Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22

    Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane mbledh konventën e saj në Tiranë

    AANO (Albanian-American National Organization-Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane), mbledh konventën e saj në Tiranë

    400 shqiptaro-amerikanë vinë në atdhe

    Pjesa me e madhe e vizitorëve janë gjenerata e dytë dhe e tretë e emigrantëve shqiptarë, pra të lindur dhe të rritur në Amerikë

    Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane ka vendosur të realizojë një ëndërr të shumë personave që kanë qenë dhe janë anëtarë të saj. Kjo ëndërr po realizohet dhe AANO, me datën 2 deri 6 gusht, 2006, do të festojë 60-vjetorin e themelimit dhe Kuvendin Vjetor në Shqipëri. Pjesa me e madhe e vizitorëve janë gjeneratë e dytë dhe e tretë e emigrantëve shqiptarë, pra të lindur dhe të rritur në Amerikë, të cilët vazhdojnë ta ruajnë me kujdes identitetin dhe vlerat e shtrenjta kombëtare-shqiptare. Për shumë anëtarë të AANO, kjo do të jetë vizita e parë në atdheun e baballarëve. Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) do të sjellë mbi 400 shqiptaro-amerikanë në Konventën Vjetore dhe kremtimin e 60-vjetorit të themelimit të kësaj organizate që do të bëhet në Tiranë nga 2 deri 6 gusht, 2006. “Një ide e bukur dhe emocionuese e cila synon të realizojë monumentin më të madh kombetarë-bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo që janë”,- sikurse thotë ministri Leskaj, në fjalën e tij. Qendra e Konventës, “Rogner Hotel Europark” është rezervuar plotësisht, ndërsa hoteli i dytë, “Tirana Internacional”, po mbushet shumë shpejt. Grupe të ndryshme, në mosha të ndryshme, nga SHBA dhe Kanadaja, të entuziazmuar do të udhëtojnë drejt tokës së paraardhësve të tyre, për të kremtuar 60-vjetorin e AANO-s. Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) është një organizatë jofetare dhe jopolitike që është themeluar në vitin 1946, për të ruajtur dhe festuar ato gjëra të veçanta që vijnë me prejardhjen shqiptare. Një nga prioritetet e kësaj organizate është të mbështesë studentët shqiptaro-amerikanë me bursa vjetore studentore në përpjekjet e tyre akademike. Çdo vit, organizata jep mijra dollarë në formën e bursave studentore dhe përgjatë këtyre viteve qindra studentë kanë pasur mbështetjen e Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane. Kontribute bujare janë dhënë gjatë viteve nga komuniteti shqiptaro-amerikan për ngritjen e këtij fondi. Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) ka nëntë degë të shpërndara në të gjithë Amerikën dhe Kanadanë. Çdo degë organizon aktivitete lokale me karakter kulturor dhe merr pjesë në aktivitetet e përgatitura nga Organizata Nacionale. Një ndër aktivitet e AANO-s është “Kuvendi Vjetor” që mbahet në javën e parë të muajit gusht. Ky kremtim prej triditësh ka për qëllim bashkimin e shqiptarëve, për të kremtuar virtytet e shtrenjta dhe kulturën e pasur shqiptare që të trashëgohen nga gjeneratat e reja. Kjo organizatë është një organizatë shoqërore dhe kulturore e bazuar në principet familjare dhe shumë familje, së bashku do ta vizitojnë Shqipërinë për herë të parë. Në këto grupe vizitorësh përfshihen mbi 30 fëmijë, por nuk do të mungojnë as persona që i afrohen moshës 80-vjeçare. Pjesa me madhe e të rinjve do të kenë rast të njihen me vendin e prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe me këtë vizitë do të marrin hapat e parë për të stabilizuar një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Gjatë konventës do të kryhen aktivitete të ndryshme si një vizite dhe drekë në Krujë, premiera e filmit dokumentar “Toka e Shqiponjave”, ndërsa ditën e premte do të kremtohet me një darkë dhe argëtime. Ditën e shtunë në mëngjes do të mbahet një seminar nen titullin “Investimet në Shqipëri”, ndërsa mbrëmja do të fillojë me “Pritjen e Mysafirëve dhe Personaliteteve të Dalluara”, duke vazhduar me “Grand Banket”, darkën kryesore të konventës. Të dielën pasdite, Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane do të mbajë “Mbledhjen e Hapur”, ku do të zgjidhet kryesia e re e organizatës. Pas mbledhjes, konventa do të përfundojë me një spektakël në “Hotel Adriatiku” në Durrës. Përveç konventës, vizitorët kanë planifikuar vizita rreth e përqark Shqipërisë. Një numër i dukshëm do të vizitojnë rajonin e Korçës, grupe të tjera do të vizitojnë Sarandën, Butrintin, Lezhën dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Ndërkohë që bashkëkryetarët e kësaj organizate, zotërinjtë John Lulgjuraj dhe Al Foundos me këtë rast duan të falenderojnë përzemërsisht Qeverinë Shqiptare, për përkrahjen ndaj iniciativës së tyre, në veçanti falenderojnë Ministrin e Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, z.Bujar Leskaj, i cili ka dhënë mbështetje te plotë, për realizimin e këtij aktiviteti te rëndësishëm. Ndërkohë që ministri Leskaj në fjalën e tij thotë: “Një ide e bukur dhe emocionuese e cila synon të realizojë monumentin më të madh kombëtar, bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo që janë. Diaspora shqiptare e kudondodhur, ndryshe nga të tjerat ka patur një fat dhe përgjegjësi të madhe përballë historisë. Modeli më i mirë i integrimit për ne jeni ju, shqiptarët e Amerikës që në kushtet e lirisë, duke respektuar punen, sakrificat dhe demokracinë si të tillë, duke arritur suksese të admirueshme në ekonomi, në jetën sociale e politike, në kulturë e fusha të tjera, dëshmuat se shqiptari është një individ dhe bashkësi e denjtë në botën perendimore, ndan të njëjtin qytetërim të njëjtat vlera të demokracisë universale. Kjo konventë është shenjë që ju dhe ne së bashku po besojmë në fuqinë e vullnetit tonë dhe po besojmë seriozisht në rindërtimin e ndërgjegjes sonë vetjake e kolektive, në shërbim së të sotmes e së të nesërmes. Së bashku duhet të punojmë që jo 300, por tre mijë, 30 mijë e shumë më teper shqiptaro-amerikanë të rizbulojnë vendin e etërve dhe gjyshërve, duke respektuar profecinë e Nolit “Mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”.





    II.

    Deklarata e lëshuar në konventën vjetore të AANO që zhvillohet në Tiranë

    AANO nderon Ismail Kadarenë

    “Diktatura dhe letërsia autentike janë të papërshtashme. Shkrimtari është armiku i natyrshëm i diktaturës”,- thotë Kadare

    Tiranë, Shqipëri, 24 korrik, 2006. Organizata Kombëtare Shqiptaro- Amerikane (AANO) lëshoi deklaratën që vijon, në lidhje më nderimin e shkrimtarit të madh shqiptar Isamil Kadare, në konventën vjetore të 60-të, në banket, me 5 gusht 2006, në Hotel “Rogner Europapark”. Publikime të shumta prestigjioze si Neë York Times, Ëall Street Journal dhe The Los Angeles Times, kanë lavdëruar Ismail Kadarenë si një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të mirë të botës. Shpesh i krahasuar me Kafkën, Orëellin dhe Kunderën si një “kronikan kryesor i shtypjes”. Vepra e Kadaresë është përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Kohët e fundit, Kadareja zuri titujt kryesorë në shtypin ndërkombëtar, kur fitoi International Booker Aëard. Konkurruesit e tjerë për këtë titull ishin titanët e letërsisë si Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Philip Roth. Secili kandidat u vlerësua për të gjithë veprën e tij. S’ka shumë kohë që kur Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e nderoi Kadarenë me një darkë të veçantë me 18 prill 2006 në Nju Jork. Ky triumf shënon edhe një kontribut tjetër të madh në përmirësismin e imazhit shqiptar në botë nga burri që na dha “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe “Prillin e thyer”. Kadareja është përmendur shpesh si një kandidat për çmimin Nobël për letërsinë dhe mbetet një pretendent i fortë. Kadareja është një mjeshtër në përdorimin e alegorive në shkrimet e tij, për të shfaqur karakterin e vërtetë të rregjimit totalitar dhe të doktrinave të realizmit socialist. Shumë nga librat e tij hasën në rezistencë nga regjimi komunist i Shqipërisë në vitet ’70, ndërsa Kadareja po bëhej përditë e më tepër një kritikues i aparatit totalitar. “Diktatura dhe letërsia autentike janë të papërshtashme”,- pati thënë ai. “Shkrimtari është armiku i natyrshëm i diktaturës”. Fama ndërkombëtare e Kadaresë u rrit kur kërkoi strehim politik në Francë në vitin 1990, kur Shqipëria ishte ende nën kontrollin komunist. Në dekadën e fundit, disa nga librat e Kadaresë janë bërë të pranishëm në Amerikën e Veriut nëpërmjet rrjeteve të librarive si “Barnes and Noble”. Në stile të ndryshme, që nga fiksioni historik deri te folklori e te letërsia bashkëkohore, titujt që gjenden në anglisht përfshijnë: “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Ura me tri harqe”, “Pallati i ëndrrave”, “Koncerti”, “Piramida”, “Lulet e ftohta të marsit”.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22
    Nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë

    Bujar LESKAJ*

    Gjatë punës time si anëtar i kabinetit Berisha kam patur shumë momente të rëndësishme, por ky i tanishmi, pra kjo mbrëmje, është e veshur me petkat e së veçantës. Një ide e bukur dhe emocionuese e cila synon të realizojë monumentin më të madh kombëtar, bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo që janë, na ka mbledhur sonte në këtë konventë të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane, të cilës i uroj punë të mbarë për të mirën tonë të përbashkët.
    Diaspora shqiptare, kudo e ndodhur, ndryshe nga të tjerat, ka patur një fat dhe përgjegjësi të madhe përballë historisë.
    Ajo si qendër rëndese pati gjithmonë Shqipërinë që nga Rilindja Kombëtare e deri më sot.
    Kur Shqipëria mungonte, kur ajo vetë rrethohej me gjemba, ju, të dashur bashkatdhetarë, u shndërruat në tejzgjatje të atdheut, në ambasadorë të tij në botën e qytetëruar dhe të lirë, si projeksioni më i mirë i dëshirave dhe ëndrrave të vëllezërve dhe motrave tuaja nën diktaturën komuniste.
    Ju u shndërruat në punëtorë të palodhur të lirisë kombëtare e shoqërore për krejt hapësirën shqiptare në Ballkan e për këtë kini e do të kini gjithmonë mirënjohjen e kombit tuaj.
    Prezenca juaj në SHBA, në shtetin e lirive dhe të drejtave, ka qenë një faktor i rëndësishëm që ka përcaktuar miqësinë ndërmjet dy popujve përgjatë historisë, pavarësisht nga lufta e ftohtë.
    Ne gjejmë tek SHBA mbështetësin kryesor të çështjes shqiptare si dhe aleatin kryesor në të gjitha betejat tona për zhvillim shoqëror e politik, e cila falë jush i bën këto lidhje edhe më të natyrshme.
    Po të shfletojmë fjalorin demokratik të termave të këtyre viteve, në vendin tonë fjala integrim është më e përdorshmja.
    Rreth saj kanë pluskuar dilema e hamendje, paragjykime e vrasje ndërgjegjeje të pafund e zhbirime historike me kahe e tendenca të kundërta.
    Modeli më i mirë i integrimit për në jeni ju shqiptarët e Amerikës që në kushtet e lirisë, duke respektuar punën, sakrificat dhe demokracinë, duke arritur suksese të admirueshme në ekonomi në jetën sociale e politike, në kulturë e fusha të tjera dëshmuat se shqiptari është një individ dhe bashkësi e denjë në botën perëndimore, ndan të njëjtin qytetërim, të njëjtat vlera të demokracisë universale.
    Siç ju e dini, rruga jonë drejt demokracisë dhe progresit nuk ka qenë e lehtë, por ju keni ardhur në Tiranë pas një ndryshimi të madh politik e shoqëror të përftuar nga zgjedhjet e 3 korrikut të 2005-ës, produkt e të cilave është edhe qeveria Berisha.
    Kjo qeveri mbi të gjitha po përpiqet të krijojë një fuqi morale të re për krejt jetën tonë kombëtare bazuar në shenjtërinë e ligjit në luftën e pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit si dhe në krijimin e një infrastrukture që nxit zhvillimin ekonomik e hap rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe organizmave Atlantikë.
    Kjo Konventë është shenjë që ju dhe ne së bashku po besojmë në fuqinë e vullnetit tonë dhe po besojmë seriozisht në rindërtimin e ndërgjegjes tonë vetjake e kolektive në shërbim të së sotmes e të së nesërmes.
    Në cilësinë e ministrit të Turizmit, kam kënaqësinë t'ju njoftoj se Turizmi është një nga prioritet e kësaj qeverie.
    Është prioritet sepse ne jemi të ndërgjegjshëm për bukuritë dhe pasuritë e mëdha natyrore me dete e male si pak kush dhe sitet e shumta kulturore e arkeologjike nëpërmjet të cilave po potencilizojmë turizmin kulturor.
    Më konkretisht, për të stimuluar sa më shumë zhvillimin e Turizmit, ne kemi punuar njëkohësisht në fushën e legjislacionit, duke e përmirësuar e modernizuar atë si dhe me asistencë për të gjithë operatoret turistikë në vend.
    Në një hark të ngushtë kohe në bashkëpunim me ekspert dhe organizma të specializuar ndërkombëtarë hartuam strategjinë kombëtare të zhvillimit të turizmit, e cila po jep frytet e para. Gjatë këtij 6-mujori patëm rreth 80 mijë turistë më shumë se një vit më parë.
    Qeveria jonë po favorizon investimet e huaja në shumë sektorë të jetës ekonomike të vendit, por ajo dëshiron mbi të gjitha që këta investitorë të jenë shqiptarë, prandaj ju bëj një thirrje të sinqertë: Ejani dhe investoni në Shqipëri, sepse këtu do të keni mjaft lehtësira fiskale dhe siguri të plotë për biznesin tuaj.
    Panorama turistike e Shqipërisë ju ofron ju shansin e zgjedhjes, çka do të thotë një nisje e sigurt për paratë tuaja.
    Sonte këtu jeni 300 shqiptaro-amerikan e ju falënderoj të gjithëve që na keni nderuar me praninë tuaj e në veçanti falënderoj zotin Gjon Lulgjuraj, që është përpjekur më së shumti për t'ia arritur këtij çasti, por së bashku duhet të punojmë që jo 300 por 3 mijë, 30 mijë e shumë më tepër shqiptaro-amerikan të rizbulojnë vendin e etërve dhe gjyshërve, duke respektuar profecinë e Nolit "Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë".

    *Fjala e ministrit të Turizmit, dje, gjatë Konventës së Organizatës Shqiptaro -Amerikane të mbështetur nga MTKRS-ja

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22
    Shqiptaro-amerikanët bashkohen në Shqipëri. Për katër ditë do të udhëtojnë nëpër vend

    Vizitë në Shqipëri 400 shqiptaro-amerikanë

    Dorina TOPOLLAJ

    Rreth 400 amerikanë me origjinë shqiptare kanë mbërritur dje, nga SHBA-ja dhe Kanadaja, për udhëtuar nëpër Shqipëri për katër ditë. Aktiviteti është organizuar nga Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO), e cila ka kremtimin e 60 vjetorit të themelimit në Konventën Vjetore dhe mbështetet nga Ministria e Turizmit. Dje, kreu i kësaj ministrie, Bujar Leskaj, i përshëndeti bashkatdhetarët në Hotel Rogner, aty ku edhe janë sistemuar, duke u uruar mirëseardhjen. Leskaj i ka ftuar ata të investojnë në Shqipëri, duke i siguruar se do të kenë mjaft lehtësira fiskale dhe siguri të plotë për biznesin. Sipas të dhënave të organizatës, pjesa më e madhe e vizitorëve janë brez i dytë dhe i tretë e emigrantëve shqiptarë, pra të lindur dhe të rritur në Amerikë, të cilët vazhdojnë ta ruajnë me kujdes identitetin dhe vlerat kombëtare-shqiptare. Shumë prej tyre vijnë për herë të parë në Shqipëri.

    Amerikano-shqiptarët

    Kanë mbërritur të lodhur nga udhëtimi i gjatë për në tokën e të parëve dhe s'janë në gjendje të japin intervista. Disa prej tyre mezi flasin shqip, por dëshira për të parë Shqipërinë për ta është e madhe. Grupi i vizitorëve ka ardhur së bashku me familjet. Kështu ndër ta janë 30 fëmijë, por nuk mungojnë as persona që i afrohen moshës 80-vjeçare. Qëllimi i AANO-s, është që pjesa më madhe e të rinjve do të kenë rast të njihen me vendin e prindërve dhe gjyshërve të tyre, dhe me ketë vizitë do të marrin hapat e parë për të stabilizuar një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë. Për këtë ata do të udhëtojnë nëpër vend, do të takojnë biznesmenë e qeveritarë, sipas një axhende të mirëpërcaktuar që në Amerikë.

    Intenerari

    Disa nga aktivitetet gjatë Konventës do të jenë një vizitë dhe drekë në Krujë, premiera e filmit dokumentar "Toka e Shqiponjave", dita e premte do të kremtohet me një darkë dhe argëtime. Të shtunën në mëngjes do të mbahet një seminar nën titullin "Investimet në Shqipëri", derisa mbrëmja do të fillojë me "Pritjen e Mysafirëve dhe Personaliteteve të Dalluara", duke vazhduar me "Grand Banket", darkën kryesore të Konventës. Ditën e diel herët pasdite, Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane do të mbajë "Mbledhjen e Hapur", ku do të zgjidhet kryesia e re e Organizatës. Pas mbledhjes, Konventa do të përfundojë me një spektakël në Hotel Adriatik në Durrës. Përveç Konventës vizitorët kanë planifikuar vizita rreth e përqark Shqipërisë. Përveç Tiranës anëtaret e Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane do të vizitojnë vendet e ndryshme në mbarë Shqipërinë, Krujën, Lezhën, Pogradecin, Shkodrën, Durrësin, Vlorën, Gjirokastrën, Korçën, Sarandën, Butrintin, Apoloninë dhe vende tjera.

    Ç’është Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane

    Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane (AANO) është një organizatë jo fetare dhe jo politike, që është themeluar në vitin 1946 për të ruajtur dhe festuar ato gjëra të veçanta që vinë me prejardhjen tonë shqiptare. Ajo drejtohet nga bashkëkryetarët John Lulgjuraj dhe Al Foundos. Çdo vit organizata jep mijëra dollarë në formën e bursave studentore dhe përgjatë këtyre viteve, qindra studentë kanë pasur mbështetjen e Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane. Një ndër aktivitet e AANO-s është Kuvendi Vjetor, që mbahet në javën e parë të muajit gusht. Ky kremtim prej tri ditësh ka për qëllim bashkimin e shqiptarëve për të kremtuar virtytet e shtrenjta dhe kulturën e pasur shqiptare që të trashëgohen nga gjeneratat e reja. Me aprovimin e anëtarësisë dhe bordit drejtues, Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane ka vendosur që 60 vjetorin e themelimit dhe Kuvendin Vjetor ta realizojë në Shqipëri. "Ky është realizmi i një ëndrre të shumë personave që kanë qenë dhe janë anëtarë të saj", thuhet në njoftimin e organizatës.

    Axhenda

    3 gusht
    Udhëtim drejt Krujës, vizitë në kështjellën e Skënderbeut, në Muzeun Etnografik, Pazarin e Vjetër. Do të ketë një koncert ku do të performojnë grupe folklorike.

    4 gusht
    Takim me presidentin Alfred Moisiu. Drekë, koktej në hotel "Rogner" dhe një mbrëmje festive, ku do të ketë ushqim tradicional, verë, birrë. Në orët e ngelura, party deri në mëngjes.

    5 gusht
    Gjatë ditës, seminare. Në drekë 60-vjetori i organizatës, konferencë ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë. Takim me kryeministrin Sali Berisha dhe parti deri vonë.

    6 gusht
    Një takim përmbyllës deri në orën 13. Një takim ku do të marrin pjesë zyrtarë dhe biznesmenë. Rëndësia e Organizatës AANO, konferencë pyetje-përgjigje. Koktej: ëmbëlsira, kafe për të gjithë.

    3-6 gusht
    Një udhëtim nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, Vlorë, Sarandë, Korçë, Pogradec, Lezhë dhe vende të tjera. Do të organizohet një koncert në hotel "Adriatik", në Durrës ku do të marrin pjesë dhe grupe folklorike.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22
    Kryeministri tha në takimin me organizatën shqiptaro-amerikane së toleranca ndaj krimit është zero

    Berisha: Krimi, jam frymëzuar nga Rudi Xhuliani


    TIRANË- Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë me anëtarë të organizatës shqiptaro-amerikane se “Qeveria është e vendosur që të bëjë të gjitha përpjekjet për ta kthyer Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja”. Berisha tha se “pas zgjedhjeve të 3 Korrikut, Qeveria shqiptare u angazhua fuqimisht në luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, si dhe rikthimin e shtetit ligjor”. “Ne u angazhuam për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt për jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe ata që vijnë në Shqipëri. Ne po punojmë shumë ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA dhe vendeve të tjera mike, me një platformë të qartë kundër krimit dhe terrorizmi,”- tha kryeministri. Berisha shtoi se “Kam qenë i frymëzuar nga Rudi Xhuliani dhe kam lexuar librin e tij, një prokuror që arriti të shkatërrojë mafien në SHBA është një shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të punojmë për sigurinë e vendit dhe qytetarëve”
    Më tej ai theksoi se “rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar janë reale dhe Shqipëria po ecën në rrugën e sigurisë”. “Dua t’ju them se para zgjedhjeve, në të gjitha takimet e mia me gazetarët, një pyetje kisha konstante: Si do t’ia bësh me këto organizatat kriminale? Zero tolerancë ishte përgjigja ime. Po kështu edhe ndaj korrupsionit,” -theksoi në fjalën e tij Kryeministri. Duke u ndalur në reformat e ndërmarra, Kreu i Qeverisë tha se “gjatë muajve të parë qeveria dhe administrata u nxorën jashtë konfliktit të interesit dhe transparenca është bërë edhe më e madhe”. “Ne po punojmë me SHBA-në për të ngritur ombusmanin e prokurimeve nga shoqëria civile. Po punojmë për të përmirësuar sistemin fiskal. Në pak muaj kemi një rezultat, një buxhet të dytë, që e miratuam dhe i tëri është rezultat i luftës kundër korrupsionit,”- tha Berisha. Kryeministri theksoi se “Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbeten prioritetet për qeverinë shqiptare”. “Për të arritur këto synime Shqipëria duhet të jetë vendi më tërheqës për investimet në rajon, ju siguroj se do të bëj çdo përpjekje në këtë drejtim,”- tha ai Duke e cilësuar takimin me përfaqësues të organizatës shqiptaro-amerikane si shumë emocionues, Berisha tha se “kur shikojmë mbrapa në historinë kombëtare gjejmë histori të vështirë. Në të gjitha momentet e historisë së vështirë, shikojmë një komb që përjetoi drama të mëdha, zaptime dhe pushtime”.“SHBA-ja kanë qenë në mbështetje të çështjes së drejtë të kombit shqiptar. Jemi mbështetur në dekadën e dytë të shekullit që shkoi, me Presidentin Willson, i cili ndaloi copëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shqiptarët ranë në diktaturën më të egër në Europë. Zëri juaj mbeti gjithmonë në mbrojtje të lirisë së tyre. SHBA nuk reshten së mbështeturi shqiptarët për të gjetur liri,”- theksoi Berisha.
    Më tej ai theksoi se “në vitin 1999 kur mbi pjesën e kombit të pushtuar, Sadami i ballkanit shpalosi copëtimin e shqiptarëve, ishte Presidenti Klinton që udhëhoqi aleatët për çlirimin e shqiptarëve. Në të gjitha këto akte zëri juaj, qëndrimi juaj, ka pasur rëndësi shumë të madhe.”

    Shekulli

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22
    Ries: Shqiptaro-amerikanët, pjesë e marëdhënieve mes dy vendeve

    Ambsadorja amerikane në Tiranë Marsi Ris tha dje në takimin me organizatën kombëtare shqiptaro-amerikane se “në SHBA flasin shumë për bashkimin e kulturave. Ne amerikanët së pari mendojmë për vetën tonë si amerikanë, po për shkak se vijmë nga vende të ndryshme mendojmë dhe për vendin e etërve tanë. Dhe unë jam ndier e improsionuar për historinë tuaj dhe arsyet që u kthyet. Tani keni një mundësi të madhe për t’iu kthyer etërve tuaj. E kam përmendur se mes Shqipërisë dhe SHBA-së ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe një pjesë shumë e rëndësishme janë shqiptaro -amerikanët. Është emocionuese që ndodhem me qytetarë amerikanë në Tiranë”.


    Shekulli

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22
    Shqiptaro-amerikanët: PD-PS të bashkëpunojnë

    TIRANË- Këshilli Kombëtar shqiptaro-amerikan përmes një deklarate të bërë publike dje shprehet i shqetësuar në lidhje me ngjarjet që përfshinë Kuvendin e Shqipërisë në datën 28 Korrik 2006. “Episodi i 28 Korrikut në parlament nuk reflekton përfaqësimin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe nuk përfaqëson dëshirën e popullit shqiptar,”-thuhet në deklaratën e këtij Këshilli. Sipas saj "-,mosmarrëveshjet politike janë një realitet i përditshëm në çdo vend të botës, por rrugëzgjidhjet gjenden, kur të dyja palët arrijnë të bashkëbisedojnë dhe të kuptojnë njëri-tjetrin". Në deklaratë theksohet se “Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në dhe vazhdon bisedimet për anëtarësim në NATO, por konfrontime të tilla nuk ndihmojnë në proceset integruese. Interesat e vendit duhet të kenë prioritet mbi ato politike”.Në lidhje me debatet për KQZ-në, Këshilli Kombëtar shqiptaro-amerikan shprehet se “për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të drejta, duhet që pozita dhe opozita, të demonstrojnë aftësi bashkëpunimi”.

    Shekulli

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,300
    Postimet në Bllog
    22
    Diaspora, flaka e pashuar e lirisë kombëtare

    SALI BERISHA

    Kur hedh vështrimin mbrapa në historinë tonë kombëtare, sheh historinë e vështirë, por gjen tek ju gjithnjë të pashuar flakën e lirisë kombëtare.
    Në të gjitha momentet e historisë sonë të vështirë, ku kombi përjetoi drama të mëdha, copëtime dhe pushtime, një faktor ka qenë i një rëndësie të jashtëzakonshme, në këto momente kritike SHBA-të kanë qenë në mbështetje të çështjes së drejtë të kombit shqiptar. Kjo ishte e vërtetë në dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Presidenti Uillson hodhi poshtë me përbuzje projektin e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Këtu, në Tiranë, ka një shesh me emrin e tij. Ne do të përurojmë dhe shtatoren e tij për të nderuar burrin e madh të kombit amerikan.
    Shqiptarët ranë nën diktaturën më të egër në Evropë. Zëri juaj u ngrit gjithnjë në mbrojtje të vlerave të lirisë së tyre. SHBA-të nuk reshtën së mbështeturi shqiptarët për të gjetur lirinë.
    Në vitin ’99-të, kur mbi pjesën e kombit të pushtuar, Sadami i Ballkanit shpalosi të gjithë projektin e eksterminimit të shqiptarëve në Kosovë, ishte presidenti Klinton që udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në çlirimin e shqiptarëve të Kosovës.
    Në të gjitha këto akte madhore, zëri dhe qëndrimi juaj kanë patur rëndësi shumë të madhe për këto qëndrime të SHBA-ve ndaj Shqipërisë.
    Shqipëria dhe shqiptarët, sot, janë të lirë. Pasuria e lirisë dhe dashuria për Shqipërinë, për Kosovën do t’i bëjë shqiptarët një komb të nderuar dhe të zhvilluar kudo që janë.
    Duke ditur angazhimin tuaj të jashtëzakonshëm për Kosovën, dëshiroj t’ju jap përshtypjet e vizitës sime të parë, dy muaj më parë, në këtë vend. Ishte vizita më e jashtëzakonshme dhe e gëzuar e jetës sime. U largova nga Kosova më krenar se kurrë me qënien time shqiptar. Vendi u rindërtua i tëri brenda pak vitesh, me institucione thellësisht demokratike, me një dashuri të madhe të qytetarëve të saj për Kosovën, me respekt të padiskutueshëm për pakicat dhe minoritetet, me vendosmëri për të falur dhe pajtim shoqëror. Secili prej nesh, duhet të ndjehet i gëzuar dhe krenar për mbështetjen që ka dhënë në çështjen e drejtë të shqiptarëve të Kosovës.
    Pas zgjedhjeve, qeveria shqiptare është angazhuar në këto drejtime kryesore. Së pari, në një vend të sigurt për qytetarët e saj dhe të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë. Vendi më i sigurt në rajon. Ne po punojmë shumë ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike, me një platformë të qartë kundër krimit të organizuar dhe terrorrizmit. Motoja jonë është ‘tolerancë zero’ ndaj tyre. Dhe rezultatet janë reale. Para zgjedhjeve, në të gjitha takimet e mia me gazetarë, një pyetje ishte konstante, si do veproja me organizatat kriminale. “Tolerancë zero”, ishte përgjigjia ime. Gjithnjë kam qenë i frymëzuar nga Rudi Xhuliani. Kam lexuar dhe librin e tij. Një prokuror që arriti të shkatërrojë mafian në SHBA. Ishte dhe është një shembull frymëzimi për të gjithë ata, të cilët duhet të punojnë për sigurinë e vendit dhe qytetarëve të tyre. Shqipëria po ecën në rrugën e sigurisë së saj.
    Një tjetër problem madhor, me të cilin vendi përballet, është korrupsioni. “Tolerancë zero” është motoja jonë edhe ndaj korrupsionit, si një kancer që rrënon identitetin kombëtar. Qeverinë e nxorëm jashtë konfliktit të interesit. Procedurat i kemi bërë shumë më transparente. Po punojmë me SHBA-të për të ngritur ombudsman e prokurimeve publike nga shoqëria civile, po punojmë me SHBA-të edhe në projekte të tjera për përmirësimin e administrimit fiskal dhe për të krijuar ‘one stop shop’. Në pak muaj, ne arritëm rezultate konkrete. Në muajin qershor, miratuam një buxhet të dytë, tërësisht rezultat i luftës kundër korrupsionit.
    Por, qëllim madhor i jetës sime është Shqipëria e integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Unë jam realist se ku ndodhet Shqipëria sot. Për të arritur këto qëllime duhet që Shqipëria të bëhet vendi më tërheqës për investimet e huaja në rajon dhe më gjerë. Tri javë më parë, në ceremoninë e diplomimit ‘master në ekonomi’ të studentëve nga fakulteti i Tiranës dhe Universiteti i Nebraskës unë shpalla iniciativën ‘Shqipëria vendi më i lirë dhe më i lehtë për investimet e huaja në rajon’. Ju jap fjalën se do ta realizoj këtë, në rast se do të më ndihmoni. Unë kam nevojë për mendimet tuaja. Mi dërgoni ato me faks, e-mail, apo në telefonin tim personal, të cilin çdo shqiptar e njeh.
    Gjithashtu, kemi miratuar një paketë të re fiskale. Shqipëria padyshim do të shkojë drejt taksës me një nivel. Shqipëria do të bëhet vendi më i lirë për investimet e huaja. 1 dollar do të jetë çmimi i kontratave për investitorët. Ne po studiojmë të gjitha praktikat lehtësuese dhe po punojmë për të zvogëluar barrierat që ndajnë kombin në pjesë të ndryshme. Sot, kombi, kudo që ndodhet, ka një vizion, vizionin evropian. Por malet e larta, grykat e ngushta e pengojnë atë të shkëmbejë lirshëm. Dje, me një komisionin ndërkombëtar shpallëm kompaninë amerikane ‘Bechtel’ si fituese të tenderit për ndërtimin e korridorit Durrës-Prishtinë. Tenderi ishte i hapur dhe u vlerësua nga një komision ndërkombëtar. Pas shpalljes së vlerësimit, unë prita anëtarët e këtij komisioni. Kishte prej tyre edhe nga ata që kishin patur kompani të vendit të tyre në këtë konkurs ndërkombëtar. Por të gjithë kishin votuar ‘Bechtel’. Ky është një gëzim i madh dhe një simbol për të gjithë ne. Pas saj, do të vazhdojë hekurudha. Ne duhet të përfitojmë nga pasuritë e njëri-tjetrit. Së bashku do të përpiqemi të zhvillohemi sa më shpejt.
    Projekti i tretë i madh është “Shqipëria në moshën e internetit”. Depërtimi i internetit në Shqipëri është shumë i ulët. Muaj më parë, ne ndërmorëm programin internet në çdo shkollë. Por, pas disa muajsh, ky projekt u tejkalua. “Shqipëria në moshën e internetit” është gjithashtu motoja jonë. Telekomi shqiptar shpall një tender, në të cilin do të pajisë çdo abontent me shërbimin e ‘broad band internet’. Pas tij, ne do të regjistrohemi në programin ‘kompjuter 100 dollarë’ të Institutit të Teknologjisë në Masachuttset. Me kredi dhe me çdo mënyrë, ne do t’i mundësojmë çdo fëmije shqiptar të ketë kompjuterin mbi bankën e tij.
    Në një takim që pata me studentët u thashë se e kisha lakmi moshën e tyre. Nuk mund të zhbëj vitet, u thashë, por të sjell Shqipërinë në moshën tuaj. “Shqipëria në moshën e internetit” është Shqipëria, e cila do të zhvillohet me shpejtësi.



    *Fjala përshëndetëse e Kryeministrit, mbajtur dje në ceremoninë me rastin e 60-vjetorit të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane

Tema të Ngjashme

  1. "Revolucioni vonuar" dhe Ahmet Krasniqi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 214
    Postimi i Fundit: 20-09-2018, 13:55
  2. SK Tirana
    Nga Pasiqe në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 251
    Postimi i Fundit: 22-06-2009, 19:19
  3. Përgjigje: 139
    Postimi i Fundit: 14-06-2005, 06:29
  4. Romani shqiptar numeron 500 tituj ne 130 vjetorin e tij.
    Nga macia_blu në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 23-09-2002, 22:14
  5. Yes Man-et dhe ceshtja kombetare
    Nga Dita në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-09-2002, 08:17

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •