Edhe njëherë për Esad pashën. Ky personazh tepër interesant i historisë së shqiptarëve mund të përshkuhet dhe si një nga njerëzit që i solli më shumë andralla Shqipërisë së vogël në muajt e para të ekzistencës së saj. Kaq e urryer mbeti figura e tij, saqë ai nuk la dot keqëardhje dhe tek njerëzit e tij më të afërt
Prof. Pëllumb Xhufi
I lindur në një familje, që legjenda e bën pasardhëse të Topiajve të njohur të Mesjetës dhe që përndryshe ka lënë emër të mirë, Esadi, pinjolli më i njohur i Toptanasve, u kthye në politikanin më të urryer në Shqipërinë e viteve të para të pavarësisë. Duhet të ishte gatuar vërtet ligsht ky personazh ogurzi, përderisa druej e përçmohej deri edhe nga njerëzit më të afërt të tij. Përderisa edhe një përfaqsues konservator i klasës së bejlerëve e kushëri i shquar i tij, Eqrem bej Vlora, do të pohonte në një moment sinqeriteti, se “në një shoqëri të qytetëruar, njërëz si Esadi duhet të përfundojnë në litar”. Përderisa edhe vetë gruaja e tij, e dëshpëruar dhe e poshtëruar sa nga pabesitë politike, aq edhe nga ato bashkëshortore, do t’i deklaronte së ëmës se ajo vetë do t’ja bënte varrin burrit të saj të padenjë. Dhe kur Avni Rustemi i dha fund jetës së pashait tiranas, të gjithë në Shqipëri psherëtinë të lehtësuar. Të vetmit që shprehën keqardhje për vdekjen e Esadit, ishin miqtë e padronët e tij jashtë Shqipërisë.
Figura e tij
Eqrem bej Vlora rrëfen, se gjatë një qëndrimi në Vjenë, ushtarakë e gjeneralë perandorakë iu lutën Esad Pashës t’u përshkruante në hartë veprimet luftarake për mbrojtjen e Shkodrës nga malazezët, më 1913. I veshur me një uniformë madhështore generali, dhuratë e Princ Vidit, Esadi brofi tek dërrasa e zezë dhe gjithë mund e djersë mundi të heqë një rreth pak a shumë të rrumbullakët. “Kjo këtu”, u spjegoi ai gjeneralëve austriakë që e ndiqnin gjithë sy e veshë, “ishte Shkodra”. Dhe më tej, pasi hezitoi gjatë deri sa gjeti qendrën e rrethit, e nguli aty me forcë shkumsin dhe gjithë kënaqësi shtoi: “Kurse ky këtu, isha unë”! E pra, fati i keq e solli që pikërisht ky njëri të zinte qendrën e politikës shqiptare në periudhën më vendimtare të historisë së Shqipërisë. Dhe kështu, i shkaktoi dëme të pallogaritshme kauzës kombëtare.
Pikërisht në Shkodër, gjatë rrethimit të këtij qyteti nga ushtritë e Malit të Zi, më 1913, ai u bë i njohur për një nga aktet më të turpshme të tradhëtisë ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve të vet. Në cilësinë e nënkomandantit të forcave osmane të ngarkuara me mbrojtjen e qytetit, ai organizon vrasjen e pabesë të komandantit turk, Riza Pasha, dhe më 20 prill ua dorëzon qytetit forcave malazeze. Ndonjë nga përkrahësit e tij e justifikoi dorëzimin e qytetit (por jo vrasjen me pabesi të Riza Pashës!) me pamundësinë për ta mbrojtur atë nga forcat superiore të armikut. Por kohë më vonë, në vitin 1917 në Lozanë të Zvicrës, vetë Esadi i pohoi një miku të tij të ngushtë, se ditën kur ai ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi, një njëri i besuar i tij në Trieste merrte në dorëzim gjysëm milion franga ari. Ky ishte pazari i bërë me Knjaz Nikollën! Në fakt, vëren historiania britanike Margaret Macmillan, “ky njëri, që nuk njihte asnjë gjuhë të Evropës, ia njihte vlerën të gjitha monedhave evropiane”.
Pas Shkodrës
Pasi la Shkodrën, Esadi dhe shpura e tij hyri në Tiranë, ku ndër përkujdesjet e para të tij ishte të ulte flamurin shqiptar e të ngrinte atë osman. Në një Kuvend të mbledhur në Krujë, por me një pjesmarrje të cunguar, Esadi shpalli krijimin e Principatës së Shqipërisë së Mesme. Paskëtaj ai u vendos në Durrës, ku iu vu punës për të krijuar një principatë personale, “që mos ta ndante me askënd tjetër”. Në Durrës njerëzit më të afërt të tij ishin peshkopi grek i qytetit, Jakobi, dhe përfaqësuesi malazez, Gjurashoviq. Me ndihmën e serbëve, malazezëve e të grekëve arriti të fakt krijojë një pushtet paralel me atë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, të cilën e luftoi me të gjitha mjetet. Nuk e respektoi marrëveshjen e bërë me Komisionin Ndërkombëtar për të braktisur Shqipërinë sapo një gjë të tillë do ta bënte edhe Ismail Qemali. Ishte i pari që vrapoi të presë Princ Vidin dhe t’i ofrojë shërbimet dhe devotshmërinë e tij. E mashtroi këtë dhe shumë të tjerë, kur në sfondin e rivalitetit Itali-AustroHungari, që helmonte jetën e oborrit, filloi të ndërtojë pushtetin e vet. Esadi i përkiste asaj sëre të politikanëve shqiptarë, që pushtetin nuk e shihnin si një mandatim të popullit të vet, por si një emanacion të shteteve të huaja. I bindur se miqësia e tij me Serbinë e Greqinë nuk mjaftonte për t’a lançuar atë në kontekstin e politikës “evropiane”, u lidh fort me Italinë. Kur Eqrem bej Vlora e pyeti një herë Esadin, se çfarë e shtyu këtë të hidhej në krahët e Italisë, ky iu përgjegj beut me inatin e një pashai: “S’më mbetej mundësi tjetër: Austrinë ma zure ti”! Kështu ndodhi që Esad Pasha të bëhej i vetmi politikan shqiptar, ithtar i Antantës dhe i klientëve të saj ballkanikë. Dhe në fund të Luftës I Botërore, në vitin 1918, Esadi i përsëriste një gazetari të huaj tezën e njohur serbo-greke: “Evropa duhet tua lerë Ballkanin popujve ballkanikë”! (“Tribune de Genève”, 4 octobre 1918).
Vetëm pak javë pas ardhjes së princ Vidit, Esadi bëri planin për rrëzimin e tij. Gazetari italian Italo Sulliotti e vizitoi atë një ditë marsi në zyrën e tij. Donte të shihte se cili ishte njeriu që do të rrëzonte qeverinë e princ Vidit e do të qeveriste Shqipërinë nën hijen e Italisë. “Mbi skrivaninë e tij”, tregon ai, “pashë letra të pashkruara dhe pendë të papërdorura”. Esadi kishte kultin e telegrafit. “Nuk donte të linte gjurmë të asaj që thoshte e të asaj që bënte. Dhe në këtë kuptim e dinte mirë se telegrafet i merr era, kurse scripta manent!” .
Kundër Princ Vidit
Në mars 1914 Esadi filloi rekrutimin e vullnetarëve, që sipas tij do të dërgoheshin në jug për të ndalur ofensivën e forcave greke të komanduara nga gjeneral Papuliasi. Në fakt, ai e përdori këtë forcë në rebelimin kundër Princ Vidit. Dihet që me këtë, Esadi e humbi përfundimisht besimin e Princit, i cili urdhëroi arrestimin e pastaj dbimin e tij nga Shqipëria. Por në Romë përpunoi sakaq planin e kthimit të tij. Vetëm tre muaj më vonë, pas bisedimeve paraprake me Ambasadorin e Greqisë në Romë, Koromilas, ai niset nga Italia për të kryer veprën më antikombëtare, që ndonjë politikan ka guxuar ndonjëherë. Udhëtimi i tij në Ballkan, në funksion të rikthimit në Shqipëri, filloi me kontaktin me kreun e qeverisë “autonome të Vorio-Epirit”, J. Zografin, të cilit Esadi i kërkoi mbështetje për planin e tij, në këmbim të angazhimit të vet për të shtypur lëvizjen e çetave patriotike të Shqipërisë së jugut kundër andartëve grekë e “vorio-epirotë”. Zografi ra menjëherë dakort dhe e inkurajoi të futej sa më parë në Shqipëri. Por para se të bënte këtë, Esadi u ndal në Athinë, ku takoi Venizelosin. Edhe këtij, në këmbim të mbështetjes me armë e municione, i premtoi se shteti i tij nuk do të përfshinte “Vorio-Epirin”, të cilin Esadi ja falte me gjithë dëshirë Greqisë. Së fundi, pa humbur kohë, ai realizoi edhe takimin e fundit në Nish me kryeministrin e Serbisë, Pashiq. Esadi u angazhua të ndihmonte qeverinë Serbe kundër luftëtarëve shqiptarë në Kosovë e Shqipëri të veriut. Nga ana e saj, Serbia do ta shpërblente me armë, municione e ushtarë. Në atë takim u fol edhe për një bashkim doganor e për një aleancë mbrojtëse e sulmuese me Serbinë. Biseda me Pashiqin u bë në prani të Ambasadorit grek në Beograd, Aleksandropoulos, me të cilin Pashiqi sapo kishte përfunduar një bisedë mbi ndarjen totale të Shqipërisë mes Serbisë e Greqisë. Fshehurazi nga Italia, që nuk e shihte me sy të mirë ekspansionin grek në territorin e Shqipërisë, në fund të vitit 1914 Esadi i kërkoi disa herë armë Venizellosit, dëshirë që ky ia realizoi. Madje, pretendenti i fronit të Shqipërisë shkoi aq larg, saqë t’i ftojë grekët të pushtonin disa lokalitete më në veri të zonës së tyre të pushtimit në Shqipëri, ku popullsia vendosmërisht anti-esadiste mund të bëhej pengesë për rivendosjen e pushtetit të tij.
Kthimi i Esadit
Esadi u kthye në Shqipëri në dimrin ne vitit 1914. Ashtu si vite më vonë nipi i tij Ahmet Zogu, edhe ai hyri në Shqipëri nga territori i Serbisë, me armë e me ushtri serbe. Rrugën ia pastroi nga kundërshtarët e rebelët anti-esadistë koloneli serb Milutin Mishkoviq. Ishte ky, që në 2 qershor 1915 i drejtoi një proklamatë popullit të Tiranës e të Shqipërisë së Mesme ku kërcënonte: “Ju, rebelë fanatikë të Shqipërisë së Mesme e dëbuat princin Vid, pasi ai nuk ishte shqiptar; mirpo tani ju u ngritët edhe kundër Esad Pashës, që i përket ajkës së fisnikërisë shqiptare! Ne do t’u ndëshkojmë ju, siç na është dhënë detyra, dhe pastaj do t’ja besojmë pushtetin dhe fatin e Shqipërisë duarve të regjura të Esad Pashës, i cili është një bir i rrallë i vendit tuaj…”. Në historinë e Shqipërisë, ky është rasti më i turpshëm i fronëzimit të një tirani. Për disa muaj, Esad Pasha u bë zot i Shqipërisë, i një Shqipërie të vogël, nga Mati në Shkumbin. Pjesën tjetër ia kishte shitur Serbisë e Greqisë. Ky operacion radikal në dëm të trupit të Shqipërisë nuk i dhembi fare Esad Pashës. Në fund të fundit, Kosova dhe malësitë e veriut, nga njëra anë, dhe Shqipëria e jugut, nga ana tjetër, ishin bazat e qëndresës kundër pushtetit të tij. Dhe, siç vëren hollë historiani anglez Sëire, ishte kjo arsyeja që Esadi i përdori këto rajone “armike” të tij si rushfete për të blerë përkrahjen e shteteve fqinje.
Por edhe kësaj here nuk ishte e thënë që Esad Pasha të gëzonte pushtetin e dhuruar nga të huajt. Thyerja e frontit serb, dhe shfaqja e ushtrive austriake në portat e Durrësit, më 1915, e detyruan atë të marrë edhe njëherë arratinë drejt Italisë (27 janar 1916) Por kësaj rradhe, pashai tiranas, përveç uniformës së gjeneralit që i kishte falur dikur Princ Vidi, u kujdes të mbledhë e të ngarkoj në anije, sikur të ishin pronë e vetë, të gjitha mobiljet e takëmet e lëna nga Princi në rezidencën e tij durrsake, kur një vit e ca muaj më parë kishte braktisur Shqipërinë dhe ëndrrën e tij ditëshkurtër mbretërore.
- Bibliografi
- 1. Ekrem Bey Vlora, Lebenserinnerungen, I-II Band, Munchen, 1968.
- 2. K. Frashëri, Historia e Tiranës, vëll. I, Tiranë, 2004.
- 3. F. Salleo, Albania: un regno per sei mesi, Palermo, 2000.
- 4. J. Swire, The Rise of a Kingdom, London, 1929.
- 5. M. E. Durham, Twenty Years of Balkan Tangle, London, 1920.
- 6. M. Macmillan, Paris 1919. Six Months that changed the World, New York 2002.
- 7. G. B. Leon, Greece and the Albanian Question at the Outbreak of the First World War, në: “Balkan Studies”11(1970).
- 8. A. Italo Sulliotti, Un regno per sei mesi, Milano, 1914.
Krijoni Kontakt