Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Irfan
    Anëtarësuar
    08-07-2002
    Vendndodhja
    Aty ku Allahu me krijoji
    Postime
    464

    “Skënderbeu vdiq i helmuar”

    intervista


    Gati dalja e librit të ri me titull “Skënderbeu kryqtar”. Të gjjithë të rejat dhe detajet nga jeta e Heroit

    “Skënderbeu vdiq i helmuar”

    Studiuesi i njohur Aurel Plasari përmbys historinë


    Admirina Peçi

    Barleti mund të mos na ketë thënë të vërtetën për vdekjen e Skënderbeut, as për marrëdhëniet e viteve të tij të fundit me Venedikun ose osmanët.

    Dokumente që përballen dhe analizohen, shkresa të nënshkruara në Venedik, pikërisht në ditët e fundit apo menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, çojnë në rrjedhime të reja. Po, Venediku i lakmonte kështjellat shqiptare, ndërsa Skënderbeu, i ndërmjetësuar prej mbretit të Aragonës po përgatiste një paqe me osmanët, pikërisht në dy vitet e fundit të jetës së tij. Të dhëna, fakte dhe dokumente të reja, botuar prej zërave më të prestigjozë të historisë dhe studimeve të mesjetës, nën hulumtimin e Aurel Plasarit, për herë të parë vijnë në Shqipëri me një imazh tjetër rreth jetës veprimtarisë dhe vdekjes së Skënderbeut. Me librin e tij që mendon ta titullojë “Skënderbeu kryqtar”, ai synon, përmes një leximi tjetër, përmes ballafaqimesh të reja, të hedhë teza që e çojnë lexuesin mbase drejt një të vërtete që u mohua për qindra e qindra vjet.

    Sepse shumëçka nga historia e Skënderbeut, rrodhi prej asaj çka shkroi barleti, atëkohë, një qytetar i “varur” prej republikës së tij të Venedikut. Dhe ajo çka shkroi Barleti në shumë pika ishte varianti zyrtar, ishte vlerësimi dhe “vizatimi i kujdeshëm” që bëri Venediku për Gjergj Kastriotin. Por cilat janë variantet e vdekjes së Skënderbeut, a vdiq ai i helmuar, apo prej ndonjë heshte, prej ndonjë sëmundje tjetër përveç etheve? Pse u cilësua nga Montaneli si Poeti i Politikës Shqiptare, cilat qenë armët e tij të forta në diplomacinë ndërkombëtare…

    Në këtë intervistë ekskluzive dhënë për “Panoramën” studiuesi i njohur Aurel Plasari rrëfen shumë të fshehta nga ky libër që tanimë është i përfunduar e pret të botohet. Plasari nuk është në paqe me median. Ai u trembet titujve spekulativë dhe sugjeron të shmanget varianti “vdiq i helmuar”. Megjithëse ai vetë ngutet që nga të gjashtë variantet e artikuluara nga viti 1464 e deri më sot, sytë tanë duhet të ndalen më shumë tek ai i helmimit, kur sapo ishte kthyer nga Roma.

    Keni përgatitur tanimë një libër mbi “Historinë e Skënderbeut”. A mund t’u thoni diçka paraprakisht lexuesve për këtë libër?
    Besoj se lexuesit janë tanimë, nga një rrugë ose nga një tjetër, në dije të këtij libri. Pjesa më e shumtë e tij është botuar gjatë viteve 2000-2003, në formë kapitujsh, në disa organe shtypi, kryesisht “Bota shqiptare “ (Romë), Gazeta 55 (Tiranë), por diçka edhe në Shekulli etj. Kapituj të tij janë kumtuar edhe në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare, si kolokuiumi “Pesë shekuj Arbëri-Venedik” (Tiranë), simpoziumi “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu” (Palermo) etj. Nuk është fjala për një “Histori të Skënderbeut” në kuptimin e modelit të historisë së “jetës” dhe “bëmave” të heroit, që kanë parapëlqyer, të themi, historishkruesit klasikë të Skënderbeut prej Barletit dhe deri te Noli apo te Gegaj, duke përfshirë edhe klasikun bashkëkohës tonë Kristo Frashëri. Libri titullohet “Skënderbeu kryqtar” dhe merret me një aspekt të caktuar të veprimtarisë së Gjergj Kastriotit, të njohur edhe si Skënderbe: me përfshirjen e tij në projektet e kryqëzatave të përftuara qoftë nga Shteti papnor, qoftë nga Fuqitë e tjera europiane të kohës së tij.

    Libri është konceptuar “simbas dokumenteve”, çfarë d.m.th. në një lloj kundërvënieje sa ndaj burimeve legjendare, aq edhe atyre tregimtare. Nga leximi i dokumentuar i historisë së Gjergj Kastriotit dhe të luftërave të tij rezulton që motivimet e rendit fetar të kenë ngritur peshë ndjeshëm, më ndjeshëm nga sa është pranuar në përgjithësi, dhe se do të ishte historikisht arbitrare t’i thjeshtoje këto motivime duke i përligjur si “mjete”, si “mbetëza” apo si “çështje ritesh dhe praktikash”. Jam i vetëdijshëm që edhe ndër historishkruesit e sotëm ka një numër “studiuesish modernë” pak të prirur për ta marrë parasysh thirrjen fetare; edhe kur flasin për këtë thirrje ata shohin tek ajo një “element mjaft të shpërfillshëm” për t’i kushtuar vëmendjen e duhur ose një “pretekst të rëndomtë”. Edhe në rastin e Gjergj Kastriotit është menduar kalimthi që ai të ketë folur për “detyrë fetare”, të jetë përfshirë në luftë për “mbrojtjen e Krishterimit” ose drejtpërsëdrejti në projekte kryqëzatash vetëm për t’u hyrë në “graciet e mira” papëve dhe princërve katolikë. D.m.th. thjesht si manovër politike. Në të vërtetë, mbas shqyrtimit të historisë së tij të dokumentuar, mund të pohohet me argumente për rëndësinë jo vetëm në rrafshin e Europës, por edhe në atë të Krishterimit, të qëndresës dhe luftës kundërosmane të tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij. Mund të pohohet, mbas një shqyrtimi të tillë, jo vetëm që elementi fetar i luftës së tij të mos ketë qenë një “pretekst i thjeshtë”, por edhe që përfshirja e tij në luftën për mbrojtjen e Krishterimit ose drejtpërsëdrejti në projekte kryqëzatash të mos ishte rëndom një përshtatje “gracieve të mira” të papëve dhe princërve katolikë, si dhe as manovër politike.

    Më shumë se kaq: prej grafikut gjithë ulje-ngritje të marrëdhënieve të Gjergj Kastriotit dhe kancelarëve të tij (legatë, oratorë, diplomatë etj.) me Papatin dhe me Fuqitë e krishtera të Europës lexohet zhvillimi i idealeve politike të tij dhe, njëherësh, i lëvizjeve të tij në politikën e jashtme. Gjatë historisë së qëndresës dhe të luftërave të kundërosmane ai do të lidhte herë mbas here aleanca me shtete të ndryshme: me Mbretërinë e Aragonit, me Republikën e Venedikut, me Republikën e Shën Vlashit (Raguzës, me mbretërinë e Hungarisë etj. Por orientimi i tij politik kishte të bënte drejtpërsëdrejti me Shtetin papnor. Jo thjesht sepse gjithë papët e kohës së tij (Eugjeni IV, Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Pali II) u interesuan për sipëmarrjet e tij kundërosmane, por sepse edhe aleancat e tjera të tij u kushtëzuan nga marrëdhëniet me këtë shtet. Fan S. Noli, mbas tij edhe Stavro Skëndi dhe ndonjë tjetër, e kanë vënë re sak që Gjergj Kastrioti luftonte “kryesisht nën urdhrat e drejtpërdrejtë të papëve dhe vetëm rastësisht nën urdhrat e fuqive të tjera për sa kohë ishte i autorizuar nga papët vetë”.

    Nga ky ballafaqim duket që libri do të sjell një varg “të rejash”, sa u përket këndeve të vështrimit nga figura e tij nuk është parë aspak ose është parë fare pak; mund të përmendnit disa prej “befasive” që mendoni se na presin në një libër të këtillë?
    Të lexuarit në këtë mënyrë të dokumenteve mendoj se ndihmon për ndarjen gjithnjë më qartë të kufijve të historisë me legjendën, si edhe për të ndiçuar gjithnjë më mirë rolin që luante dhe peshën që ngrinte jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar, prijësi “i arbërve” apo “i epirotëve”. Me tjera fjalë: në atë qe sot e quajmë “politikë e jashtme” ose “diplomaci”. Pa u marrë me jetëshkrimin përgjithësor të heroit, me përshkrimin e luftimeve me osmanët dhe datimet e tyre të sakta, me dhënien e raporteve ushtarake mes dy fuqive, të taktikave dhe strategjive të ushtrive përkatëse, pa u ndalur në përllogaritjet e numrit të ushtarëve pjesëmarrës në to me të vrarë dhe të plagosur dhe në saktësimet e toponimive apo antroponimive, në zbulimin e tradhtive ose shpjegimin e motiveve të tyre etj., më është dukur me vlerë të ngulmohet te ky çelës leximi: te të kuptuarit e prijësit të madh arbër/epirot me rrënjët e tij të thella ideologjike mesjetare dhe në marrëdhënie me idetë që në atë kohë u patën zhvilluar, me projektet kundërosmane që në atë kohë u patën hartuar, me lëvizjet përkatëse që në atë kohë u patën kryer.

    Besoj të jemi një mendjeje që aspekte si ky ngrenë shumë më tepër peshë në historinë e heroit të një populli se sa, fjala vjen, tregimet e historianëve të tij klasikë, me një Skënderbe që flinte vonë ngase lexonte gjithë natën dhe mbante poshtë nënkresës librin e trashë të Jul Cesarit, me një personazh me kapele pellushi ngjyre të kuqe dhe çizme prej meshini viçi ngjyre të verdhë etj. etj.

    Nga pjesët e botuara në shtyp duket se një ndër rishikimet e librit lidhet edhe me vdekjen e Skënderbeut, si shkak i një “helmimi” apo diçkaje të tillë. Apo jo?
    Me gazetarët të gjen belaja për shpjegime të tilla. Një kumtesë imja me titull “Të vërteta mbi vdekjen e Skënderbeut”, e mbajtur në kolokuiumin “Pesë shekuj Arbëri-Venedik”, u botua në një organ shtypi dhe... shtypi si shtypi. Me tituj: “Plasari: Skënderbeun e kanë helmuar!”.

    “Plasari: ju tregoj si e kanë helmuar Skënderbeun”! Se shtypi, mjerisht, edhe historinë e Skënderbeut është gati ta trajtojë si “lajmet e berberëve”, sikurse i quaj unë scoopet me deputetë ose politikanë të sotëm. Uroj të mos i vini edhe ju kësaj interviste tituj të tillë me “berihaj”.

    Më qartë, edhe një herë: Simbas historianëve të tij klasikë, në Lezhë Skënderbeu ra i sëmurë dhe vdiq më 17 janar 1468. Datën e ka dhënë Barleti, duke dhënë gabim vitin (1466), me shkakun e cituar sipër: “... e zunë një palë ethe të rënda”. Edhe Franku e përshkruan: “Por u sëmur prej ethesh shumë të forta”, edhe ky me vitin gabim. Muzaka nuk e thotë shkakun e vdekjes, por jep edhe ai vitin gabim: 1466. Edhe Tivarasi/Biemmi: “... e zunë një palë ethe të forta, që e detyruan të zinte shtratin dhe të ndryshonte zbatimin e planit të tij”, edhe ky me vitin gabim. Si shihet, Muzaka, Biemmi dhe mbas tyre shumë të tjerë janë varur po te Barleti; nga ana tjetër, shkaku i vdekjes i dhënë nga Barleti dhe rimarrë nga shumë ndjekës përkon me “variantin zyrtar” venedikas për këtë vdekje. Ky variant nxirret prej një mesazhi të Ghirardo de Collis-it për Dukën e tij më 12 shkurt 1468: “Skënderbeu kaloi nga kjo jetë; kishte ethet dhe, meqë disa turq teptisën në vend, deshi t’i hipte kalit dhe vdiq brenda tri ditësh”. Të mbahet parasysh se Ghirardo de Collis-i ishte ambasador i Dukës së Milanos pikërisht në Venedik, pra me këtë njoftim ai nuk bënte veçse përsëriste “variantin zyrtar” të Republikës. Këtë variant ka adoptuar edhe historigrafia zyrtare shqiptare, pa marrë parasysh që ai nuk është i vetmi variant i dhënë prej bashkëkohësve për vdekjen e Skënderbeut.

    Në kreun në të cilin kam trajtuar vdekjen e tij km vënë në dukje se variantet e vdekjes, dhe përkatësisht vdekjes së Skënderbeut janë më shumë se një dhe ato do të duhen numëruar pa parapëlqime për ndonjë “variant zyrtar”. Madje, nëse duhet privilegjuar ndonjëri ndër këto variante, i bie të jetë ai i Volaterranos, bashkëkohës i Skënderbeut, që flet për një “helmim” të lidhur me vizitën e heroit në Romë, çfarë do të përkonte, nga ana tjetër, edhe me një variant të sëmundjes së Skënderbeut në Romë

    A mendoni se ka aspekte të tjera të pandriçuara që lidhen me fundin e jetës së tij?
    Me siguri. Posaçërisht traktativat e mundshme me omsanët, për paqe përfundimtare më shumë se për armëpushim, për shëmbull nëpërmjet birit të ish-sovranit të tij, Mbretit të Aragonit, Çntes. Pikërisht në fillim të vitit 1467 Mbreti i Napolit kishte hyrë në traktativa të fshehta më “Pashain e Arbërisë” dhe, nëpërmjet tij, me “Turkun e Madh”, d.m.th. me sulltanin. Këto traktativa kishin nisur të bëheshin realitet së paku qysh më shkurt-mars 1467, d.m.th., për një përkim të çuditshëm, pikërisht në ndërkohën kur edhe Gjergj Kastrioti ndodhej në oborrrin e mbretit Ferrante. Del kjo situatë e veçantë në Oborrin e Napolit del edhe nga njoftimi që më 1 mars të atij viti ambasadori i Dukës së Milanos në Oborrin papnor, Agostino de’ Rossi, u dërgonte nga Dukëve të Milanos. Edhe në një relacion të 17 marsit edhe ambasadorët milanezë në Oborrin e Napolit, Guidabono, Da Trezza dhe Da Landriano, njoftonin Galeazzo Maria Sforzan se mbreti Ferrante i quante të padëmshme traktativat me osmanët, madje i quante ato të dobishme, dhe kishte vendosur të dërgonte ambasador pranë tyre një diplomat kushëri të vetin. Vetë mbreti Ferrante në një mesazh të 26 marsit 1467 drejtuar Ipeshkvit të Askolit, në të cilin e bëhet fjalë për një ambasador të “Turkut të Madh” që ka vajtur pranë tij me dhurata të mëdha, Ferranteja shpjegonte se ai ishte dërguar nga “Pashai i Arbërisë”, d.m.th. Ballaban Pasha.

    Interesimi, dhe madje shqetësimi, për atë çfarë po zhvillohet në Oborrin e Napolit kishte pushtuar në këtë ndërkohë gjithë oborret e tjera italiane. Edhe në një tjetër relacion për Sforzan, të datës 15 maj, Da Trezzoja shkruante nga Oborri i Ferrantes për mbasadorin e Mbretit të Napolit pranë “Turkut të Madh”. Në relacionin e Da Trezzos të datës 24 qershor njoftohej se në kohën kur Bernardo Lopisi, që kishte qenë te Sulltani, qe kthyer në Vlorë për të kaluar s’andejmi në Mbretërinë e Napolit, ishte informuar se disa anije vendikase i kishin zënë pritë për ta zënë në det të hapur; atëherë ai i qe shmangur anijes që po nisej dhe venedikasit kishin kapur lajmëtarin e tij, të cilit ia kishin marrë dhe hapur letrat që shpinte për Mbretin e Napolit dhe mandej ia kishin kthyer; simbas Da Trezzos, ambasadori i Ferrantes tanimë priste në Vlorë për të mundur të kalonte i sigurt në bregun tjetër . Me sa nxirret prej letërkëmbimeve, më 3 korrik ambasadori napoletan rezulton i kthyer në Oborrin e Ferrantes. Traktativat, kështu, mbeten të mbyllura në enigmë. Ambasadori milanez në Venedik De Collis, për shëmbull, njoftonte se “Republika i mban lajmet prej Levantit shumë të fshehura”. Çfarë po ndodhte?

    Tërthorazi, edhe nga një informacion që vetë mbreti Ferrante i dërgonte protonoterit të tij Roça dhe Antonio Cicinellos nxirret: “Sulltani i ka thënë ambasadorit tonë se e urrente shumë Republikën e Venedikut dhe, po të mund të siguronte një port të mirë “në ato brigjet e Arbërisë”, do t’i bënte asaj [Republikës] luftë”. Edhe më dritë mbi undergroundin e errët të situatës në të cilën lëvizte politikisht Gjergj Kastrioti mund të hedhë një tjetër relacion i Ghirardo de Collisit, i datës 27 korrik 1467, në të cilin ai bën me dije Dukën e tij për sa ka mësuar në qarqet venedikase: “Skënderbeu erdhi në Krujë me 200 këmbësorë [që] ia kishte dërguar mbreti Ferrante për t’i dhënë me ta ndihmë Krujës. Komisari i Krujës, i cili është venedikas, nuk ka dashur ta pranonte dhe e pa të udhës t’i thotë që Zoti Mbret në fjalë e kishte dërguar aty për t’ia dorëzuar Krujën Turkut, dhe ika shkruar këtu Sinjorisë se Zoti Mbret në fjalë ka lidhje me Turkut dhe kështu ata e besojnë, të njëjtën gjë besojnë edhe për Lidhjen, ndonëse hapur nuk e thonë; i gjori Skënderbe u kthye në Lezhë, i privuar nga gjithë shteti i tij, pjesërisht nga armiq turq, pjesërisht nga miq dhe bashkëlidhës” . Një relacion i tillë është i një rëndësie krekëput të veçantë; ai duket të mos jetë lexuar si do të duhej për shkakun mediokër që botuesit e tij kryesorë e kanë pasë datuar gabim: Nagy & Nyári në vitin 1471 (kur Kastrioti nuk ishte gjallë), Radoniæi më 1457 (atëherë kur Mbret Napolit ishte Alfonsi, dhe ende jo Ferranteja, si në dokument) etj. Në realacionin e 30 korrikut De Collisi shton: “Thonë se Turku dërgoi 12 mijë kuaj deri në portin e Durrësit, mandej u kthyen drejtpërsëdrejti në Krujë. Nuk dihet çfarë bëri mandej, porse nëpër sheshet thuhet se [Turku] kishte bërë marrëveshtje dhe traktat me Skënderbeun, nëpërmjet Madhërisë së mbretit Ferrante për t’ia dhënë Krujën Turkut, dhe tanimë e quajnë Zotin Mbret në fjalë “Mbreti Turk i Ri”, si ai që ka lidhje me Turkun”. Por, gjithsesi, hollësitë e mëtejshme duhet t’ia lëmë librit, apo jo?...







    hipotezat

    Cilat ishin dyshimet rreth lamtumirës së përjetshme të Gjergj Kastriotit

    Gjashtë variantet për vdekjen e Heroit

    Janë vërtitur hije rreth vdekjes së Skënderbeut. Shumë dyshime. Shumë hamendje dhe supozime. Por ekzistojnë gjashtë variante rreth udhëtimit të heroit tonë kombëtar për në botën tjetër.

    Varianti më i përfolur, të cilin ne e mësuam në shkolla, e hasëm në faqet e historisë së tij, që nga Barleti, e shumë të tjerë pas tij, ishin pothuajse të njëjtat. Skënderbeu vdiq i pushtuar prej etheve. Në fakt, ky qe varianti zyrtar i lajmit të vdekjes së tij, një lajm që u përhap nga Venediku dhe u shënua në të gjitha shkresat zyrtare. Edhe Barleti, i cilësuar nga studiuesi Aurel Plasari, një qytetar i Venedikut, që shkruante e botonte në Venedik shkroi në librin tij variantin zyrtar të vdekjes së Gjergj Kastriotit, pra vdekjen nga “ethet”. Por ky nuk mund të quhet varianti i saktë. Në këtë kohë, markezi i Mantuas njoftohej prej ambasadorit të tij, Giovanni Francesco de Maffei, në Raguzë, për një tjetër variant vdekjeje: Skënderbeu vdiq në betejë me një shigjetë. Ndërsa Gaspare Veronese, shënonte se Skënderbeu ka vdekur nga një atak kardiak. Po ashtu, dy njoftime të tjera vdekjeje shënoheshin si pasojë e sëmundjeve të tjera, ndërsa më befasuesi mbetet varianti Volaterrano-s, i cili shënonte:“Si erdhi në Romë, (Skënderbeu) u kthye në atdhe ku thuhet se pas pak kohe vdiq i helmuar”, variant që, sipas Plasarit, duhet privilegjuar nisur nga përkimi i fakteve të dala nga burime të ndryshme.



    variantet e vdekjes

    varianti 1
    Varianti zyrtar i Venedikut, që u përdor dhe nga Barleti nxirret prej një mesazhi të Ghirardo de Collis-it për dukën e tij më 12 shkurt 1468: “Skënderbeu kaloi nga kjo jetë; kishte ethet dhe, meqë disa turq teptisën në vend, deshi t’i hipte kalit dhe vdiq brenda tri ditësh”.

    varianti 2
    Ndërsa ambasadorët e dukës së Milanos në oborrin papnor Lorenzo da Pesaro dhe Agostino de’Rossi informonin me saktësi: “... u sëmur këtu nga punceura”.

    varianti 3
    Markezi i Mantuas njoftohej prej ambasadorit të tij, Giovanni Francesco de Maffei, në Raguzë, për një tjetër variant (i treti) vdekjeje: “PS. Skënderbeu vdiq në betejë me një shigjetë”.

    varianti 4
    Një variant i katërt i vdekjes/sëmundjes gjendet te Gaspare Veronese, sipas të cilit, Skënderbeu ka vdekur nga “curis et angustia cordis”.

    varianti 5
    Një variant të pestë të vdekjes/sëmundjes së tij e jep Platyna, sipas të cilit, Skëndebeu ka vdekur nga “taedio et senio confectus”.

    varianti 6
    Varianti i gjashtë mund të nxirret prej një kalese posaçërisht të rëndësishme të Volaterrano-s në komentarët e tij: “Si erdhi në Romë, (Skënderbeu) u kthye në atdhe ku thuhet se pas pak kohe vdiq i helmuar”. nga www.panurama.al

    ---------------------------
    Nuk e di ne ke degjuar per Naum Veqilharxhin,
    iluministin e pare shqiptar, autor i abetares se pare
    shqipe (1844), per te cilin sypozohet se e ka helmuar
    patrikana greke ne Konstantinopoje. Nuk dihet ende pse
    vdiq pasi e demaskoi Millosheviqin ne shtypin grek
    Aristidh Kola, albanolog dhe atdhetar yni ne Athine.
    Shqiperi eshte aty ku flitet shqip.....aty ku u nda toka dhe qielli

  2. #2
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Po se mos vetem keta, Ismail Qemali po del qe ka vdek i helmu. Po ka dhe te huaj qe kan vdek o te helmu o m eshufra hekri kokes. Ka dhe shqiptare qe jane masakru nga vete qelbesirat komuniste qe pagoheshin nga jashte per te shkaterruar ajken intelektuale te kombit dhe per ta lene ate pa shprese. Ky esht muhabet shume shume i vjeter o Irfan... te pakten dy here sa eshte hapesira kohore qe na ndan me nje tjeter vdekje te sajuar futja pordhes gri sallate qe eshte ajo "me tjegull" e prijesit legjender te Iperjoteve, pra shqiptareve, Pirro Burrin... apo mos duhet te kalojme dhe tek Leka i Madh ... qe "vdiq nga ethet"(shiko paralelizmin e vdekjes se Lekes se Madh te kohes pas Krishtit, dhe Lekes se Madh te para Krishtit) etj etj. Apo mos duhet te flasim se si "eshte dorezuar" mbreti Gent, fakt ky qe paraqesin palacot Romake, kur ne nje kohe Genti ishte vrare ne lufte e ata marrin nje sozi, e cojne ne Rome dhe "e detyrojne" te thote "Un quhem Gent, mbreti i Ilireve"... dhe te gjithe gajasen.

    Eh sa e vjeter eshte kjo politike ndaj popullit me te lashte ne Europe, nuk ka filluar tashti me "l'America" e Gianni Amelios, apo me politikat e mbrapshta greko-serbe.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Hyllien : 24-07-2006 më 13:01
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

Tema të Ngjashme

  1. Gjergj Kastriot Skënderbeu
    Nga Arbushi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 434
    Postimi i Fundit: 18-09-2022, 06:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •