Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1

    Thumbs up Me rastin e përvjetorit të Betejës së Koshares

    Frashër Oseku - Ushtar i dy UÇK-ve

    DJALOSHI QË KALOI BJESHKËT E RRASËS SË ZOGUT DHE ATO TË KORABIT

    Intervistoj: SHEFQET CAKIQI-LLAPASHTICA

    Intervistë me Frashër Osekun, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i plagosur në betejën e Koshares, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare deri në arritjen e Marrëveshjes politike të Ohrit, veprimtarin e Shoqatës "Besa" në Trelleborg të Suedisë, redaktorin teknik të Revistës "Drita". Ekskluzivisht për të përditshmën "Epoka e re" për luftën dhe shokët e tij të luftës: Hajdin Abazi-Lum Haxhiu; Nasim Haradinaj; komandantin e Divizionit të Kuksit, gjeneral Kudusi Lama; për ushtarakun dhe dëshmorin tropojan Tahir Sinani- luftëtarin e UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare; për dëshmorët Agim Ramadani, Sali Çeku, Kasim Uka, Xhemail Fetahu dhe Milazim Mavraj, i njohur me nofkën "Çeçeni"; për gjeneralin Gëzim Osdreni; për Rrustem Berishën dhe Anton Çunin; për drenicakun e plagosur që i ka namur pse nuk e lan të vdiste në tokën e Kosovës; për supen me ujë të borës në Rrasë të Zogut e për specialitetin e hithrave të zier; FARK-un e pengesat tjera; betejën e Koshares, kalimin e Bjeshkëve të Korabit etj. Rrëfime autentike të djaloshit gjakovar, i mërgur si fëmijë në Suedi, rrëfime të një djaloshi të ri për nga mosha, por me një bagazh të madh të kontributit për çështjen kombëtare shqiptare, pjesmarrës i dy luftërave dhe shumë betejave.

    PYETJE: Frashër, a mund të na thuani fillimisht se që sa vite jeni në mërgim?

    FRASHËR OSEKU: Familja ime u arratis nga Gjakova në Suedi në vitin 1989. E mbaj mend fort mirë atë mëngjes të 29 marsit 1989, kur im at, unë, vëllau e motra përvidheshim përbri punkteve policore serbe. S'do të harroj kurrë se si dukej sheshi i Gjakovës atij mëngjesi; i mbushur policë e i mbuluar me tis të hollë, të bardhë, mbetje e gazit lotësjellës të hedhur një ditë më parë. Ne morëm arratinë, pra të nesërmen e ditës kur serbët shkelën me tanke mbi Kushtetutën e Kosovës. Demonstrata të furishme e kishin tronditur Gjakovën një ditë më parë, e do ta trondisnin sërish në mbrëmjen e 29 marsit. Por, atë mbrëmje unë s'do të isha më në Gjakovë, në qytetin tim të lindjës.

    PYETJE: Si e gjetët atë kohë organizimin e mërgatës shqiptare në Suedi?

    FRASHËR OSEKU: Paj, zor edhe ta quash organizim. Kishte tek-tuk ndonjë shoqatë shqiptare, p.sh. famozja "Kosova" në Malme, që asokohe ishte disi si ajo "Vatra" shqiptaro-amerikane, por në Suedi. Mirëpo s'kishte ndonjë bashkim shoqatash. Njëfarë aktiviteti e bënte edhe LPK-ja, në Malme kryesisht, por në Suedi më pak se sa në shtetet tjera evropiane. Por, veprimtarët hasnin në rezistencë të fortë të agjenturës jugosllave. Pastaj ato edhe ishin kohë të tjera. Njerëzit sa i druanin ambasadës jugosllave, aq edhe u shmangeshin fanatikëve të vllazërim-bashkimit tek një pjesë e shqiptarëve që vëllezër kërkonin ku nuk kishim! Ishte, thjeshtë kohë e pakohë! Por, s'kaluan shumë muaj pas arritjes sime në Suedi, e në Evropën Lindore u shemb blloku i perandorisë ruse. Mendoj që ajo shembje, ndërrimet edhe në ish-Jugosllavi, ishin parakusht për t'u këndellur mërgata shqiptare dhe për të parë se ku i kemi vëllezërit e vërtetë dhe për çfarë vllazërimi duhej angazhuar. Pasoj pastaj edhe vala më e madhe e mërgimtarve dhe të përndjekurve që u vendosën përkohësisht në Suedi.


    PYETJE: Cili ishte dhe cili është sot aktiviteti i Shoqatës "Besa" dhe revistës "Drita"?

    FRASHËR OSEKU: Shoqata "Besa" në Trelleborg ka organizuar në gjirin e saj qindra familje shqiptare që jetojnë në këtë port jugor të Suedisë. Në Suedi, shqiptarët kanë qejf kryesisht të banojnë sa më në jug, ku janë afër farefisit në Gjermani, e besa edhe më afër Kosovës. Vetëm distanca prej pikës më jugore deri te ajo më veriore, këtu është njësoj e madhe si distanca mes Kosovës e kufirit suedez! Në Shoqatën "Besa" zhvillohet aktivitet kulturor, si mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët mërgimtarë, organizimi i kremtimeve kombëtare, pastaj aty janë planifikuar dhe organizuar edhe demonstrat e komunitetit shqiptar. Shoqata "Besa" është spikatur edhe për rolin që ka në mediat suedeze, ku e ka pasqyruar gjendjen sociale të komunitetit lokal shqiptar, etj. Për një kohë të gjatë, revista "Drita" e kësaj shoqate ka qenë shtypi i vetëm i komunitetit shqiptar në Suedi, me artikuj në të dy gjuhët. Por, Shoqata "Besa" do të mbahet mend, besoj, sidomos për përkushtimin atdhetar në mbledhjen e fondeve të luftës. Është e vetmja shoqatë shqiptare në Suedi, e besoj edhe gjetkë në botë, ku fondet janë paguar një qind për qind. Ec e mos paguaj, s'të folte kush me gojë! Le që Baca, im at, (Shefki Oseku, kryeredaktori i revistës. vr. e autorit ) kishte kërcënuar publikisht se do t'i botojë në gazetë emrat e atyre që i ikin detyrimeve…

    PYETJE: Revista "Drita" mblidhte rreth vetes gazetarë dhe veprimtarë në mërgatë, ku në mesin e tyre dallohet Hajdin Abazi- Lum Haxhiu, dhe ishte propaganduese e flaktë e çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Sa ka qenë e shpërndarë dhe e lexuar revista "Drita"?

    FRASHËR OSEKU: "Drita" lexohej nga i madh e i vogël. Si nga shqiptarët ashtu edhe nga suedezët e shumtë që parapaguheshin rregullisht në të. Asaj iu ndanë një periudhë edhe fonde enkas nga shteti suedez. Kopjet e revistës i shpërndanim shpesh pa pagesë. Mbaj mend p.sh. që u dërgonim kopje falas shqiptarëve të Islandës, që ishin kurthuar në atë ujdhesë të izoluar, mbetur pa asnjë kontakt me shqiptarët tjerë. Islanda është pak e parëndomtë në Evropë, meqë i detyron ikanakët t'i ndërrojnë edhe emrat e të marrin emra islandezë! Disa miq më kanë treguar më vonë që revista jonë iu paskësh bërë si zhuga organeve islandeze! Më vonë poashtu më ka rënë ta takoj një nga ata çunat që banonin në Islandë. "Zoti ju shpërbleftë", më tha, "ra "Drita" e më shpëtuan fëmijët prej asimilimit". E paskësh lexuar te "Drita" lajmin se TVSH do të fillonte me transmetime satelitore, e s'kishte pritur deri të nesërmen për ta blerë parabolën!


    PYETJE: Ju u lajmëruat vullnetar dhe iu bashkangjitët UÇK-së edhe me armë. Them edhe me armë, sepse me penë e me aktivitete tjera ishit të kyçur kaherë. Mund të na thuani se kur ndodhi kjo dhe si u bë organizimi?

    FRASHËR OSEKU: Paj, ideja më kish pikur në kokë qysh moti. Por, kishte probleme praktike. Pikë së pari, s'kisha ende pasaportë valide. Pastaj, ta them të drejtën, e kisha pak edhe hallin e prindërve. Vëllai im banonte e punonte në Stokholm, një motër e kisha në anën tjetër të Suedisë, në Goteborg. Ç'do të bëja me pleqtë? Por, pas Epopesë së Jasharajve, erdhi momenti të ndahet shapi prej sheqeri. Kuptova se o do ta shporrnim ne Serbinë nga Kosova, o do të na shporrte ajo neve. Im at punonte në mënyrën e vet, nxirte revistën e mblidhte fonde, vëllai punonte në Zyrën e Kosovës në Stokholm, m'u duk se vetëm unë s'po bëja asgjë prej gjëje. Andaj vendosa që, tinëza prindërve, të flas me z. Nasim Haradinaj, që e dija se vente e vinte si drugëza prej vijave të luftës. Ai ma bëri rrafsh me fjalë fort të mira, por pas pak e vërejta që s'ia kisha mbushur syrin! I dhimbseshin prindërit e mit, apo mbase e kish sosur mendjen se unë s'isha material për luftëtar, kushedi? Kur e pashë se s'kishte hajr prej Nasimit, vajta e i rashë në derë Lum Haxhiut- Hajdin Abazit. I thashë troç: "Shoq, o merrëm me vete, o ika vetëm! I pyes hallkun nëpër Shqipëri për ta gjetur rrugën deri te fronti, por unë gjallë a vdekur në front do të shkoj, qoftë edhe fill i vetëm. Lum Haxhiu më këqyri një copë here seri, pastaj më tha të çohem e të hypi në veturën e tij. Kur pashë se po e grahte drejt shitores së materialeve ushtarake, më erdhi zemra në vend. Më ndihmoi aty për aty t'i blej pajisjet, uniformën, trastën, çizmet, rrobat e dimrit…kemi blerë tërë ditën. Trasta i lashë te apartamenti i tij, se s'kisha zemër t'u tregoja prindërve. Pastaj më ra të pres nja dy-tri ditë pa asnjë lajm. Ato ishin ditët më të gjata të jetës sime. Më në fund fare, kur gati më kish kopur barku, gjatë një demonstrate të komunitetit shqiptar në Malme, z. Haradinaj hypi në tribunë e tha se "nesër do të niset një grup vullnetarësh". Tek po fliste, se si m'u duk se më shikoi bash mua pak si më ndryshe. Ende pa e mbaruar ai fjalën, një zotëri m'u afrua e më tha me ton intim, si ta kisha njohur tërë jetën: "A deshe luftë? Hë luftën, bëhu gati të nisesh nesër!". Zotëriun, që erdhi e u iku si hijall pa u prezentuar, s'e njoha kurrë, por e kuptova që ishte kasnec i lig. Aty për aty vendosa që të vej në Kosovë pa u treguar fare as prindërve, as motrës e vëllait. S'kisha zemër t'i dal para nënës e t'i them se unë po shkoj, e se ajo e Baca do te mbeteshin filli vetëm në mërgim. Aty më mbeti nofka "Çun i mamasë"! Shokët qeshnin, se Frashër Oseku shkive guxon t'u del në log të mejdanit, por jo nënës! Aty më mbeti edhe nofka e luftës, "Mami"!

    PYETJE: Në cilën brigadë jeni rreshtuar dhe cilat ishin angazhimet tuaja?

    FRASHËR OSEKU: Të nesërmen herët, në ora 6 të mëngjesit, e pashë veten sus vet i katërti në ulëset e veturës së Nasim Haradinajt, në rrugë për Gjermani, e më tej në Kosovë. Shoferi Avdyl Hoxha, një shok me nofkën "Papulani", unë dhe Nasim Haradinaj, i cili këtë rrugë e kish mësuar përmendësh. Avdyli e Nasimi e kishin bërë këtë udhë disa herë, për mua s'e dinte njeri, por besoj se ikja e "Papulanit" ishte burim mërzie për krejt shqiptarët e Malmes! Jo vetëm për atë se ishte pakësa tip gazmor. Dy shokë tjerë zgjodhën të shkojnë me aeroplan. Me ta u takova sërish në Tiranë. Më vonë luftuam bashkë në një brigadë, por në njësi të ndryshme, prandaj ua kam harruar emrat. Në Gjermani na u bashkangjitën dëshmorët e mëvonshëm të betejës së Koshares, Xhemajl Fetahu dhe Milazim Mavraj, i njohur me nofkën "Çeçeni". Rrugës kishim humor fort të mirë. "Papulani" ishte i bindur se do ta mbijetonim luftën! "Rrini ngat meje ju, se ju ruan Allahu. Ta dishit ju se sa vetë i luten Zotit që unë të shpëtoj gjallë…!". Por kjo bindje iu zbeh pak edhe atij, edhe neve tjerëve, në tragetin prej Barit për në Durrës, ku Nasim Haradinaj desh e mbyti në det! Çështja ishte se "Papulani", që bënte be se i di fjalët më kyçe në të gjitha gjuhët e botës, i spjegoi Nasim Haradinajt se dreka në traget u përfshika në çmimin e biletës! Nasimi i shkretë, që kish vajtur me atë traget sa e sa herë i uritur, desh bërtiti prej gëzimit. Na dha urdhër ushtarak: "Togu gatitu, hani deri sa t'ju plasë tupani i veshit! "Papulani", që "e dinte italishten bylbyl", e përqeshi Nasimin e shkretë gjatë tërë drekës; ha e qesh! Por gazi i mbeti në fyt atij e neve, e më së shumti Nasimit, pak më vonë kur në tavolinën tonë mbërriu shefi i restorantit me tiketën e llogarisë!!! Në Durrës na priti vëllai i dëshmorit Xhemajl Fetahu. Aty më thanë ta lë pasaportën te dikush me besë. Shokët talleshin, "po u rat xhenaze shkive, mos i bëni edhe me pasaportë suedeze!". Andaj pasaportën e lashë te z. Sabri Novosella, një emigrant i vjetër, që qajti me lotë kur kuptoi se për ku ishim nisur. Aty në Shqipëri bëra një kiks të vogël! Do dreqi e m'u mbush mendja të marrë pjesë në një demonstratë për Kosovën, e prite ti kur të vijnë kamerat e TVSH-së! U orvata sa munda të fshehem prej tyre, por kur ta kesh të shkruar të bëhesh yll i estradës…Në daç beso, në daç jo, kamera më kish zënë për merak aty kah fundi, kur unë kujtoja se kish mbaruar rreziku. Me kostum kuqezi, krah për krah me Sabri Novosellën. Babë o birë, mos pyet! Ende pa mbaruar mirë demonstrata i cingërron mobili Sabri Novosellës. Kuptohet, në telefon është im at, që pyet se a ka mundësi që Frashëri të folë pak më nënën…Mos pyet! Vetëm atëherë kishin kuptuar babai dhe nëna ime se ku gjendesha!!
    Me Nasim Haradinajn e Xhemajl Fetahun në krye, vazhduam të nesërmen drejt Veriut. Mbaj mend që u ndalem te varreza e dëshmorit Luan Haradinaj, ky ishte një si ritual i Nasimit, sa herë që vente andej. Pastaj në një pikë në mes të malit, Nasimi tha se duhet të vazhdojmë këmbë: "Krejt afër, nja pesë minuta udhë". Realisht dhjetë orë, kuptohet. Ishte aq terr, sa s'e shihje gishtin të ta fusnin në sy, e balta të mbërrinte deri në gju. Pas një ecejakeje trullosëse nëpër terrin e natës, që mua personalisht ma bëri bukur të kuptueshme vuajtjen e Golgotës, mbërrimë te një kompleks shtëpizash të vogla, si në filmat "partizanë e gjermanë"! Më thanë të shkoj të flej në një nga shtëpizat, ku po flinin të ngjitur si sardela plot djem të rinj. Tek të nesërmen kuptova se kisha patur nderin të flej në Kazermën e UÇK-së në Papaj, madje në selinë zyrtare të Batalionit Diversant-Vëzhgues, që quhej "Delta". Unë me shokët, "përforcimi prej Suedisë", kishim arritur më në fund në cakun tonë, në Brigadën 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
    Pas dhënies së gjeneralieve komandantit Sali Çeku, unë u caktova në njësinë kundërajrore "Shqiponja", komandant Sheqer Maloku, nofka "Sheqeri". Komandant "Sheqeri" na stërviti bashkë me disa kolegë që kishin punuar më herët në Ushtrinë Shqiptare, në përdorimin e mitralozëve kundërajrorë, 12.7 mm. Tash kur kujtohem, më duken fort interesante udhëzimet e Sheqerit se si rrëzohen me mitraloz avionët supersonikë! Por, asokohe kjo më dukej reale. Në të vërtetë, togjet kundërajrore i përdornim më së shumti si komplement të artilerisë në beteja tokësore. Sidomos në betejën e Kosharës, ku pa "Shqiponjat" kundërajrore zor që do të ishte thyer kufiri. Por, me sa di unë, avionët serbë na shpëtuan pa i rrëzuar. Përpos MKA-së, Nasimi, i cili e dinte se unë di t'i përdori datorët, kompjuterët, më bëri edhe punonjës të administratës në Shtab të Brigadës. Aty pata pak probleme, meqë disa nisën të më mbajnë nasihat për njëfarë FARK-u. Mbeta pa mend, meqë për farka e qfarka s'kisha dëgjuar gjë deri më atë ditë. Njëfarë nofka "Leopardi" thoshte se "me kokardë kroate në kokë e me FARK në krah, unë s'pyes për UÇK"!! Edhe me njëfarë "doktor Agroni", që i kish stolisur datorët me shenjat e FARK-ut, s'më zgjati fort shoqëria. Kjo puna e FARK-ut, si e mora vesh atyre ditëve, ishte nisur e bitisur zyrtarisht qëmoti, por ec e merru vesh ti me leopardat e me agronët!!
    Me urdhër të Nasimit, e besa edhe nga droja se mos po më shkonte huq tërë udha, meqë unë isha nisur për në UÇK e jo në farë modelesh të reja, i hoqa të gjitha shenjat e huaja nga administrata. Disa buxhovana zunë të më bijnë në qafë; e përhapën se isha "komunist", "këlysh i kuq" etj etj!! Dikush ndoshta thotë se do t'u pengonte biografia ime dhe e tim ati, që është diametralisht e kundërt me këto akuza, por jo. Sido që të jetë, sherri mbeti në nivel përgojimesh, sepse sa herë që lypnin fesat me mua, veç u transmetoja të merren vesh me Nasimin. E, atyre me Nasimin s'ua mbante "të merren vesh".
    Kujtimi më i mirë nga shërbimi në administratën e Shtabit është takimi me njerëzit profesionistë e shembëlltyrë, si Komandanti Agim Ramadani, që ra hero në thyerjen e kufirit, ai më ka mbetur në mendje e në shpirt si njeri tejet i afërt. Kishte gaca në sy, një zë të qetë e të shtruar që s'e ngriste kurrë, kurse fliste më së shpeshti në gjuhën letrare. Ishte i pari prej komandantëve që më ra të puqemi e të flasim shtruar, e i tillë, i hapur e i afërt, ishte me të gjithë, në Shtab e jashtë tij. Komandant Agimi ishte ai që më propozoi të futem në Mbrojtjen Kundër Ajrore, ndonëse mua vetëm "Deltat" ma mbushnin syrin!! Po pate problem diçka, fol me Agim Ramadanin, ai ta gjente çaren. Ai na printe i pari ne ushtarëve në vrapimet e mëngjesit, ndante bukën me ne (për dallim prej disa oficerëve tjerë të "karrierës" nga ish-Jugosllavia), rrinte me ne në pauza…Komandantin e "Deltave", Anton Çuni, si dhe komandantin e këmbësorisë, Hysen Berisha, i njoha poashtu si njerëz të jashtëzakonshëm. Nuk do t'ia harroj kurrë se si më ndejti te koka një ditë e një natë komandant Çuni, kur u helmova nga ushqimi në një rast. U kish premtuar "Deltave", te të cilët vazhdova të flej gjatë tërë kohës, se do të kujdesej për mua.
    Rrustem Berisha u bë komandant Brigade pas rënies së Agim Ramadanit, sigurisht për shkak të rangut profesional. Me të kam kuvenduar krejt pak, ishte njeri formal, që qëndronte në prapavijë. Mbaj mend që më lavdëroi një herë para tjerëve pse s'kisha pranuar të ndërrohem nga roja në vijën e parë, ashtu formalisht si e kish zakon, por diçka më tepër s'kemi kuvenduar.
    Kjo puna e rojes ishte çështje nderi për mua. Kisha bërë be se kur të futem brenda në Kosovë, ku ndodhej vija e parë e rojes, i gjallë s'dal prej aty. Komandant "Sheqerit" i pata thënë: Prej Kosovës mund të më nxerrni o si xhenaze, o në muaj të mjaltit pas dasmës në Gjakovë! Kështu që kur më erdhi radha të mbaj rojën, s'kish birë nëne që më heq më prej aty!! Nja 3-4 ditë s'erdhi as ushqimi, por me shoqëri të mirë ta ka endja të hashë edhe supë me ujë bore e hithra të zier, specialitet "Rrasa e Zogut". Rrasa e Zogut ndryshe thirret ndër veteranët edhe me emrin "Rrasa e Vdekjes". Jo krejt pahiri, ta merr mendja, meqë aty i lanë eshtrat shumë prej shokëve tanë, e më shumë prej shkive. Luftimet bëheshin shpesh në distancë prej disa metrave, e fishkëllima e snajperëve dhe krismat e dum-dumëve ishin pauzë e këndshme para ushtimës së predhave. Por, megjithatë, betimin s'e mbajta dot! Unë e kam patur gjithmonë këmbën e madhe, por se këmba e madhe ta merrka fytyrën, këtë e kuptova së pari te Rrasa e Zogut! Puna ishte se çizmet e mia "suedezka" ia kisha dhënë Fadil "Mortajës", që ra dëshmor më vonë në betejën e Koshares. Ai e kishte nofkën "Mortaja" për kujtim të natës së Vitit të Ri 1999, kur krye në vete e paskësh qëlluar me mortajë karakollin serb në Koshare!! Fadili, si xhentëlmen që ishte, në vend të çizmeve të mia fringo m'i dha mbathjet e veta, mall turku më duket, që vetëm një fantazi e pasur mund t'i quante çizme. Pas pak kohe, ato m'i shqyen edhe çorapët, e si pasojë mua m'u desh t'i mbështjelli këmbët me bluzë! Këmbët e mia u bënë objekt studimi te i gjithë togu im në Rrasë të Zogut!! Disa i studionin format e tyre, që ndryshonin nga ora në orë. Disa të tjerë iu kushtuan lokalizimit të "çizmeve" pas zjarrit të armikut, meqë ashtu pa lidhëza si ishin, fluturonin në të katër anët ! Një natë, unë dhe një shok me nofkën "Opoja" u desh ta lypim çizmen e djathtë në mes të territ! Meqë ishte vija e parë, ku punonte snajperi ditë e natë, s'guxonim as ta çojmë mendjen te shkrepësat. Më duket që "Opojës" asaj nate iu mbush mendja se isha "spiun i shkive"!! Nëse e lexon këtë intervistë, shfrytëzoj rastin ta përshëndes dhe t'i kërkoj publikisht ndjesë!! Sidoqoftë, të nesërmen më detyruan shokët, nën kërcënim me armë, që ta lëshoj rojen e të zbres në Padesh për t'u pajisur me çizme të reja!!


    PYETJE: Si u organizua beteja e njohur e Koshares e cila njihet si betejë e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar të imponuar nga okupatori?

    FRASHËR OSEKU: Për betejën e Koshares u tha shumëçka në jubileun trevjeçar, e shumëçka do të thuhet edhe më vonë. Për organizimin e planifikimin e betejës le të flasin ata që kanë qenë përgjegjës. Unë asokohe kisha kërkuar lirim nga detyra në Shtab, meqë s'kisha ardhur ne UÇK të luaj me datorë e kompjuter, por që të luftoj. Si ushtar di të them, se e kemi patur me ne elementin e befasisë. Parapërgatitjet kanë qenë jashtëzakonisht intenzive e sekrete, e morali ynë në kulm. Nja një javë para se të thehej kufiri kemi bartur natën, me kuaj e në shpinat tona, qindra kg. grykë zjarri e municion, prej Padeshit e deri te pikat e zjarrit, secila turrë një orë alpinizëm ekstrem para e prapa në titërr të territ, njëra udhë me 20 kg pajisje në shpinë. Unë do të thosha që ushtria Jugosllave s'e ka pritur që ne do të ishim aq të vendosur, sa ta mësyjmë një pikë aq të fortifikuar si Kosharja. Ma merrë mendja që kur ka nisur sulmi, atyre do t'u ketë hyrë tmerri se mos jemi ndonja 12.000 efektiva, ndryshe ku e shtin njeriu kokën në Koshare? Ndihmë të madhe në armatime ka ofruar gjenerali Kudusi Lama e stafi i Divizionit të Kukësit; 8 ton vetëm me një rast konkret që e di unë, e në sajim të planit gjithashtu. Këtë e di, meqë i kam ndihmuar gjen. Lamës me datorët e administratës së tij pikërisht gjatë atyre ditëve. Gjeneral Lama nuk ka qenë vetëm, se do ta hante ujku!! Para dhe gjatë ofenzivës së Koshares, segmente të Ushtrisë Shqiptare dhe të SHIK-ut na kanë mbeshtetur sa kanë mundur. Kjo s'është sekret as për amerikanët, këtë e di vet meqë mua personalisht më ka rënë t'i takoj a t'u përkthej delegacioneve ushtarake amerikane, si në Papaj, ashtu edhe në Kukës. Sa ka qenë vështirë të fitohet beteja e Koshares, aq më vështirë ka qenë të ruhet terreni i fituar më vonë. Shumëkush po thotë sot se luftën e bëri NATO-ja, por ata që thonë ashtu Kosharen e kanë parë vetëm në TV. Njëmend NATO ka bombarduar në koordinim me ne, p.sh. Majen e Pllanikut etj., por ata bombardonin caqet pak më të dukshme . Le të thotë kush të dojë çka të dojë, unë për vete jam i bindur thellësisht që vetëm besa e fortë na i ka ruajtur krahët në përleshje fytafyt nëpër shkurrat, korijet e gurishtet e Rrasës së Zogut (Vdekjes) !!


    PYETJE: Jeni plagosur në luftimet që janë zhvilluar atje. Mund të na përshkruani si ka ndodhur kjo dhe ku jeni shëruar ?

    FRASHËR OSEKU: U plagosa një ditë kur pozicionet tona në Rrasë të Zogut po rriheshin egërsisht nga armiku me zjarr të rëndë artilerik. Një prej predhave aterroi krejt afër meje, besoj që kam shpëtuar gjallë vetëm falë asaj se isha i trusur thellë në transh. Koka m'u rëndua, si t'i kishte 200 kg., e mora me mend që isha plagosur. Qova duart te koka, e pashë që helmeten s'e kisha më. Pashë që duart m'u gjakosën. Kur arrita te zverku, dy gishtat e dorës së djathtë m'u futën në vrimën e plagës. Isha goditur nga ciflat e predhës së rëndë. Raporti mjekësor thotë që kam shpëtuar për 0.5 cm!! Dy shokë, Seferi dhe një Arbeni prej Deçanit, më kanë nxjerrur nëpër flakë të pushkës e me rrezik për jetën e tyre. Ata më kanë fashuar e më kanë tërhequr deri te bunkeri spitalor, në prapavijë të Rrasës së Zogut. Atje u konstatua se kisha cifla edhe në gju. Pastaj jam transferuar në Bajram Curr, ku mjekët kanë hequr dorë nga intervenimi kirurgjik. Me helikopter më kanë bartur deri në Qendra Spitalore Ushtarake në Tiranë, por as aty s'kanë guxuar të intervenojnë kirurgjikisht, aq e ndjeshme ka qenë plaga. Aty më ka ndihmuar intenzivisht Kamber Elezi, efektiv i logjistikës, të cilin e njihja nga Stokholmi.
    Mjekët në QSU kërkonin që të transferohem urgjentisht për shërim në Suedi, por unë refuzoja. S'kisha ende leje me shkrim nga Komandanti im, e s'doja që dikush të thotë: "Dezertoi Frashër Oseku". Kur e pa Kamber Elezaj që unë s'ikë pa leje, u detyrua ta gjejë personalisht Nasim Haradinajn për të më lëshuar lejen. Ata më hypën në aeroplan në Rinas, e prej aty mbërrita në Suedi. Për mua ishte joreal aterrimi në vendin e rehatisë, ku s'ka patur luftë qe 300 vjet. Edhe më joreale m'u duk kur erdhi per vizitë "Papulani", i cili e paskesh lënë vijën e frontit qysh moti! Ai më tregoi buzagaz se si qenka kthyer më të plagosur nga një predhë, meqë ishte dëshpëruar nga "mungesa e intensitetit luftarak në Koshare"! "Papulani", i veshur si zotni, i rruar e i larë, me një buqetë grandioze të luleve në dorë, krejt tjetërfare nga ai "Papulani" i frontit, më tregoi "në besim" poashtu se Zoti paskësh vazhduar ta ndihmojë, tash së fundi duke i dhënë një fitim në llotari, me të cilin u kish kthyer borxhet të gjithë borxhlive!!
    Jam operuar tri herë, secila herë më e vështirë se shoqja, por s'jam ankuar kurrë. Përkundrazi, deri ditën e fundit jam ndjerë keq vetëm e vetëm pse i kam lënë vetëm shokët e njësisë. Kurrë në njësi s'e kam ndjerë mallin e prindërve, madje as të nënës, sa e kam ndjerë mallin e shokëve me të kthyer në shtëpi. Lufta po bëka gjëra të habitshme me psiqikën e njeriut: shokun e luftës po ta bëka më të afërm se familjen e ngushtë.

    PYETJE: Cili ka qenë morali i ushtarëve të UÇK-së, edhe i atyre që të plagosur ndosheshin në spitalin e Tiranës dhe në spitalet tjera?

    FRASHËR OSEKU: Është e vështirë të spjegohet morali i UÇK-së për atë që s'ka qenë aty. Unë kam parë me sytë e mi se si e nxorën nga vija e parë një çun të Drenicës me zorrët jashtë, që vdiq pak momente më vonë! Drenicaku, një zgjatan 2 m që kish ardhur enkas prej Sllovenisë, vdiq duke na truar neve që s'e lamë te vdiste në truallin e Kosovës! Ose, një tjetër çun tjetër që kish ardhur vullnetar nga Gjermania, të cilit ia amputuan të dy këmbët, e i cili qante- jo për këmbët e humbura, por pse ish plagosur as pa arritur bash mirë te fronti! Apo, francezi nga Marsej, që me një këmbë të thërmuar nga predha, vinte bast me mua se cili do të kthehet më parë te njësia e vet!!


    PYETJE: Ndonjë kujtim nga ndonjë luftar i rënë ose i plagosur që nuk mund ta harroni?

    FRASHËR OSEKU: E kam plagë në zemër rënien e Kasim Ukës, shok i ngushtë e ushtar "Delta" në BDV. Ditën e bëja me MKA-në, e natën fleja te "Deltat". Kasimi, që flinte fqi me mua, m'u bë shok i ngushtë. Më çmonte fort pse kisha ardhur vullnetar prej Perëndimit, ndërsa unë e ngacmoja egër pse dëgjonte vazhdimisht "muzikë evgjitësh", dmth të disa mendermethanë këngëtarëve turbofolk shqiptarë! Për më tepër, më brenë ndërgjegja pse s'arrita t'ia përmbush një amanet. Kasimi m'u lut që t'ia blej në Tiranë, ku po veja për mjekim, një qafore ushtarësh, nga ato që e kanë emrin e njësinë e gravuar e që i futen në gojë ushtarëve të rënë për identifikim postum! I dukej e hijshme qaforja ime, që e kisha blerë në Gjermani, "e helbete, ndoshta më hyn në punë një e tillë edhe mua, se Telebingos s'i dihet". Të të bjerë Telebingo ishte eufemizëm fronti për predhat artilerike! Unë s'arrita t'ia blej qaforen, e Kasim Uka ra dëshmor në vijën e parë pa qaforen në qafë!!

    PYETJE: Si e keni pritur çlirimin e Kosovës? Si je ndjerë në Kosovën e lirë në Gjakovë tënde, pas aq shumë vitesh mërgim dhe pas aq shumë gjakimesh për lirinë e saj?

    FRASHËR OSEKU: Lirinë e kam pritur me ndjenja të përziera. Në njërën anë isha foshnjërisht i lumtur. Kisha dhjetë vjet që s'e kisha parë Gjakovën, qytetin e lindjes, e merreni me mend, ju lutem, s'e njoha as Urën e Drinit! Aty më plasën lotët, të lumturisë e të pikëllimit bashkë, e s'kam ndalur së qari deri në Gjakovë!! Në anën tjetër, jam ndjerë njëherit jashtëzakonisht i trishtuar. Gjakovën e gjeta të kallur flakë; gacat ndrinin ende nën hirin e Çarshisë së Madhe, pranë së cilës jam rritur si fëmijë. E ndonëse lufta kish mbaruar qe një copë herë, duke shetitur rrugëve të Gjakovës, më dukej vetja që isha prapë me shokët e njësisë! Aty, diku krah meje, ishin edhe drenicaku zgjatan, edhe francezi prej Marsejit, edhe ai tetovari që vdiq duke kënduar, edhe burimasi që s'kish qejf ta quaja "rugovan"! Aty diku, pranë meje, ishte edhe Kasim Uka, pa qaforen që ma kish lënë amanet, por prapë i qeshur, duke tundur kokën sikur dëgjonte muzikën e vet të preferuar!!
    Amaneti i madh i tij, e i të gjithë të tjerëve, ishte liria e Kosovës.


    PYETJE: Ashtu si në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, edhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare u angazhuan njësoj luftëtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe ju jeni angazhuar në të dhe keni dhënë kontributin tuaj. Në cilën brigadë dhe cilat ishin aktivitetet e saj?

    FRASHËR OSEKU: Në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare vajta kah fillimi i qershorit 2001, drejt e në Brigadën 116. S'më thirri askush, biles kontaktet e vjetra që i kisha pyetur më kishin ndaluar të shkoj, meqë plagët më kërkonin kurim të vazhduar. Po në kokë më ushtonte ende kushtrimi i shokëve të rënë, shokëve nga Tetova që kishin rënë në Koshare. Preva biletën e trenit për në Shqipëri, ku pastaj e kontaktova një zotëri, emrin e të cilin nuk dua ta përmend ende, dhe përmes këtij zotërie pata fatkeqësinë e rrallë të përjetoj aventurën e kalurimit sekret nëpër Sharr, për të dalë ilegalisht prej Kosove për Tetovë! Kjo aventurë përfundoi në të vetmen mënyrë që mund të merret me mend, dmth me rrëzimin tim prej kalit, e rrokullisjen tatëpjetë prej majes e deri te rrëza e Sharrit!! Pas nja dy ditësh mjekim intenziv në një spital të katundit, ku m'u desh të prezentohem si druvar jashtëzakonisht i pashkathtë, u tërhoqa, kësaj radhe me veturë e jo me kalë, deri në Prizren. Aty e gjeta mundësinë që të futem brenda në IRJM me një grup shqiptarësh të Gostivarit. Kjo mundësi m'u duk edhe fort më komfore se ai stili kauboj i Sharrit. Sipas këtyre miqve gostivarasë, ne do t'i binim maleve "tërma", term ky që unë e interpretova si "teposhtëze e lehtë". Tek kur ishte tepër- tepër vonë për të ndërruar mendje, m'u spjegua prej disa gostivarasve humoristë, se fjala "tërma" do të thotë "përpjetëze", përpjetëze e llahtarshme! Më konkretisht, plani i gostivarasve paskësh qenë ta kapërcejnë Korabin, pra, malin e Korabit, 2751 m nivel mbidetar!
    Aventura ime e Korabit, ndonëse plot peripeci, përfundoi më mirë se ajo e kalurimit nëpër Sharr. Sot jam thellësisht i bindur se kjo varet nga ajo që në Korab u besova dy këmbëve të mia, e jo katër këmbëve të kalit. Kjo s'do të thotë që unë ua rekomandoj Korabin turistëve. Në ato lartësi marramendëse, unë pata fatkeqësinë te provoj për herë të parë se si ndërrojnë katër stinët e motit brenda një dite të vetme. Le që kjo s'preferohet për turistë, por mund t'ju siguroj se nuk preferohej as prej ushtarëve! Kushedi, ndoshta pikërisht kjo edhe ishte arsyeja pse s'hasëm askund në gjurmë të ushtarëve sllavë!!
    Me të ngjitur në Korab, mora vesh që grupi gostivaras e paskësh emrin Brigada 116 "Xhemë Gostivari". Ajo drejtohej nga Tahir Sinani, epror ushtarak profesionist nga Tropoja, me përvojë luftarake nga Kosova e nga Lugina e Preshevës, e zëvendëskomandant Shpëtimin, me nofkën "Vjosa", vlonjat e epror profesionist me përvojë nga Lugina e Preshevës. Rreth 1/5 e efektivit ishin kosovarë; mund të ketë qenë aty-këtu ndonjë më tepër, mua s'më kanë akuzuar kurrë si gjeni të matematikës! Aty kish edhe ekzemplarë të rrallë, si kushërinjtë Marku e Mirashi prej Anamalit, të lindur e të rritur në Detroit të Amerikës, për të cilët kjo ishte lufta e tretë, pas Kosovës dhe Luginës së Preshevës!
    Brigada 116, brenda një afati rekord që do t'a kish lënë pa gojë edhe Hanibalin (2-3 orë pune, nëse mund ta quajmë punë një shëtitje të rehatshme) i zuri pikat strategjike në Tanushë, Grekaj, Nivisht dhe Rimnicë, duke e kurthuar kryeurën ushtarake qeveritare Mavrovën, pika e dyte strategjike në shtet!
    Lufta në IRJM ishte si stërvitje fushore në krahasim me Kosharen. Kjo për shumë arsye, e pikë së pari pse për të luftuar zakonisht kërkohen së paku dy palë. Ndërsa mund të them me plot gojën, se në këtë luftë pala sllavomaqedonase mundësisht kish ide fort origjinale se si bëhet lufta, meqë s'i pamë asnjëherë në fushë të betejës. Me një përjashtim! Kur iu afruam Nivishtes, pala qeveritare hapi një zjarr të hapërdarë mortajash 80 mm kundër avantposteve tona. Meqë ne i kishim zënë kuotat tona, urdhëri erdhi që ta presim në heshtje sulmin këmbsorik. Por, prit një orë, e prit tri, këmbësoria sllave s'paskesh qenë në forme as atë ditë, e zjarri i mortajave, ndonëse binte në largësi komfore, megjithatë zu të bëhej paksa monoton pas 2-3 orësh! Atëherë, me shumë lutje e rixha, iu mbush mendja t'ia bëjë bam edhe zvkom. Shpëtimit. Ai shkrepi një mortaje 80 mm drejt kuotes ku ish raportuar se ekzistonte pika armike. Vëzhguesit raportuan se predha ra një metër para pikës! Pastaj se qeveritarët ishin shpartallosur e se po grindeshin mes veti! Dhe në fund krejt, për pikëllim të madh të zvkom. Shpëtimit, se ata po e braktisnin pikën me ç'kishin! Pikëllimi i zvkom. Shpëtimit nuk ishte i shtirur, por përnjemend. Ai kish ardhur të bëjë luftë, e çfare lufte është ajo kur armiku ia mbath ende pa kërsitur mirë?!! "Pfu, derrat! Ta dija se ishin kaq të pabesë, qafirat, s'do të kisha shtënë fare, pështynte zvkom Shpëtimi! Zvkom. Shpëtimi u qortua për këtë incident fatkeq, më sa mora vesh më vonë, edhe nga vetë kom. Tahir Sinani!
    Tahir Sinani do të mbetet në kujtesë si udhëheqës karizmatik, i urtë, trim e i aftë !!
    Në mbrëmjen e të njëjtës ditë morëm vesh nga radioja qeveritare se pika armike qenkesh sulmuar nga nja 500 terroristë gjakpirës me armë të të gjitha kalibrave!! Sidomos interesant për ne qe lajmi se qeveritarët kishin arritur të na dërmojnë, duke vrarë e plagosur nja 10-20 prej nesh, që ishin gënjeshtra. E vetmja ngjarje e hidhur që e prishi karakterin rreptësisht stërvitor të kësaj fushate qe vdekja tragjike e kom. Tahir Sinanit me disa bashkëluftëtarë. Kur ndodhi ky rast, unë isha nja 50 m tutje. Vdekja e Tahir Sinanit me shokë u shkaktua, nga nje aksident tragjik. Me sa duket, kom.Tahir Sinani ishte mërzitur nga inaktiviteti në terren dhe kishte vendosur t'ua luajë ndonjë lojë qeveritarëve. Një nga truqet e preferuara guerile ka mbetur mbushja me trotil e mbajtësve të ndryshëm. Duket se për shkak të defekteve të brumit shpërthyes, ose të ndërlidhjeve, një mbushje e tillë i ka shpërthyer në dorë kom.Tahirit! Ai do t'i mbetet në kujtesë tërë atyre që patën privilegjin të komandohen prej tij si udheheqës karizmatik, i urtë, trim e i aftë. Ndonëse gostivarasit brez pas brezi i kanë kënduar Xhemë Gostivarit, një hero i tyre lokal që i ka mbrojtur shqiptarët e atjeshëm prej hordhive sllave gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetë gostivarasit vendosën që emri i Brigadës 116 të ndërrohet nga "Brigada 116 Xhemë Gostivari", në "Brigada 116 Tahir Sinani", kjo flet mjaft për respektin që kishte fituar ushtaraku tropojan te Gostivarasit.
    Nga Ushria Çlirimtare Kombëtare u demobilizova pas nënshkrimit të ujdisë së Ohrit. Gjatë kthimit m'u desh sërish t'i vej Korabit "tërma", dhe për më tepër disa dashakeqës më detyruan kundërvullnetshëm që këtë udhë ta bëja sërish kaluar! Por, kësaj radhe, o kishte qëlluar kali më pak hajvan, o unë isha mbushur pak me tepër mend, kështu që shpëtuam të dy, unë e kali i shkretë.

    PYETJE: Cilat janë disa nga mbresat që në ty kanë lënë gjurmë të pashlyeshme gjat aktiviteteve çlirimtare?

    FRASHËR OSEKU: Paj, një pjesë të mbresave i kam trupore, e më kujtohen çdo ditë. Plaga që kam në kokë s'do të bëjë më mirë kurrë, po duhet të marr barëra çdo ditë. Sidomos kur ndërron moti, ato plagë më kujtojnë me forcë të llahtarshme se çdo gjë e ka çmimin e vet, e se unë kam patur fatin të shpetoj me një çmim fort, fort të lirë. Në anën tjetër, i kam mbresat shpirtërore. S'do të mundem t'i harroj kurrë ata shokë me të cilët kam patur privilegjin të njihem në kushtet çfarë t'i krijon lufta, e të cilët me mua e kanë ndarë kafshatën e bukës, besimin në fitore, e shpresën e hollë të mbijetimit. Edhe pas tri vjetësh ndodhë që të zgjohem netëve i djersitur, e të shoh me gëzim e pikëllim njëherësh që s'jam në transhet e Rrasës së Zogut. Dhe kaq mund të them për vete, se për tjerët s'flet dot njeriu. Sikur të ketë nevojë, unë me këto kokrrat e mia, prapë atje do të jem. Po të kthehej koha mbrapa, unë prapë të njëjtën rrugë dhe të njëjtat rreziqe do t'i përballoja. Mos na raft me u përsëritë.

    Faleminderit Frashër. Të dëshirojmë të gjitha të mirat në jetë!

    FRASHËR OSEKU: Falemnderit edhe juve, përshëndes lexuesit e "Epokës së re" dhe redaksinë, mund t'ju them se edhe në frontet e luftës në Maqedoni ju kemi lexuar dhe na keni pëlqyer.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    e vetmja lufte qe ka ba qyky frasheri asht prishja e kompjuterave te Farkut me zellin e nji arkani.. sepse si i shplam trush ai Farkun e konsideronte armik qe duhet vra e duhet plackit e meqense ai din per kompjutera.. at pun ka dit me e ba mire.. me ja shkatrru kompjuterat eprorave te farkut.. te cilet (Farkistat pra ) ne shqiprine e Klos Nano Mejdanave jane ndjere si cifutet ne gjermanine e viteve 40 te Hitlerit.. e ne kto kushte zagari i nasim haradinit e milaim zekes asht ba trim e u ka punu sa ka mujt qindin atyre te mjereve..

    ndoshta si enverist qe eshte koktrashi Frasher osek edhe mund te ket ba dhe "lufta" tjera.. psh ndoj plumb mbas shpine ndoj luftari shqiptar te Farkut me urdher te ndoj milaim zeke a nasimi ..

    Farku do mbetet i Lavdishem sepse ishte ajo force qe i duhej Popullit.. sepse i bindej jo shtabeve enveriste kanibale te zgedhura nga Klosat e Mejdanat e nanot e kulisave te zeza.. qe per luft kishin llapushnikun e Pojaten.. e kallashet kunder Drinave e Ahmetave.. por i bindej Institucioneve qe kishte miratuar Populli i Kosoves..

    dhe anti -Farkistet jane elementi ma destruktiv e ma anti kombetar qe ka pas ndoj here Kosova.. e ne kte hordhi ben pjese osek skiptari me osek frasharin..


    dhe tradhtia me e rende qe eshte bere ne Kosove eshte perdhunimi i Farkut nga dautet enveriste kanibale dhe perdhunimi i Emrit te Farkut nga Tutsat (te friksuarit) ne LDK qe kan kapitulluar para kanibaleve.. shum pa burrnisht..

    asnji luft ska ber osek frasheri..

    Te intervistosh frasherin per Betejen e Koshares eshte si te intervistosh at shitsin e akulloreve para fakultetit se si ka qen testi i matematikes..

    te dy jan te "sakte" shume..

    hajde epok zeza hajde.. kanibalet jan te paturpshem..




    qashtu..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 13-08-2006 më 00:56

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528
    O Brar-i , se kush është familja Oseku nga fshati Osek Hylë - rethi i Gjakovës atë të gjithë Dukagjini e dinë .

    Prandaj nuk është e rastit shoqëria e Frashërit me nesimin ( spiun në armatë ), mehmetajn ( spiun midis punëtorëve Shqiptar në Slloveni ) e të tjerët bashkëpunëtorë të udb-së ish jugosllave .


    Mos e ço më tutje fare , Frashëri vet tregon se ka qenur i përgojur nga vetë ushatrët gjatë kohës së luftës ( në front ),për komunist e spiun .

    Mandej vetë vrasja e Kom. Agim Ramadanit dhe Kom. Sali Çekut ka lidhje me këtë treshe :- Frashër Oseku , nesim dhe jakupi i paspaortave të Malishevës .

    Nuk i është afruar kot Agim Ramadanit Frashëri JO ,o Brar .
    Dhe kot sot nuk flet fjalë miradie për te ,se don me shpërlarë një m.... me shurë :

    E sheh që askundi nuk e përmendi Kom. Sali Çekun ,se i fryn prapanica nga Dukagjinasit Frashërit e Shefkiut .

    Po ashtu edhe në frontin e luftës në Iliridë - maqedoni u vranë mu komandantët më të mirë -si çudi mu pasi Frashëri shkoi në këtë front !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!







    Sa për kureshtje , desha me e pyetur Frashërin se :-
    ku jetojnë sot kushëritë e tij të parë Mushk Oseku me gjithë të vëllanë e tij ,e sa koka , këmbë , duar e boshte kurizi iu thyen shqiptarëve në kafen e tyre midis Osek Hylës po nga Mushk Oseku ,vëllai i tij e udbashat sërb ???!!!.

    Të cilët Osekë i kanë bërë dame e zullume shqitarëve , sidomos rethit të Gjakovës dhe Deçanit që në kohën e rankoviçit edhe gjat luftës së fundit në Kosovë , më shum se sërbët - rankoviç e milloshi vet ???!!!


    Ai iu ndihmon Frashëri ,Shqiptari e Shefkiu me nga ndonjë çek andej nga midisi i shumadisë së sërbisë këtyre kushërive të vet ???!!!.
    Ndryshuar për herë të fundit nga DriniM : 13-08-2006 më 22:11

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e brigada138
    Anëtarësuar
    06-06-2005
    Vendndodhja
    ZÜRICH
    Postime
    89
    Frasheri gjithqka qe ka treguar rreth betejes se koshares eshte mese e verete,i uroj Frasherit shendet dhe gjithqka te mire ne jete,nga nje ish bashkeluftetar nga opoja,
    FAKTET JANE KOKEFORTA

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    10-02-2006
    Postime
    102
    Citim Postuar më parë nga brigada138
    Frasheri gjithqka qe ka treguar rreth betejes se koshares eshte mese e verete,i uroj Frasherit shendet dhe gjithqka te mire ne jete,nga nje ish bashkeluftetar nga opoja,
    brigada138

    per me sqaru luften e uck ne Koshare dhe pashtrik
    hape ket link dhe lexoje edhe nje interviste tjeter
    qe e ka publikue ketu llapi.
    tung

    http://www.forumishqiptar.com/showpo...&postcount=273

Tema të Ngjashme

  1. Gjergj Kastriot Skënderbeu
    Nga Arbushi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 434
    Postimi i Fundit: 18-09-2022, 06:57
  2. E vërteta e betejës së Mushqetasë
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-11-2006, 11:43
  3. Nektari I Vulosur I Xhennetit
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-04-2006, 10:47
  4. Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 14-03-2006, 14:53

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •