Reportazh/ Në fshatin rebel të jugut, ku bimët narkotike të kanabisit kanë kapërcyer avllitë e shtëpive
“Këtë vit ka më pak të mbjella, ndaj edhe pritet rritje çmimi. Në plantacione nuk shkel kush”
L.Çela - Shekulli
LAZARAT- Gushti nuk është muaj i përshtatshëm për të shkelur në Lazarat. Këtë të thonë në Gjirokastër, ku që nga kryetari i komunës e deri tek drejtuesit më të lartë të policisë dalin “garantë” se atje nuk gjen asnjë rrënjë kanabis sativa. E megjithatë, askush nuk merr përsipër të të shoqërojë në fshatin që vetëm 2 kilometra rrugë e ndajnë nga Gjirokastra. Duket se askujt nuk ia ka ënda të përballet me banorët, që në këtë kohë të vitit presin me padurim të vjelin “frytet” e punës së tyre. Në Gjirokastër të paralajmërojnë se është tejet e rrezikshme të marrësh rrugën për në fshat, edhe pse shumë janë ngutur të deklarojnë se Lazarati është hequr nga harta e zezë të kultivimit të drogës. Por nuk qenka kaq e lehtë, të heqësh drogën nga Lazarati...
***
Megjithëse qeveria aktuale ka miratuar së fundmi një ligj që penalizon edhe kryetarët e komunave për mosdhënien e informacionit mbi kultivimin e lëndës narkotike, për lazaratasit pakgjë ka ndryshuar. Krahasuar me një vit më parë, së largu fshati nuk duket aq i gjelbëruar. Në hyrje të Lazaratit dhe përgjatë rrugës që të çon në komunë, nuk të zë syri kanabis sativa, por djem të rinj që nuk ia ndajnë sytë mysafirëve. Në fakt, nëse nuk je e shoqëruar me vendas, duket i pamundur kalimi për në fshat. Rruga e asfaltuar të çon për pak minuta në qendër të Lazaratit, e përtej bien menjëherë në sy bimët e kanabisit. Bima narkotike në pjesën e epërme të fshatit është rritur aq shumë, saqë i ka kapërcyer avllitë e shtëpive. Madje, disa prej banorëve kanë rrethuar avllinë edhe me plastmasë, në mënyrë që të mbulohen sa më shumë të mbjellat e këtij viti. Nga ajo çfarë shihet, në fshatin me rreth 4 mijë banorë, janë të shumta shtëpitë që kanë në oborrin e tyre këtë bimë narkotike. “Në fakt, mbjelljet e sivjetshme janë më të pakta me ato të një viti më parë, por kjo gjë do ta rrisë çmimin për këtë vit”,-thotë Petriti, djali që na shoqëron. Sipas tij, në fshat bimët pritet të jenë më te shëndetshme dhe të prodhojnë më shumë, për shkak të hapësirave që ekzistojnë ndërmjet tyre. E kjo, për banorët e Lazaratit do të thotë më shumë para. “Mendoj se për këtë vit do të mund të sigurojnë 15 mijë lekë të reja për rrënjë, nga 10 mijë që siguruan vitin e kaluar”,-shton udhërrëfyesi, duke rrëfyer se fitimi më i madh pritet të vilet nga parcelat e mbjella në shpat të malit.
***
Mbi fshat thuhet se ekzistojnë plantacione të mbjella me hashash, por që deri më tani, përveç vendasve, askush nuk ka guxuar të vërë këmbën atje. As Petriti nuk e merr përsipër të të shoqërojë. Sipas tij, rrugëtimi drejt të ashtuquajturave plantacione nuk është gjë tjetër veçse udhëtim drejt vdekjes. E gjithë zona është më së miri e kontrolluar, ndërkohë që nga qendra e Lazaratit mund të shohësh bimët e mbjella, që tashmë kanë arritur fazën e korrjes. Sipas burimeve nga fshati, rreth 15 mijë rrënjë kanabis sativa në shpatin e malit, rrëzë së cilit ndodhet Lazarati. I pyetur në linjë telefonike nga “Shekulli”, kryetari i Komunës, Dashamir Aliko thotë se në Lazarat mund të shkojë kushdo, ndërkohë që i qëndron zyrtarisht asaj që ka deklaruar edhe më parë, se nuk ekziston qoftë edhe një bimë e mbjellë kanabis sativa. Aliko thotë se gjendet në Kosovë, e në komunën e Lazaratit nuk ndodhet asnjë përfaqësues i pushtetit vendor, por ngulmon se hashashi është sajesë e gazetarëve. Nga ana e tij, shefi i postës së policisë së Lazaratit, Delim Pollo, thotë se falë bashkëpunimit me komunitetin, situata është përmirësuar në Lazarat. “ Fshati është i qetë dhe nuk ka kultivim masiv të lëndëve narkotike”. Duke respektuar postin, shefi i postës së policisë së Lazaratit shton se informacionet mbi kultivimin e bimës narkotike gjatë këtij viti janë më të detajuara në drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës.
KRYEKOMUNARI
Aliko: Kultivimi i
hashashit është sajesë![]()
LAZARAT- “Lazarati ka dalë tashmë nga lista e zezë e vendeve të kultivimit të bimëve narkotike”. Këtë ka deklaruar rreth 2 muaj më parë, kryetari i komunës Dashamir Aliko, ndërkohë që kanabis sativa është në prag të korrjes, në fshatin e tij. Po kësaj deklarate, i qëndron edhe në prononcimin e tij nëpërmjet linjës telefonike. Aliko të thotë se e ka të pamundur të takohet, për shkak të një takimi që po organizon në Kosovë, ndërkohë që sipas tij, në komunë nuk mund të gjesh as edhe një person që përfaqëson pushtetin vendor. “Po të duash, shko në Lazarat, por nuk do të gjeni asgjë. Kultivimi i hashashit është një sajesë”- thotë kryetari i komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko. Në fakt, dyert e komunës në Lazarat janë të mbyllura. Megjithëse pak kohë më parë është miratuar një ligj mbi “bimët narkotike” që penalizon kryetarët e komunave për moskallëzim të kultivimit të lëndëve narkotike, nga ana e përfaqësuesit vendor të PD-së, Aliko nuk ndodhet asnjë denoncim i bërë, në dosjet e policisë së Gjirokastrës.
POLICIA
Drejtori Kaja:Nuk kemi informacion për kanabis![]()
GJIROKASTËR-Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Dashnor Kaja, pohon për “Shekullin” se nuk ka asnjë informacion mbi kultivimin e kanabisit për këtë vit, në fshatin e Lazaratit. I kontaktuar nëpërmjet linjës telefonike, drejtori i policisë kërkon të mos përmendet policia për këtë çështje. “Nuk ka asnjë plan për ndërhyrje të policisë në fshat, për asgjësim të lëndëve narkotike, megjithatë, nuk preferoj të flas për këtë çështje”,-thotë Kaja për “Shekullin”. Sikurse edhe vitet e tjera, prezenca e policisë në Lazarat lë për të dëshiruar. Posta e vendosur pas incidentit me helikopterin italian përbëhet nga policë-banorë, ndërkohë që përveç tyre, në Lazarat nuk shkel ende këmbë polici tjetër. Komandanti i postës, Delim Pollo, thotë se situata në fshat është e qetë dhe se deri më tani, nuk ka pasur probleme. E sa i përket efektivave që ka nën vehte, të thotë se:“nuk është e thënë që të jenë në postë, për të kuptuar që janë në krye të detyrës”.
Krijoni Kontakt