18/11/2007 - 09:17
• Genc Kondi
Tenderi për një nga veprat madhore të hidroenergjetikës shqiptare do të përfundojë nesër, por publiku vendas një gjë të tillë ka mundësi ta marrë vesh vetëm nga njoftimet e kompanisë së huaj, që, sipas të gjitha gjasave, e ka fituar atë pavarësisht nga ofertat e tjera të mundshme. Në një njoftim të grupit austriak EVN, të ditës së mërkurë, thuhet se “procesi përfundimtar tenderues në Shqipëri për dhënien me koncension të ndërtimit të tre hidrocentraleve mbi lumin e Devollit, mbyllet më datë 19 nëntor 2007”. Në asnjë njoftim zyrtar, deri tani, qytetarët e këtij vendi nuk kanë patur mundësinë të njihen me datat e këtij procesi. Duket se qeverisë Berisha i leverdis që ky proces të kryhet në një errësirë të plotë informative.
Projekti
Ka qenë Këshilli Kombëtar i Ujit, që ka miratuar, në mbledhjen e datës 30 qershor të këtij viti, projektin e ndërtimit të tre hidroçentraleve mbi lumin Devoll. Vendimi u miratua nga Këshilli, bazuar në projektet e kompanisë së njohur austriake EVN. Kjo kompani, sipas kryeministrit, kishte paraqitur projekte për ndërtimin e tre HEC-ve me kapacitet rreth 400 megavat së bashku. Këto HEC-e do të ndërtohen bazuar në një sistem tunelesh rreth 50 km të gjatë. Shuma e investimeve për realizimin e tyre do të jetë nga 700 milionë deri në 1 miliardë euro. Qeveria do të miratojë së shpejti çeljen e tenderit për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, tha Berisha gati pesë muaj më parë. Duke folur për projektet e shfrytëzimit të energjisë ujore në tërë kaskadën e lumit Devoll, kryeministri Berisha e vlerësoi atë si një zhvillim të madh, si një vepër ndër më të veçantat e këtij lloji në Shqipëri dhe në Europë. Kryeministri theksoi se kjo vepër respekton tërësisht mjedisin dhe bën shfrytëzimin më optimal dhe më ekonomik të ujrave të këtij lumi. Kompania austriake EVN, që ka sjellë projektin e para, ka 10% të pikëve më shumë se kompanitë e tjera të mundshme, tha ai.
Qeveria
Rreth gjysmë muaji më pas, Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin nr. 463, me anë të të cilit vendosi që autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion, të formës “BOT” (ndërtim, operim dhe transferim), të hidrocentraleve, në kaskadën e lumit Devoll, nga kuota 805-100 m mbi nivelin e detit, përfshirë edhe ndërtimin e hidrocentralit të Banjës, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Si dhe faktin që bonusi prej 10 për qind të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), i jepet shoqërisë “EVN” sh.a. paraprakisht.
Projekti
Projektet për kaskada mbi lumenj kërkojnë 10-20 vjet kohë. Ka deklaruar kështu para pak ditësh ministri i Energjetikës Genc Ruli. Drejtori i EVN-së për Maqedoninë, Gynter Hofner, i tha para pak muajsh kryeministrit Berisha se iu janë dashur vetëm disa muaj për të përfunduar një projekt të tillë madhor.
Berisha përplasje me Rulin, ministri ia dha Banjën djalit të Shtrausit
Lidhjet e ngushta të pushtetarëve më të lartë me kompaninë austriake përmbysën projektet hidroteknike, të miratuara shumë vjet më parë, për shfrytëzimin e lumit Devoll. Por, këtë herë, ato vepruan edhe duke larguar për herë të dytë nga vendi ynë familjen e njohur bavareze Shtraus. Burime nga Ministria e Energjetikës bëjnë të ditur për “Gazetën” se ministri Genc Ruli kishte nënshkruar një dokument, në bazë të të cilit angazhohej t’i jepte me koncension hidrocentralin e Banjës kompanisë me kapital të përbashkët gjermano-shqiptar “B&S”, ku aksioner kryesor është Max Strauss. Ky është i biri i Franz Joseph Strauss-it, i cili, nga pozitat e kancelarit të Landit të Bavarisë, u përpoq pa sukses të normalizonte marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Perëndimit në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Angazhimi në fjalë duket se nuk ishte marrë me dijeninë e kryeministrit Berisha, i cili, ndërkohë, kishte zhvilluar takime me drejtues të lartë të kompanisë austriake, të cilët, sipas zërave ende të pakonfirmuar, janë ftuar në Shqipëri nga vajza e kryeministrit dhe një biznesmen nga diaspora. Ndërkohë, edhe një HEC tjetër, ai i Bratilës, mbi lumin e Devollit, tashmë duhej të konsiderohej si i dhënë me koncension. Ky objekt i ishte dhënë nga qeveria e mëparshmë shqiptare kompanisë islandeze “Landsvirkjun”, operator kombëtar i rrjetit energjetik të Islandës.
Krijoni Kontakt