Jezusi tha: “Ai që kërkon do të gjejë, e kush troket dera do t’i hapet”



Ida Vodica



Përdora këtë shprehje të Jezusit, për të nisur këtë rrëfim timin, jo pa qëllim…

Jam lindur në vitet ‘80, në një kohë kur feja quhej “opium” për popullin… Atëherë kur besimi tek Zoti qëndronte i fshehur brenda mureve të shpirtit të atij që besonte vërtet në Zot e në Krisht, sikurse ishin gjyshërit e mi. Unë thuajse e kisha të pamundur të mendoja dhe të kuptoja se të qënit i pagëzuar, të besosh në Zot dhë të lutesh për të mirën tënde, të familjes tënde dhe njerëzve që të rrethojnë e takon çdo ditë, do të bëhej pjesë shumë e rëndësishme imja. Jam e bindur se nuk do të arrija të dëgjoja me aq kurreshtje dhe dëshirë mbi Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, nëse nuk do të shkoja rregullisht në kishë, të merrja pjesë në meshë dhe të kuptoja se të qënit besimtar mbi të gjitha ka të bëje me shpirtin tënd dhe jo me atë çfarë do që të dukesh në një rreth besimtarësh.
Unë kërkova dhe gjeta besimin, unë trokita dhe dera u hap… Është shumë e rendësishme për këdo, që besimin ta ndjej brenda vetes së tij, lutjen ta bëjë brenda vetes së tij dhe shtirja të mos eksistojë kurrë kur je në shtëpinë e Zotit, në të cilën nuk je vetëm.
Por nëse do te isha ulur në një tavolinë me shumë miq e shokë dhe do të tregoja se vërtet, të besosh është bukur dhe të ndjesh se përveç familjes tënde e cila të do dhe të mbron pa kushte, mbi ty ka një Zot i cili ndjek dhe udhëheq çdo hap tëndin nëse e lejon të hyjë brenda teje, nuk do të kuptohesha plotësisht prej tyre. Ndoshta mund të duket e veshtirë që në një apo dy biseda unë të dëshmoj përpara tyre se ç’ndjesi provon njeriu kur beson dhe kupton që nuk është më vetëm. Shkoj çdo të djelë në kishë, ndjek katekizmin, dhe jam në prag të pagëzimit.
Unë kërkova dhe gjeta besimin, unë trokita dhe dera u hap…
Feja dhe besimi është kulturë, e cila në një vend si Shqipëria e pas viteve ‘60, i’u “mohua” çdo besimtari. Në ditët e sotme objektet e kultit po mbushen nga njerëz të cilët më parë luteshin në një dhomë më vete në shtëpinë e tyre, fshehtas syve të familjarëve. Tani ata janë të lirë të shkojnë në kishë dhe të luten në shtëpinë e Zotit, e cila është e madhe dhe ka vend për të gjithë. Megjithatë shihen pak të rinj të cilët siç mund të kenë trashëguar nga prindërit e tyre shumë të mira e virtyte, të kenë trashëguar dhe dëshirën për besim e përulje përpara Zotit, apo të kenë njohuri mbi fenë dhe besimin. Do të doja shumë që të arrija të transmetoja tek çdo i ri këtë ndjesi dhe këtë dashuri që të krijon besimi dhe ndjekja e hapave që të çojnë drejt një konsolidimi shpirtëror të pastër dhe pa interes. Duhet të gjejmë kohën për të hyrë në raport me Zotin, dhe ta lejojmë atë të hyjë tek gjithsecili prej nesh, në çdo grup shoqëror dhe në çdo komunitet. Është shumë bukur dhe vërtet jam shumë e lumtur dhe e kënaqur që vendosa të ndjekë një rrugë të tillë dhe të mësoj se dashuria dhe mirëkuptimi mes njerëzve duhet të kalojë përmes Zotit. Duhet të arrijmë të jetojmë raportin tonë me Zotin me liri dhe pa ndikime, pa paragjykime duke mos e konsideruar asnjëherë se krishtërimi apo feja është ideologjizëm apo moralitet. Këtu duhet të bazohet liria jonë në të besuar.
Dhe atëherë do të kuptojmë se fuqia e Shpirtit Shenjtë do të rrjedhë në çdo rrethanë të jetës sonë: në familje, në punë, në shkollë, në kohën e lirë e kudo.
Unë kërkova dhe gjeta besimin, unë trokita dhe dera u hap…