Vendimi do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit të vendimit në fletoren zyrtare
Shqipëria vendos marrëdhënie diplomatike me Afganistanin
TIRANË- Shqipëria do të lidhë marrëdhënie diplomatike me Republikën Islamike të Afganistanit. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr. 9 095, datë 03.07.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi dje lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Afganistanit. Ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit të vendimit në fletoren zyrtare. Deri më tani, në Afganistan Shqipëria kishte dërguar vetëm trupa ushtarake si pjesë e koalicionit ndërkombëtar antiterror, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria kontribuon me një trupë ushtarake prej 22 paqeruajtësish. Ata janë efektiva të Batalionit special “Komando”. Detyra e këtyre trupave është ruajtja dhe sigurimi i aeroportit të Kabulit. Misioni i paqeruajtësve shqiptarë në Afganistan, ka nisur me vajtjen në Turqi më datë 5 gusht 2002. Kryerja e misionit për këto trupa është për një periudhë 6-mujore me të drejtë përsëritjeje, sipas kërkesës së autoriteteve shqiptare. Ndërsa me vendimin e djeshëm, Shqipëria do të radhitet së shpejti në ato vende që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike zyrtare me Republikën Islamike të Afganistanit. Për zbatimin e këtij vendimi do të merret Ministria e Punëve të Jashtme.
N.P. - Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt