoqëri. Me sa duket, tani jemi në një fazë të re të modës, e cila, pasi theu barrierat estetike dhe tabutë e vjetra të uniformitetit dhe pas hallakatjeve imitative, po fillon të reflektojë për të përcaktuar parametrat e bukurisë bashkëkohore.

Shoqëria ka filluar të shfaqë tendencë për të vendosur disa rregulla të performancës së detyruar të paraqitjes së jashtme në përputhje me rolin dhe pozicionin zyrtar të njeriut. Kjo është realizuar mirë jo vetëm në Këshillin e Ministrave, por edhe në disa institucione dhe banka private. Diçka është bërë edhe në shkollat e mesme kohët e fundit. Edhe aty është tentuar për të vendosur disa standarde të veshjes së nxënësve në përshtatje me moshën, seksin dhe natyrën e veçantë të shkollës si institucion edukativ. Çështja e paraqitjes së jashtme, e përputhjes së saj me rolin dhe pozicionin zyrtar e shoqëror, nuk është element thjesht personal i shijes estetike.

Sipas mendimit tim, ky problem tani është thelbësor dhe esencial. Të paktën në dy këndvështrime. Së pari, si detyrim i respektimit të disa standardeve morale dhe rregullave institucionale të performancës zyrtare dhe, së dyti, si element që në konceptin e përgjithshëm filozofik, popullor dhe psikologjik të popullit tonë, i cili nuk besoj se është i gabuar dhe metafizik, sipas të cilit, «shfaqja është thelbësore dhe thelbi shfaqet». E thënë akoma më thjesht nga populli me filozofinë e vet, ajo që duket jashtë tregon atë që nuk mund të mos jetë thelbësore në mentalitetin e njeriut. Në të vërtetë, u bë një kohë e gjatë e «hakmarrjes kolektive e demonstrative» në ndryshimin e veshjeve të qytetarit, duke thyer tabutë e veshjeve primitive të shoqërisë së kaluar. Besoj që tani ka kaluar koha e demonstrimit si hakmarrje, periudha e kohës që kaloi gjatë së cilës edhe ekzibicioni i veshjeve «antikonformiste», kishte bukurinë dhe kuriozitetin e vet. Ekzentrizmi i veshjeve të lira e kaloi fazën e vet të kuptimit si «shprehje e lirisë». Kaloi edhe koha e kaotizmit estetik të veshjeve që nuk janë të lidhura as me moshën, stinën, pozicionin social dhe ambientin rrethues. Tani shumë gjëra jo vetëm nuk kanë më kuptim, por janë bërë dukuri bezdisëse dhe qesharake.

Në të vërtetë, kohët e fundit janë dukur disa ndërhyrje të kujdesshme, elegante të opinionit publik, por edhe të shtetit, që synojnë të «standardizojnë» disa tregues anormal në veshjen dhe paraqitjen e jashtme të njeriut publik, zyrtar, duke tentuar të imponohet administrativisht një «përputhje e domosdoshme» e paraqitjes së jashtme të zyrtarit, me rolin, pozicionin dhe funksionin shoqëror. Mirëpo edhe ky moment nuk ka kaluar pa debat, diskutime dhe komente estetike të natyrës normativiste. Publikisht dhe privatisht është diskutuar fort edhe nga këndvështrime të ndryshme, se sa të drejtë ka shoqëria dhe shteti të ndërhyjë dhe të imponohet në këtë aspekt. Çështja themelore e debatit, që vazhdon është e koncentruar në një diskutim të nxehtë të problemit të kondicionimit shoqëror të paraqitjes së jashtme të njeriut, sipas pozicionit zyrtar dhe rolit social që kryen. Në këtë kontekst, problemi ka marrë ngjyrat e diskutimit ideor, estetik, etik, moral dhe shoqëror. Në të vërtetë ndeshen dy pamje të paraqitjes publike të zyrtarëve dhe dy interpretime krejt të ndryshme sociale. Pa dyshim, ajo që ka ndodhur me veshjen dhe paraqitjen e jashtme në këto 15 vjet, është e tillë që nuk mund të parashikohej se do të ishte në këto përmasa, nga çdo mendje, sado novatore dhe kreative që të jetë. Kalimi nga veshja standarde, uniforme, monotone, me ngjyra të errëta e imponuar që na kishte bërë të gjithë «ushtarë të thjeshtë të togës së madhe» me uniformë të njëjtë, në modelet e veshjes së lirë, të thjeshtë, të bukur, të larmishme, të diversifikuar, në shije dhe modë, është një proces i madh, jo vetëm formal dhe estetik, por dhe esencial e social. Ndryshimi i kohës i mentalitetit social, liria dhe lirshmëria jonë në veshje janë tashmë bazë e padiskutueshme e së drejtës së çdo njeriu që të vishet si të dojë dhe të ketë principe personale estetike, të veshjes, modës, dizajnit dhe paraqitjes.

Është normale të vlerësohet ndryshimi që ka ndodhur, i cili shfaqet kudo në rrugë, në ambiente publike, në skutat e jetës intime private. Kudo çdo gjë ka ndryshuar, përgjithësisht për mirë. Çdo njeri sot tenton, përpiqet, sipas mundësive të tij, të gjejë veshje që e ndihmon performancën estetike, veshje që të jetë e lehtë, e bukur, e përshtatshme me formë antropometrike dhe hiret fizike të trupit. Por ndërkaq nuk mund të mos bjerë në sy, një tendencë e zhvillimit të veshjes eksentrike, jo vetëm tek të rinjtë, e cila shfaqet si qëllim në vetvete, si tendencë brutale për të realizuar çdo ekzibicion që ndihmon të biesh në sy, duke u shfaqur në rrugë, në ambiente publike, me veshje që janë në kundërsens me ambientin social, moshën dhe një lloj «kodi apo marrëveshjeje» morale që funksionon në mënyrë konsensuale në shoqëri. Nuk do të ishte e tepërt, po qe se do të themi, që shikimi i njëanshëm i veshjes, kthimi i saj si qëllim i vetëm absolut për një kategori njerëzish, është kthyer në «monomani», në obsedim sa që në përpjekjen për të qenë sa më i veçantë në paraqitje, për të rënë me çdo kusht në sy, kanë humbur sensin specifik njerëzor të adoptimit, të paraqitjes së jashtme, me ambientin rrethues, duke bërë kundërparaqitje të pamjes së jashtme me ambientin social. Ka raste evidente, kur në rrugë përballesh me veshje vajzash, që janë plotësisht autentike për në plazh ose për të shkuar në mbrëmje në dhomën e partnerit.

Pa dyshim, në këtë problem delikat, shoqëria jonë vërtet nuk ndërhyn në shijet personale të njeriut, por ndërkaq ajo nuk mund të mos ndikojë që brenda «kodit moral», si marrëveshje konsensuale kombëtare apo edhe universale qoftë, ka të drejtë shoqëria të diskutojë, duke shmangur nga debati edhe mbeturinat e konservatorizmit evident dhe të mbartësve të tyre, që janë kundra veshjeve të bukura. Nga ana tjetër, nuk janë të pranueshme as spekulimet e disa të tjerëve, që mendojnë se pamja e jashtme e njeriut, veshja, dukja, janë krejt të lira dhe jashtë çdo parametri social dhe kodi moral. Mbi këtë bazë, epidemia e «zhveshjes» ose e veshjes eksentrike, është shtrirë «përbindshëm» edhe në ambientet publike, në shkolla dhe zyrat e shtetit.

A është shkelje e lirisë dhe e të drejtave të njeriut, vendosja e rregulloreve etike të paraqitjes së jashtme, për njerëzit që janë në «role» të caktuara, si nxënës, ushtarë, nëpunës, politikanë, deputetë, gjyqtarë etj. Nuk ka vend tjetër në botë, sidomos në Evropë, që të ketë pamje të tilla të veshjeve të jashtme, që të ekspozojë në ambiente publike zyrtare, pjesët me intime të trupit, siç ndodh në realitetin tonë, gati çdo natë e ditë.

Personalisht, rasti e ka sjellë që të kem qenë në shumë ambiente zyrtare, ministri dhe shkolla, në disa vende të Evropës dhe në SHBA, por askund nuk ka pasur veshje me natyrë të pastër provokative, si në disa shkolla dhe zyra në vendin tonë. Askund nuk ndodh që nëpunësit të shkojnë në punë me të njëjtën veshje, sikur shkon për të luajtur tenis apo basketboll.

Veshja zyrtare nuk është dhunë, as cenim i lirisë së njeriut. Ajo është dukuri thelbësore e njeriut të formuar, i cili di të vlerësojë pozicionin social që ka rolin zyrtar që duhet të luajë për kohën që është duke realizuar detyrën publike, zyrtare, si nxënës, ushtar, deputet, zyrtar apo politikan. Këtu besoj se performanca e jashtme është thelbësore dhe pamja e jashtme me shumë vlera publike e sociale. Pikërisht në këtë moment jeta e zyrtarit është «pjesë publike», që kërkon dhe formalisht respektim të rregullave të paraqitjes së jashtme, që në këtë moment, për shkak të rolit dhe të pozicionit që njeriu kryen, është thelbësor. Është tjetër gjë pjesa private, në të cilën edhe nëpunësi nuk është «njeri sociologjik», por njeri normal, në të cilën, ai si çdo njeri tjetër ka të drejtën e vet të jetë edhe në këtë aspekt i lirë, të ketë paraqitje të jashtme të përveçme, të papërsëritshme, të ndryshme dhe tjetër angazhimi i tij si përfaqësues publik dhe i detyruar të respektojë veshjen standard, e cila nuk është «dhunë», por shprehje e respektit për detyrën publike si përfaqësues i shtetit. Në këtë kontekst, ndoshta duhet të fillojmë të mendojmë edhe për këtë komponent, siç është veshja e njerëzve tanë, e cila nuk është komponent formal, por një nga dukuritë e shfaqjes së nivelit të kulturës qytetare të shqiptarëve.


Gazeta SHEKULLI