Jemi aq groteskë, saqë të huajt sapo përmëndet emri Shqipëri vetvetiu u shkon një buzëqeshje e lehtë. Shumësyresh, mbase, janë të errësuar nga një propogandë...e cila ka mbetur vite pas.
Kjo për shkak të bëmave tona, që nuk kanë të sosur...Rasti i fundit i Sunday...e kalon vetëm në kohë dhe hapësirë...atë që të tjerët kanë vështruar në territorin e Shqipërisë dekada më parë deri më sot. Po, kjo, duhet të na shqetësojë...
Duhet ta kemi të lindur atë... groteskun. Nga veshja, nga sqima, nga fjalët...dhe patjetër nga budallallëku. Që nga ecja, përballja me njëri-tjetrin, dukja, sjellja…dhe mbi të gjitha punët. E kemi materializuar këtë në elementët arkitekturore shpifarake (mund t’i shikosh lehtë), zakonet...dhe mbi të gjitha çuditë. A nuk dukemi në histori si vetë bijtë e anarkisë? ! Sa herë e kemi çuar në zgripin e fundmë- shtetin? Nuk po përshkruajmë kategori apo të futemi në etnologjinë tonë. Po t’i pyesësh veçmas shqiptarët: Përgjigja dihet- Zoti na e ka bërë peshqesh dhe është i kënaqur me këtë gjendje. Ndaj edhe ne- nuk kemi faj që jemi kaq groteskë. Kështu kanë qenë katragjyshët, dhe të gjithë ata më pas, që kanë rrjedhur pas tyre. Ndër shumë cilësitë e tjera...kjo që na ka mbetur ...është vetë ajo: se ne jemi një grotesk i vërtetë.
Dy vjet më parë në një reportazh në fshatin zulmëmadh të Lazaratit i shpëtuam për mrekulli drurit. Kuptohet se kjo nuk përbën ndonjë gjë të veçantë aty, por i çuditshëm ishte fakti se për ‘të parët’ e Lazaratit ishte çudi sesi në fshatin e tyre mund të fotografohej një grua serbes majë gomarit (ajo tentonte e qetë t’i binte ziles së një dere, paçka se ishte keq duke mos zbritur që aty…), ndërsa “Të na kishe thënë, që të nxirrnim kabrioletat”...
Nuk është çudi ta dëgjosh këtë në Shqipëri, sepse e kanë zakon, që në një shtëpi mund të qëndrosh si qëmoti- të hash deri në kushte shumë mizerabël...por të kesh një makinë lluksi para dere. Të vdesin të gjithë katundarët duke e parë. Nuk harrohet pak vite më parë në Rrugën e Elbasanit, duke shkuar në Sauk...dëndur fshatarët që kishin shitur toka për të blerë BENZ-at e fundit, natën...u duhej t’i shtynin bashkarisht-familjarisht në malore se nuk kishin karburant...pas stërhalljeve në kryeqytet. A ka më grotesk? Vallë, pse duhet të jemi kaq “strange”, që të na çudisë artikulli i “Sunday Times”? Po ndryshe si mund të identifikohemi?
Pak retrospektivë
Nuk mund të merret me mënd sesi mund të ketë qetë shprehja e fytyrës së Konsullit Pukëvil teksa has një fshatar në Përmet. Ka ecur në një shkretinë të tërë dhe në fshatin e parë që gjen pas orë sfilitjesh, rastis një plak shqiptar…që as më shumë dhe as më pak i flet për “Prokop” (Kafja më e vjetër në Paris-një nga më të vjetrat në botë dhe vendi i enciklopedistëve). Ka parë Didero, Dalambert, Freret…Kaq mjafton që Pukëvil të kalojë në habi, teksa dëgjon nga goja e një zhelani të harruar -gjëra që ai në jetë vetëm i ka thashethemuar. Dhe, nga kush, nga një shqiptar. Mos harrojmë është shekulli i XVIII dhe ky plak i flet frëngjisht.... E konsulli që nuk i do fare shqiptarët dhe nuk i kursen të sharat, këtë herë po...është i çmeritur. “Shkretina që ke parë duke ardhur këtu është pema e anarkisë: cila despotizëm do të kishte bërë një të keqe të madhe?...”, e sqaron plaku për mjedisin shqiptar. “Qafir Pukovil”, si i thoshte Ali Pashai ishte njeriu i parë që nuk e kuptonte- pse duhet të ishim kaq ekzotikë...por edhe groteskë njëkohësisht. Bën përsiatje pa fund...por ndryshe nga shumë të tjerë...përfundon atje kudo në urrejtje për shqiptarët. Megjithëse kanë qenë në Misir, në Stamboll dhe himariotët pothuajse të gjithë kanë shërbyer në mbretërinë e Napolit, “këta të shëtitur dhe të parë s’u hyn më në ndonjë punë, s’u zbut vetijat; përkundrazi ngjan sikur u forcon barbarinë dhe kur kthehen nga mallet e tyre bëhen prapë arnautë”…e mbyll këtë.
Nejse, mjaft me këtë…Më duket se dhimbjen e ndjej dhe tek Mit’hat Frashëri, që është marrë me shkoqitjen e shënimeve të udhëtarëve si ai. Hobhouse, që më vonë do të quhej Lordi Broughton, është edhe më i çuditur. Udhëton me Lord Byron, por është më i frenuar se ai në admirimin e natyrës. “Nuk ndjej ndonjë pëlqim për të folur për mbi moralin e tyre”…por nuk harron që të veçojë cilësi të mirë të shqiptarëve...”në disiplinë militare: një ushtari i presin kryet, e varin por nuk e rrahin…”, sqaron ai thatë...Një britanik tjetër zbret vite më vonë. Eshtë John Gordon. Është shumë më i vonët dhe ka shkruar “Dy vagabondët”, ku rrugëtimin e tij e ndan me të shoqen. Jemi në fillimin e shekullit të shkuar ose më mirë për të thënë, krejt në fillim të tij. Në një moment, sikur të ketë pranë Luciferrin- bën një përgjithësim të frikshëm për shqiptarët: “Çuditeshim me optimizmin e këtyre njerëzve, kur na falenderonin pse u thoshim që do të shkrojmë të vërtetën. Por, në këto tri ditë që biseduam me shumë njerëz, secilido- na thoshte duke na hequr menjanë se Shqipëria është një vend fatkeq dhe mizerabël dhe nënshtetasit e saj janë, për më të shumtët, njerëz që duhen përbuzur. Secili donte të thosh se ay vetë ka një shpirt më të lartë nga i të tjerëve”.
Njësoj si tani. Ose më shumë akoma, si në autobusin e famshëm të Kuçit, ku janë të gjithë në rradhën e parë dhe mtojnë madje që autobusi të ecë anash. Ndërsa, tallet dhe tallet me shqiptarët që duan të braktisin vendin, njësoj si sot. “Pa dyshim,- thotë- këta emigrantë që kanë qenë në Amerikë janë një mallkim për vendin. Kam parë katunde të tëra ku burrat ishin në Amerikë dhe tani duan të kthehen prapë ose s’kanë qenë fare në Amerikë dhe dëshirojnë që të venë. Këta emigrantë e gjenin të vogël Shqipërinë, ëndërronin enterpriza (ndërmarrje-red) të mëdha, bërtasin për drita, arsim përparim; po e vërteta është që bërtasin si të fitojnë shumë të holla. Disa prej tyre, kur u mbyll Amerika, vanë në Australi. U kthyen shpejt prapë: s’kishte punë. I pari problem i përparimit, përmirësimi i fatit të grave të tyre, ishte aty përpara, po askush nuk kujdesesh...Përmbi Përmet pashë një katund fort të bukur, që është banuar vetëm prej grash: burrat janë në Amerikë për të llustruar këpucët ose të shesin ujë-soda”...
Edhe ky britanik nuk na thotë ndonjë gjë më të madhe, sepse për ne rroftë Miss Durham kjo dashuri e pamatë me shqiptarët...?! ”Filluam të kuptojmë dhe të admirojmë ç’vlente nënshtetësia dhe qytetësia shqiptare; edhe me të vërtetë, në është se kjo qenka ajo që fituan me anë të kombësisë, ç’duhesh pra Shqipëria të mundohesh kaq tepër sa për t’u bërë komb”...e mbyll ai përcaktimin e tij
Disi më i ëmbël William Martin Leake, që është pak si i mrekulluar, por tepër e vret pisllëku i shqiptarëve...derisa thotë se morrat ecnin qetazi mbi minderin e Ali Pashait..., që mbahet nga ana e tij aq krenar para miqve, edhe madje i pyet:A flitet andej për mua”.... Edward Lear, piktori i brishtë dhe grafisti i rrallë, është edhe më i mrekulluar nga mjedisi por nuk rri njësoj pa na fshikulluar...për zakonet, por më shumë kotësinë..deri në... grotesk...
Njësoj groteskë në ditët tona
Vite më vonë...është Aleksandër Tijaniç, që zbret në Shqipëri. Ky bashkëkohës do të bëhej më vonë ministër i Informacionit dhe deri këshilltar i kryeministrit aktual serb Koshtunica. Ai është me një shpurë të tërë që do shoqërojë ekipin e Partizanit të Beogradit në Vlorë në vitet ‘80. Në Shqipëri udhëtojnë pak e më pak të huaj dhe shqiptarët e habisin me dokrrat e tyre. “Mbajnë syze të errëta, deri në muzgun e thellë dhe qeshin me të madhe, kur shikojnë ndonjë të shëndoshë, si kolegun tonë...”- jep ai imazhin e vlonjatit socialist.
Nuk e mbaroj dot listimin e përcaktimeve të të huajve për Shqipërinë. Nuk ka rëndësi...ne do të mbetemi të tillë vanitozë dhe groteskë...me zakonet tona..., që tashmë janë të harruar në librat e humbura të etnologjisë.
Pa e vrarë shumë mëndjen...kujtoj fjalët e Mareshallit të Senatit polak, një muaj ditë më parë, Borusewicz, që më thoshte se Shqipërinë e njeh shumë mirë...Vërtet?! Po, më thotë dhe zgërdhihet pa fund duke më përmendur vitin 1997. Aq sa më thotë edhe një fshatar i humbur polak në kufirin polako- Ukrainas: “Vazhdoni të luftoni ju? Sa armë të mira keni!- më thoshte me admirim. Si ke ardhur...? Më kot rrekesha t’i thoja që s’ka luftë...por atij i dukem si luftëtar dhe madje si ata të Vitit të Mbrapshtë...duke kërkuar luftra...këtej nga Dukata e Varshavës.
Këtë shpirt nuk e zhbëmë dot...as me skuthlliqet e Zogut, as me egërsinë dhe marifetet e Enverit dhe as me rrapëllimat e pafundme me Nano-Berish-Ramë-Metë...sepse ne jemi groteskë në të gjithë gjërat tona..saqë duket se përbëjmë vetë ekzotikën e këtij kontinenti plak, të cilit i kemi zënë një vend pa të drejtë. Kështu na shohin. Ç’të bëjmë? Ndaj të vjen keq, kur lexon tekstet e gjata patetike dërguar britanikëve...që Shqipërinë e njohin vetëm nga bëmat e djemve tanë në Angli...
“Shqipëria është subkoshienca e këtij kontinenti. Po, Shqipëria është idem evropian, është frikë, që i afrohet natën në gjumë Parisit, Londrës dhe Frankfurtit mbi Majn. Ajo është pusi i errët, në fund të të cilit duhet të shohin ata që kujtojnë se rendi i gjërave është vendosur njëherë e përgjithmonë”, kujtoj Stasiuk, që nuk i mbusha mëndjen dot se kryqi i fshatit të tij kishte elementë ortodoksë. Një vështrim i tij i dorëzuar, më bindi se shkova në grotesk...ashtu si të gjithë bashkëatdhetarët e mi...
NGA: Ben Andoni
Krijoni Kontakt