Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 1
  1. #1
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    Lightbulb Si u zbuluan organizatat “terroriste”

    Si u zbuluan organizatat “terroriste”


    Marjan Lumçi



    4 mars 1946
    Pushkatohen
    Atë Gjon Fausti,
    Atë Daniel Dajani,
    Patër Gjon Shllaku,
    Seminarist Mark Çuni
    .. e shumë të tjerë..


    Është periudha kur pushteti komunist ka tashmë mbështetjen e fuqishme të Stalinit, dhe, madje rekomandimin që të bashkërendojë veprimet e të zgjidhë problemet e veta me Jugosllavinë “motër” të Titos. Flirti e miqësia mes dy shteteve don edhe provat e sakrificat e veta. Sapo është marrë pushteti, janë zgjedhjet e para të mbas luftës dhe në udhëkryqin e sapokrijuar, pushteti komunist ndodhet para dy problemeve. Në radhë të parë kërkon medoemos që ata të dalin ashtu si don ai, pra afro njëqind për qind, rezultat ky i çdo diktature. Thënë shkurt, nuk ka kundërshtarë politikë, nuk ka mendim ndryshe, nuk ka tjetër veç idhëtarë të ideologjisë komuniste, (me përjashtim të gjithë atyre që në se mendojnë e votojnë ndryshe, nuk janë tjetër veçse armiq të popullit, të pushtetit e të gjithkujt tjetër në ketë vend). Këtë radhë armiqtë kryesor i gjen në Seminarin Jezuit, në Kishën Françeskane dhe tjerë nxënës të shkollës dhe besimtarë katolikë të qytetit të Shkodrës. Janë gjithësejt 30 në kafazin e gjykimit, prej të cilit rreth 6 prej tyre do të pushkatoheshin tek Zalli i Kirit. Ti përcjellim ata drejtë çastit të fundit…

    Drejtë Pushkatimit:
    “Udhëtimi në kamionin e vdekjes nga burgu deri tek varrezat e Rrëmajit pranë qytetit ishte relativisht i shkurtër. Nuk u dridhej buza, nuk u ngushtohej zemra. Udhëtonin të qetë drejt amshimit - përjetësisë” - do të dëshmonte Dom Tom Lacaj, i lejuar për shërbimet e fundit fetare që më vonë edhe ai do të përfundonte në burg.
    Të rreshtuar pranë njëri-tjetrit, lidhur dorë më dorë si një kurorë ku gërshetoheshin zhguna e veladona, rregulltarë e besimtarë puthën kryqin e shëlbimit dhe shqiptuan fjalët e fundit”.
    ... Ishte agimi i përgjakur i 4 marsit 1946. S’ishte e para herë që në orët e para të ditës, në të zbardhur, në qytetin e Shkodrës dëgjoheshin të shtënat e pushkëve me atë ushtimën e shurdhët që japin plumbat e rënë në trupin e njeriut. Komunistët e kishin bërë zakon që t’i zbatonin vendimet me pushkatim pikërisht ato orë kur shtetasit ishin në gjumë që do t’i zgjonte trembshëm kjo batare makabër e ankthi i saj do t’i bënte të rrinë urtë atë ditë e të tjera më pas... E... batareja e grupit ekzekutues, plumbat e Plotonit me yll të kuq këputën zërin e tyre...
    U rrëzuan duke njomur edhe një herë me gjak atë tokë që me gjak ishte lagur prej shekujsh e që fatkeqësisht me gjak do të vazhdonte të ushqehej edhe më tej. Gjaku i tyre shkroi edhe një rresht në analet e shtatë shekujve histori të përgjakshme.
    Binte shi si donte Zoti vetë... në baltë e shi, kush deshi, mundi të dallojë në një grumbull kufomash frat e jezuitë, të krishterë e seminaristë - ishin martirët e Kishës Katolike në Shqipni.
    Dikush pa u kujtuar - kujton At Danjel Gjeçaj, lagu një shamì të bardhë të mëndafshtë në gjakun e Padër Gjonit për ta ruajtur si relike. (Është Dom Ejell Deda që shpejt edhe ai do të përfundonte me vdekje në burgjet komuniste) Ishte shenji i kishës nën dhe, që priste sërish ditën e ngadhënjimi, që do të vononte. Por edhe pse vonoi shumë i ruajtën reliket (syzet e At Faustit që ja morën në vendin e pushkatimit, enët e Mark. Çunit me të cilat kishte ngrënë në seminarin e jezuitëve) dhe edhe më shumë ruajtën të skalitur në shpirt kujtimet e trishta të asaj ngjarjeje dhe atë atyre ditëve. “Sanguis Martyrum Semen Christianorum - Gjaku i martireve fara e të krishterëve të rij” -kishte thënë shekuj më parë Shën Injaci i Antiokisë dhe gjaku i martirëve mbillte farën e krishterimit edhe në shekullin e XX nën komunizmin ateist.
    Të nesërmen gropën e kishin hapur natën, fare pranë shtratit të lumit Kir, në zall, që pas shirave të vjeshtës do ta mbulonte uji...
    Me kohë, Kiri i fryrë, do të kenë menduar Neronët e rinj do t’i merrte eshtrat e do t’i treste në det... S’e dinin ata se duke i dënuar e zhdukur fizikisht i shërbenin shpirtit dhe ideve të tyre, i nderuan emrat dhe i vërtetuan mendimet...
    S’e dinin ata se me këtë që bënë, tokës shqiptare, lumit Kir, detit e brigjeve tona i bënë nder, i shenjtëruan ata me këtë relike të martirëve arbnor...
    Erdhi pra koha që s’e bënë dot të huajt ta bëjnë shqiptarët “me shpirt e me zemër të huaj” - shkatërruan kulm e themel provincat fetare shqiptare. Kthyen në magazina, teatro, kinema e pallate sportive kultet e shenjta duke dhunuar deri tempuj e varre.
    Por as në këtë rast ju nuk i latë marre vetes. Vdiqët, ashtu si ju patën vdekur të parët, me Zotin e Shqipërinë në zemër.
    Ikët Ju, njerëzit e ndershëm të fesë e të dijes, duke lënë një shembull të pashoq edhe ndaj vetë inkuizitorëve tuaj.
    Me besimin e madh në Zotin ditët Ju t’i tregoni botës se brenda atyre zhgunave të murrta fshihej një shpirt aq i bardhë.
    Ikët si burim drite për ta lënë Shqipërinë edhe 50 vjet të tjera në errësirën e thellë të natës së gjatë komuniste. Ndaj sot më shumë se kurrë e ndjejmë nevojën Tuaj pse mjerisht askund më tepër se në errësirë nuk lypet drita.
    Duke lexuar fjalët Tuaja në ato arkiva të zymta më dukej sikur po jetoja me Ju çastet e fundit...
    Por mjerisht ishte vonë... Ata e kishin bërë me kohë punën e tyre ndaj mua s’më mbetej tjetër veçse të rendisja këto fjalë e këto rreshta për t’jua hedhur si lule të freskëta mbi varret Tuaja të humbura atje tek Zalli i Kirit të largët.
    Me qëndrimin Tuaj stoik e kristian Ju keni për t’i dhënë shembull e guxim brezave që vijnë. Dhe keni për t’i dhënë edhe një mësim të mirë. Pse të gjithë e kanë një detyrim ndaj Jush - edhe ata që Ju ndoqën, hetuan, dënuan apo ekzekutuan, por edhe ata që Ju shanë, duartrokitën, fyen e pështyn e deri edhe ata që heshtën. E ky mësim do të jetë i mirë edhe për Ty Populli im.
    Pse nuk të mjaftoi përvoja e hidhur e hebrenjve me thirrjet që të kryqëzohej Krishti e të falej Baraba, por do të duhej që edhe pas dymijë vjetëve, në zemër të Evropës, të thirrje për pushkatimin e Faustit e sa e sa martirëve të tjerë, për të lënë të jetojë e të sundojë Enver Hoxha, Aranit Çela e Barabat e tjerë komunistë... Dhe rezultatin e more...
    Prandaj të gjithë duhet të bëjnë “mea culpa-n” e vet sepse edhe pse në moshë të shtyrë do të ndjehen më të lehtësuar në vitet që u kanë mbetur.
    Hipokrizia, smira dhe urrejtja janë vese që të bëjnë vegël në atelienë e të ligut, argument në gojën e shpifësit e shpatë në dorën e diktatorit e të kthejnë në fajtor njëlloj si edhe vetë ai.
    E këtë që Ti s’e kuptove as pas 50 vjetësh, Fausti me shokët e tij e ditën që atëherë, dhe e thanë që të të shpëtonin Ty, por Ti u tregove mosmirënjohës ndaj tyre.
    “Diktatorët - thoshte At Gjon Shllaku, janë shëmtimi i vetvetit e marrja e të tjerëve që i adhuruan. Namë për së gjalli e rrëshqanë për së vdekuri, tash e parë të dështuar (Gjin Shpata - Hylli i Dritës 1944 numri 2 faqe 1 - Titulli: Idhujt që do të rrëzohen). E mjerisht u deshën 50 vjet vuajtje e rrënim që Ti - populli im të kuptoje At Gjon Shllakun e të merrje rrëshqanë gjigandin e zi të bronzet me kopilçat e vet në mbarë Shqipërinë, pra të provoje profetësinë e Tij. E natyrisht e keqja që shihet nga të gjithë, është parë tepër vonë.
    Trimëria e nderi juaj ndër të gjitha peripecitë që kaluat do t’i provojë brezave se mëria, hakmarrja e lufta e klasave nuk i sjell kurrë dobi e të mirë njerëzimit. Ata do t’i tregojnë atyre me shembull se besimi në Zotin dhe morali i shëndoshë mbetën ligji i të gjitha kohërave e të gjitha vendeve dhe jo vetëm që s’janë kurrë në kundërshtim me parimet e drejta të Atdheut e pengesë e lirisë e lumturisë së njeriut, por përkundrazi janë të pandashëm nga njëra-tjetra.
    Fe e Atdhe - ky binom që ju shoqëroi ju gjithë jetën e Ju dha forcë të qëndroni para vdekjes është e do të jetë i patrandshëm edhe për kohët e brezat që vijnë pas. Se shpirti vërtet ndryshket, shkelet e lodhet nga diktatorët, por ai nuk shlyhet kurrë siç e provuat Ju - modeli i këtij shpirti të pashlyeshëm në holokaustin që kaluat. “Më mirë të thyhesh se të përulesh” e këtë e ditët dhe e bëtë Ju fare mirë.
    Edhe pse ju mbytën, me qëndrimin e veprën Tuaj, Ju mbetët lisa të parrëzuar e të pavdekshëm ndër shekuj e sot ngriheni edhe më lart, më madhështorë se kurrë përballë atyre “krimbave” që u munduan t’ju shkatërrojnë - in Odium Fidei (në urrejtje të fesë).
    “Po vdes si i krishterë i penduar e si liberal i papenduar - do të thoshte Lacordaire”.
    Edhe ju vdiqët si të krishterë të penduar (pse para Zotit lyp mëshirë gjithkush)
    por si antikomunistë të papenduar.
    Vdiqët Ju si të krishterë, pa pasur pse të pendoheni se ishit për Shqipërinë e shqiptarëve dhe megjithëse me vonesë, koha ju a dha të drejtën.



    PS. Ne foto: Ate DANIEL DAJANI dhe Ate GJON FAUSTI.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

Tema të Ngjashme

  1. Nibiru, planeti i 10 dhe viti 2012
    Nga Darius në forumin Shkenca dhe jeta
    Përgjigje: 219
    Postimi i Fundit: 16-04-2012, 16:29
  2. Kritika e veprës së Aristidh Kolës
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 127
    Postimi i Fundit: 06-01-2010, 05:40
  3. Disa prej “te vertetave “ me medha qe nuk u zbuluan kurre
    Nga YlliRiaN në forumin Grupmoshat e komunitetit
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 27-12-2008, 12:14
  4. Shkenca vs. Fesë
    Nga Redi në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 163
    Postimi i Fundit: 02-12-2004, 19:05
  5. Kulmi - një keqinterpretim i madh.
    Nga qerosi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-05-2004, 08:27

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •