Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 29 prej 29
  1. #21
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    “AT PJETËR MESHKALLA S.J.” - Fritz RADOVANI

    PJESA E GJASHTË (me shkurtime)

    AI FITOI !


    Shkodër, 29 Prill 1967, ora 17.00.

    Ditë e paharrueshme në historine e qytetit të Rozafës së thinjun.

    Ashtu ndodhi, si kishte parashikue Padër Meshkalla. Atëditë u organizue një mbledhje e organizatës së Frontit të Lagjës “Tre Heronjt”, në Institutin Pedagogjik, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Meshkalla.
    Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qyshë në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjigjët –“po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të porositunit që do të flisnin dhe duartrokitësit e njohtun ndër këto mbledhje.
    Në fund kur meshtarëve iu venin hekrat për “krimët” e bame, nuk mungonte ndonjë servil që do ti pështynte klerikët për veprën e Tyne fisnike e, këta njerzë të dalluem me gisht në Shkodër, nuk kanë mungue që nga viti 1944.

    Hymja e P. Meshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë mbasi në altoparlant u ndigjuen fjalët: “Qetësi, shokë, ...qetësi!”.
    Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht i zgjedhun nga Partia dhe mbas tij vazhduan diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimët e fyemjet e pregatituna nga mendjët e “ndrituna” të pseudointelektualve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohëj nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluan mbas tij diskutimët e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe P. Meshkalla.

    Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i posazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjës së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luajtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje, edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet.

    Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por P. Meshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të Padër Meshkallës.
    U “duartrokitën” edhe diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Prenda Dodës, Jolanda Batalakut, Lazër Sekuj, Mandica Jovani etj.

    Nga salla u ndigjue edhe zani i Vasil Kafesë dhe i Xhemal Dinit që pyeti Meshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” - P. Meshkalla me qetësinë e Tij iu përgjigj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”....

    Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kol Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kane pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues P. Meshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Per të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit te Partisë ka njoftue Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre....”.

    ..............

    Për me formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepëj fjala edhe klerikëve që nesër me thanë: “E dëgjuat se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrestojmë njeri pa fakte!” dhe, kështu, u veprue edhe aty me P. Meshkallën.

    Kryetari i dha të drejtën e fjalës. Ai doli para auditorit dhe posa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

    “Ah, sa mirë që po më nepët rasa me folë njëherë para popullit me altoparlanta!

    Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që, po flas prej një vendi, ku, kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe.
    Qellimi i em ka kenë gjithmonë i mirë...me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!...
    Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Myslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sëpse, jemi të gjithë Shqiptarë...

    Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini sërvile e hipokrite, që nesër nuk do të iu durojnë ma as ju, do të iu shporrin qafët e, njëditë ka me iu hangër kryet...

    Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni... Unë e kuptoj mirë që, ata, sot ashtu do të flasin mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohën nga puna e në darkë nuk kanë çka me u vue fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës... Kjo, asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit...

    kjo, më ka detyrue mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij... Kurrë, nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë, nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi... Ju, i përgjithsoni veprimët, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por, ju harroni se çka jeni tue ba në Shek.XX....

    Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje....Unë, po ju tham këtu se Populli, nuk asht dakord me çka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojnë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija...

    Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendëve të Evropës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahët në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, çka ka me thanë Evropa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe, e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”
    (Teksti asht marrë nga Z.N.M.).


    U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini:“Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –
    Meshkalla iu përgjigj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohët! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e tham si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se, linda nga prind shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quajtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar mandej kam marrë Sakramendët tjera dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nderë, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas Popullin tem se, ai me njeh mirë dhe e din sa kam ba unë për té, por ai mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”.....

    Nga vendët e para u çue ne kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xheudet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e P. Mbrendshme të Shkodrës) e, tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte P. Meshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli e shtyni me shqelm...


    Mbas Gjetsemanit, persëri Kalvar,.... Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohëj e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për sëgjalli, mbytej e pushkatohej, tretëj nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep e, askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!

    Shikonte Evropa... e bante sehirë! Ndokush... edhe zgërdhihej!...

    Pak ditë para se të arrestohej Meshkalla, shkoi në një familje dhe posa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mire nuk ke frikë... Sa trim je !?...” – Ai, iu përgjigj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?” –“Prite Zot!...”-tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këte djalë!...” –“E, pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët donë me më marrë Krishtin që unë e kam në shpirtë e në zemër, unë nuk do të ia lëshoj për sëgjalli!”.

    Kësaj fjalë Ai i qëndroi deri në fund. Ja si u zhvilluan ngjarjët:


    (vijon)
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 23-09-2005 më 01:12

  2. #22
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-04-2002
    Postime
    876
    Te hanen asht pervjetori i lindjes se At Pjeter Meshkalles (26 shtator 1901).



  3. #23
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    (vijim pjesa e fundit)

    AI FITOI (me pak shkurtime)

    Padër Pjetër Meshkalla(Dosja 4191|1 ArkiviM.M.Tiranë,1998)

    Hetimët fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani.
    ......................

    Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut. Aty përsëriten thanjët e P. Meshkallës, të intërpretueme si vepra kundër Partisë dhe Shtetit, gja, të cilën P. Meshkalla nuk e pranon, mbasi: “Kur një përson i drejtohët Kryeministrit për probleme të cilat i shpreh ashtusi i mendon ai dhe ia shfaqë atij, ai nuk kryen asnjë faj dhe krim kundër Partisë as Shtetit, mbasi me iu drejtue Kryeministrit nuk asht aspak agjitacion, as propagandë!

    Rreth letrës që P. Meshkalla i ka shkrue Kryeministrit, hetuesi mundohët me u largue si çeshtje, por kot se Meshkalla qëndron në mendimet e shfaquna aty. Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për P. Meshkallën janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do ti ruajnë të paprekuna. Madje, kundërshtimet e Tij ndaj veprimeve antikushtetuese të Shtetit, pranon se i ka vue në dukje që në vitin 1945, në takimin që ka ba në një shtëpi në Tiranë, me vetë Mehmet Shehun.

    Gjithashtu pranon se i ka shkrue një letër edhe Enver Hoxhës, për shkeljën e të drejtave të katolikve që në atë kohë, bashkë me At Frano Kirin, simbas vullnetit Imzot Frano Gjinit që kryente detyrën e Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni.

    Hetuesi ngulë kambë se Padër Meshkalla, nuk asht riabilitue për kohën që ka vuajtë 15 vjet në burg herën e parë dhe, se ka përhapë mendime që shumica e popullit nuk i mbështetë veprimët e Pushtetit.
    Njëkohësisht, kërkon të mbjellë tek rinia mendime që janë kundër vijës së Partisë. Përsa i përket “Revolucionit Kultural”, që po zhvillojnë masat e gjëra të popullit, Meshkalla e krahason me Inkuizicionin.

    Për me vërtetue se Meshkalla, ka propagandue kundër Pushtetit, hetuesi ka pregatitë edhe një ballafaqim me spijunin Dedë Martin Kulla, me datën 28 qershor. P. Meshkalla nuk pranon asnjë nga shpifjet që i ban Deda.
    ..............................

    Mbas datës 28 qershor dosja ka vetëm shkresën përcjellëse për gjykatën me po atë datë të nënshkrueme nga prokurori Faik Minarolli, që i rekomandon gjykatës ndaj të pandehurit nenin 73/I-rë për dënim. Në dosjen përcjellëse janë futë edhe disa nga fletët e proçes-vërbalëve të hetuesisë së parë, të bame në vitin 1946-47, ku, nënvizohën nga thanjët e P. Meshkallës: “Pushtetin e kam luftue në të gjitha predikimët e mija....Pushtetin në Shqipni nuk duhët ta marrin komunistat, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetët e Evropës... Mbas çlirimit e rihapa rrethin e “Shën Pjetrit” se, mu lutën të rinjtë dhe unë e pashë të nëvojshme, mbasi kishin fillue me u implikue me komunista...”. Prokurori i përmbledhë të gjitha me një fjali dhe shënon: “I pandehuri ka vazhduar të veprojë gjithënjë kundër Pushtetit Popullor.....”.
    ..........................

    19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e tjera të gjysmës se dytë të korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë” pra, me plasë edhe guri nga nxehtësia. Ndër rruga shihën vetëm nëvojtarët që kanë të domosdoshme daljën në këte pisk vape. Aty – këtu sheh ndonjë të njohtun në dyqan apo kafe, por tjetër kund nuk shihët asnjëri.

    Kjo ditë asht gjetë që aty nga ora 14.00, në pishën e zhegut një xhips i Sigurimit të Shtetit me u ndalue para Gjykatës së Rrethit (tek shtëpia e Dr. Kadukut), dhe në mes të një grupi policësh të mbërthyem me armë në dorë rrethohët një Burrë, që shihët me vështirësi i lidhun duersh me hekra, imcak, i shkurtë, me ecje të shpejtë e hapa të vegjël, i kapun për krahësh nga këta bisha të çapërdisuna si zakonisht edhe pse gjahu asht i lidhun në pranga dhe, gati pa i takue kambët për trotuarin e rrugës e fusin në godinën trekatëshe të Gjykatës, shkapesin derën me forcë dhe...vetëm ndihën shulat e mbrendshëm që ndalojnë hymjen e cilitdo kalimtar. Këte herë gjyqi nuk u zhvillue tek Kisha!!..

    Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh, i mbajtun po ateditë me 19 korrik, në orën 14.00, shenohët: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Meshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vendimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Meshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe me KONFISKIMIN E PASURISË (së tundëshme dhe të patundëshme).

    Ai u dënua me masën maksimale se edhe në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyre (njerëzit) ky Pushtet nuk ka për të zgjatur shumë.”(Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Dukët se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!...

    Njenit prej njerëzve ma të vorfën të Shkodrës, i jepët vendimi i “konfiskimit të pasurisë” e, çka do ti konfiskohëj P. Meshkallës?

    Në vitin 1988, pak ditë mbas vdekjës së P. Meshkallës, tek dera e shtëpisë seme me ndaloi fotografi Augustin Kiçi, i cili në botimin e parë nuk donte që të shkruaj emnin e tij dhe, më tha: “Do të tregoj një sekret, që nuk e di askush. Unë po ta diftoj ty mbasi kushedi si vjen puna... Njëditë, me 19 korrik 1967, aty nga ora 13.00, ka ardhë në shtëpinë teme një makinë e Sigurimit dhe një oficer më tha: -Merré aparatin fotografik me vedi, futi një film brënda dhe eja me né se kemi një pune! Më çuan në gjykatë dhe mbasi më futën në sallë, më thanë: -Fotografoje këte!... Të tham të drejtën, njëherë, mu dridhën duartë, po e mora vedin kur pashë që u çue para mikrofonit dhe para se me fillue me folë rregulloi koletin e këmishës, jakat e xhaketës, tërhoqi pak xhaketën e zhubulosun nga mbrapa, tue u mundue me u rregullue për mos me dalë i çkujdesun në fotografi. Ishte P. Meshkalla. Kryetari i gjyqit Muhamet Tyli, i tha: -Fol, çka ke me thanë fjalën e fundit!.. Ra një heshtje...

    P. Meshkalla, iu afrue mikrofonit dhe, tha këto fjalë: “JU MË DËNONI SA TË DUENI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË, PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE, JU, SHPEJTË KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR E, ATY ASHT FUNDI I JUEJ! FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË!”

    Më tregonte Augustini se i kishte ba disa fotografi dhe ne fund të gjyqit ia kishin marre filmin pra, nuk kishte asnjë.

    (vijon)

  4. #24
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    (fundi)

    Padër Meshkalla gjithnjë doli fitues mbi kundërshtarët, Ai gjithmonë e kudo i mposhti ata. Ai gjunjëzoi diktatorët ma të mnershëm e të pashoq që mund të kenë pasë historia e Shqipnisë. Ata para figurës së Tij ishin të pafuqishëm edhe për mjeshtrinë e flligtë të tyne, terrorin, torturën, gënjeshtrën, shpifjën e, sidomos kur para tyne ndodhëj i lidhun për karrigë e me duer mbrapa ndër pranga ndonjë Atdhetar apo Klerik, që përsonifikonte virtytin e burrninë e Shqiptarit, siç ishte At Pjetër Meshkalla.
    Qendrimi i këtyne burrave zbulon misterin... Ja një rasë:

    Mbas dënimit mënjëherë e dërguan në kampin e krypores së Vlonës.
    ...... Atje, Ai do të punonte ndër këneta për me realizue qellimin e komunistëve për të cilin ishin angazhue ata, –zhdukjën e Tij fizike-... Filloi punën me grupin e shokëve që ishte caktue. Shkonte rreth një ore në kambë larg kampit për me u gjetë në vendin e punës dhe me lopatë do të realizonte normën e caktueme. Mos realizimi i sajë sillte pasoja të randa për të burgosunit. Posa mori lopatën në dorë me fillue punën, çfare ndodhi?

    Grupi i djelmëve të rinjë që ishin “bashfajtorë” me té, që ishin gjetë të gjithë prej Toskënije, të zgjedhun me qellim për mos me ditë kush asht “meshtari plak” prej Shkodre. Ata i kërkuan një nderë Pjetrit, mbasi ata nuk dinin në atë çast emnin me të cilin do të njihëj ma vonë shoku i punës i tyne. Ata kërkuan prej Pjetrit që ky të shkonte jo fort larg me mbushë ujë për me pi ata gjatë kohës së punës, atë rrugë ky do ta bante dy-tri herë në ditë. Kohën tjetër do ta kalonte nën hijën e një pemës aty afër, ndërsa normën e punës së Tij do ta kryenin djelmtë e rinjë.

    He, pra, gjeni si ndodhi kjo punë!?... -Ata nuk e dinin fare kush asht Ky “plak” 66 vjeçar... nga Shkodra.

    ..... E, këta djelmë nuk ishin vetëm prej Tiranët apo prej Shkodrët, ku kishte punue e jetue Padër Meshkalla me rininë, por Ata ishin prej krejt Shqipnisë. Kjo ishte arësyeja që ata e respektonin sepse, edhe Ai i përkiste rinisë së mbarë Atdheut.

    Kaluan pak muej pranë asaj peme ku rrinte P. Meshkalla dhe, njëditë papritmas aty pranë ndalohët një xhips. Zbresin dy xhelatë dhe drejtohën nga oficeri i rojës për me ditë se cili asht P. Meshkalla, i flasin diçka në një anë dhe drejtohën nga Patri (mbasi kështu e thirrnin policët) dhe, e marrin me vedi... Ku e çuan? Çfarë kishte ndodhë?
    -Askush nuk mori gja vesht deri në darkë kur u këthyen të burgosunit nga puna... Kishin hy në zyrën e drejtorit te kampit dhe kanë kërkue nga Padër Meshkalla mos me shkue ma në punë tek kryporia, por me u angazhue me përkthime në një dhomë të veçante, sigurisht mbrenda kampit.

    Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjërmane dhe do ti sillej nga Tirana. Bahëj fjalë për veprat origjinale të matërializmit...

    Por, P. Meshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, nuk i len me vazhdue bisedën tue ia ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me këte punë mbasi nuk i jap as rinisë, as pleqve, të përkthyem me dorën teme helmin e marksizëm – leninizmit, atë helm kundër të cilit jam kenë gjithë jetën teme!”.

    ..... Tashti edhe Ganxhia kushrina e Tij nuk mund ta ndiqte ma, ishte shumë plakë e shkreta dhe nuk mund të merrte ma rrugët e gjata, të largëta, të vështira, me shpenzime e plot strapaca që mund ti përshkruante vetëm nana eme. Ajo, i ka provue të gjitha tue shkue ndër kampe anë e kand Shqipnisë, prej derës së burgut të Kuvendit të Fretënve në 1946 e deri në të famëshmin Spaç, në 1977. Kur erdhi nga kampi i Vlonës, nana ishte e gëzueme se kishte pa P. Meshkallën tek lulishta para kampit, e kishte përshëndetë dhe ishte dukë mirë me shëndet. Ai i kishte tregue mbas telave me gjëma se merrëj me lule....dhe, nuk shkon ma ndër kanale e punë të randa... Polici e kishte lejue me folë këto pak fjalë....mbasi Atij nuk kishte kush ti shkonte ma atje me e pa, sëpse tashti nuk guxonte ma asnjëri me iu afrue atij vend....

    Njëditë, kur P. Meshkalla, po merrëj me lule kishte shkue në Vlonë drejtori i burgjëve të Shqipnisë, ishte afrue tek Meshkalla dhe, e kishte pyet: “Pse punon kaq bukur pra, ti edhe nuk na don aspak né?!”
    – P. Meshkalla, iu përgjigj: “Asht e vërtetë që unë nuk iu due ju aspak por, më pëlqen me iu ba ju, që me gojën tuej me levdue punën e armiqve tuej!” Cila kulshedër komuniste mund të priste këto fjalë?

    .............Në vitin 1977, P. Meshkalla u lirue nga burgu.

    Mbas lirimit erdhi përsëri në Shkodër, në çerdhën e vjetër.

    Nuk shihëj shumë si përpara. Njëditë, u ndeshëm ballë për ballë, u ndalova dhe u përqafuam. ......E pyeta, se, a del për vizita e më dha atë përgjigje që i kishte dhanë edhe nanës seme pak ditë maparë: “...Tashti shoh se jam plakë, nuk mundëm me durue ma ato vështirësi që kam kalue në hetuesina e burgje e, do të ruhëm mos me u arrestue ma, se kam frikë se më torturojnë e me lodhin dhe, nga mosha e madhe tashti mund të turpnohëm për gjithë jetën!...”.
    ........................

    Padër Meshkalla ia mërrijti asaj ditë që pat profetizue maparë. Ai pau me sy çka paralajmëroi, diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën çka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij, FITOI!

    E takova edhe njëherë përkrahu me Zef Mirditën (Bukën), pak pa mërrijtë tek dera eme dhe shkëmbyem pak fjalë rreth shëndetit, për të cilin mu ankue dhe para se të ndahëshim e përqafova si zakonisht...

    Nuk më shkoj mendja aspak në ato ditë se ai ishte kenë takimi i fundit me Té!... Ai nuk kaloi kurrma andejpari….

    Edhe pse kanë kalue shumë vite, shpesh e kujtoj dhe prap,…me vedi mendoj e, më dukët se, ….njëditë.... unë.... prap do ta takoj !….

    Ai, bashkë me veprën e Tij, nuk vdes kurrë në kujtesën e atyne që e njohtën ose i kanë ndigjue vetëm emnin!

    Unë kam besim tek Kisha….dhe, besoj se njëditë….jo larg…. Martiri At Pjetër Meshkalla do të jetë në vendin që meriton…. Ajo ka prova të mëdha prej Tij!…

    Prof. Arshi Pipa, shkruan për Padër Meshkallën: “...Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.

    ...... shkova tek Don Mikel Koliqi, i cili u gëzue shumë dhe mbasi firmoi peticionin më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba.”

    Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J. prej Presidentit të Republikës,

    “Me Medaljën e Artë PISHTAR I DEMOKRACISË”.

    Kjo ishte medalja e parë që, i jepëj një Kleriku Katolik Shqiptar, prej një forumi të lartë të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij.

    Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte Z. Anton Çefa ndërsa, intervistuesi ishte Z. Albert Kurti. Për të dy ruej kujtime të mira!
    ......

    Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti?

    Përgjigje: P. Pjetër Meshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nderë e madhe që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se, primare për Té ishte kenja Shqiptar!
    Ai luftoi me gjithë shpirtë ndasitë fetare në gjithe Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohtë edhe ma mirë figurën e Tij.

    Pyetje: ....mëqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës?

    Përgjigje: Sigurisht që po! 25 vjet maparë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirrëshin po në këte auditor dhe, aty iu vehëshin hekrat. Pikërisht aty me 29 prill 1967, u arrestue edhe P. Meshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë sherbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arësimit tonë kombëtar.

    Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e P. Meshkallës, mbetët simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar! Ju falëmnderës!

    Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” ditën e shtunë,

    me 26 Shtator 1993,

    në orën 18.00, Populli i Shkodrës me gëzim priti lajmin që:


    PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPNISË
    Dekoron:

    PADËR PJETËR MESHKALLËN S.J.

    Me medaljën e artë

    “P I S H T A R I D E M O K R A C I S Ë”


    Kaq kam dijtë e, kaq mujta për Ju,

    PADËR MESHKALLA !




    Lutu per né,

    E, për Shqipninë Tande!

    Autori
    Ndryshuar për herë të fundit nga Labeati : 23-09-2005 më 20:53

  5. #25
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-07-2005
    Postime
    4
    Mbas ketyre rreshtave te fundit qe sapo lexova desha te shtoj dicka per karakterin e Tij burrnor. Kur Ai ishte ne burgun e Burrelit (spaq), pas nje letre qe i kishte shkruar "ish-kryeministrit" te asaj kohe Mehmet Shehut, ku i kishte thane haptas se jeni tuj ba gabime trashanike. Mehmeti ka shkuar per ta vizituar te burgu, ku nder te tjera edhe i ka thane: he Pjeter a ke xane mend ala? Ky i asht pergjigj: mend xehen neper shkolla e jo ketu! masandej un e ti nuk xame mend ma se jena ne moshe!

  6. #26
    ________
    Anëtarësuar
    08-11-2003
    Postime
    1,516
    Citim Postuar më parë nga arti12
    Mbas ketyre rreshtave te fundit qe sapo lexova desha te shtoj dicka per karakterin e Tij burrnor. Kur Ai ishte ne burgun e Burrelit (spaq), pas nje letre qe i kishte shkruar "ish-kryeministrit" te asaj kohe Mehmet Shehut, ku i kishte thane haptas se jeni tuj ba gabime trashanike. Mehmeti ka shkuar per ta vizituar te burgu, ku nder te tjera edhe i ka thane: he Pjeter a ke xane mend ala? Ky i asht pergjigj: mend xehen neper shkolla e jo ketu! masandej un e ti nuk xame mend ma se jena ne moshe!
    Ky njeri meriton respekt dhe do ishim ku e ku nese brezat e rinj do te kultivonin nje karakter te tille si Pader Meshkalla.
    -Atdhetar
    -Studioz
    -I ndershem
    -Trim

    Poshte kriminelet qe na torturuan djem te ketij lloji qe do ti kishte pasur zili cdokush vlerat e tyre.U prehte ne paqe shpirti i Pader Meshkalles.
    Il cuore matto che ti segue ancora
    E giorno e notte pensa solo a te

  7. #27
    Zoti është Dashuri! Maska e NoName
    Anëtarësuar
    01-03-2006
    Vendndodhja
    Doblibarë
    Postime
    2,192

    IN MEMORIAM: Ate Pjeter Meshkalla S.J.

    Atë Pjetër Meshkalla S.J.
    (25 shtator 1901 - † 28 korrik 1988)









    Duke shfletuar kalendarin historik, më 28 korrik është përkujtojuar Atë Pjetër Meshkalla në 18-vjetorin e vdekjes.

    I burgosur dy here nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike.

    Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".

  8. #28
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    AT PJETËR MESHKALLA

    --

    Kleriku katolik në letrën që i dërgon kryeministrit të asaj kohe rrëfen presionet që bënte pushteti ndaj shqiptarëve


    Letra e AT PJETËR MESHKALLA, drejtuar Mehmet Shehut në '67 për prishjen e objekteve të kultit

    Përfaqësuesit e klerit katolik, një nga shtresat më të persekutuara në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial, shfaqën që në fillimet e tyre kundërshtitë ndaj komunizmit si një ideologji që synonte krijimin e një brezi dhe shoqërie pa asnjë normë njerëzore. Në vitin 1967, kur regjimi diktatorial vendosi ndalimin me ligj të besimit fetar, me mijëra klerikë të të gjitha besimeve fetare në vend u pushkatuan, u burgosën apo u internuan, ndërsa objektet e kultit fetar u shndërruan në kinema dhe në godina për shërbime të tjera. Në një letër që një klerik katolik i dërgon kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, vihet në dukje kontestimi i qartë kundër regjimit, i cili synonte të kontrollonte në çdo qelizë jetën e qytetarëve, duke u imponuar madje edhe besimin. Pjetër Meshkalla në letrën drejtuar kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, shkruan se popullit po i bëhet presion në lloj lloj formash, duke shfrytëzuar edhe varfërinë për t`i detyruar të pranojnë mohimin e besimit. Ai nënvizon se pjesa e frikësuar me kërcënime dhe presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën më të madhe, sepse e lidhur nga kafshata e bukës, detyrohet të mohojë me gojë atë që beson me zemër. Sipas tij, fushata që po bëhej në atë kohë synonte formimin e një gjenerate pa kurajo civile, oportuniste, servile, që do të ndikojë në prishjen e karakterit të shqiptarëve në dëm të vendit. Meshkalla gjithashtu vë në dukje zotimin që autoritetet shqiptare kishin dhënë para ndërkombëtarëve për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Me anë të kësaj letre, kleriku përshkruan edhe arbitraritetin absurd me të cilin urdhëroheshin të dorëzonin të gjitha pronat, pasi ato i përkisnin partisë. Duke iu referuar përgjimeve që u bëheshin qytetarëve nga Sigurimi i Shtetit ai thekson se, njerëzit kanë frikë të takojnë apo të përshëndesin njëri tjetrin për shkak se dikush prej tyre mund të dalë "i prekur".

    Më poshtë vijon letra e plotë që At Pjetër Meshkalla i drejton Mehmet Shehut:


    Fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni. Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t'Atdheut. Njerëzit kanë frikë m'u takue, m'u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të "prekun". E kush po di se cilët janë! - Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX?


    Shkëlqesë,

    Pardje, më 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër të tjera, se do të denonconim gjithçka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhet t'i kthehen; dhe se nuk do t'ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këtë e ka vendosë populli.

    Mendova të drejtohem me këtë letër Shkëlqesës s'Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshe, por si njeriu njeriut.

    Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t'i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

    Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekshme e autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

    Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

    Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.

    Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë personat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Ç' vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e shqiptarit në dam t'Atdheut. Njerëzit kanë frikë m'u takue, m'u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të "prekun". E kush po di se cilët janë! -Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këtë të shek. XX? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për të.

    Unë tham se, me këtë luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, më 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: "Këtë kishë do ta bajmë kinema"; Ju m'u përgjigjët: "Kjo asht propagandë armiqësore!".

    Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i pushtetit s'ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.

    Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira.

    Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Mehmet Shehu, në Kryeministri - Tiranë, 5 prill 1967.

    Me nderime

    Pjetër Meshkalla, Meshtar Katolik i Shoqënisë Jezu



    rd

  9. #29
    "Në fillim ishte Fjala" Maska e toni77_toni
    Anëtarësuar
    09-09-2005
    Vendndodhja
    Kosovë
    Postime
    4,534

    Pjetër Meshkalla - gjigant i fesë e i kulturës shqiptare

    21 vjetori i vdekjes së Jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkalla S.J. gjigant i fesë e i kulturës shqiptare



    Atë Pjetër Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike shqiptare të periudhës së regjimit komunist, dëshmitar e mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.

    26 shtator 1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës, të cilit sot i përkujtojmë 21 vjetorin e kalimit në banesën e amshuar të Atit Qiellor, nga Shkodra, ku kishte lindur. E ndërmjet këtyre dy datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij: fillimisht studimet në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi meshtarak i Atë Pjetër Meshkallës në Shkodër më 1931.

    Veprimtaritë e panumërta pastaj të Atë Meshkallës, që nga themelimi i Rrethit të Dom Boskos në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te rrethi i Shën Pjetrit, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, si takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit. Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e Atë Meshkallës me revistat e gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946, burgjet, ku Atë Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 e te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist e shqiptuar në kulmin e reaksionit, ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë:
    “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se pra do të jem lirë. Ndërsa ju keni hangër shoqi-shojin”. Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u nderte Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.

    I burgosur dy herë nga regjimi komunist, Atë Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës të persekutuar katolike nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar:
    “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robně, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".

    Në një moment tjetër, Atë Meshkalla pati pohue:
    “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, rpapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!”

    Sot jemi të gjithë dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie e ata që gëzojnë të mirat e lirisë e të demokracisë që kanë për themel gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla.
    Gjej kohen të lexosh, është themel i të diturit.

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Pjeter Gaci
    Nga sirena_adria në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 24-02-2018, 10:41
  2. Pjetër Meshkalla - gjigant i fesë e i kulturës shqiptare
    Nga toni77_toni në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 29-07-2009, 16:09
  3. At PjetËr Meshkalla S.j
    Nga Labeati në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 04-03-2009, 12:41
  4. Pjetër Koleci
    Nga Fiori në forumin Arti shqiptar
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 18-03-2007, 16:23
  5. Pjeter Budi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 09-04-2006, 17:38

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •