Shefi i zyrës së Emigrimit, Hatibi, tha se qeveria italiane ka propozuar futjen e lejes së qëndrimit për motive punëkërkimi

Itali, garanci që të shkosh emigrant punëkërkues

Shuma e garancisë për lejen e qëndrimit për motive punëkërkimi mendohet të jetë 2-3 mijë euro

Eglantina Bardhi

Qeveria Italiane ka propozuar futjen e lejes së qëndrimit për motive punëkërkimi. Sipas kësaj leje mund të shkohet në Itali si punëkërkues, por vetëm nëse ke dikë që të hyjë garant dhe përkundrejt një shume parash. Këtë e deklaroi shefi i Zyrës së Emigracionit, Durim Hatibi, pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, i cili theksoi se qëllimi kryesor i futjes së kësaj lejeje qëndrimi është që emigranti, të futet në shtetin fqinj që herën e pare, rregullisht. “Vetë ministri i Solidaritetit Social, Paolo Ferrero, ditët e fundit shprehu edhe një herë vendosmërinë e “Qeverisë Prodi,” për të thelluar reformën e premtuar në fushën e imigrimit”-, theksoi Hatibi, duke shtuar se një ndër pikat e kësaj reforme është leja e qëndrimit për motive punëkërkimi. Ndërsa, sa i takon shumës së garancisë, Hatibi tha se pala italiane ka menduar të jetë 2-3 mijë euro, por që kjo sipas tij do t’i nënshtrohet diskutimeve të mëtejshme. Natyrisht kjo nismë e qeverisë italiane shton ai, do të marrë formë të plotë dhe të përmirësuar në vjeshtë, kur edhe infomacionet teknike do të jenë më të hollësishme.

Kriteret

Leja e qëndrimit për motive punëkërkimi parashikon hyrjen në Itali, jo vetëm të atyre që tashmë kanë një kontratë pune dhe ndodhen në vendin e origjinës, por edhe të personave që vijnë në Itali si punëkërkues. “Sigurisht, që kjo do të ketë disa kushte paraprake, mes të tjerash një “sponsor”, apo garant i këtij punëkërkuesi dhe një shumë parash, që garanton mbajtjen e punëkërkuesit, sa kohë që ka këtë status”,- pohon Durim Hatibi. Me fjalë të tjera shpjegon ai në tipologjinë e lejeve të qëndrimit mendohet të shtohet edhe “leje qëndrimi me motive si punëkërkues”. Në fakt, kjo nismë ligjore, lidhur me këtë tip hyrjesh në Itali sipas Hatibit rikuperon një dispozitë të anulluar nga “Ligji Bosi-Fini", por që ekzistonte, si mekanizëm në ligjin themelor, i cili disiplinon imigrimin dhe kushtet e të huajit në Itali. “Ministri italian, Ferrero saktëson se ndërhyrja e parashikuar mund të jetë arma kryesore për t’iu kundërvënë parregullsisë, por ai shton se dhënia e lejes së qëndrimit për punëkërkuesin nuk do të jetë pa kushte”,- thotë Hatibi.

Kush do të jetë garanti

E ndërsa theksohet se një ndër kushtet e për të fituar lejen e qëndrimi për motive punëkërkimi pala italiane ka parashikuar edhe se kush mund të jetë “sponsori”, apo garanti. Kështu garant sipas Hatibit mund të bëhen shtetas italianë, persona fizikë dhe juridikë, por edhe shtetas të huaj me qëndrim të rregullt në Itali ku në këtë rast kanë të drejtë të përfshihen edhe shqiptarët. “Mes “sponsorve”, ministri Ferrero saktëson se mund të jenë edhe shoqata sipërmarrëse, apo vullnetare, që do të përkujdesen për emigrantin”-, thotë Hatibi duke shtuar se shuma e garancisë mund të jetë 2-3 mijë euro, por që do t’i nënshtrohet diskutimeve të mëtejshme.

Gazeta Shekulli