Sekuestrohen në port kamioni me 300 kg drogë, shoferi: S’kisha dijeni
DURRES- Një ngarkesë prej më shumë se 300 kilogramësh drogë e cila për nga karakteristikat ngjason me kanabis sativa, u bllokua mbrëmë në Portit e Durrësit. Policia ndaloi personin që drejtonte mjetin në të cilin u konstatua malli. Mësohet se lënda narkotike u zbulua gjatë një kontrolli që oficerët e antidrogës ushtruan në kamionin me targa SH 8681 D, që drejtohej nga 53-vjeçari Agim Ajazaj, nga Shkodra. Droga u konstatua rreth orës 18:00, në kohën kur kishte nisur imbarkimi i mjeteve në tragetin e linjës Durrës-Bari. Lënda narkotike, sipas Policisë, ishte e ndarë në disa thasë plastikë dhe ishte fshehur në karroceri, në pjesën ballore të kamionit. Pas ndalimit, 53-vjeçari shkodran nuk ka pranuar të ketë pasur dijeni për ngarkesën e lëndës narkotike që ndodhej në mjetin që ai drejtonte. Ai është justifikuar me faktin se ishte vetëm drejtues i mjetit dhe se nuk kishte dijeni se kush e kishte futur lëndën narkotike në karroceri. Megjithatë, policia po punon për sqarimin e rrethanave në të cilat është përfshirë 53-vjecari dhe paralelisht po heton për përfshirjen e të tjerë personave të në trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë. Kohët e fundit, policia e Durrësit ka sekuestruar disa herë ngarkesa me lëndë narkotike, ndërsa ka arrestuar edhe drejtues mjetesh të cilët tentuan të trafikonin sasira të konsiderueshme drejt shtetit fqinj. l.m
Burimi: Panorama
Krijoni Kontakt