1000 turistë në javë “zbulojnë” Shkodrën
VIRTYT ABDYLI
2 Gusht "Shqipëria sekreti i fundit”
“Shqipëria sekreti i fundit” dhe veçanërisht Shkodra po “zbulohen” nga turistët e huaj këtë sezon verorë. Zona veriore e Shqipërisë dhe kryesisht qyteti i Shkodrës, është vizituar nga një numër I konsiderueshëm turistësh të huaj, të cilët vijnë jo vetëm nga vendet lindore si Kroacia, Mali I Zi, Sllovenia, Çekia, apo dhe Rusia e largët, por edhe nga ato perëndimore si SH.B.A, Australi, Francë, Gjermani, Austri Angli, Irlandë e Holandë. Pothuajse të gjithë të huajt që kanë vizituar Shkodrën shprehen se iu është krijuar një imazh krejt tjetër nga ai realitet I zymtë, me të cilin prezantohet ky qytet I lashtë me plot vlera, realitet që është prezantuar negativisht edhe nga ndonjë media vendeve të tyre, që i bën thirrje të kishin kujdes në rast se vizitonin veriun e Shqipërisë dhe sidomos Shkodrën si një zonë me probleme.
Turistët
Por ndryshe nga ky imazh I shëmtuar padrejtësisht, sezoni i kësaj vere, ka sjellë në Shkodër një numër të madh turistësh të huaj. Statistikat e agjensive turistike të Shkodrës, flasin për rreth një mijë vetë në javë, po t’I referohemi vetëm turistëve një apo dy ditorë, që vijnë në mënyrë të organizuar, nga vende të ndryshme të Europës dhe të botës, të cilët kanë kaluar brënda çdo jave nëpërmjet katër pikave kufitare me Malin e Zi, për në qytetin verior, pa llogaritur këtu turistët që vizitojnë Shkodrën dhe veriun e Shqipërisë, në mënyrë individuale.
Ardhja e turistëve për guida ditore apo javore, në Shkodër, është realizuar nga një marrëveshje e nënshkruar mes agjensive turistike të Malit të Zi dhe homologeve të tyre në Shkodër.
Rritja e reklamës për atë se çfarë ofron Shkodra dhe kryesisht siguria që mbizotëron prej disa kohësh në këtë rajon, i cili më parë konsiderohej si një nga zonat më të nxehta në vënd përsa i përket ruajtjes së rendit, ka bërë që vizitorë të shumtë nga jashtë shtetit, të dynden për të parë Veriun Shqiptar. Në të shumtën e rasteve turistët kanë treguar mirënjohje ndaj agjensive turistike, që ia mundësuan ardhjen e tyre në Shkodër, duke u shprehur se ishin të impresionuar për ndryshimet që kanë ndodhur vitet e fundit.
“Në krahasim me disa vite më parë, tani ndjehemi më të sigurt dhe pergjithësisht më qetë, janë shprehur turistët gjatë falënderimeve për organizimin e guidave turistike nga agjensitë turistike.”
Një shëtitje në Shkodër…
Ndër guidat kryesore turistike në Shkodër, nga të cilët kanë mbetur të impresiunuar jashtë mase turistët, përfshihen vizita në muzeun historik të qytetit, vizita në Kalanë e Rozafës, ku përveç legjendës së kësaj kalaje, që iu ka bërë përshtypje tej mase turistëve, një kanaqësi dhe habi njëkohësisht krijonte tek ta madhështia e saj, ndërtesat brënda saj dhe veçanërisht ekzistenca brënda kalasë të dy objekteve të kultit, xhamisë dhe kishës, të ndodhura në të njëjtin vënd, si një dëshmi e gjallë e bashkëjetësës dhe mirëkuptimit ndërfetare ndërmjet popullsisë së Shkodrës, që në kohërat e lashta. Ndër objektet e tjera që ngjallnin një interes të veçantë tek turistët e huaj, ishin “Kulla e sahatit” apo ndryshe “Sahati I Inglizit”, i ndodhur në qëndër të Shkodër dhe I ndërtuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar nga lordi Padget, ”Ura e Mesit”, e shtrirë madhështore me harqet e saj mbi ujërat e lumit Kir dhe e ndërtuar në shekullin VIII nga familja e Bushatlinjve, ”Xhamia e Plumbit”, e ndërtuar poshtë kalasë, në shekullin XVIII po nga Bushatlinjtë. Ndërsa përsa I takon zonave turistike, vizitorët e huaj habiteshin si kishte mundësi që kjo zonë ishte në gjendje jo të mirë ekonomike, kur pikat turistike që shërbënin për pushime ishin aq të shumta, duke llogaritur këtu dhe pikat turistike të fshatrave Shirokë dhe Zogaj, në Liqenin e Shkodrës, me plazhin përgjatë lumit Drin dhe Bunës, pa harruar këtu plazhin e mrekullueshëm të Velipojës. Përveç tyre turistët e huaj gjatë kësaj vere janë habitur bukuritë e virgjëra natyrore të zonave malore të Shkodrës dhe të Malësisë së Madhe, ndër të cilat përshtypje të veçantë I kishin bërë Thethi, Razma apo edhe Boga.
Rusët mund të vijnë në Shqipëri duke marrë vizë në kufi
20 mijë të huaj kanë vizituar pikat turistike
Në lidhje me lehtësirat që janë krijuar në pikat kufitare, si rrjellojë e të cilave u rrit fluksi I turistëve të huaj, drejtuesit e agjensive turistike shprehen se një rol tepër pozitiv ka luajtur gjetja e një gjuhe të përbashkët ndërmjet tyre dhe institucioneve përkatëse. Sipas Sokol Hoxhës, njërit prej drejtuesve të agjensive turistike të Shkodrës, në këtë drejtim ka ndikuar dhe prefekti i Shkodrës Gjovalin Kolombi, I cili ka qenë I gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në krijimin e lehtësirave, si dhe për të ndikuar në gjetjen e mundësive të bashkëpunimit. Një rol të rëndësishëm për gjatë këtij sezoni veror ka luajtur dhe Minsitria e Turizmit e cila ka marrë parasysh sugjerimet e agjensive turistike të Shkodrës, të bëra pak muaj më parë në një takim midis tyre.
Sipas Hoxhës, në rritjen e fluksit të turistëve, kanë ndikuar dhe lehtësirat për turistët rusë, të cilët ndodhen me pushime në Mal të Zi. Në ndryshim nga vitet e kaluara, këtë vit turistët rus nuk kanë nevojë te marrin viza në ambasadën tonë në Moskë, pasi vizat mund t’i marrin në kufirin shqiptar duke paguar 10 euro. Ndërkohë një ndikim të dukshëm ka sjellë dhe marrëveshja ndërmjet agjensive shkodrane, me ato të Malit të Zi, të cilat kanë futur në axhendë të udhëtimit të turistëvë dhe udhëtimin në Shkodër, në pikat të ndryshme historike dhe natyrore.
Sipas statistikave të agjesive turistike, që operojnë në Shkodër, gjatë këtij sezoni veror, deri tani kanë hyrë në Shkodër rreth 20 mijë turistë të huaj. Ndërsa në bazë të llogaritjeve nga taksat e makinave me turistë të huaj, që hyjnë në zonën e Shkodrës, shteti shqiptar ka përfituar rreth 30 mijë euro. Sidoqoftë, rritja e konsiderueshme e fluksit të turistëve të huaj, mbetet e veçanta dhe pjesa e rëndësishme për zonën e Shkodrës gjatë kësaj stine të nxehtë vere.
Krijoni Kontakt