Eglantina Bardhi
Mungesë totale e mbulimit me mjek dhe shpresa të vakëta që një ditë do të mund të marrin ndihmë mjekësore pranë vendit të tyre. Ky është fati i 12 komunave në të gjithë vendin, që prej vitesh vuajnë mungesën e personelit mjekësor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, harta e zonave të pambuluara me mjek të përgjithshëm fillon me disa komuna në Dibër dhe mbaron me disa komuna në Vlorë. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Parësor pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Agim Shehu, duke e pranuar këtë situatë, pohon se është e vështirë që këto zona të kenë mjekë në dispozicion, sepse shumica e tyre janë përqendruar në qytetet e mëdha. Duke krijuar në këto të fundit deri në mbipopullim me mjekë, të përgjithshëm apo specialistë. E gjithë kjo pasqyrohet në problemin e madh që heqin banorët e këtyre zonave, kur halli ia sjell të bëjnë një vizitë mjekësore. E njëjta gjë ndodh edhe për urgjencat e ndryshme, kur për mungesë të mjekut atyre u është kërcënuar edhe jeta. “Ne vdesim për një gjilpërë se nuk ka mjek prej vitesh që të na e japë këtë ndihmë”, - tha Hajrie Hoxha, e cila kishte ardhur nga fshatrat e Shkodrës për të bërë analizat në Poliklinikën Qendrore të Specialiteteve në Tiranë.
Problemet, nga veriu në jug
Problemet e mbulimit me mjekë të përgjithshëm, sipas hartës së Ministrisë së Shëndetësisë, fillojnë nga zona e Dibrës, ku 2 491 banorë të komunës Zallnreç nuk kanë mjek të përgjithshëm. Pas saj vjen komuna Fushë-Çidhën po në zonën e Dibrës, në të cilën 4 405 banorë, sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë e marrin shërbimin mjekësor në formë patronazhi. Që do të thotë se mjekët e zonave përreth, krahas banorëve që kanë për detyrë të kujdesen e t’u ofrojnë shërbimin e duhur mjekësor, mbulojnë edhe këtë zonë. Cilësia e shërbimit në këtë rast është një tjetër histori, pasi raporti mjek për banorë del jashtë çdo lloj parashikimi statistikor. Listës së zezë së zonave (gjithmonë nënkuptuar banorëve) që vuajnë mungesën e mjekëve, renditet edhe zona e Kukësit me komunën Gjinaj, komunën Arrën dhe Klosh me rreth 2 400 banorë. Të njëjtin problem ndajnë edhe banorët e disa zonave në Shkodër, ku prej vitesh ka mungesa të theksuara në mjekë. Madje edhe në komuna ku numri i popullsisë është shumë i madh. “Komuna Shalë me 3 213 banorë dhe komuna Blerim me 3 400 banorë, e ka ende të pazgjidhur mbulimin me mjek”, - theksojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë, duke mos ditur të japin një kohë për zgjidhjen e problemit. Por edhe për zonat e Jugut të vendit, harta që saktëson raportin mjek për banorë shfaq të njëjtat probleme. Kështu, në zonën e Vlorës, komuna Markat dhe në zonën e Gjirokastrës, komuna Lopëz nuk kanë mjek të përgjithshëm. Po ashtu edhe komuna Rrasë, me 2 040 banorë në zonën e Elbasanit është pa mjek.
Mbulimi
“Mbulimi i këtyre zonave me mjek është shumë i vështirë, madje një mision pothuajse i pamundur”, - pohon drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Parësor, Agim Shehu. Sipas tij, edhe pse parashikohen stimulime për mjekët që marrin përsipër të shkojnë dhe të punojnë në këto zona, thuajse askush nuk zgjedh që për një pagë më të mirë të shkojë në fshatra të thella, qofshin këto në jug apo në veri. Kjo sepse shumica e njerëzve janë shpërngulur për të jetuar në zonat e industrializuara dhe nuk ekziston një ligj që t’i detyrojë mjekët që të marrin përsipër një mision të tillë. Ndërkohë, burime zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditur se ky është një problem serioz, për zgjidhjen e të cilit është parashikuar një politikë shumë më e mirë stimuluese në pagë. Bashkë me këtë do të ndiqet edhe politika e rishpërndarjes së mjekëve dhe transferimi i atyre që kanë shkelur kontratat me ministrinë dhe rrethet nga janë pas mbarimit të specializimit. Duke braktisur vendin e tyre dhe duke punuar përgjithësisht në kryeqytet.
Pacientët: Të harruar dhe në rrezik
Jo vetëm të harruar, por edhe të kërcënuar e në rrezik për jetën. Kështu ndihen banorët e këtyre anëve që lutem të kenë shëndet. Pasi në të kundërt, do të marrin rrugët deri në qytetet më të afërta. U duhen orë të tëra për t’u paraqitur në zonën më të afërt për të marrë ndihmë mjekësore, qoftë kjo edhe fare elementare, pasi në zonat ku banojnë nuk kanë parë këmbë mjeku prej vitesh. “Që para viteve 90 në fshatin tim nuk ka mjek. Lutemi të mos na ndodhë gjë se vdesim për një gjilpërë”, - thotë pacientja Hajrie Hoxha, në pritje të bëjë një vizitë në Poliklinikën e Specialiteteve në Tiranë. Vizitë që si thotë edhe vete, mund ta bënte fare lehtë atje ku ishte, në fshatin e saj në Shkodër. E lodhur nga rruga, me veshjen karakteristike të zonës, (shami të lidhur rreth kokës), ajo thotë se duhet të merren masa që t’u dërgohen patjetër mjek. “Mendojeni vetë sikur të ndodhë ndonjë aksident apo ndonjë fatkeqësi tjetër se sa të mbrojtur e kemi jetën, - thotë ajo.
12 komuna në vendin tonë vuajnë mungesën totale të personelit mjekësor
2 491 është numri i banorëve në komunën Zallreç në Dibër që nuk kanë mjek
3 430 është numri i banorëve në komunën Blerim në zonën e Shkodrës që nuk kanë mjek
2 040 është numri i banorëve në komunën Rrasë në zonën e Elbasanit që nuk kanë mjek
Krijoni Kontakt