Close
Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123
Duke shfaqur rezultatin 21 deri 26 prej 26
  1. #21
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-07-2004
    Vendndodhja
    Jak' o dit' e uruar! Qe lint nga perendon, At' an' e ke ndritur, E ne pse na harron?
    Postime
    140
    Berisha: Komision për pronat Çame

    Berisha i kërkon qeverisë greke të njohë kontributet e sigurimeve shoqërore

    Karamanlis premton për pensionet e emigrantëve

    Kryeministri shqiptar, Berisha, i ka kërkuar homologut të tij grek, Karamanlis, që të marrë në konsideratë çështjen e pensioneve të shqiptarëve që punojnë në Greqi.

    Gjithashtu, sipas zyrës së Shtypit pranë Këshillit të Ministrave, mësohet se kryeministri shqiptar i ka kërkuar që të merren në konsideratë dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve. Gjithashtu mësohet se kryeministri Karamanlis e ka pranuar këtë kërkesë, duke bërë të ditur marrjen e masave për zgjidhjen e këtij problemi. “Të dy kryeministrat u ndalën edhe në çështjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kryeministri grek vlerësoi pozitivisht kërkesën e qeverisë shqiptare në lidhje me pensionet e emigrantëve. Ai theksoi se qeveria greke do ta shikojë me kujdes këtë kërkesë, duke pranuar që emigrantët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm qoftë me punën e tyre, ashtu dhe me të ardhurat në formën e sigurimeve shoqërore”, thuhet në njoftimin për shtyp. Takimi i parë zyrtar mes dy krerëve të qeverisë të vendeve fqinj, Berisha me Karamanlis, nuk ka lënë pa prekur si përherë as temat e nxehta të vjetra dhe të reja, si çështja e pronave të popullsisë çame, minoritetet grek, emigrantët shqiptarë, si dhe së fundi dhe varret e ushtarëve grekë. Kryeministri Karamanlis vlerësoi progresin që është bërë në vite lidhur me çështjen e minoriteteve, duke vënë theksin se kjo çështje nuk është vetëm rajonale, por e standardeve ndërkombëtare. Ndërsa për çështjen e popullsisë çame është rënë dakord për ngritjen e komisionit të posaçëm, që do të trajtojë pronat e tyre. Të dy kryeministrat u shprehën të kënaqur për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar gjithnjë në rritje. Kryeministri Karamanlis përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe shprehu angazhimin e Greqisë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces. Në takim u vlerësua pozitivisht bashkëpunimi në fushën ushtarake, si dhe ndihma që ka dhënë ushtria greke në drejtim të modernizimit të ushtrisë shqiptare në kuadrin e anëtarësimit në NATO. Në takim u konstatua gjithashtu bashkëpunimi i kënaqshëm ndërmjet strukturave të policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizatave kriminale që veprojnë në rajon. “Përfitoj nga rasti për t’i shprehur mirënjohjen e thellë kryeministrit Karamanlis, mik i çmuar i imi, për të gjithë mbështetjen që qeveria, populli grek dhe Greqia i japin Shqipërisë në realizimin e projektit të saj evropian, si e ardhmja më e mirë për kombin shqiptar”, tha pas takimit Berisha. Me po të njëjtat fjalë i është drejtuar dhe Karamanlis homologut të tij shqiptar. “Me kënaqësi të veçantë i uroj mirëseardhjen mikut tim, kryeministrit të Shqipërisë, zotit Berisha, në Athinë. Patëm një takim shumë të frytshëm dhe konstruktiv, i cili kontribuoi për thellimin e mirëkuptimit të pozicioneve të dy vendeve për çështje të ndryshme”, deklaroi kryeministri grek për mediat. Kryeministri grek theksoi se “me Berishën diskutuam hollësisht për të gjithë aspektet e marrëdhënieve tona dypalëshe, në veçanti për bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregtare, ushtarake, si dhe për bashkëpunimin në fushën e rendit. Eshtë shënuar progres i rëndësishëm, por padyshim që mund të arrijmë akoma edhe më shumë”.



    Kryeministri shqiptar paraqet nismat ekonomike para biznesmenëve grekë
    Berisha: Shqipëria, vendi më i lirë për investimet e huaja

    “Qëllimi i qeverisë sime është ta bëj Shqipërinë vendin më të lirë për investimet e huaja”. Kryeministri Berisha bashkë me kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Luan Bregasi, zhvilluan një takim me biznesmenë grekë në Dhomën e Tregtisë greke. Kryeministri shqiptar në këtë takim ka shpalosur të gjithë strategjinë ekonomike të qeverisë që ai drejton, duke analizuar tërë nismat e saj. Berisha u shpreh se përfitimi i Shqipërisë nga Greqia nuk është vetëm 400 milionë euro nga investimet, por edhe disa qindra milionë të tjera nga emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje, duke e ndihmuar ndjeshëm ekonominë shqiptare. Duke vlerësuar rotacionin paqësor politik në Shqipëri, Berisha denoncoi korrupsionin dhe kleptokracinë e trashëguar nga qeveria socialiste, për të cilat qeveria mori masa të forta. “Ne përcaktuam si drejtim kryesor vendosjen e ligjit, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Në një vit kemi vendosur para drejtësisë të gjitha grupet kryesore kriminale të vendit, janë arrestuar bosët dhe anëtarët e këtyre grupeve kudo ku kanë qenë, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha Berisha përpara biznesmenëve grekë. “Shqipëria sot është një vend i sigurt. Jo sepse këtë e them unë, kryeministri i saj, por ky është besimi i grekëve, italianëve, francezëve e gjermanëve, e gjithë të tjerëve, të cilët vetëm këtë vit erdhën në Shqipëri 30 për qind më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh Berisha, duke përmendur përmasat e rritjes së turizmit në vend. Kryeministri shqiptar theksoi masat e marra nga qeveria për stimulimin e biznesit në vend, duke ulur taksat. “Në një vit përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, hoqëm taksat për të gjitha makineritë që përdoren për biznesin, ulëm 31 për qind kontributin e sigurimeve shoqërore, kemi ulur 13 për qind taksat mbi të ardhurat dhe ulëm 35 për qind çmimin e energjisë për biznesin. Kemi shpallur një nismë të re “vendi me taksën e sheshtë më të ulët në Evropë”, tha Berisha. Për ta bërë Shqipërinë vendin më të lirë për investimet e huaja, si qëllimin më ambicioz të qeverisë shqiptare, kryeministri shqiptar analizoi dhe nismat e fundit të qeverisë, si “Shqipëria, 1 euro”. “Kjo nismë do të ishte gjysmake në rast se nuk do të merrte dimensionin e saj kohor më të përshtatshëm, me një euro në një ditë. Kjo është ambicia jonë dhe kemi filluar të punojmë drejt këtij synimi. Pas disa ditësh ne nënshkruajmë një marrëveshje me USAID-in për të krijuar “one stop shop”, si një kusht për realizimin e “një euro, një ditë”, theksoi Berisha.



    Emigrantet dhe investimet
    Kryeministri shqiptar i është drejtuar Karamanlisit me deklaratën: “Të falënderoj për gjithë progresin që çështja e emigrantëve shqiptarë ka bërë në vendin mik, të diskutojmë probleme me interes të përbashkët për të bashkëpunuar më tej në të gjitha fushat, sikundër të ftoj investitorë privatë të vendit mik të investojnë në Shqipëri, si një vend i sigurt për investime dhe fitimin e tyre”.

    Hekurudha
    Presidenti i Greqisë, Papulias, ka hedhur idenë e parë të një lidhjeje hekurudhore Greqi-Shqipëri, ide e përqafuar edhe nga kryeministri, Berisha. Nga ana e tij, Berisha falënderoi presidentin grek për pritjen madhështore që iu bë, duke e cilësuar shkëlqesinë e tij projektues e kontribuues të marrëdhënieve dypalëshe, por dhe si një mik të ngushtë të shqiptarëve.

    Energjia
    Të dy kryeministrat, Berisha dhe Karamanlis, biseduan veç të tjerash edhe për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, ushtarake dhe energjetike. Dy ministrat përkatës, Ruli dhe Skiufa, firmosën përpara dy shefave të tyre dhe marrëveshjen historike të bashkëpunimit rrënjësor të zhvillimit teknologjik të energjisë, ku Greqia do të ndihmojë në sistemin e energjisë pa ndërprerje për shqiptarët.


    Në takimet e kryeministrit janë prekur edhe çështjet delikate të pronave dhe varreve të ushtarëve grekë

    Komisione për varret dhe pronat çame
    Komision nga Ministritë e Mbrojtjes në bashkëpunim me veteranët


    Çështjet delikate të pronave të shqiptarëve çamë në Greqi dhe ajo e varreve të ushtarëve grekë në Shqipëri do të zgjidhen nëpërmjet dy komisioneve të përbashkëta teknike.

    Kryeministri Berisha dhe homologu i tij grek, Karamanlis, kanë rënë dakord që këto çështje të trajtohen njëherë në nivel teknik. Kryeministri Berisha ka deklaruar dje pas takimeve me kryeministrin dhe presidentin grek, se i kishte qëndruar deri në fund çështjes së pronave sipas marrëveshjes së nënshkruar me ish-homologun e tij, Stefanopullos, kur ishte president i Shqipërisë. Madje, sipas Berishës, me ndihmën e ekspertëve, të cilët janë në punë e sipër, çështja e pronave të çamëve do të ketë një zgjidhje konkrete. Ndërsa në lidhje me varret e ushtarëve grekë në Shqipëri është rënë dakord që të ngrihet një komision i përbashkët nga dy Ministritë e Mbrojtjes, ku në bashkëpunim me shoqatat e veteranëve të të dyja vendeve, kjo çështje të zgjidhet.

    Vizita
    Është cilësuar si vizita me e suksesshme e një kryeministri shqiptar ne Athinë. Kjo pasi vizita e Berishës vinte pas incidentit të një viti më parë mes presidentëve, Moisiu-Papulias. Në selinë e Presidencës, Papulias krijoi një klimë shumë të ngrohtë për Berishën, për t’i treguar më tepër, se mendimi i presidentit grek për shqiptaret nuk ka ndryshuar. Papulias i cilësoi marrëdhëniet greko-shqiptare si të veçanta me histori të përbashkët. “Janë marrëdhënie të dy popujve me një udhë historie të gjatë, që luftuan së bashku kundër perandorisë osmane dhe sigurisht personalisht i kam dhënë një rëndësi të madhe në zhvillimet e këtyre marrëdhënieve”. Në takimin me Berishën, Papulias u shpreh se do të ishte mbështetësi më kryesor në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE. Njëkohësisht Papulias vlerësoi dhe punën e qeverisë shqiptare në përmbushjen e standardeve të minoritetit grek në Shqipëri, e cila së bashku me emigrantët shqiptarë përbëjnë dinamikën e re të marrëdhënieve të ngushta të të dy vendeve.

    Karamanlis
    Pas takimit me Papulias, Berisha takoi dhe homologun e tij, Kostas Karamnlis. Takimi u shoqërua me interesimin e lartë të mediave të të dyja vendeve. Por, duke pasur parasysh çështjen çame dhe atë të varreve të ushtarëve grekë, pala greke kishte gjetur dhe formulën më të përshtatshme që në protokollin e saj gjatë deklaratave për shtyp të mos ketë asnjë pyetje nga gazetarët. Prandaj që në fillim ishte e qartë se dy kryeministrat nuk do t’i referoheshin aspak këtyre çështjeve që për me tepër se një gjysmë shekulli kanë mbajtur marrëdhënie të trazuara. Të dy kryeministrat kanë biseduar kokë më kokë për një orë për të gjitha çështjet që përmbante axhenda e tyre, duke mos lënë mënjanë dhe çështjen e Kosovës me zhvillimet pozitive të saj.


    Ministri i Arsimit takon homologen greke, Marjeta Janaku
    Pollo, marrëveshje për ndryshimin e teksteve të historisë me Greqinë

    Një komitet i përbashkët shqiptaro-grek do të ngrihet së shpejti për të bërë që tekstet shkollore të dy vendeve të kenë frymë miqësore, duke evituar çdo negativizëm. Ky ka qenë premtimi i ministrit të Arsimit, Genc Pollo, gjatë takimit me ministren e Arsimit të Greqisë, Marjeta Janaku. Pollo ka qenë pjesë e delegacionit që shoqëron kryeministrin Sali Berisha. “Vendet tona janë karakterizuar gjithmonë nga një histori e lashtë e përbashkët, marrëdhënie dhe frymë miqësore dhe për të siguruar këtë, ne do të ngremë një komitet të përbashkët i cili do bëjë që tekstet shkollore të dy vendeve të jenë tërësisht në këtë frymë, duke evituar çdo negativizëm”, premtoi Pollo. Arsimi i fëmijëve të emigrantëve shqiptarë ka qenë një nga temat më të rëndësishme të takimit që ministri Pollo zhvilloi me homologen greke. “Më vjen mirë që ju dhe qeveria greke keni krijuar një klimë shumë më të mirë për fëmijët shqiptarë në shkolla; Gjithashtu ju keni dhënë mundësinë që fëmijët shqiptarë të ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën dhe kulturën amtare shqipe”, tha Pollo, pas takimit. Takimi me ministren e Arsimit të Greqisë, Marjeta Janaku është bërë në kuadrin e vizitës qeveritare në Athinë. “Eshtë kënaqësi të ritakoj një mike të vjetër me të cilën jam takuar më parë në kuadrin e partive tona dhe Partive Popullore Evropiane dhe është kënaqësi e veçantë të bisedojmë sot si homologë, pasi kështu ne mund të bëjmë vërtetë shumë gjëra në fushën e arsimit. Në Shqipëri ne kujdesemi që pakica greke të ketë arsimimin e duhur, madje edhe me anën e një diskriminimi pozitiv; Ne do bashkëpunojmë edhe në vazhdim me Greqinë në këtë drejtim”, tha Pollo. ministria e arsimit është angazhuar tashmë në këtë drejtim. Sipas ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, në shtetin fqinj do të hapen shkolla në gjuhën shqipe në 5 qytete kryesore. Qytete që rezultojnë edhe me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Synimi i MASH ka qenë që shkollat të çeleshin këtë vit, por ato mund të jenë edhe kurse të posaçme apo klasa ku do të mësohet shqip. Mes qyteteve të Greqisë pritet të zgjidhen Athina, Selaniku, Vollos, Patra e të tjerë. Por gjithçka do të saktësohet pas bisedimeve dypalëshe. Lëndët që do të bëjnë fëmijët e emigrantëve shqiptarë do të jenë në funksion të njohjes së rrënjëve të tyre, historisë dhe kulturës shqiptare. Kjo ide është bërë e njohur vitin e kaluar, por një nga pikat që kërkon më shumë debat lidhur me hapjen e shkollave shqipe mbetet pagesa e arsimtarëve, pra, cili shtet, Shqipëria apo Greqia do të sigurojë pagesën e tyre.

    Gazeta Panorama

  2. #22
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    mesa lexova ne takimet e Berishes me zyrtaret e larte greke ishte hedhur idea per nje hekurudhe mes dy vendeve..
    kjo do te ishte nje mrekulli ne se hidhet ne planet e dy vendeve.
    permirsimi i lidhjeve mes dy shteteve eshte sherbimi me i mire qe i behet popullit shqiptar hallexhi..
    suksese sales..

  3. #23
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Firmoset marrëveshja për energjinë. Presidenti Papulias propozon ndërtimin e një linje hekurudhore

    Shqipëri-Greqi, marrëveshje për energjinë dhe ide për hekurudhën


    N.Perndoj

    TIRANË- Është vetëm një ide e hedhur nga presidenti grek, por që është mirëpritur nga kryeministri Sali Berisha në takimin e zhvilluar mes dy palëve. Bëhet fjalë për ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhë Shqipërinë dhe Greqinë, por asgjë më tepër së kaq nuk është qartësuar. Madje edhe kjo ide është bërë publike nga kryeministri Sali Berisha pas takimit të zhvilluar me kryeministrin grek, Kostas Karamanlis. “Para se të takoja kryeministrin Karamanlis, presidenti Papulias shtroi rëndësinë që do të kishte lidhja hekurudhore midis dy vendeve. E përshëndeta këtë ide të presidentit si idenë e një miku të shquar për Shqipërinë dhe e sigurova se qeveria shqiptare do ta konsiderojë shumë seriozisht këtë ide. E diskutova këtë ide edhe me kryeministrin Karamanlis. Të dy jemi dakord që të punojmë për të krijuar sa më shumë lidhje midis dy vendeve dhe kombeve tona”, -tha Berisha. Gjatë takimit mes tij dhe presidentit grek, Papulias, është diskutuar edhe për integrimin e Shqipërisë në BE, ku, sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, Papulias ka shprehur mbështetjen e Greqisë dhe të tij personale për integrimin e Shqipërisë në BE.
    Emigrantët dhe energjia
    Ndërsa në takimin e zhvilluar me kryeministrin grek, Kostas Karamanlis, është folur për garancitë që do të japë shteti grek lidhur me pensionet e emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. “Kryeministri grek vlerësoi pozitivisht kërkesën e qeverisë shqiptare në lidhje me pensionet e emigrantëve. Ai theksoi se qeveria greke do ta shikojë me kujdes këtë kërkesë, duke pranuar që emigrantët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm qoftë me punën e tyre, ashtu dhe me të ardhurat në formën e sigurimeve shoqërore”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Edhe presidenti i Greqisë, Papulias, ka garantuar se shteti grek i kushton rëndësi përmirësimit të kushteve dhe integrimit të tyre në shoqërinë greke. Në të njëjtën kohë është folur edhe për minoritetin grek në Shqipëri, ku kryeministri Berisha ka garantuar respektimin e të drejtave të këtij komuniteti. Në veçanti, kryeministri grek, Karamanlis, vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes për energjinë, e cila do të sigurojë jo vetëm bashkëpunimin në sektorin energjetik, por do të bëjë të mundur krijimin e një rrjeti rajonal të shpërndarjes së energjisë elektrike. Marrëveshja për energjinë që u konsiderua shumë e rëndësishme nga të dy homologët, u nënshkrua nga ministri Genc Ruli dhe ai grek, Dimitris Sioufas. Sipas ministrit grek, marrëveshja është një çelës i rëndësishëm për çështje që kanë të bëjnë me energjinë elektrike, naftën dhe gazin. Në fund të takimeve, kryeministri Berisha deklaroi se bisedimet mes palëve përfshinë të drejtat e minoritet etnik grek në jug të Shqipërisë si dhe vlerësimin e 600 mijë emigrantëve shqiptare që jetojnë në Greqi. Krahas çështjeve të mësipërme, gjatë takimeve është diskutuar edhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve greke në Shqipëri.

    Shekulli

  4. #24
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Pollo me ministren greke të Arsimit

    Greqia, ndërtesa pa qera për shkollat shqipe


    Shqipëria dhe Greqia do të ngrenë një komitet të përbashkët, i cili do bëjë rregullime në tekstet shkollore të dy vendeve, në mënyrë që ato të shmangin çdo negativizëm. Kjo është bërë e ditur dje në Greqi nga ministri i Arsimit, Genc Pollo, në takimin me homologen e tij greke, Marjeta Janaku. Gjatë këtij takimi mësohet se është rënë dakord që shteti grek të japë banesa pa qira, në mënyrë që fëmijët e emigrantëve shqiptarë të mësojnë në gjuhën shqipe. Në këtë takim ministri Pollo ka nënvizuar se në Shqipëri qeveria kujdeset që pakica greke të ketë arsimimin e duhur. “Më vjen mirë që ju dhe qeveria greke keni krijuar një klimë shumë më të mirë për fëmijët shqiptarë në shkolla. Gjithashtu, ju keni dhënë mundësinë që fëmijët shqiptarë të ruajnë dhe zhvillojnë gjuhën dhe kulturën amtare shqipe”, - ka theksuar Pollo në takimin me ministren greke, Janaku. Sipas Pollos, Shqipëria dhe Greqia janë karakterizuar gjithmonë nga një histori e lashtë e përbashkët, me marrëdhënie dhe frymë miqësore dhe për të siguruar këtë, do të bëhet edhe rishikimi i teksteve shkollore, në mënyrë që të hiqen aspektet negativiste.

    GSH

  5. #25
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri flet pas vizitës së tij dyditore në vendin fqinj

    Berisha: Çështja çame sipas “traktatit të miqësisë”

    Zoti kryeministër, çështja e pronave çame konsiderohet një çështje e hapur apo një kapitull i mbyllur?

    Ju e njihni qëndrimin tim. Qëndrimi im për këtë çështje është sanksionuar në traktatin që unë, së bashku me presidentin Stefanopulos kemi firmosur për problemin e pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe qytetarëve grekë në Shqipëri. Kjo është një çështje tekniko-juridike e përcaktuar në traktat dhe unë i mbetem plotësisht traktatit që kam firmosur. Ministritë respektive duhet të ngrejnë grupet tekniko-ligjore, në mënyrë që kjo çështje, rast pas rasti, të trajtohet në kuadrin e ligjeve dhe të traktatit të miqësisë.

    Jeni takuar me anëtarë të mazhorancës, por edhe me përfaqësues të opozitës. Sa optimist keni dalë prej këtyre takimeve për ratifikimin e MSA-së nga Greqia?

    Unë jam takuar me përfaqësues të mazhorancës, si dhe me përfaqësues të opozitës, zotin Papandreu, dhe këtë e konsideroj detyrë, sepse miqësia dhe bashkëpunimi midis dy vendeve dhe kombeve është një detyrë e të gjithë spektrit politik. Kësaj detyre i kanë qëndruar plotësisht qeveritë tona, pavarësisht, cili ka qenë spektri i tyre politik. Në këtë kontekst është shumë normale ta takoj dhe ta falenderoj zotin Papandreu. Me zotin Papanderu diskutuam për marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai i mbështet plotësisht këto marrëdhënie edhe në opozitë. Diskutuam probleme të rajonit, probleme të lidhura me investimet greke në Shqipëri, probleme të minoritetit, të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Pra, diskutuam një spektër të gjërë çështjesh. Nuk ka asnjë lloj mëdyshjeje se zoti Papandreu, me grupin e tij parlamentar që kryeson do të votojë, së bashku me deputetët e Partisë Neo Demokracia dhe deputetët e partive të tjera, ratifikimin e marrëveshjes.

    Zoti kryeministër, cilat ishin problemet konkrete që diskutuat me kryeministrin Karamanlis për emigrantët? Së dyti, kryeministri Koshtunica ka deklaruar se Kosova do të përfshihet në Kushtetutën e Serbisë. Do të doja një koment për këtë, si dhe qëndrimin e zotit Karamanlis për Kosovën?

    Siç e theksova, diskutuam edhe për emigrantët. Një nga problemet që ne konsiderojmë të rëndësishme dhe që në tërësi kemi gjetur edhe mirëkuptimin e kryemistrit Karamanlis dhe qeverisë së tij është problemi i pensioneve. Ka një aspekt sa ekonomik edhe human ky problem. Unë jam ndarë sot, realisht optimist. Kam parë një vullnet të qartë tek qeveria, për të ecur drejt zgjidhjes së tij. Sikundër e diskutova edhe me opozitën, meqenëse mund të jetë edhe vendim parlamenti. Gjeta të njëjtin mirëkuptim edhe nga shefi i opozitës, zoti Papandreu.

    Diskutova me presidentin, lidhur me mundësitë që shqiptarët të mësojnë gjuhën e tyre amëtare këtu. Edhe presidenti Papulias e mbështeti plotësisht këtë ide. Jam informuar nga ambasada se Ministria e Arsimit ka lëshuar një qarkore, në të cilën u kërkon të gjitha bashkive e komunave të krijojnë lehtësirat e nevojshme për këtë dhe kjo është në proces e sipër. Natyrisht edhe ne do të bëjmë përpjekje për t’i furnizuar me libra e mjetet e nevojshme, që krahas shkollimit të gjuhës greke të mësojnë në orë suplemetare edhe gjuhën e nënës. Tek udhëheqja politike e këtij vendi mik gjeta ndjenja miqësore dhe vlerësim të madh për rolin e shqiptarëve.

    Lidhur me deklaratën e sotme të kryeministrit Koshtunica, më duhet të shpreh keqardhjen se Beogradi ka një mungesë realizmi në qëndrimin ndaj problemit të Kosovës. Kryeministri Karamanlis shprehu preokupimin e tij për të drejtat e serbëve të Kosovës, por ky nuk është vetëm një preokupim i kryeministrit Karamanlis, por është një preokupim edhe i Kryeministrit të Shqipërisë dhe duhet të jetë një preokupim tërësor. Ju informoj se në të gjitha takimet që bëj me udhëheqëit e Kosovës, të qeverisë dhe forcave politike, ndër pikat e para në axhendën e bisedimeve janë liritë dhe të drejtat e minoritetit serb të Kosovës, të cilat duhet të garantohen. Nga ana tjetër, e sigurova kryeministrin Karamanlis se udhëheqja e Kosovës ka një vetëdije dhe përkushtim të plotë për garantimin e këtyre lirive dhe të drejtave, kjo është ajo që biseduam.

    Meqenëse ju deklaruat qëndrimin tuaj për pronat çame, mund të na thoni se cili ishte qëndrimi i kryeministrit Karamanlis?

    Mund t’u them se ky problem ka dalë në mënyrë të përsëritur. Nuk kam gjetur asnjë nga autoritetet, me të cilat kam diskutuar, që të mos pranojë referencën e Traktatit të Miqësisë e Bashkëpunimit. Çështjes i jepen nuanca nga më të shumtat. Natyrisht, në trajtimin e këtij problemi, i jam përmbajtur dhe me vetëdije të plotë kam firmosur një traktat, për të cilin mendoj se u jep përgjigjen më të mirë të mundshme problemeve të lidhura me pronat e shqiptarëve në Greqi, por edhe të qytetarëve grekë në Shqipëri. Çështja e pronave është një çështje që duhet zgjidhur.

    Tema

  6. #26
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22
    Komente të mediave greke


    “Kathimerini”

    Në gazetën “Kathimerini”, me titull “Klima e mirë e takimit Karamanlis-Berisha” dhe nëntitullin “Një kapitull i veçantë në çështjet e arsimit”, shkruhet: “E gjithë gama e marrëdhënieve greko-shqiptare u diskutua dje midis kryeministrave të të dy vendeve, zotit Karamanlis dhe zotit Berisha, gjatë takimit të tyre, për të cilin të dy palët u shprehën se u realizua në një klimë shumë të mirë”. Sektori ekonomik, duke patur përparësi investimet, por edhe bashkëpunimi në energjitikë, rend, etj., ishin në qendër të bisedimeve midis të dy kryeministrave. “Ka një zhvillim progresiv, por natyrisht mund të kemi arritje edhe më të mëdha”,- u shpreh zoti Karamanlis dhe vazhdoi: “Shqyrtuam investimet e biznesmenëve grekë në Shqipëri dhe problemet që përballojnë atje. Gjithashtu folëm për çështjet e minoritetit grek në vendin fqinj dhe sigurisht diskutuam dhe çështje që kanë të bëjnë me emigrantët shqiptarë këtu”.

    Sipas informacionit, pala greke shtroi me përparësi çështjen e varrezave të eshtrave të të rënëve grekë në luftën italo-greke tek zoti Berisha, gjë që ai, sipas informacionit, e priti pozitivisht. Duke u pyetur rreth kësaj çështjeje, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, zoti Kumucakos tha: “Para disa muajsh ishte diskutuar në rang specialistësh. Mund të them se çështja rreth varrezave ushtarake për të rënët grekë në Shqipëri ka ecur miirë, por ende nuk ka mbaruar. Ka mbetur disi pezull”

    Kryeministri shqiptar nënvizoi se “ekziston një frymë mirëkuptimi dhe vendosmërie që të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona. Folëm për ecurinë e të drejtave të njeriut si dhe të drejtat e minoriteteve në Shqipëri, si dhe për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi”.

    Sipas të dhënave, zoti Berisha midis të tjerash foli për sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë në vendin tonë dhe për çështje të arsimit në shkollat greke. Gjithashtu, u shtrua dhe çështja e shkollave private dygjuhëshe (greqisht-shqip) në Shqipëri. Informohemi se zoti Pollo kërkoi mësimin e gjuhës shqipe në shkollat greke. Tepër miqësore ka qenë edhe klima edhe gjatë takimit të zotit Berisha me Presidentin e Republikës, Karolos Papulias. “Jam i lumtur që ju takoj. Takimi me ju është një takim me një shkëlqesi, me një mik të veçantë të popullit shqiptar. Përfitoj nga momenti që t’ju falënderoj për ndjenjat miqësore që keni treguar gjithmonë, edhe në të kaluarën për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe për kontributin tuaj të vyer për marrëdhëniet midis dy vendeve”,- tha z. Berisha, i cili u takua edhe me kryetarin e PASOK-ut, z.Papandreu.


    “TO VIMA”

    Në gazetën “TO VIMA”, me titull “Klimë e mirë gjatë takimit me Berishën” dhe me nëntitull “Takimi i Kryeministrit Shqiptar me Karamanlis për marrëdhëniet dypalëshe”, shkruhet: “Në një klimë të mirë, sipas burimeve qeveritare, u zhvilluan takimet e djeshme në Athinë të Kryeministrit Shqiptar z. Sali Berisha, i cili u prit nga Presidenti i Republikës, zoti Karolos Papulias dhe pastaj nga zoti Karamanlis dhe kryetari i PASOK-ut, Papandreu. Presidenti i Republikës i bëri një pritje shumë të ngrohtë kryeministrit shqiptar, duke kujtuar “interesimin e madh” që tregonte ai vetë, si ish-ministër i Jashtëm, për marrëdhëniet greko-shqiptare. Duke e vlerësuar plotësisht këtë kontribut, zoti Berisha falënderoi presidentin grek “për ndjenjat miqësore që keni treguar për Shqipërinë dhe shqiptarët”, duke shtuar “i nisët këto marrëdhënie në një kohë shumë të vështirë, por rezultatet janë shumë të mëdha”.

    Në epiqendrën e bisedimeve Karamanlis-Berisha ishin marrëdhëniet dypalëshe me përparësi çështjet ekonomike, të tregtisë, të energjisë, të rendit, çështjet e minoritetit grek në Shqipëri, çështje që kanë të bëjnë me emigrantët shqiptarë në Greqi, si mësimi i gjuhës së tyre, por dhe çështje të tjera të sigurimeve shoqërore (nën dritën e propozimit që i ka bërë ministrit z.Cituridhis homologut shqiptar zotit K. Barka)

    “Prespektivat e marrëdhënieve tona janë të mëdha dhe jam i kënaqur, sepse treguam vullnetin tonë për ecurinë e mëtejshme”,- theksoi kryeministri grek, kurse Berisha, pasi falënderoi qeverinë greke për gjithë ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë “Drejt realizimit të vizionit europian”, tha se folën për zbatimin e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, si dhe për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

    Çështje kritike të ballkanit perëndimor si dhe ato që kanë të bëjnë minoritetin grek në Shqipëri dhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi u diskutuan gjerësisht e gjatë takimit të kryeministrit shqiptar me kryetarin e PASOK-ut, J.Papangreu”.

    Tema

Faqja 3 prej 3 FillimFillim 123

Tema të Ngjashme

  1. Rriten pensionet per 555 mije pensionist
    Nga Florim07 në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 08-05-2009, 12:21
  2. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  3. Rikthimi i themeluesve të PD-së
    Nga Veshtrusja në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 67
    Postimi i Fundit: 01-10-2005, 16:22
  4. "Nano Ik", protesta sërrisht në Bruksel
    Nga Asteroid në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 500
    Postimi i Fundit: 02-05-2004, 12:07
  5. Permbysja e rregjimit ne 97, Revolucion komunist?
    Nga Seminarist në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 28-05-2003, 23:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •