Solli drogë nga Lazarati, pranga policit me 150 kg hashash
Operacioni “Depërtimi”, sekuestrohet ngarkesa me drogë, policia bllokon edhe dy makina luksoze.
Tiranë, oficeri solli drogën nga Gjirokastra me dy persona të tjerë.
Një efektiv i Policisë së Gjirokastrës ra në pranga dje në Tiranë, së bashku me dy persona të tjerë, teksa po transportonte 150 kilogramë kanabis sativa, e destinuar për shitje në tregun e brendshëm. Policia e Tiranës ndaloi në kohë depërtimin në tregun e kryeqytetit të ngarkesës prej 150 kilogramësh kanabis që vinte nga Lazarati, duke vënë në pranga 3 persona. Njëri prej të arrestuarve, i implikuar në trafikun e kanabisit nga Lazarati, është punonjës i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës. Ndërsa sipas burimeve nga Policia janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy “pritësit” nga Tirana, që do të merrnin në dorëzim mallin që po transportohej me dy makina luksoze. Gjatë operacionit të koduar “Depërtimi”, oficerët e Antidrogës së Tiranës, që mbajtën nën vëzhgim transportin e kanabisit nga Gjirokastra, arritën të sekuestrojnë pakot me hashash në periferi të kryeqytetit. Në operacion morën pjesë edhe oficerët e Sektorit të Operacioneve Speciale të kryeqytetit. Operacioni startoi në orët e para të mëngjesit pranë Lazaratit dhe gjatë gjithë rrugëtimit agjentët e policisë ndoqën pas dy makinat “Audi” dhe “Mercedes Avangard”, që po udhëtonin drejt Tiranës. Pasi kanë gjetur momentin e volitshëm, agjentët sinjalizuan ekipin tjetër operacional që priste në kryeqytet dhe ndërhyrja është bërë në vendin e shkëmbimit të lëndës, në një parking pranë një qendre tregtare në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia thanë dje se transportimi i ngarkesës me kanabis mbahej në vëzhgim me metodat speciale të hetimit prej disa muajsh, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
OPERACIONI
Në një deklaratë për shtyp Drejtoria e Policisë së Tiranës informoi dje se strukturat e Antidrogës, në bashkëpunim me Sektorin Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, realizuan operacionin e koduar “Depërtimi”. Gjatë këtij operacioni u arrit sekuestrimi i sasisë prej 150 kilogramësh lënde narkotike, e dyshuar kanabis sativa, si dhe kapjen përgjatë momenteve të transportimit nga Lazarati për në drejtim të kryeqytetit të tre personave. “Pas një hetimi disamujor i realizuar me sukses nga strukturat e Kundër Narkotikeve, u arrit sekuestrimi i kësaj sasie të konsiderueshme të lëndës narkotike dhe u mor masa e arrestit në flagrancë ndaj tre shtetasve të dyshuar si posedues dhe shpërndarës së saj”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës. Të arrestuarit janë Fiqiri Kaso, 24 vjeç, Bledar Danaj, 38 vjeç, punonjës policie në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër dhe Arti Karoli, 31 vjeç, të tre banues në Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare, tre personat e arrestuar u kapën në flagrancë përgjatë momenteve të transportimit me dy automjete të lëndës narkotike kanabis sativa, gjatë shkëmbimit të lëndës në një parking pranë një qendre tregtare në Tiranë. Gjithashtu u dokumentua implikimi i dy shtetasve të tjerë, bashkëpunëtorë të tyre, të cilët dyshohet të jenë personat që kishin porositur dhe do prisnin bimën narkotike.
Shpërndarja e drogës
Sipas hetimeve disamujore të Policisë së Tiranës dhe asaj të Gjirokastrës, ngarkesa me drogë e cila është bllokuar dje në kryeqytet, ka pasur si destinacion tregun e brendshëm. Mësohet se lënda narkotike do të shitej në Tiranë dhe në Durrës, për t’u shpërndarë më pas tek përdoruesit e saj. Hetimi është kryer në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Tiranës dhe asaj të Gjirokastrës, të cilat kishin siguruar informacion operativ për këtë veprimtari kriminale.
Institucionet
TE ARRESTUAR
1. Bledar Halit Danaj, 38 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë punonjës policie në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër
2. Arti Luan Karoli, 31 vjeç, banues në Gjirokastër
3. Fiqiri Shkëlqim Kaso, 24 vjeç, banues në Gjirokastër
SEKUESTRUAR
• 150 kilogramë kanabis sativa
• Automjet tip “Audi”
• Automjet tip “Mercedes Avangard”
• Një pistoletë “TT” në posedim të punonjësit të policisë
Shpërndarja e drogës
Sipas hetimeve disamujore të Policisë së Tiranës dhe asaj të Gjirokastrës, ngarkesa me drogë e cila është bllokuar dje në kryeqytet, ka pasur si destinacion tregun e brendshëm. Mësohet se lënda narkotike do të shitej në Tiranë dhe në Durrës, për t’u shpërndarë më pas tek përdoruesit e saj. Hetimi është kryer në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Tiranës dhe asaj të Gjirokastrës, të cilat kishin siguruar informacion operativ për këtë veprimtari kriminale.
ETLEVA DELIA
Panorama
Krijoni Kontakt