Kryetari i PDK-së, në opozitë Hashim Thaqi, akuzon udhëheqësin e Grupit Negovciator të Kosovës, presidentin Fatmir Sejidu se po përpiqet që procesin negociator ta shfrytëzojë për qëllime partiake. Nga ana e tij presidenti Sejdiu, thotë se brenda anëtarëve të Grupit Negociator ka unitet të plotë, ndërsa shqetësimet e Partisë Demokratike i quan të panevojshme.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se Grupi Negociator i Kosovës është unik, ndërsa, lideri i opozitës në Kosovë, Hashim Thaqi, thotë se udhëheqësi i ekipit të Prishtinës presidenti Sejdiu dëshiron që ta personalizojë procesin e bisedave dhe po e përdorë atë për qëllime partiake.
Këto komente, u bënë nga dy figurat kryesore të politikës kosovare vetëm dy ditë pasiqë ata së bashku morën pjesë në takimin e nivelit të lartë politik në Vjenë të Austrisë. Këto tensione u ngitën pas fjalimit të presidentit Sejdiu para deputetëve të kuvendit ku raportoi për procesin negociator dhe takimin e Vjenës dhe ku nuk u realizua kërkesa e opozitës që në kuvend të zhvillohet debat për fjalimin e presidentit. Kryetari i PDK-së, në opozitë, Hashim Thaqi, thotë se mënyra se si presidenti raportoi para kuvendit për partinë e tij është e papranueshme.
Mirëpo presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili vjen nga radhët e LDK-së, nuk mendon kështu. Ai thotë se, shqetësimi i PDK-së është i panevojshëm, sepse sipas tij vendimet politike për të ardhmen e Kosovës do të jenë të përbashkëta.
Sidoqoftë, edhe autoritet ndërkombëtare thonë se tensioned e ngritura brenda anëtarëve të Ekipit Negociator të Kosovës janë të panevojshme, për faktin që sipas në Kosovë në këtë fazë të zgjidhjes së statusit nevojitet një unitet i plotë i forcave politike. Autoritet ndërkombëtare e vlerësuan qasjen e delegacionit të Kosovës në procesin negociator, ndërsa thanë se, Prishtina është duke shkuar me hapa të sigurt në filimin e implementimit të marrëveshjes për statusin përfundimtar të Kosovës.
Bekim Shehu
Krijoni Kontakt