FUNERALI QË SOLLI SHUMË VIKTIMA

Imzot Gaspër Thaçi



Ishte vetëm një funeral, por kishte një domethënje të madhe…e, edhe një ndëshkim edhe më të madh. Përmes atij funerali, Shkodra donte ti tregonte diktaturës se: “Nuk e donte komunizmin, nuk e donte diktaturën dhe ateizmin e saj”, ndërsa pala tjetër do ti tregonte Shkodrës, se ai mendim, ai qëndrim, në diktaturën e proletariatit kishte një ndëshkim të rëndë.
Nuk mund të numërohen viktimat e atij funerali, sa të burgosur, sa të martirizuar e të pushkatuar, sa të vrarë në kufi gjatë arratisjes e ndër qelitë e sigurimit gjatë masakrimit të tyre, sa të rinjë e gjimnazistë por edhe sa klerikë e deri pleq, si romancieri i parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, që aso kohe ishte jo më pak se 80 vjeç dhe “shëtitej “rrugëve të Shkodrës me një armë në krah për diskreditim…


Le të ndalemi pak tek vetë ngjarja, pra tek funerali:

25 MAJ 1946:
VDES NËN ANKTH IMZOT GASPËR THAÇI


Ka lindur në Shkodër me 23.I.1889 në familjen e dëgjuar shkodrane të Thaçëve. Shkollën fillore dhe të mesmen i kryen në qytetin e lindjes në Kolegjin Saverian dhe më tej në Seminarin Papnor.
Më 1908 dërgohet në Austri për të vazhduar studimet në teologji dhe filozofi në Innsbrucck me dy kolegët e Tij Dom Gaspër Gurakuqi e Dom Mati Fishta. Kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar në Shkoder. Me 21.IX.1911 kremton meshën e parë dhe shërben si famullitar në dioqezën e Sapës në Nënshat, Dajç e për dy herë në Qelëz si famullitar në fshatrat e Pukës deri në vitin 1926. Nga ky vit shërben në Zadrimë deri në vitin 1929, vit në të cilin caktohet famullitar në Katedralen e Shkodrës.
Si klerik dhe atdhetar i spikatur kur ishte famullitar në dioqezën e Sapës, Qelzën e thellë malore, do të ngrinte flamurin e Shqipërisë me 8 dhjetor 1912.
Ka qenë këshilltar dioqezan dhe delegat ipeshkvnor.
Në vitin 1930 vjen famullitar në Shkodër. Mbas sëmurjes së Imzot Lazër Mjedës, me 19.III.1936 së bashku me Imzot Vinçenc Prennushin O.F.M. shugurohet arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Metropolit i Shqipërisë nga Delegati Apostolik Imzot Gjon Della Pietra, në Katedrale. Është Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezit të Shkodrës dhe famullitar i saj që aso kohe kishte afro 15 mijë katolikë e afro 50 meshtarë (rast i rrallë po të krahasohet me çdo qytet tjetër). Ka sekretar model kulture e pune Dr. D. Tom Lacën. Me këtë funksion Imzot Thaçi shërben nga viti 1936 deri në vdekjen e tij, në fund të vitit 1946, në Shkodër.
Si famullitar, organizon shumë konferenca e pretke dhe drejton Komitetin per kremtimin e Shën Ndout, të Shën Luigjit dhe 700 vjetorin e Shën Françeskut.
Si arqipeshkëv, ndihmon në ndertimin e kishave ndër të cilat atë të Bërdicës, kishën e Rusit, Kapelen e Varrezave, shuguron elterin e Shna Ndout në Kishën Françeskane, ndihmon në botimin e revistave si “Kumbona e së dieles” etj.
Lë përshtypjet më të mira në autoritetet e vendit e të huaja që takohen me të. Nuk i del në pritje Mehmet Shehut, kur erdh për vizitë në Pallatin e Arqipeshkvisë, ditën e Pashkëve, një javë mbas pushkatimit të Dom Ndre Zadejës.
Mbrojtës i zjarrte i Fesë dhe idealeve të Tija, politikan e diplomat në kushtet e vështira që jetoi, shkëlqeu kurdoherë në dobi të Fesë dhe të kombit.
Është Arqipeshkëv i Shkodrës dhe primat i Kishës Katolike kur komunistët marrin pushtetin në Tiranë. Së bashku me Imzot Prennushin, thirret nga Enver Hoxha që i propozon të këpusin mardhënjet me Romën dhe ata e refuzojnë. I vendosun në rezidencë nën kontroll, e në kushte izolimi, të thuash arrest shtëpije për vete, asiston i pafuqishëm ndaj arrestimit të priftërinjëve, ekzekutimin dhe eleminimin e urdhërave fetare, për mbledhjet që ishin bërë e drejtuar prej Tij. Por duke u shtrembëruar e veshur me pabesitë komuniste.
E dinin se ishte i sëmurë, e megjithate policia vinte çdo ditë per t’a pyetur ose kalonte në zyrën e tij. Presioni dhe ngjarjet e kobshme të periudhës, kërcënimi e pushkatimet e kolegeve të tij, Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Atë Anton Harapi e mbi të gjitha pushkatimet në masë të datës 4 mars 1946, me Atë Gjon Shllakun, Faustin, Dajanin e sa të tjerë civilë, bëhen shkak të rëndimit të menjëhershëm të gjendjes dhe të vdekjes së tij.
Vdes në ato kushte tmerri e terrori që jetonte qyteti i Shkodrës e posaçërisht Kleri katolik shqiptar, mbasi vuante edhe nga diabeti, me 26 maj 1946.
Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçi, vdiq mbas një survejimi të rreptë. U bë një funeral nëpër qytet e kur po kthente proçesioni pranë Katedrales, ngjau ai incident që tashmë e dijmë të gjithë. Një kamion kishte zënë udhën në mes, i vumë me qëllim. Atëherë të rij e burra të fortë e shmangen kamionin për t’i lirue vend funeralit. Në liceun e shtetit, drejtoria ndalonte studentët të merrshin pjesë në funeral, por ishte i pamundur ndalimi. Të rijtë katolikë ngitshin me dhimbje të madhe kah Katedralja. Për të fundin herë kënduen së bashku dy koret: i Katedrales dhe i Françeskanëve Meshen funebër dhe “Libera me, Domine” të Lorenzo Perosi-t me organist Atë Filip Mazrekun e dirigjent Prenkë Jakovën. Kremtimi kje drejtue prej zevendës Delegatit Apostolik, Imzot Frano Gjinit dhe predku i rastit u zhvillue nga oratori në za Imzot Gjergj Volaj, predk që do t’i shpejtonte arrestimin oratorit.
Zhvillohet ai funeral i guximshëm nga rinia nëpër gjithë qytetin e Shkodrës, që më vonë do të bëhet shkak për burgosjen, torturimin e dënimin e sa e sa klerikëve dhe qytetarëve tjerë.
Ja përse e cilësuam atë si „funerali që solli aq shume viktima“ Varroset në Katedralen e Shkodrës. Eshtrat e tija qëndrojne aty deri në marsin e vitit 1967 kur, duke u këthyer në Pallat Sporti, ashtu si edhe të shumë prelatëve tjerë, do të treteshin pa ju ditur ende sot vendi i tyre.
Ishte 56 vjeç, nuk ishte plak; vdiq nga plasja jo nga mosha.

Dëshmi :
“Data 26 Maj 1946 do të mbetet në historinë e qytetit te Shkodrës, si një ndër datat ma të paharrueshme, ku rinija qytetare shkodrane pa dallim feje i jep lamtumirën e fundit Argjipeshkvit të Shkodrës Imzot Gasper Thaçit, tue demostrue haptë respektin për figurën e nderueme antikomuniste, drejtuesit të Klerit Katolik Shqiptar, një prej personaliteteve ma të shqueme të popullit shkodranë.
Proçesioni me trupin e Tij u suell në qytet prej rinisë që nuk u frigue, me gjithë presionet e bame, me gjithë vëzhgimet djallëzore të Sigurimit, e me gjithë makinat e vueme ndër rruga si pengesa kalimi, e me gjithë mbyelljet e dyerve, për mos me dalë studentat, Ata dolën! Punën e bame deri atë ditë me rininë, ia prishi një ARKIVOL...
Rinia shkodrane i dha me kuptue komunizmit se na nuk mposhtemi, se na do të vazhdojmë rrugën e ndritun ndër shekuj prej Klerit, se na jemi filizat e kombit që ju nuk mundeni me e shue, se na asnjëherë nuk trathtojmë idealet e të Parve tonë, dhe se NA NUK E DUEM KURRË KOMUNIZMIN.
Ata që premtuen u plakën, por fjalën e mbajtën edhe stërnipat. Rinia shkodrane i pat tregue qysh atëherë Enver Hoxhës se, edhe pse po vritni Klerin, edhe pse po mbyllni Kisha e Xhamija, edhe pse po i rrafshoni, edhe pse nuk do të kemi ku me i mësue lutjet tona, edhe pse nuk do të kemi prift e hoxhë tek vorri, na do t’i mbajmë në ZEMËR idealet e FESË, dhe një ditë DO TI NDEROJMË PRAPË. DHE ASHTU U BA! Kazani vazhdon me vlue.


ATË KONRAD GJOLAJ

Dëshmi :
“ Në Arqipeshkvi Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës nuk mundi t’i qëndrojë këtij “kataklizmi” të Kishës katolike në Shqipni. Në tronditjen e këtij tërmeti komunist ishin shembë përdhe dhe varrosë dy te tretat e veprimtarisë fetare e kulturore të Kishës në Shqipni. Tërmeti pritej të vazhdojë gjithnjë. Arqipeshkvi ishte me semundjen e diabetit. E kapi një krizë zemre e ai ra në një koma të gjatë, nga e cila nuk u çua ma. Vdiq me 2 Maj. Në rasën e vdekjes së Arqipeshkvit, katolikët menduen me e ba vedin të gjallë. Funerali i tij do të ishte nji demostratë e heshtun, e cila do tu jepte me kuptue anmiqëve në pushtet se Kisha katolike nuk është e hjerarkisë kishtare por e popullit besimtar. Sigurimi e nuhati dhe u perpoq ta ndalojë. Ndër të gjitha shkollat nxanësit u njoftuen se po morën pjesë në këtë funeral do të përjashtoheshin nga shkolla. Megjithatë, rinija katolike, e jo katolike, djem e vajza muerne pjesë pothuajse të gjithë. Ai funeral i Arqipeshkvit Metropolit kje nji funeral i kishës Katolike e i nacionalizmit shqiptar në Shqipninë e Veriut. Kortezhi mortor në heshtje e me lutje përshkonte të gjitha lagjet e banueme prej katolikëve: Serreq, Gjuhadol, Rus katolik, Fushë Çelë e tue kalue nëpër rrugën kryesore të qytetit këthehej përbri Kuvendit të heshtun të Jezuitëve e të Seminarit të dhunuem tue ju afrue Katedrales.
Ndërkaq ndër shkolla e rrugë filloi lufta kundër kryqit, i cili u cilësue si simbol i reaksionit. Vajzat që mbanin Kryqin në qafë sulmoheshin; po ashtu djemtë që frekuentonin kishat. Profesorat që nuk u deklaruen komunista u cilësuen “borgjezë”. Konviktorët përveç akteve të dhunës kundra pjesës tjetër të rinisë, zhvillonin spiunimin e shpifjen, dëshmitë e rreme etj.”


P.ZEF PLLUMBI

Deshmi :
Me 26 maj 1946 vdiq Imzot Gaspër Thaçi, Arqipeshkvi i Shkodrës. Në varrimin e Tij ndodhi ajo që nuk u priste. Pjesa ma e madhe e studentave (në këtë Gjimnaz kishin sjellë edhe nxanësat e shkollave fetare tashma të mbylluna prej rregjimit) u lajmërua nën za nga studentë të posaçëm, dhe të gjithë njëherit morën “arratinë jashta shkollës. Vrapuen nëpër rrugët e qytetit porsi lumej të fuqishëm dhe përfunduen tek funerali që sapo kishte nise hapat e parë. Aty u vendosem për dy dhe nisëm rrugën për të gjatë qytetit. Një ngjarje mbrenda ngjarjes. Përballë shtëpisë së Kakarriqit (ma vonë shtëpia e Pionierit), rregjimi, për të penguë kortezhin kishte vendosë për tërthuer nji alamet makinet, por rinia e rrethoi këtë mjet dhe e ngriti hopa si nji cung të thatë. Ky demonstrim i guximshëm i dha shkas rregjimit me mprehë këthetrat kundër rinisë shkodrane. Nisi përndjekja, jo vetëm ndaj organizatorëve të kësaj demostrate, por në përgjithësi kundër atyne që për shtetin paraqiteshin rrezik. Nisi një raprezalje masive. Disa prej studenteve kërkuen rrugën e kufinit, shumë nga këta u vranë në përpjekje për të kalue atë, si p sh. Mark Triepshi (Cacaj), Bardhosh Dani etj. Shumë të tjerë të rij u mshehën nëpër qytete të ndryshme, siç bani im vëlla Koleci. Me shumë peripeci muejti me i shpëtue prangave deri në nandor të vitit 1948 kur arratiset në Jugosllavi, kur tashma aleanca jonë mes te dy shteteve ishte thye.


GJOSHO VASIJA- bashkëvuajtës

Deshmi :
Shkodra e katër gjimnazeve në 1945, për pak muej, në 1946, asht Shkodra e një Gjimnazi e 26 burgjeve, ku do te burgoset, torturohet, masakrohet, vritet e kalbet rinia e saj heroike.
Me datën 26 maj 1946 rinia shkodrane asht përballë Sigurimit të Shtetit totalitar komunist të Enver Hoxhës dhe, do t’i tregojnë atij se nuk i trembet syni. Shumë studentë të Gjimnazit, hidhen nga dritaret me marrë pjesë në funeralin e Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit. Vlojnë rrugët e Shkodrës, mbushet Katedralja me qytetarë të të gjitha besimeve, që kanë ardhë me i dhanë lamtumirën e fundit antikomunistit Thaçi. Ma shumë se funeral, ajo ishte protesta e parë e rinisë shkodrane kundër zgjedhes komuniste.
Hakmarrja e komunistëve nuk do të vonojnë. Arrestimet kishin fillue me kohe, por, tashti jo ma vetëm me ish ushtarakë të rregjimeve të maparshme, balliste, zogistë etj. të thirrun “tradhëtarë”, por me studentë e intelektualë dhe kryesisht që janë të “lidhun” me Klerin . Udhëzimet i sjelluna nga Tirana, agjenti jugosllav Marian Zhagari, që drejtohej nga këshilltarët jugosllavë të qeverisë sonë kukull. Programet shkollore përjashtojnë Atë Fishtën e Zadejën me shokë. Fillojnë arrestimet e studentëve: Viktor Kujxhija, Gjon Kovaçi, Injac Serreqi dhe Çesk Hilgega. Vazhdohet me Tomë Sheldinë, Gjon Ljarjen, Sulejman Qehanë, vëllaznit Xhevat e Remzi Quku, Ahmet Bushatin, Ernest Perdoden, Thabit Rusin dhe vajzat Terezina Pali, Ana Daja etj. Pak kohë mbas vrasjes së Ndoc Jakovës, vritet edhe Asim Rusi, edhe ky ndër male kundër komunistëve. Arrestohen mesuesit: Lec Bruçaj, Pjetër Pali etj. Ndërsa nder burgje të tjera martirizohen profesorët: Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi, Kolë Prela, Simon Deda, Prenk Kaçinari, Arshi Pipa etj. Në Kosovë arrestohen e pushkatohen profesorët: Kol Margjini, Kol Parubi, Gjergj Martini bashkë me heroinën Maria Shllaku.
Nga ana tjetër komunistët ishin të shqetësuar. Në qendër shkonte një dokument sekret: Kryetari i sapo ardhur në Degen e P. Brendshme Hilmi Seiti ia dërgonte atë Ministrit të vetë perkates: “Ne Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa me parë 100 (njëqint) konviktore nga jugu”...( Arkivi i M.M.Tiranë)


FRITZ RADOVANI

Dëshmi:
.......Mbas vdekjes se Tij situata erdh gjithnjë e duke u renduar. Arrestimet ndoqën njëri tjetrin. Nder kisha e nder famulli mungojshin meshtarët. Njerëzit shifshin meshën e hyjshin e delshin në një heshti. Ishte frikë. Ishte e frikshme gjendja, rruga, shikimi, muzgu, orët e natës, zgjimi: terr i zi.
Pallati i arqipeshkvisë u muer nga shteti, për t’u ba banesë e familjeve të oficerave. Vetëm pak dhoma të katit të ulët iu lanë Kishës. Shërbejshin në Kishën Katedrale vetëm Dom Ernest Çoba, Atë Florian Berisha e frateli jezuit Çesk Ljarja, kurse në Kishën Françeskane të Gjuhadolit e të Zojës Rruzare P. Marjan Prela e P. Ferdinand Pali, tue pësue edhe këto mundime, i pari ndonjë vjet burg e të dy edhe internimin.
Te kisha e Etenve Jezuitë, e titullueme ajo e Shën Jozefit, ishte Atë Zef Saraçi e frateli Jezuit Karlo Markoviçi. Qyteti i Shkodrës që pat afër pesëdhetë meshtarë, një privilegj ky i madh, mbet mbas termetit të fortë me këto meshtarë: P. Justin Rrota i paralizuem në shtrat, P. Marin Sirdani, që provoi burgun. Atë Zef Saraçi, i verbër dy sysh e Atë Pjetër Tuci i sëmurë në kambë. Një salvim ky me krime. Kjo asht faza e parë. Të tjerat salvime vijshin ma vonë që do të zgjatshin afer pesëdhetë vjetësh, një pamje dhe qenie reale gjakësore e çdo moment vdekjepruese.