Shoferët e Ministrisë së Brendshme, tre muaj pa rroga
Këta punonjës më parë paguheshin nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, por, me ndryshimin e strukturës dhe ligjin e ri të policisë, shoferët e Ministrisë së Brendshme shkëputen nga aparati i logjistikës atje
Florenc Bakillari
Shoferët e “vipave” të Ministrisë së Brendshme, tre muaj pa marrë pagën. Të gjithë mendojnë se po të jesh shofer i zëvendësministrit të Brendshëm apo i ndonjë drejtori të madh në ministri, mund të kesh në dorë shumë gjëra. Shefi kalon një kohë të mirë me ty dhe kështu nuk ta prish për ndonjë “nder” të vogël. Mirëpo këtë fat shoferët e Ministrisë së Brendshme as nuk mund ta ëndërrojnë. Prej tre muajsh, ata nuk marrin as pagën që u takon për punën që kryejnë dhe jo më të kenë përfitime nga ndonjë dietë e vogël apo shpërblim për punë të mirë. Burime të gazetës thanë se shoferët e ministrisë, me përjashtim të drejtuesit të mjetit që udhëton ministri Bujar Nishani, nuk paguhen. Shoferi i ministrit bën përjashtim jo për faktin se i shërben titullarit të dikasterit, por se është efektiv i Gardës së Republikës dhe rrogën e merr në këtë institucion.
Problemi
Që prej muajit shtator, shoferët e Ministrisë së Brendshme kalojnë muajin me kursimet apo me rrogën e grave, për ata që janë të martuar. Ka qenë një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, që ka fshirë nga borderotë shoferët e Ministrisë së Brendshme. Kështu, pa rrogë kanë mbetur shoferët e zëvendësministrave, si dhe të drejtorëve të tjerë të lartë në ministri. Sipas burimeve, këta punonjës më parë paguheshin nga llogaria e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Me ndryshimin e strukturës dhe ligjin e ri të policisë, shoferët e Ministrisë së Brendshme shkëputen nga aparati i logjistikës së Policisë së Shtetit. Mirëpo ndryshimi nuk ishte parashikuar më parë për të siguruar edhe fondet e nevojshme deri në fund të vitit për të paguar rrogat e shoferëve të ministrisë. Në këtë mënyrë, edhe vetë shefat e Ministrisë së Brendshme kanë ngritur supet para vartësve të tyre, të cilët kanë tre muaj pa marrë rrogën.
Premtimi
Me gjithë ankesat dhe lutjet e shpeshta të shoferëve të Ministrisë së Brendshme, ende nuk është gjetur mënyra se si do të paguhen. Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme kanë premtuar se do t’i kërkojnë qeverisë një fond për të përballuar shpenzimet për këta punonjës deri në fund të këtij viti. Më pas, me fillimin e vitit të ri, ministria do të caktojë një fond më vete në buxhetin e shtetit për rrogat e shoferëve. Mirëpo edhe pse kanë kaluar tre muaj, shoferët e ministrisë janë në pritje të pagës duke u pëshpëritur shefave të tyre sa herë që hipin në makinë.
Krijoni Kontakt