Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,455
    Postimet në Bllog
    23

    Kampi veror i fëmijëve në Kosovë

    Filloi kampi ditor i fëmijëve në Kosovë

    U bënë pothuajse 5 vjet radhazi që në muajt qershor-korrik Kisha jonë Orthodhokse, me kontributin e misionarit nga Amerika Nathan Hope dhe me bashkëpunimin e Zyrës së Fëmijëve, si dhe të një grupi studentësh orthodhoksë nga Shqipëria kanë zhvilluar disa kampe ditore për fëmijët kosovarë. Këto kampe janë zhvilluar në periferi dhe në disa fshatra të Malishevës. Edhe këtë vit, me datë 23 qershor nisi në Kosovë kampi për fëmijët e moshave 6-15 vjeçare. Kampi i parë nisi në shkollën fillore “Ibrahim Mazreku”. Kjo ishte hera e parë që zhvillohet një kamp në këtë shkollë, pasi kampe të tilla ishin kryer vetëm nëpër shkolla në periferi të Malishevës, por me kërkesën dhe me ftesën para një viti të drejtuesve të shkollës, që të realizohej një kamp i tillë edhe për shkollën e qytetit të Malishevës, organizuesit e këtij aktiviteti nuk hezituan për ta përmbushur këtë ftesë të bërë nga ata.

    Kampi i parë, i cili nisi në shkollën e Malishevës u quajt kampi “Miqësia” dhe pati një pjesëmarrje prej pothuajse 500 fëmijësh. Kampi u nda në dy grupe. Në grupin e parë, i cili u zhvillua në mëngjes ishin fëmijët e klasave I-IV. Numri i tyre ishte rreth 330. Ndërsa për grupin e dytë, i cili u zhvillua pasdite kishte rreth 150 fëmijë të klasave V-IX. Gjithashtu se në këtë kamp patëm bashkëpunimin e mësuesve të shkollës, gjë që ka ndodhur vazhdimisht edhe në kampet e mëparshme të zhvilluara në rrethinat e Malishevës.

    Në të vërtetë, emri “Miqësia” përshkruante atmosferën që ndodhej në kamp. Kjo ishte një atmosferë entuziaste miqësie ndërmjet studentëve shqiptarë dhe fëmijëve të Malishevës, si dhe stafit të mësuesve të shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”. Pritja e tyre ishte e ngrohtë. Fëmijët kishin një gëzim të veçantë për kampin, por ky gëzim nuk shfaqej vetëm në fytyrat e fëmijëve, por edhe tek organizuesit, të cilët bënë të mundur mbarëvajtjen e këtij kampi.

    Këtij aktiviteti nuk kishte se si t’i mungonte falënderimi i rastit nga drejtori i shkollës. Ai ishte shumë entuziast për këtë aktivitet, pasi ai vetë një vit më parë bëri ftesë që ne ta përfshinim aktivitetin tonë edhe në shkollën e tij. Në fjalën përshëndetëse, ai u shpreh shumë mirënjohës për praninë tonë atje dhe me sinqeritet e me mirëbesim tha se puna jonë ishte diçka e rëndësishme, që kontribuonte në përparimin dhe edukimin e fëmijëve, të cilët ai i konsideronte si të ardhmen e vendit.

    Gjatë këtij kampi u zhvilluan lojëra të ndryshme, këngë dhe himne për fëmijë, valle, punëdore, etj. Për ta plotësuar këtë aktivitet, fëmijëve i’u ofrua një kokteil. Me një entuziazëm të tillë u mbyll dita e parë e kampit “Miqësia”. Shpresojmë dhe urojmë që ky entuziazëm do të vazhdojë deri në fund të këtij kampi si dhe në kampet e tjera që do zhvillohen në shkollat e ndryshme rreth Malishevës. Dhe lusim që Perëndia të na ndriçojë dhe të na drejtojë në këtë aktivitet që kemi marrë përsipër.



    Himni i kampit “Miqësia”

    Miq dua të kem, mik dua të jem.
    Miq dua të bëj kudo që shkoj;
    Dhe t’u them të gjithëve un’ miku juaj jam.
    Dhe asnjë vështirësi nga ju s’më ndan !
    Refreni: I shtrenjtë je ti, i shtrenjtë je ti,
    i shtrenjtë je ti, o miqësi (2 herë).



    Sofia Bregu & Glen Llaçi
    Korrespodentë të kampit në Kosovë
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,455
    Postimet në Bllog
    23
    Veprimtari kulturore me fëmijët kosovarë për thellimin e miqësisë

    Bashkëpunimi i krijuar midis të rinjve shqiptarë dhe atyre kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë 1999-ës ka ndjekur një traditë të veçantë përgjatë këtyre viteve. Përmes kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar një bashkëpunim i ngushtë në shkëmbimin e eksperiencave dhe thellimin e miqësisë, e cila nisi gjatë kohës së luftës dhe vijon të rritet çdo vit.

    Rreth 1200 fëmijë kosovarë morën pjesë edhe këtë verë në kampet e organizuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në komunën e Malishevës. 25 vullnetarë të rinj nga kjo Kishë organizuan tre kampe përgjatë dy javëve. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte forcimi i miqësisë midis të rinjve shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë si dhe argëtimi i fëmijëve. Ky aktivitet u krye me lejen e drejtorisë arsimore të komunës së Malishevës në shkollat 9 vjeçare “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, shkollën 9 vjeçare “Naim Frashëri” në Banja dhe në degën e saj me të njëjtin emër në Begaj.

    Programi ishte i përbërë nga lojëra të ndryshme, punëdore, këngë e diskutime. Çdo kamp kurorëzohej nga një festë e përgatitur nga vetë fëmijët. Në këtë festë ishin ftuar drejtues të qeverisë lokale, arsimtarë të shkollave në të cilën kryheshin kampet si dhe prindër të vetë fëmijëve. Kampi në shkollën “Ibrahim Mazreku” mbante emrin “Miqësia”, ndërsa në shkollën e Begajt mbante emrin “Shpresa” e ndërsa në shkollën “Naim Frashëri” në Banja kampi mbante emrin “Mirësia”. Fëmijët ndaheshin në grupmosha të ndryshme dhe çdo grup mbante emrin e një virtyti si “Paqja, Falja, Dashuria, Respekti, Gëzimi, etj”. Të gjithë këta emra nuk i shikonim në pikëpamjen morale, por në atë jetike, këto emra nuk ishin thjesht disa cilësi të thata, por vlera jetësore, të cilat përbëjnë themelin e një shoqërie të shëndoshë dhe që formojnë te çdokush një njeri me vlera.

    Pikërisht për këtë arsye ky aktivitet duhet parë edhe si një privilegj dhe një dhuratë nga Perëndia, sepse të gjitha lojërat, vallet, këngët dhe çdo gjë argëtuese që ndamë me fëmijët e Kosovë kishte për bazë një dashuri të ndërsjelltë midis nesh dhe fëmijëve një dashuri, që na bënë të sigurtë se aktiviteti ynë kishte qënë i suksesshëm.

    Drejtorët e shkollave kanë treguar interes për këtë aktivitet dhe kanë shprehur mirënjohjet e tyre si dhe kanë shfaqur kërkesën për vazhdimësinë e kampeve edhe në vitet e ardhshme. “Organizimi i kampit është i mirëseardhur për fëmijët që tashmë kanë përfunduar mësimet” - u shpreh z. Rexhep Mazreku, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

    Tashmë që prej 5 vjetësh Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë organizon kampe të tilla në shkolla të ndryshme të kësaj komune. Këto kampe janë kryer në bashkëpunim me mësuesit e shkollave përkatëse. Fëmijët, prindërit dhe mësuesit kanë treguar interes për vazhdimësinë e tyre përgjatë këtyre viteve. Kjo ishte një mundësi argëtimi për fëmijët dhe forcimi i një miqësie të lindur gjatë kohës së luftës. Këtë vit treguan interes të veçantë edhe mediat kosovare si gazeta Lajm, Zëri, radio Dukagjini, Kosovaonline, të cilat e kanë pasqyruar organizimin e këtyre kampeve në faqet dhe transmetimet e tyre.

    “Gjithçka ka filluar gjatë kohës së luftës kur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndihmuar mbi 33.000 kosovarë duke u siguruar atyre një ndihmë prej rreth 12 milion dollarë. Ajo vazhdoi të ofrojë ndihmën e saj edhe kur shumë kosovarë u kthyen në Kosovë duke i ndihmuar ata në nevojat më imediate. Kështu lindi një miqësi të cilën e vazhduam me këto kampe”–shprehet Gabriela Bezhani, koordinatore e Zyrës së Fëmijëve në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Në muajin gusht do të organizohet një kamp tjetër me fëmijët e fshatit të Carallukës në komunën e Malishevës. Në këtë kamp priten të marrin pjesë rreth 530 fëmijë.

    Gabriela Bezhani dhe Glen Llaçi
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 06-08-2006 më 14:16

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,455
    Postimet në Bllog
    23
    Kampe verore me fëmijët kosovarë për forcimin e miqësisë dhe vlerave në shoqërinë shqiptare

    Lidhja e të rinjve shqiptarë me fëmijët kosovarë po ndjek një traditë të veçantë përmes organizimit të aktiviteteve kulturore dhe edukative. Për të gjashtin vit me radhë, një grup vullnetarësh orthodhoksë shqiptarë synojnë të mbjellin dhe të kultivojnë te fëmijët e komunës së Malishevës vlerat kryesore të shoqërisë.

    Këtë verë ata organizuan katër kampe verore që identifikohen me emra virtytesh të tilla si: në Carallukë me emrin “Zemërgjerësia”, në Malishevë me emrin “Shpresa”, në Banja me emrin “Gëzimi” dhe në Begaj me emrin “Mirësia”. Më shumë se 1500 fëmijë morën pjesë në këto veprimtari të larmishme.

    Vullnetarët e ardhur nga Shqipëria u përqendruan në programe edukative përmes të cilave realizuan përcjelljen e dijes dhe krijimtarisë te fëmijët, duke i shndërruar kështu kampet në një model të shkollave verore.

    Ky aktivitet drejtohet nga Zyra e Fëmijëve me drejtues të saj, misionarin amerikan z. Nathan Hoppe, i mbështetur nga një staf i përbërë prej 25 vetësh, kryesisht studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, si dhe përfaqësues nga rinitë orthodhokse të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë. Nga viti 2001 rreth 100 vullnetarë të Kishës Orthodhokse kanë dhënë kontributin e tyre në këto aktivitete.

    Programi përmbante mësimdhënie me karakter social-kulturor, lojëra argëtuese në grup të vogël dhe të madh, këngë, dramatizime etj. lojëra olimpike, punëdore dhe kokteil. Kampi mbyllej me një program festiv i përgatitur nga vetë fëmijët kosovarë ku ishin të ftuar arsimtarët e shkollave përkatëse dhe prindër të fëmijëve. Gjithashtu në fund të çdo kampi organizohej një mbrëmje festive me arsimtarët e këtyre shkollave.

    “Synimi ynë është të krijojmë dhe të forcojmë miqësinë midis nesh dhe fëmijëve” – tha Nathan Hoppe, drejtor i stafit të kampit. Ndërsa koordinatorja e stafit të të rinjve vullnetarë znj. Gabriela Bezhani tha se qëllimi i organizimit të këtyre kampeve ishte që të argëtohen fëmijët pas traumave të luftës, të krijohen ura miqësie midis shqiptarëve të të dy anëve të kufirit.

    “Sot mund të them që jam e kënaqur me punën që kemi bërë. Virtytet me të cilat identifikohen kampet tona paraqesin vlera të veçanta dhe në këtë plan mendojmë se kemi kontribuar diçka për shoqërinë kosovare” – tregon ajo.

    Organizimi i kampeve bëhet në bashkëpunim me drejtorët e shkollave dhe me lejen e Drejtorisë Komunale të Arsimit pasi kampistët janë nxënës shkollash fillore. Nga viti në vit ka edhe kërkesa nga shkolla të tjera për organizimin e këtyre kampeve. Idriz Hoti, drejtor i shkollës 9-vjeçare “Imer Krasniqi” iu drejtua sivjet përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë që të mundësohet organizimi i kampit veror për nxënësit e shkollës së tij.

    “Kemi shumë fëmijë që ende janë me shenja e trauma nga lufta dhe gjendja e rëndë sociale nuk iu jep mundësi që t’i përjetojnë dhe t’i bëjnë aktivitetet shumë të mira dhe të dobishme për fëmijët, siç i bën Kisha Orthodhokse e Shqipërisë”. Drejtoresha e Arsimit znj. Sanije Kelmendi tha se vitin e kaluar nuk e kishte besuar që kampet ishin kaq mirë dhe që fëmijët kënaqeshin kaq shumë. “Unë shpresoj që këto kampe të vazhdojnë sërish edhe në vitet e ardhshme”. Ndërsa banorët e zonës kanë shprehur konsideratat e tyre për këto aktivitete.

    “Fëmijët tanë kanë marrë pjesë vazhdimisht në kampet e organizuara nga Kisha Orthodhokse dhe mezi kanë pritur që të vijë koha e organizimit të tyre” – thotë banorja e Carallukës znj. Emine Krasniqi. Ndërsa Milaim Kastrati, banor i Malishevës flet pozitivisht për punën e vullnetarëve të Kishës në kampin e së cilës ka marrë pjesë vajza e tij Mirenxa.

    “Vajza ime ka qenë shumë e kënaqur. Në kamp ka pasur lojëra, këshilla edukative dhe unë jam i kënaqur me punën që është bërë dhe që është reflektuar shumë mirë tek vajza ime” – thotë ai.

    Shkollës “Hilmi Hoti” iu dhuruan dy kompjutera dhe një printer, gjë për të cilën stafi pedagogjik dhe drejtori i shkollës ishin shumë mirënjohës pasi kishin nevojë për to. Këtij aktiviteti i kushtoi rëndësi edhe media kosovare, ndër të cilat gazetat “Koha Ditore” dhe “Zëri”.

    Për t’iu përgjigjur kërkesës së drejtorit të shkollës “Imer Krasniqi” z. Idriz Hoti për mbajtjen e një kampi në shkollën e tij, në fund të muajit gusht do të organizohet kampi “Miqësia” në këtë shkollë.


    Gabriela Bezhani dhe Isidor Koti
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,455
    Postimet në Bllog
    23
    Fëmijët kosovarë po marrin pjesë aktive në kampet e Kishës sonë


    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, duke patur parasysh kërkesën e drejtorive të disa shkollave si dhe me lejen e Kuvendit Komunal të Komunës së Malishevës, organizoi dhe financoi për të gjashtën vit radhazi kampingjet për fëmijë në Kosovë.

    Ky aktivitet drejtohet nga Zyra e Fëmijëve me drejtues të saj Z. Nathan Hoppe, i mbështetur nga një staf i përbërë prej 25 vetësh, kryesisht studentë të Akademisë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, si dhe përfaqësues nga rinitë orthodhokse të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë.

    Kampi i parë u zhvillua në fshatin Carallukë të komunës së Malishevës, në shkollën “Hilmi Hoti”, në datat 21-24 Qershor dhe mbante temën “Zemërgjërësia”.

    Në këtë aktivitet katër ditor morën pjesë rreth 400 fëmijë të moshave nga parashkollorët deri në fëmijët e klasave të teta dhe të nënta, të cilët u ndanë sipas grupmoshave.

    Kampi zhvillohej në mëngjes për fëmijët nga parashkollorët në klasën e katërt dhe pasdite me fëmijët e klasave të pesta deri në të tetën. Të gjithë fëmijët morën pjesë aktive në të gjithë programin e kampit që përmbante:

    1. Mësimdhënie me karakter social-kulturor
    2. Lojëra argëtuese në grup të vogël dhe të madh, këngë, dramatizime etj.
    3. Lojëra Olimpike, për të cilat u ndanë dhe çmime.
    4. Punëdore
    5. Kokteil
    6. Festa e fundit


    Risi për këtë vit ishin dhe dy dramatizimet “Tre Fluturat” dhe “Pema që jep” të përgatitura nga stafi i Kampit. Gjithashtu vetë fëmijët shpalosën dijet dhe talentet e tyre përgjatë kampit, të cilat u kurorëzuan në festën e fundit ku çdo grup kishte përgatitur materiale artistike si: këngë, valle, drama etj., të cilat i dhanë një atmosferë festive ambientit dhe një ndjenjë gëzimi arsimtarëve të asaj shkolle.

    Çdo gjë përfundoi me sukses falë mbështetjes dhe ndihmës së drejtorit të shkollës “Hilmi Hoti” z. Mifail Krasniqi si dhe stafit të arsimtarëve të shkollës me të cilët në shenjë mirënjohjeje dhe miqësie u organizua një darkë festive. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i dhuroi kësaj shkolle dy kompjutera dhe një printer të modelit printer-fotokopje-skaner, gjë për të cilën stafi pedagogjik dhe drejtori i shkollës ishin shumë mirënjohës pasi kishin shumë nevojë për to.

    Në të njëjtat linja u zhvillua edhe kampi tjetër “Shpresa” në datat 26-29 Qershor në Malishevë në shkollën “Ibrahim Mazreku”, me drejtor Z. Rexhep Mazreku. Në këtë shkollë ishte viti i dytë radhazi që u zhvillua ky aktivitet, ku morën pjesë rreth 400 fëmijë. Edhe njëherë tjetër u demonstrua energjia dhe dinamika që këta fëmijë mbartin brenda vetes së tyre.

    Së fundi, duhet të theksojmë se të dy këto aktivitete 4-ditore kishin si qëllim zhvillimin social, edukues dhe kulturor të fëmijëve nëpërmjet aktiviteteve përfshirëse, zbavitëse dhe edukuese. Në vazhdën e kampeve po organizohet kampi Mirësia në Begaj dhe pas tij do të organizohet kampi Gëzimi në fshatin Banja.


    Elena Krakulli - Sevastiani Semini
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2005
    Postime
    40

    Kampet e Kishes Orthodokse me femijet ne Kosove

    Fatime Krasniqi, mësuese në komunën e Malishevës, mbeti pa fjalë kur lexoi në qendër të dhomës së nipit dhe mbesës kornizat e punimeve të tyre mbresëlënëse. Një mesazh i shkurtër, që ajo nuk ka për të harruar kurrë: “Mirënjohja”. Si për ta shprehur më të plotë gëzimin e saj, ajo tregon se: “Fëmijët erdhën ditën e parë duke kërcyer shumë të kënaqur. Më tregonin se me sa shumë dashuri e përkushtim i kishin bërë punimet e tyre bashkë me drejtuesin e grupit gjatë kampeve tuaja”.

    Si nipi dhe mbesa e saj, Arbëri e Artemisa dhe 1800 fëmijë të komunës së Malishevës përjetuan këtë verë ditë të këndshme në shoqërinë e kampeve verore edukative dhe argëtuese të organizuara për të tetin vit radhazi nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Plot pesë kampe në shkollat e Malishevës, Carallukës së sipërme dhe të poshtme, Banja dhe Begaj ishin panorama gjeografike më e bukur e aktivitetit.

    Çdo ditë fëmijët shikonin një dramë në lidhje me aspekte të ndryshme të mirënjohjes, e cila ishte edhe tema qendrore e kampit. Ditën e parë fokusoheshin në aspektin e shprehjes së mirënjohjes, ditën e dytë si të kultivojmë frymën e mirënjohjes dhe të tretën si të jemi mirënjohës në situata të vështira. Programi përmbante lojëra, këngë, diskutime në grupe, punëdore e kokteil. Fëmijët ishin në aktivitet për rreth katër orë në ditë.

    Paradite merrnin pjesë fëmijë nga parashkollorët deri te klasat e katërta dhe mbasdite nga klasat e pesta deri në klasat e nënta. Një ditë ishin programuar lojërat olimpike, dhe në fund festa e përgatitur nga vetë grupet e fëmijëve pjesëmarrës.
    Izahir Begaj, drejtor i shkollës 9-vjeçare në fshatin Begaj u shpreh se: “Kjo punë pasqyron qetësinë në shpirtin human të 24 të rinjve vullnetarë të Kishës së Shqipërisë. Ne e vlerësojmë me notën më të lartë punën dhe angazhimin e ekipit. Programi përmbante teknika arsimore, edukative dhe sociale.

    Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e të ardhmes sonë. Bashkëpunimi shpresoj të jetë i gjatë dhe në frymën e miqësisë. Një falënderim special i dërgoni Kryepiskopit tuaj Anastas nga ne dhe gjithë miqtë tuaj që mbështesin veprimtarinë në shërbim të fëmijëve. Këtë dashamirësi, arsimtarët e shprehën përmes një “Fletë mirënjohje për Kryepiskopin Anastas dhe për të gjithë stafin e të rinjve orthodhoksë që ndihmuan në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij kampi”.

    “Kampet që ju organizoni kanë një emër shumë domethënës. Një emër që është me perspektivë për të nesërmen. Gjithë kjo që bëni është e vlefshme dhe ju keni parë që fëmijët tanë janë shoqërizuar, miqësuar dhe kanë krijuar një dashuri për punën që ju bëni” - tha ndër të tjera Izet Shala, drejtori i shkollës “Naim Frashri” në Banjë.


    Kampet u organizuan me leje nga Drejtoria Arsimore e komunës së Malishevës dhe për të gjithë këtë bashkëpunim nismëtari dhe drejtuesi i këtyre aktiviteteve me fëmijët kosovarë, përfaqësuesi i Kishës Orthodhokse z. Nathan Hoppe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit: “Ju falënderojmë ju prindër që na mbështesni dhe ju jepni mundësi fëmijëve të marrin pjesë në kamp. Ju urojmë një verë të mbarë, pushime të mbara dhe një fillim të ri të vitit shkollor të mbarë. Falënderojmë stafin që ka punuar këtu dhe ashtu siç ka thënë edhe drejtori i shkollës tuaj, një falënderim të veçantë për Kryepiskopin Anastas dhe gjithë anëtarët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ju përcjellim përshëndetjet dhe urimet e tyre për një vit të mbarë”.
    Që prej kohës së luftës në vitin 1999 tradita e bashkëpunimit mes të rinjve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe mësuesve kosovarë bashkë me nxënësit e tyre të shkollave në fushën e edukimit dhe argëtimit të fëmijëve ka përcjellë mesazhe frytdhënëse. Bashkëpunimi ka thelluar edhe më tej miqësinë vit pas viti. Interesi i fëmijëve për këto kampe po rritet nga viti në vit aq sa, siç tregon edhe znj. Fatime Krasniqi, kur përfundon shkolla, fëmijët e presin me padurim këtë kamp, sepse ata çlodhen dhe mësojnë të bëhen njerëz të dijes dhe të kulturës.

    Isidor Koti
    Foto nga Nathan Hoppe

    Per te pare fotot ju lutem klikoni ne: http://www.orthodoxalbania.org/Shqip...htypiFrame.htm

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Historia e Kishes Katolike shqiptare ne Kosove
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-06-2006, 16:43
  3. Forcat ushtarake serbe mobilizohen përgjatë vijës administrative me Kosovën
    Nga ARIANI_TB në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 03-04-2006, 15:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •