Close
Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 25
  1. #1

    Gjakmarrja, plagë të pambyllura të shoqërisë shqiptare.

    Panorama , Faqe 8/9 - Aktualitet

    sulmi me antitank - intervista

    80-vjeçari: Pse braktisa kullën dhe rikthimi i pritshëm
    Muharrem Haklaj: Na sulmojnë se duan të na zhdukin
    Florenc Bakillari

    Prej vitit të kaluar, Muharrem Haklaj ka lënë kullën e tij në Kërnajë për t’u vendosur në një vend tjetër.

    Pas një qëndrimi larg saj, bashkë me gruan e tij Fatimen, nuset e djemve dhe fëmijët, Muharremi thotë se e ka marrë malli për kullën, në të cilën premton se do të rikthehet. “Në fillim na ndante lufta e klasave me gjakun tonë. Por tani nuk mund të bashkëjetojmë, sepse na ndan një lumë gjaku. Tragjeditë dhe persekutimet e familjes tonë nuk kanë të sosur, sot po përpiqen të më rrënojnë që nga themelet”. Kështu e nis rrëfimin e tij 80-vjeçari, që akuzon policinë dhe Prokurorinë se nuk kanë zbardhur vrasjet e djemve të tij dhe sulmet e vazhdueshme mbi kullën e Kërnajës. Në rrëfimin e tij Muharrem Haklaj denoncon edhe sulmet mbi kullë. Gazeta arriti të kontaktojë me 80-vjeçarin, për të mësuar versionin e tij rreth këtyre ngjarjeve.

    Ka pasur shumë sulme me snajper mbi kullën tuaj?

    Pas vrasjes së vëllait dhe nipit, qëllohem me snajper më datë 14 qershor 2002. I shpëtova goditjes për mrekulli dhe predha e snajperit la shenjen e tij në gurin e avllisë. Në 3 dhjetor 2004 banesa ime qëllohet me kundërtank dhe mitraloz në të zbardhur. Shenjat dallohen edhe sot në banesë dhe avlli. Atë mëngjes në shtëpi gjendeshin gruaja dhe mbesa e vogël vetëm 5 vjeçe. Ndërsa me fitoren e zgjedhjeve nga e djathta filluan të qëllohen kushërinjtë e mi të largët. Në nëntor të 2005 njerëz që na sillnin ushqime në banesë qëllohen me antitank në aksin rrugor Bajram Curri Kosovë. Prokuroria me policinë deformojnë të vërtetën, duke thënë se shpërthimi erdhi nga brenda makinës. Përsëri në dhjetor të 2005 qëllohet miku i djalit tim Ylli. Përsëri e vërteta deformohet nga Prokuroria e Tropojës.

    Tashmë objekt i atentateve është bërë qiraxhiu që keni strehuar në kullën tuaj në Kërnajë. A ka lidhje ai në të gjitha këto ngjarje?

    Kisha vendosur ta ruaja së bashku me gruan kullën. Por me fitoren e Berishës e dija se do të më vrisnin, ose do të më burgosnin. Fëmijët m’u lutën që të lëvizja. Vendosa të fus në shtëpi një njeri që banonte më parë në një zonë të largët të Tropojës. Në 9 prill 2006 policia pa zbardhur drita troket në shtëpinë tonë. Manush Selivrda hap derën dhe brenda hyn policia. Shkelën të gjitha ligjet, rregullat profesionale dhe njerëzore. Manushit i vihet automatiku në gjoks dhe nuk i paraqesin asnjë dokument për kontrollin e banesës. I trembin fëmijët dhe fillojnë të kontrollojnë. Manushi dispononte vetëm çelësat e katit të parë. Në katin e dytë kisha dhomat e fëmijëve të vrarë dhe të larguar. Nuset dhe nipërit morën rrugën e largët, për ti shpëtuar hakmarrjeve politike. Megjithë shpjegimet që ju dha Selivrada, policia hyn në dhomat e kyçura dhe kthen çdo gjë përmbys. Merren gjëra nga më të ndryshme, ku pjesa më e madhe e tyre nuk ishin sende të ndaluara. Merret dhe makina që ishte në oborr, pasi pretendohet se është e vjedhur. Kjo nuk është e vërtetë, makina është e rregullt dhe është e djalit të Hamdiut, i cili e ka blerë. Vetëm pas tre muajsh insistimi me shumë vështirësi arrijmë ta rimarrim procesverbalin e sekuestrimit të materialeve të marra në banesë. Në procesverbal nuk rezulton i shënuar numri i armëve që janë gjetur në shtëpinë time. Ndërsa Prokuroria nxitoi të akuzonte se me një nga armët është kryer vrasja e një polici nga Tropoja. Nuk e di si po vepron ky shtet. Dy ditë para se të bëhej kontrolli i banesës, vajza e vajzës sime të madhe, Arlinda Basha përjashtohet nga policia me motivacionin e vetëm, lidhje gjinore me të përndjekur politik. Mbesën time e përjashtuan ndërsa H.H. person që unë akuzoj, e emërojnë shef komisariati në Policinë e Shtetit. Nuk e di nëse i kishte gjë borxh Berisha këtij njeriu, apo nga që ka vrarë kundërshtarët e tij politik. Por njerëzit i dinë këto gjëra dhe sado që përpiqen t’i mbulojnë Berisha dhe Prokuroria e Tropojës ato janë në dritën e diellit. Pas kontrollit merret dhe mbahet katër ditë në polici Manush Selivrada. Në kundërshtim me ligjin i jepet masa “arrest shtëpie” për moskallëzim krimi. Kur ky person nuk ka qenë në dijeni se çfarë mund të kenë pasur dhomat në katin e dytë të cilat kanë qenë të mbyllur me çelës. Unë dyshoj se vetë shteti kërkon që në shtëpinë time mos të ketë njeri dhe ajo të bjerë në duart e kriminelëve që ta rrënojnë. Edhe pse në arrest shtëpie Manushi qëllohet dy herë brenda një muaji. Nuk kapet asnjë i dyshuar, nuk bëhet asnjë kontroll në shtëpitë përreth, ndërsa qiraxhiu nuk ka të drejtë as të vetëmbrohet. Në të dyja rastet është qëlluar nga i njëjti vend, nga i njëjti person dhe në të njëjtën formë.
    Atentatori është parë nga shumë njerëz, duke u larguar i qetë. Ai ka pasur besimin e plotë që të gjithë e mbulojnë, bile edhe shteti. Atentatori nuk fshihet larg, ai aty pranë është. I them shtetit që të mos na përdor si mish për top. Për të gjetur se kush qëllon ditëve të marta, dy herë brenda një muaji është e thjeshtë. Qeni i policisë do ta kryente më së miri punën e ekspertëve. Ajo është zonë e pabanuar dhe qeni nuk do të humbiste gjurmët gjithë rrugës dhe do të ndalohej vetëm në shtëpinë e atentatorit. Por policia në vend të ruajë jetën e qytetarit pyet banorët e lagjes se mos Manushi qëllon natën me armë në ajër. Këto veprime të policisë të çojnë shumë vite prapa, luftë kjo që ju bëhej kundërshtarëve politikë, ku shteti ishte monopol dhe mendimi ndryshe ishte kundërshti. Fotot e fëmijëve të mi të mbetur gjallë i janë dërguar Interpolit edhe pse nuk ka vendim gjyqësor.

    Si filluan vrasjet e djemve të Tropojës?

    Viti 1997, si vit i pashembullt në historinë shqiptare, la pas pasojat e tij edhe për Tropojën fisnike, si për të gjithë Shqipërinë. Por në Tropojë ndoshta më tepër, sepse historikisht në këtë trevë ka luajtur rolin e saj edhe UDB-ja jugosllave.
    Pas dy mitingjeve të së djathtës në këtë trevë, gjakrat nuk po shuhen. Fjalori i Berishës ishte tepër fyes për simpatizantët e majtë, ku i quante bashkëpunëtorë të serbit. Djali im Shkëlqimi replikoi me të dhe Berisha e kërkon ta marrë me vete, gjallë ose vdekur. Pas pak kohe vritet vetë i tretë në Qafë-Luzhë, tek po kthehej nga puna si polic. Për vrasjen e Shkëlqimit unë akuzoj Berishën dhe dy persona. Në makinën që udhëtonte djali im, përveç atij vritet edhe dhëndri, ndërsa një tjetër plagoset. E gjithë Tropoja e njeh vrasësin. Në mes të rrugës ngeli makina e bërë shoshë nga plumbat dhe 90 gëzhoja, copa granate dhe municionet që kishin lënë kriminelët që kanë organizuar pritën. Me gjithë këto prova, për çudinë e të gjithëve asnjë i akuzuar nga shteti, asnjë banesë e kontrolluar, asnjë dosje e hapur dhe kjo që në 5 janar 1998, pra tetë vjet më parë. Unë e di se kjo ngjarje ka dëshmitarë ka dhe deklarime. Ditën tjetër nga fisi i Hoxhajve nuk na është dërguar fare haber që ju kemi vrarë, sipas edhe zakonit.

    Cilat ishin atentatet që pasuan më vonë, vrasjet e djemve tuaj?

    Ndaj nesh nuk do të kurseheshin edhe minat me telekomandë, snajperët, të cilët do të kishin në shënjestër djemtë e mi.
    Minohet një rrugë e tërë për të vrarë djemtë e mi. Madje ju them se ngelën edhe plot mina të tjera të paplasura. Vendi ishte midis dy fshatrave, të cilët kanë parë, kanë dëgjuar dhe kanë transportuar djemtë e mi të vdekur dhe të plagosur për në spital. Por përsëri asnjë i dyshuar nga Prokuroria e Tropojës. Pas kësaj prite, vrasësit do të mund të qëllojnë mbi Fatmirin, po vetë i tretë në 4 nëntor 1999 në orën 19:30 të mbrëmjes. Në vendin e gjakosur ka mbetur një çantë shpine me ushqime që ishin konsumuar gjatë ditës. Dylbi dhe një karikator automatiku me katër fishekë dhe një sasi gëzhojash, ku vërtetohet se sa armë kanë qëlluar mbi djalin tim dhe shokët e tij. Po kështu mund të zbulohet dhe çfarë vrasjesh të tjera janë bërë me ato armë. Edhe kjo vrasje ka dëshmitarë të shumtë, prova ku përmend një kapele me fijet e flokut të personit që ka qëlluar mbi Fatmirin. Prokuroria e Tropojës deklaron se nuk i njeh vrasësit, një fjalë goje kjo. Madje nxiton të mbyllë dosjet për mungesë provash. Nuk do të kalonte shumë dhe sulmet do të kryheshin edhe mbi shtëpinë tonë. Edhe pse në të jetonin dhjetë fëmijë me prindër dhe pa prindër, vrasësit nuk do të kursenin breshëritë e automatikut dhe kundërtankun drejt kullës. Në 13 shtator 2000 qëllohet djali i madh, Hamdiu, jashtë avllisë. Hamdiu ishte me të ëmën dhe me disa fëmijë. Ku nuk e qëlluan dot me snajper filluan të qëllojnë me breshëri automatiku, ku mund të vriteshin edhe fëmijë. Gruaja ime Fatimja tregon se nuk u shtri dot, por vetëm sa u kishte thënë fëmijëve që të shtriheshin. Tre muaj më vonë, në 3 dhjetor 2000, qëllohet me snajper djali i katërt, Ylli, vetëm disa metra larg kullës. Përsëri fillojnë vrasjet e familjarëve të mi. Në 8 maj 2002 vriten vëllai im së bashku me djalin e tij, respektivisht 78 dhe 53 vjeç. Nipi atë mëngjes po shkonte në punë, ishte zëvendësdrejtori i gjimnazit në Bajram Curri. Ekzekutorët lënë 50 metra larg gjykatës dy viktima të pafajshme, shumë gëzhoja dhe shumë dëshmitarë. Ikin me makinën e atentatit dhe e djegin sipër fshatit Shoshan. Edhe për këto vrasje thuhet dhe deklarohet se nuk njihen autorët. Ndërsa prokurori tashmë nuk nguron të hapë dosjet për dy fëmijët e mi të mbetur gjallë me disa dëshmitarë të inskenuar.

    Pse thoni se të gjitha këto janë të inskenuara, duke sulmuar Prokurorinë e Tropojës?

    Duke dashur të japë vendime politike, Prokuroria e Tropojës kërkonte me ngulm provat kundër nesh. Për këtë qëllim ata kontrolluan edhe banesën time në kërkim të provave. Kur nuk gjetën gjë hamendësuan tunelin e pazbuluar të mbushur me armë.

    Të gjitha këto deklarime të pavërteta, të pabaza, që i shërbejnë Prokurorisë, kurse dhjetëra prova dëshmitarë dhe deklarime të familjes Haklaj nuk merren parasysh. Ndërsa vrasjet vazhdonin, askush nuk arrestohej, asnjë shtëpi nuk kontrollohej. Ndërsa Berisha ushtronte trysninë e tij mbi të majtët. Djemtë e mi i quante terroristë dhe kriminelë, ndërsa pinjollët e tij dëshmorë të demokracisë. Shante të majtët dhe të djathtëve u shkonte në morte, duke treguar mbështetjen e tij fizike e jo vetëm formale tek të tjerët. Megjithatë unë nuk do ta lë kullën dhe njerëzit që ta përbaltin, një ditë do të kthehem. Ndaj vendosa të sensibilizojë opinionin publik për bëmat dhe gjëmat e Berishës, ndaj kundërshtarëve të tij politik. Unë disponoj prova të pakundërshtueshme për Berishën dhe vrasësit e tij, shërbëtorët e tij të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me demokratët e vërtetë. Demokratë jemi të gjithë, edhe djemtë e mi ishin demokratë para Berishës. Në jetën e tyre nuk kanë zbatuar urdhra verbale, por kanë guxuar edhe pa hyrë demokracia ta thonë mendimin e tyre ndryshe.


    Sulmohet me antitank kulla e Haklajve
    Predhat mbi çatinë e objektit në mbrëmje, policia në vendngjarje

    Qëllohet me tre predha antitank kulla e Haklajve në Kërnajë të Tropojës. Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 21:05, të paktën dy persona kanë qëlluar mbi çatinë e ndërtesës duke e dëmtuar atë.

    Dy predha kanë shpërthyer në çati, ndërsa një e tretë ka rënë në ballkonin e kullës, por nuk ka plasur. Sipas burimeve të policisë sqarohet se kulla është goditur nga një distancë relativisht e largët me armë të rënda të llojit antitank. Policia e Tropojës është lajmëruar në telefon nga Manush Selivrada, qiraxhiu i kullës, për sulmin me armë ndaj ndërtesës.

    Policia

    Në drejtim të Kërnajës përveç policisë së Tropojës janë nisur me helikopter edhe xhenierë antieksploziv nga Tirana. Specialistët kanë mundur të çaktivizojnë mëngjesin e djeshëm predhën e pashpërthyer, duke kryer më pas plasjen e saj në një vend të sigurt, ku nuk do të shkaktonte viktima. Nga ana e tij Manush Selivrada, qiraxhiu që jeton në kullën e Haklajve që nga fundi i vitit 2005, shprehet se është dëmtuar rëndë çatia e objektit. I kontaktuar në telefon nga gazeta, Selivrada tha se “kam dëgjuar dy shpërthime brenda pak sekondave. Sapo kishim ngrënë darkë dhe ishim shtrirë kur dëgjova shpërthimet. Kulla u trondit nga themelet dhe veshët na buçitën nga zhurma. U tmerrova dhe bashkë me fëmijët e gruan nuk kisha ku të futesha. Nga kati i dytë i shtëpisë binin copat e çatisë. U ngjita lart dhe pashë se tavanet e dhomave ishin rrëzuar. Lajmërova policinë, e cila erdhi pas 1 orë e 30 minutave”, tregon banori i vetëm i kullës.

    Qiraxhiu

    Sipas qiraxhiut, policia ka kontrolluar vendin dhe ka gjetur gjurmë po në atë vend ku kulla është qëlluar më parë me snajper. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe prej policisë lokale. Ndërkaq, qiraxhiu thotë se tashmë nuk mund të jetojë në këtë vend dhe se ka vendosur të largohet brenda këtyre ditëve. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tropojës po heton për zbardhjen e ngjarjes. Pas veprimeve të para hetimore procedurale policia tha se nuk ka mundur të saktësojë diçka rreth autorëve, apo shkaqeve të vërteta të ngjarjes. fl.ba



    Forcat xheniere arrijnë të asgjësojnë predhën e paplasur

    Ministria e Brendshme ka nisur me urgjencë një ekip forcash xheniere në fshatin Kërnajë, ku ndodhet kulla e Haklajve. Qëllimi me predha, duke rrezikuar jetën e familjes që jeton aty ka alarmuar policinë. Burime nga policia e Kukësit pohojnë se veç oficerëve kriminalistikë të qarkut janë nisur me helikopterë forca të specializuara të xhenios. Një nga predhat ka qenë e paplasur dhe vetëm ndërhyrja e tyre ka bërë që ajo të bllokohet dhe në masa sigurie të mëdha sigurie të asgjësohet. Këqyrja e imtësishme e vendngjarjes u bë vetëm mëngjesin e djeshëm, pasi errësira vështirësonte veprimet. Ekspertët pohojnë se kulla është goditur nga një distancë relativisht e largët me armë të rënda të llojit antitank. Në drejtim të kullës, sipas tyre janë lëshuar dy predha të fuqishme, njëra prej të cilave ka goditur çatinë e ndërtesës, duke e dëmtuar atë si pasojë e shpërthimit, ndërsa tjetra ka përfunduar në ballkoni e saj, por nuk ka plasur. Burimet e policisë saktësojnë se janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 29 copa metalike të formave dhe përmasave të ndryshme, të cilat janë të djegores së plasur pas goditjes së çatisë së kullës. Policia pohon se janë 2 djegore antitank që janë qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Distanca e largët ka bërë që të humbin gjurmët e autorëve, të cilët mendohet se veprojnë për të kërcënuar familjarët e Muharrem Haklajt, e pikërisht vajzën dhe djalin e tij të kërkuar secili për vrasje të dyfishtë.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-03-2005
    Postime
    926
    Ky plak pis me 1 Shtator 1998 ka shkuar tek Azem Hajdari dhe i ka dhene ultimatumin: Deri me date 12 Shtator, ose terhiqi publikisht akuzat e bera ne parlament per Haklajt, ose do e paguash me koke.

    Djemte e tij e vrane Azemin.

    Tani le te rroj edhe ca, qe ta perjetoj momentin kur do ngelet si qyqe i vetem.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    28-03-2003
    Vendndodhja
    Diku nëpër Botë
    Postime
    528
    Citim Postuar më parë nga Xhuxh Xhumaku
    Panorama , Faqe 8/9 - Aktualitet

    sulmi me antitank - intervista

    80-vjeçari: Pse braktisa kullën dhe rikthimi i pritshëm
    Muharrem Haklaj: Na sulmojnë se duan të na zhdukin
    Florenc Bakillari

    Prej vitit të kaluar, Muharrem Haklaj ka lënë kullën e tij në Kërnajë për t’u vendosur në një vend tjetër.



    Si filluan vrasjet e djemve të Tropojës?

    Viti 1997, si vit i pashembullt në historinë shqiptare, la pas pasojat e tij edhe për Tropojën fisnike, si për të gjithë Shqipërinë. Por në Tropojë ndoshta më tepër, sepse historikisht në këtë trevë ka luajtur rolin e saj edhe UDB-ja jugosllave.
    Pas dy mitingjeve të së djathtës në këtë trevë, gjakrat nuk po shuhen. Fjalori i Berishës ishte tepër fyes për simpatizantët e majtë, ku i quante bashkëpunëtorë të serbit. Djali im Shkëlqimi replikoi me të dhe Berisha e kërkon ta marrë me vete, gjallë ose vdekur. Pas pak kohe vritet vetë i tretë në Qafë-Luzhë, tek po kthehej nga puna si polic. Për vrasjen e Shkëlqimit unë akuzoj Berishën dhe dy persona. Në makinën që udhëtonte djali im, përveç atij vritet edhe dhëndri, ndërsa një tjetër plagoset. E gjithë Tropoja e njeh vrasësin. Në mes të rrugës ngeli makina e bërë shoshë nga plumbat dhe 90 gëzhoja, copa granate dhe municionet që kishin lënë kriminelët që kanë organizuar pritën. Me gjithë këto prova, për çudinë e të gjithëve asnjë i akuzuar nga shteti, asnjë banesë e kontrolluar, asnjë dosje e hapur dhe kjo që në 5 janar 1998, pra tetë vjet më parë. Unë e di se kjo ngjarje ka dëshmitarë ka dhe deklarime. Ditën tjetër nga fisi i Hoxhajve nuk na është dërguar fare haber që ju kemi vrarë, sipas edhe zakonit.



    A mos me këtë deklaratë ky matuf plak tregon publikisht se ka qenur gjithmon KËLYSH sërbi .


    Në kosovë përdoret një shprehje :- u tranofsh dhe tregofsh .


    Zagar plak .
    Poshtërsia nuk ka fund .

  4. #4
    Shqiperia eshte Evrope Maska e iliria e para
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Vendndodhja
    Cunami ne Indonezi zgjati per disa minuta, kurse ne trojet tona 500 vjet.
    Postime
    4,907

    Zinxhiri i hakmarrjeve në familjen Haklaj

    Zinxhiri i hakmarrjeve në familjen Haklaj


    B.Shala

    TROPOJË- Fisi i Haklajve, një ndër më të mëdhenjtë në veri të vendit u përfshi në vorbullën e hakmarrjeve që zunë fill në vitin 1997 në Tropojë. Nga shtëpia e Haklajve, tashmë kanë mbetur gjallë vetëm dy meshkuj, plaku Muharrem Haklaj dhe djali i tij, Hamdiu, i shpallur në kërkim. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe njëra vajzë e Haklajve, Zylfia, e cila në vitin 2002 ka vrarë në mes të Bajram-Currit Rasim Lumneshin e Ilir Gosturanin. Kjo vrasje e bujshme u motivua si hakmarrje e motrës për vellezërit e vrarë. Ndërkohë, i fundmi mashkull i Haklajve, Hamdi Haklaj, akuzohet se ka vrarë një pjesëtar të fisit kundërshtar të Hoxhajve, Ramë Hoxhën dhe mbesën e këtij të fundit. Familja Haklaj në Kërrnajë të Tropojës, pas vitit 1997 ka dalë hapur kundër Partisë Demokratike. Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në vitin 1997, Fatmir Haklaj është emëruar shef i komisariatit të Policisë së Tropojës. Duke qenë drejtues policie, ai ka vrarë me pistoletë në mjediset e këtij komisariati një oficer policie, pjesëtar të familjes Hoxha, pikërisht shefin e policisë kufitare, Shaqir Hoxhën. Këtë vrasje ai e ka kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së vëllait të tij, Shkëlqim Haklaj, pas një prite të ngritur në Qafë-Luzhë të Tropojës. Por zinxhiri i vrasjeve nuk është ndalur, ku si pasojë e përplasjeve mes fisit Hoxha dhe Haklaj kanë mbetur të vrarë katër djem të Muharrem Haklajt, Halili, Fatmiri, Shkëlqimi dhe Ylli Haklaj si dhe nipi i tij. Fatmir Haklaj është etiketuar si kreu i të fortëve në grupin që përbëhej nga Feriz Kërrnaja dhe Jaho Mulosmani. Kjo treshe akuzohet për shumë ngjarje e vrasje të ndodhura në Tropojë, përfshi edhe vrasjen e Azem Hajdarit , mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998. Zinxhiri i vrasjeve në Tropojë thuhet se ka shkaktuar mbi 150 viktima dhe është “këputur” disi pas eliminimit të Fatmir Haklajt në nëntor të vitit 1999.

    EKZEKUTIMET
    5 janar 1998
    Vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike Shkëlqim Haklaj, njëri prej djemve të familjes.
    4 gusht 1999
    Vriten në afërsi të fshatit Cernicë, me mina të telekomanduara Halil Haklaj e Feriz Kërnaja, plagoset rëndë Fatmir Haklaj
    4 nëntor 1999
    Vritet në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij Jaho Salihi, i forti i Tropojës, Fatmir Haklaj.
    3 dhjetor 2000
    Është kryer ekzekutimi i Ylli Haklajt me anë të një snajperi. I vetmi i mbetur gjallë nga pesë vëllezërit është Hamdi Haklaj




    Shekulli 15/08/2006
    Lumi ka ujin e paster ne burim


    Kombi mbi te gjitha

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e ^AngeL^
    Anëtarësuar
    14-08-2002
    Vendndodhja
    U.k . London
    Postime
    2,169
    Eshte per te ardhuar keq se si rodhen keto gjera dhe u vrane shume njerz te pa fajshem per budalliqe te kota.
    por disa e kan merituar plumbin,gjynaf me thone por e vertet.
    Two Heart, Two Minds, In Time, Did Find, One Love, One Aim, Two Paths, The Same

  6. #6
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049
    Citim Postuar më parë nga ^AngeL^
    Eshte per te ardhuar keq se si rodhen keto gjera dhe u vrane shume njerz te pa fajshem per budalliqe te kota.
    por disa e kan merituar plumbin,gjynaf me thone por e vertet.
    Kush e ka merituar plumbin? Ku eshte ligji? Lame nam lame, ne djalle me gjithe kanun e me mendje gjaku.
    Kusheririn e mamit e vrane para shtepise per nje "gjak" qe kishte 40 vjete pa u lare gjoja, kur ky s'ishte lindur akoma.
    Nuk po shkruaj me se .....

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e ^AngeL^
    Anëtarësuar
    14-08-2002
    Vendndodhja
    U.k . London
    Postime
    2,169
    nuk po e them per keto persona qe po mendon ti aspak.

    por e kam per ata qe kan vrar 20 e me shume veta,edhe e kan filluar sherrin qe ne fillim,me nje dhe tjeter duke bere si kapo andej ktej,
    nuk po flas aspak per gjaqe 40vjecare se keto jane budalliqe.

    nejse me vjen shume keq per ate qe te ka ndodhe.
    Two Heart, Two Minds, In Time, Did Find, One Love, One Aim, Two Paths, The Same

  8. #8
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049
    Citim Postuar më parë nga ^AngeL^
    nuk po e them per keto persona qe po mendon ti aspak.

    por e kam per ata qe kan vrar 20 e me shume veta,edhe e kan filluar sherrin qe ne fillim,me nje dhe tjeter duke bere si kapo andej ktej,
    nuk po flas aspak per gjaqe 40vjecare se keto jane budalliqe.

    nejse me vjen shume keq per ate qe te ka ndodhe.
    Ceshtja eshte Angel se po t'i futesh asaj rruge, kur mendon se ke te drejte me kanun, nuk i del fundi, si ne rastin e mesiperm. Pastaj kush ka vrare, vrihet, dhe mbetet pastaj motra te marr hakun e vellait te vrare qe kishte vrare.

    Shefi i policise te vrase shefin e kufirit? Ne burg dhe hidh celsin tutje. Por, s'kemi shtet ...

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e ^AngeL^
    Anëtarësuar
    14-08-2002
    Vendndodhja
    U.k . London
    Postime
    2,169
    Two Heart, Two Minds, In Time, Did Find, One Love, One Aim, Two Paths, The Same

  10. #10
    i/e larguar Maska e Homza
    Anëtarësuar
    24-02-2006
    Vendndodhja
    Ne kat te siperm!
    Postime
    3,092
    Sdi kush ca me then per kta tipa. Gje me gjynaf qe te vdesin 4 vellezer te nje shpie nuk eshte.

    Por kta kan bo kasaphane duke vra me dhjetra apo gati qindra, po te kishim pas shtet kta do ishin gjalle dhe shumica e viktimave te tyre do ishin shendosh e mire me familje te tyre.


    Shpia qe eshte djeg, nuk eshte asigjo, te shkojne dhe ti heqin nga varret gjith, e ca po arrijne me ket pune?

    Zoti na rujt dhe mos na provofte me te tilla gjona.

Faqja 0 prej 3 FillimFillim 12 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  2. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  3. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  4. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44
  5. Brukseli: Zgjedhjet e 2005, shansi juaj i fundit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 14:53

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •