-
Sekreti i bombës atomike, si iu paguan 8 mijë dollarë agjentit “Rampa” në Itali
Sekreti i bombës atomike, si iu paguan 8 mijë dollarë agjentit “Rampa” në Itali
Dëshmia e Llambi Peçinit, ish – kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Vlorë është krejt e ndryshme nga “apologjitë” e të pandehurve të mëparshëm. Që në fillim, Llambi thotë: “Kurrë nuk kam qenë agjent i zbulimeve të huaja, i ndonjë zbulimi të huaj apo i ndonjë personi të veçantë. Kurrë nuk kam qenë armik i partisë, veçse ushtar besnik i partisë dhe i shokut Enver. Unë në disa procese të miat kam deklaruar, kam bërë deponime”. Në fakt, disa deklarime të Llambit në hetuesi ishin bërë siç dinte të bënte hetuesia në raste të tilla, përdorimin e torturës si mjet detyrues. Fakt interesant është ai që jepet rreth mundësisë së një atentati ndaj Sadik Premtes në Paris. Njoftimi kishte ardhur nga rezidentura e Parisit, shef i së cilës ishte Llambi Peçini. Hetuesia, duke menduar se urdhrin e kishte dhënë ministri Mehmet Shehu, ka dashur të implikojë këta të dy, Llambin e Mehmetin, sado që viktima ishte një figurë e urryer nga regjimi si Sadik Premtja, duke përfunduar kësisoj “agjenturizmin” e dy personave të sipërthënë. Në fakt, për këtë veprim nuk kishte qenë dakord kryekëshilltar sovjetik Gllaskov, pasi atij në bisedë me Kadri Hazbiun e Zoi Themelin, ky veprim i ishte dukur se nxitej nga zbulimi turk. Ndërsa në gjyq jepet ideja se Enver Hoxha e kishte ndaluar veprimin si akt terrorist. Llambi në atë kohë, më 1951 kishte qenë zëvendëskryetari degës së zbulimit. Atentati ishte kryer pa sukses dhe me porosi të Sigurimit dhe për këtë shkak, Gllaskovi kishte reaguar. Por, në sallë Kadri Hazbiu ka pranuar se ka qenë ai që ka dhënë urdhër për atentatin ndaj Sadik Premtes. Kjo, sepse ministri Mehmet Shehu nuk ndodhej atë ditë dhe nga Partia kërkohej ngutësisht miratimi për ekzekutim. Enver Hoxha më pas ka kritikuar Hazbiun, pasi zbulimi nuk duhej të merrej me këto gjëra. Në atë kohë kishte dalë vullnetar një person i sëmurë me tuberkuloz, që do e vriste pas disa muajsh. Ai kishte thënë ta vriste në Paris Sadik Premten e më pas të vdiste në Shqipëri. Llambi më pas nuk pranon ato që ka vënë hetuesia në procesverbalin e pyetjeve të tij. Hetuesi i kishte treguar incizimet e deponimeve të Fiqret Shehut, Skënder Shehut dhe Gani Kodrës, të cilat i ishin vendosur “deponimit” të Llambit. Bëhej fjalë për një deklaratë në Paris sikur një person, i paraqitur si mjek (“i agjenturës” amerikane), në vitin 1972 kishte ardhur për të takuar Mehmet Shehun. Ky rrëfim i Llambit nxori për herë të parë rolin montues dhe falsifikues të hetuesisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër tregoi se Peçini nuk kishte ndërmend të pohonte ato që ishin firmosur në emër të tij, gjatë hetuesisë. Kur ishte mbajtur mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Robëruara në Strasburg, agjenti i Sigurimit atje kishte në plan të hidhte në erë këtë mbledhje, por kërkonte garanci. Kryekëshilltari sovjetik dhe Kadri Hazbiu kishin qenë dakord, por Llambi nuk mbante mend pse nuk ishte kryer kjo. Llambi dëshmonte edhe për përpjekjen në vitin 1961 të agjentit të Sigurimit në Romë, “Rampa” për blerje teknologjie, deri edhe sekretin e bombës atomike për shuma që shkonin deri 8 mijë dollarë. Peçini kishte konkluduar se “Rampa” nuk ishte gjë tjetër veçse mashtrues. Por, çështja kishte shkuar te ministri Kadri Hazbiu e deri te kryeministri Mehmet Shehu, i cili kishte miratuar shumën. “Rampa” kishte marrë paratë dhe kishte dërguar ca filma. Pasi këto nuk ishin hapur, ia kishin çuar kinezëve, të cilët pas 3 muajsh kishin thënë se ishte vetëm një bllof e asgjë tjetër. Llambi vazhdon të thotë se ato që ka nënshkruar gjatë hetimit janë bërë nën “diktimin e hetuesisë”, pasi ai nuk di “asgjë armiqësore”. Këtë rast ishte shkruar fjala se Mehmet Shehu i kishte thënë se për të rrëzuar pushtetin do përdoreshin forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të Gardës dhe Policisë. Peçini e thotë që s’ka pasur fare dijeni për procesin e Teme Sejkos dhe as pranonte të kishte qenë anëtar i një të ashtuquajture “organizatë kundërrevolucionare”. Llambi e vë në pozitë prokurorin, kur i thotë se nuk i ishte thënë asnjë provë që ai ishte “agjent i jugosllavëve” e më pas “agjent i sovjetikëve”. Dhënien e informacioneve OZN-as në vitet e para, Peçini nuk e quan tradhti, pasi kjo ishte praktikë pune e kohës. “E kështu flisni ju sot” – i drejtohet Peçini kryetarit dhe prokurorit të gjyqit, - por nuk duhet të harroni se atëherë bërtisnim Enver – Tito – Stalin”. Të dy drejtuesit e gjyqit i drejtoheshin Peçinit, sikur ky të kishte vendosur lidhjet me Jugosllavinë. Por Peçini i kthehej me një qetësi që nuk dihej nga i buronte, kur pohonte se deri më 1948, Sigurimi kishte punuar sipas modelit jugosllav, ndërsa pas këtij viti, sipas atij sovjetik. Llambi thotë se hetuesia “kishte prova” se ai ishte vënë në “shërbim të shteteve kapitalisto – revizioniste”, por ajo nuk paraqiste asnjë provë. Fjalës “strall” të prokurorit, Llambi Peçini i përgjigjej qetësisht: “Paskam qenë zëvendës i Mehmet Shehut unë, pse nuk thua ti?”. Në fillim të seancës tjetër, Mihallaq Ziçishti bën një mbrojtje për akuzën, teksa thotë se ato që ka nënshkruar Llambi Peçini në hetuesi janë të vërteta, pasi ia ka thënë dhe atij.
ARANIT ÇELA: I pandehuri Llambi Peçini akuzohesh se ke bërë pjesë në një organizatë që ka pasur si objektiv likuidimin fizik të sekretarit të parë të Komitetit Qendror….
LLAMBI PEÇINI: Unë nuk kam bërë pjesë në asnjë organizatë kundërrevolucionare edhe nuk di fare për ekzistencën e një organizate kundërrevolucionare të kryesuar nga poliagjenti Mehmet Shehu. Këtu thuhet Llambi Peçini ka pranuar platformën e saj, unë nuk di fare për platformën, as nuk kam marrë vesh. Këtu në hetuesi e lexova për herë të parë atë platformën, as nuk kam marrë vesh të famshmin program të poliagjentit Mehmet Shehu. Ka punuar për ruajtjen e anëtarëve dhe të krejt organizatës nga dekonspirimi. Nuk kam njohur asnjë njeri që të ketë qenë kundra partisë, nuk kam ditur gjë për veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu, se do t’ia kisha denoncuar partisë. Thuhet që kam pasur detyra konkrete për realizimin e puçit ushtarak për eliminimin e sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë. Nuk kam pasur asnjë detyrë konkrete, nuk di asgjë për këtë punë edhe unë dua të jap shpjegime për këtë, sepse mua më akuzon Fiqrete Shehu. Fiqrete Shehu në ballafaqim tha se i kish thënë Mehmeti se Llambi Peçini i kish propozuar dy variante atij, aksident automobilistik dhe me armë zjarri edhe gjoja sikur i paska telefonuar Feçor Shehut, që nga vila nr.6, që thuaji Llambi Peçinit që rrëzohen ato propozimet e tij....
***
ARANIT ÇELA: Kam këtu procesverbalin, ja ç’thua ti këtu: Unë pranoj që kam kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës. Pozicioni armiqësor është i hershëm dhe i zhvilluar prej vitesh si lidhje direkte e Mehmet Shehut. Për shkak të hershmërisë time në pozicion armiqësor kundër partisë dhe për arsye të qenies time si bashkëpunëtor i grupit të kryesuar nga Mehmet Shehu, unë e kam pasur të vështirë të vendosja për të pranuar veprimtarinë kryesore që kam kryer. Kjo është thënia jote. Këtë ti e pranon?…
LLAMBI PEÇINI: Unë nuk e pranoj. Unë thashë, mua më janë marrë ato me detyrim…
ARANIT ÇELA: Lidhur me qëllimin e organizatës, po prapë në këtë dosje nr.6 thuhet: Siç kam pohuar dhe më parë, unë nga Mehmet Shehu kam mësuar se bashkëpunëtor kryesor i hershëm në komplotin që kryesonte ai ishte dhe Kadri Hazbiu. Siç më ka thënë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiut i është ngarkuar detyra që në momentin e përshtatshëm me urdhër të tij (të Mehmetit), të përdorte forcën goditëse të Gardës, Policisë e Sigurimit për të eliminuar pengesat, siç i quante ai, udhëheqësit e partisë e të shtetit.
LLAMBI PEÇINI: Jo, unë thashë nuk e pranoj, se i kam bërë këto nën ndikim…
ARANIT ÇELA: Mirë. Fiqret Shehu të implikon pikërisht si anëtar të organizatës edhe si njeri që ke pasur dijeni për çështjen e puçit e të likuidimit fizik.
LLAMBI PEÇINI: Jo, nuk e pranoj.
Ndihmësgjyqtari: Tani si e shpjegon ti i pandehur që deponimet e tua të datës…
LLAMBI PEÇINI: Unë pothuaj 4 muaj e gjysëm u ngjira duke thënë jam i pafajshëm. Ish-drejtori i Hetuesisë, Piro Dautaj me gjithë hetuesin Mark Nikaj më incizuan, ja çfarë thotë Fiqret Shehu për ty, ja çfarë thotë Llambi Ziçishti…
PROKURORI: Kur të është komunikuar në përgjithësi pastaj të gjitha akuzat, të kam ardhur unë në hetuesi ty?
LLAMBI PEÇINI: Më ke ardhur…
PROKURORI: Ja ta kujtoj unë. Mbasi t’u komunikua akuza, të gjitha edhe për terror edhe për të gjitha, ti na the sikur të t’i vazhdonim ndonjë ditë tjetër me hetuesit, sepse nuk kam qenë dhe mirë. Të pyeta çfarë ke?…
LLAMBI PEÇINI: Kam një dobësi të përgjithshme, të thashë…
PROKURORI: Shoku kryetar, ne nuk habitemi fare që spiunë të tillë si i pandehuri Llambi Peçini për shpifje të kësaj natyre ndaj organeve të hetuesisë ne kemi dëgjuar edhe nga të tjerë, vetëm një gjë duhet të sqaroj në këtë proces gjyqësor. Në gjykimin e kësaj organizate kundërrevolucionare marrin pjesë 11 vetë, 7 këta këtu dhe 4 të tjerë. Këto shpifje monstruoze ndaj organit të hetuesisë ne i dëgjojmë vetëm nga tre, nga i pandehuri Llambi Peçini, nga i pandehuri Kadri Hazbiu dhe nga i pandehuri Feçor Shehu. Kjo është arsyeja se, siç e shikoni, të tre këta të pandehur, të tre këta shpifës janë fare mirë me shëndet si i pandehuri Llambi Peçini, i pandehuri Feçor Shehu edhe i pandehuri Kadri Hazbiu, që na pretendoi pa pikën e turpit këtu, se i ishin thyer brinjët. Këta janë shpifës të paturpshëm… I pandehuri Llambi Peçini është pjesëtar aktiv i organizatës kundërrevolucionare. Ky është një nga anëtarët aktivë të kësaj organizate dhe këtë e provon edhe veprimtaria e tij armiqësore e viteve 1972 – 1973, kur shoqëronte poliagjentin Mehmet Shehu. Ky ka krijuar detyrat e ndërlidhësit me agjentin amerikan, të poliagjentit Mehmet Shehu. Këtë e provoi Gani Kodra, e provoi Llambi Ziçishti. Këtë e ka pranuar dhe vetë në hetuesi, po i lemë ato fare… Gjithashtu, i pandehuri Llambi Peçini duke qenë shoqërues, që shoqëronte në një udhëtim poliagjentin Mehmet Shehu në vitin 1960, ka qenë ndërmjetësi i tij ose shoqëruesi i tij për të marrë takim me agjenturën jugosllave, me kryeagjentin, me Titon vetë edhe me djalin e Çurçillit, ish – kryeministrit anglez edhe me Fultzin. Por, nuk vazhdon vetëm me kaq, i pandehuri Llambi Peçini është pjesëmarrës edhe për organizimin e terrorit dhe të puçit ushtarak, që do të ishte një ndër detyrat e organizatës për marrjen e pushtetit nga armiku Mehmet Shehu. Roli i të pandehurit Llambi Peçini në këtë mes ishte rol i një ndërmjetësi që në kohën kur do të bëhej puçi, ky bashkë me shokë të tjerë do të merreshin me arrestimin dhe me izolimin e personave që do të bëheshin pengesë tradhtarit Mehmet Shehu për realizimin e objektivit të tij fi nal, për marrjen e drejtimit të partisë dhe për eliminimin e sekretarit të parë. Del pyetja pse e mohon një gjë të tillë? E mohon sepse do ta largojë veten nga kryeagjenti, nga poliagjenti, nga kryetradhtari dhe nga kryetari Mehmet Shehu, sepse e ka pasur njeriun e tij më të afërt, prandaj them shokë gjyqtarë si përfundim, si konkluzion se Llambi Peçini është pjesëtar aktiv i organizatës kundërrevolucionare. Por këta agjentë komplotistë, puçistë dhe terroristë, partia ua preu duart, i ndali në mes të rrugës, i mbërtheu, i solli në bangon e të akuzuarit, që të japin llogari para drejtësisë së popullit…
LLAMBI PEÇINI: Unë nuk kam bërë veprime edhe tortura, në kohën kur ishte Koçi Xoxe ministër i Punëve të Brendshme, unë kam bërë, por më pak, shumë më pak se sa shumë të tjerë, po ishte vija e Koçit. E dyta, ka ndonjë fakt prokurori?
ARANIT ÇELA: Prokurorit nuk i kërkohen fakte, as vihet në polemikë me ty.
LLAMBI PEÇINI: S’është e vërtetë ajo. (Vijon në numrin e së hënës)
Torturat në qeli ndaj Llambi Peçinit
Në aktakuzën për Llambi Peçinin thuhej se i kishin dhënë Mehmet Shehut tre variante për Enver Hoxhën: aksident, atentati në Vlorë, helm me veprim të vonuar. Këtë, i akuzuari e quante të gënjeshtërt. Për deklarimet e bëra në hetuesi, Llambi thotë se i ka bërë “nën ndikim” dhe nuk ishin të vërteta, sado që kishte 4 muaj që u “ngjir” se ishte i pafajshëm. Por prokurori nxehet duke thënë se: “nuk habitej nga spiunë si Llambi Peçini” apo nga deklarata e Kadri Hazbiut se “pa pikën e turpit”, “i ishin thyer brinjët”. Prokurori kalon në sulm duke thënë se “këta janë shpifës të paturpshëm”, prandaj nuk i vinte rëndësi faktit se nga njerëz të tillë “do dëgjosh edhe fëlliqësira të tilla”. Llambi i kërkon fakte prokurorit, se ku ishin faktet si ai kishte torturuar të tjerë. I menjëhershëm reagimi i Aranit Çelës, i cili pohonte se prokurorit nuk i kërkoheshin fakte. Pas debateve të tjera, Llambi i drejtohet Mihallaqit se ai “i preferuari i Mehmet Shehut” nuk u bë as ministër, zëvendësministër e anëtar i KQ. Ndërsa Llambi deklaron se është torturuar, prokurori tallet dhe thotë pse kishte pranuar se ishte spiun e nuk pranonte akuzën e terrorit. Llambi përgjigjej se edhe sikur mishin copa – copa t’ia bënin, ai nuk do pranonte se kishte dashur të bënte terror ndaj Enver Hoxhës.Mapo onlin
-
-
bashkangjitja temes se kadri hazbiut kte o feg..
sepse ashtu jan gjerat..
feg.. shih mos e gjen videon ku ramizi flet ne biron politike.. per situaten..
e dha blend fevzi faqeziu ne opinion para ca ditesh..
eshte shum interesante..
kurse ketu ne forum eshte nje tem per llamb pecinin se si ai me kadrine etj.. sollen enverin shendosh si molla nga moska.. nepermjet trenave.. rusi-ukraine--hungari--austri--itali-bari-aeroplan-shqiperi..
e pastaj lexo si ja kendojne te mjerit..i thon je agjent..
jan shum interesante keto..
pastaj gjeni ngjashmerite me ata kopilat e klosit ne kosove kur ja kendojn referatet atyre qe vrasin..
tmerr..
..
Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 13-08-2011 më 08:58
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt