“AT PJETËR MESHKALLA S.J.” - Fritz RADOVANI
PJESA E GJASHTË (me shkurtime)
AI FITOI !
Shkodër, 29 Prill 1967, ora 17.00.
Ditë e paharrueshme në historine e qytetit të Rozafës së thinjun.
Ashtu ndodhi, si kishte parashikue Padër Meshkalla. Atëditë u organizue një mbledhje e organizatës së Frontit të Lagjës “Tre Heronjt”, në Institutin Pedagogjik, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Meshkalla.
Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qyshë në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjigjët –“po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të porositunit që do të flisnin dhe duartrokitësit e njohtun ndër këto mbledhje.
Në fund kur meshtarëve iu venin hekrat për “krimët” e bame, nuk mungonte ndonjë servil që do ti pështynte klerikët për veprën e Tyne fisnike e, këta njerzë të dalluem me gisht në Shkodër, nuk kanë mungue që nga viti 1944.
Hymja e P. Meshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë mbasi në altoparlant u ndigjuen fjalët: “Qetësi, shokë, ...qetësi!”.
Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht i zgjedhun nga Partia dhe mbas tij vazhduan diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimët e fyemjet e pregatituna nga mendjët e “ndrituna” të pseudointelektualve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohëj nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluan mbas tij diskutimët e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe P. Meshkalla.
Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i posazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjës së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luajtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje, edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet.
Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por P. Meshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të Padër Meshkallës.
U “duartrokitën” edhe diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Prenda Dodës, Jolanda Batalakut, Lazër Sekuj, Mandica Jovani etj.
Nga salla u ndigjue edhe zani i Vasil Kafesë dhe i Xhemal Dinit që pyeti Meshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” - P. Meshkalla me qetësinë e Tij iu përgjigj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”....
Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kol Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kane pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues P. Meshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Per të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit te Partisë ka njoftue Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre....”.
..............
Për me formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepëj fjala edhe klerikëve që nesër me thanë: “E dëgjuat se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrestojmë njeri pa fakte!” dhe, kështu, u veprue edhe aty me P. Meshkallën.
Kryetari i dha të drejtën e fjalës. Ai doli para auditorit dhe posa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:
“Ah, sa mirë që po më nepët rasa me folë njëherë para popullit me altoparlanta!
Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që, po flas prej një vendi, ku, kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe.
Qellimi i em ka kenë gjithmonë i mirë...me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!...
Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Myslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sëpse, jemi të gjithë Shqiptarë...
Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini sërvile e hipokrite, që nesër nuk do të iu durojnë ma as ju, do të iu shporrin qafët e, njëditë ka me iu hangër kryet...
Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni... Unë e kuptoj mirë që, ata, sot ashtu do të flasin mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohën nga puna e në darkë nuk kanë çka me u vue fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës... Kjo, asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit...
kjo, më ka detyrue mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij... Kurrë, nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë, nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi... Ju, i përgjithsoni veprimët, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por, ju harroni se çka jeni tue ba në Shek.XX....
Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje....Unë, po ju tham këtu se Populli, nuk asht dakord me çka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojnë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija...
Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendëve të Evropës, mbasi kjo që bani ju sot këtu bahët në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, çka ka me thanë Evropa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe, e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht marrë nga Z.N.M.).
U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini:“Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –
Meshkalla iu përgjigj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohët! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e tham si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se, linda nga prind shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quajtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar mandej kam marrë Sakramendët tjera dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nderë, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas Popullin tem se, ai me njeh mirë dhe e din sa kam ba unë për té, por ai mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”.....
Nga vendët e para u çue ne kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xheudet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e P. Mbrendshme të Shkodrës) e, tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte P. Meshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli e shtyni me shqelm...
Mbas Gjetsemanit, persëri Kalvar,.... Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohëj e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për sëgjalli, mbytej e pushkatohej, tretëj nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep e, askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!
Shikonte Evropa... e bante sehirë! Ndokush... edhe zgërdhihej!...
Pak ditë para se të arrestohej Meshkalla, shkoi në një familje dhe posa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mire nuk ke frikë... Sa trim je !?...” – Ai, iu përgjigj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?” –“Prite Zot!...”-tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këte djalë!...” –“E, pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët donë me më marrë Krishtin që unë e kam në shpirtë e në zemër, unë nuk do të ia lëshoj për sëgjalli!”.
Kësaj fjalë Ai i qëndroi deri në fund. Ja si u zhvilluan ngjarjët:
(vijon)
Krijoni Kontakt